Tirana-Ajaks, kur “futbolli total” startonte në “Qemal Stafa”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 16, 2020 | 21:45


Tirana-Ajaks, kur “futbolli total” startonte në “Qemal Stafa”

UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Për 17 Nëntori-Ajaks, në “Sporti”, Prokop Koreta, që e kam njohur nga afër, një gazetar me formim perëndimor, njohës i madh i të gjitha disiplinave sportive, deri edhe çiklizmin kur debatonte me francezët, do të shkruante: “Ajaksi (një emër i një heroi të mitologjisë greke) erdhi për t’u ndeshur me 17 Nëntorin, i sigurt se fitoren e kishte në xhep.

Korteu ajaksian i përbërë nga drejtues, lojtarë e gazetarë me flokë të gjata, mjekra të dendura, aparate të shumta e larmi kostumesh me ngjyra ndezëse (ku nuk mungonin as minifundet), zbret rëndërëndë, plot pompozitet, tamam si në teatër, shkallët e hotelit dhe i hipën autobusit që do t’i çojë në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’.

Ajaksi ne Tirane5

Shumë kalimtarë ngrenë supet e pyesin njëri-tjetrin: ‘Po këta nga na mbinë? Ç’të jenë vallë? Po në futboll si do të jenë?’” Por, ajo nuk ka qenë vetëm një ndeshje, rezultati surprizë, emocionet deri në fund. Nga ai takim kanë kaluar 50 vite, askush nuk e kishte menduar se “hapin triumfues, futbolli total do ta kishte nga Tirana”, siç e përshkruan R. La Monika te “Coppa Campioni Story”.

Ka qenë një mesditë e nxehtë, në “Qemal Stafën” e tejmbushur, ai 16 shtator i vitit 1970, e mërkurë si sot, por gjysmëshekulli më parë, nga do të merrte udhë një stil i ri loje, do të startonte ndoshta sistemi më i famshëm në historinë e futbollit botëror, i përfaqësuar nga Ajaksi e Holanda. Një futboll i madh, modern, krejt ndryshe, “futbolli total” do të quhej, dominues në vite, i jashtëzakonshëm, i paimitueshëm.

1970n17-aja Zhega

Zhega i rrethuar nga futbollistet e Ajaksit (Foto arkiv Mqb)

 

AJAKSI NË TIRANË, KRUJF NË STOL DHE ZHEGA E KAZANXHI QË NDËSHKOJNË FUTBOLLIN TOTAL

Ajaksi erdhi një ditë para takimit dhe si zakonisht i gjithë delegacioni, përfshirë edhe 30 gazetarë, telekronistë televizivë, midis tyre edhe femra, u sistemua në hotelin “Dajti”. Veshur bukur me kostume zyrtare, flokë të gjata, trupa shtatlartë, imponues, një imitim kohor i grupit të famshëm muzikor Beatles. Në mesditën e së martës një seancë njohëse në “Qemal Stafa”, e cila u ndoq nga tifozë, kureshtarë, por edhe nga futbollistët e 17 Nëntorit.

Krujf ne stol logo

Krujf në Tiranë, i ulur në stol (Foto: Legbe)

Të nesërmen ndeshja. Johan Krujf doli në stërvitje një ditë më parë, e ndërsa pritej të luante, ai qëndroi në stol me gjurin e këmbës së majtë të fashuar. Për ta ruajtur, stafi nuk e aktivizoi. Ajaksi nuk luajti me fanellën e bardhë me shiritin vertikal të kuq në mes, por me ngjyrë vishnjë. Edhe 17 Nëntori nuk veshi uniformën e traditës, por luajti me atë blu, e gjetur në magazinat e klubit. Kuriozitet i madh për gazetarët holandezë para takimit, për të cilin pati interes me foto e filmime, ishte për të paharruarin, karizmatikun Ali Pazari, njeriun që mblidhte e ruante biçikletat e tifozëve.

17 nentori Ajaks logo

17 Nëntori-Ajaks, duke vrapuar për në qendër (Foto Di.Kur)

E mërkurë, 16 shtator 1970, ora 14:00, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”

17 NËNTORI-AJAKS 2-2

GOLAT: Suurbier ’19, ’58 / Kazanxhi ’59, Zhega ’85

17 NËNTORI: Konomi (Habibi 61′), Frashëri, Dhales, Kasmi, Xhafa, A.Mema, Çeço, Xhaçka (Kazanxhi 58′), Çela, Hyka, Zhega. Trajner: M. Alla

AJAKS: Stuy, Hulshoff, Krol, Suurbier, Vasovi?, Muhren, Rijnders, Nesskens, Van Dijk, Keizer, Stwart. Trajner: R.Michels

GJYQTARË: P. Schiller, Uxa, Mayer (Austri)

Portieri Stjuart dhe Zhega logo

Moment nga ndeshja, 17 Nëntori-Ajaks, portieri Stjuart në një kërcim akrobatik, shihet Zhega poshtë tij (Arkiv PMGB)

17 Nëntori – Ajaks do të regjistrojë kështu ndeshjen e parë zyrtare me të cilën futbolli total do të niste ciklin e madh, të papërsëritshëm. Ndonëse Krujf do të mungojë në dy takimet, ky ishte formacioni i parë historik i Ajaksit në startin epokal të tij.

Pas dy javësh, e mërkurë 30 shtator, ora 21:00, “Olympisch Stadion”, Amsterdam

AJAKS-17 NËNTORI 2-0

GOLAT: ‘7 Keizer; 72’Stjuart.

AJAKS: Stuy, Vasovi?, Suurendonk, Surbier, Krol, Hulshoff, Stwart, Rijnders, Neeskens, Van Dijk, Keizer. Trajner: R. Michels

17 NËNTORI: Dinella (Tafaj 68′), Frashëri, Xhafa, Dhales, Kasmi, Mema, Kazanxhi, Çeço, Zhega (Xhaçka46′), Hyka, Çela. Trajner: M. Alla

GJYQTARË: Hristos Mihas (Greqi)

28 mijë spektatorë

Ajax 17 Nwndori0001

Amterdam, Ajaks-17 Nentori, 2-0, dy kapitenet, Vasovic e Frasheri

 

FUTBOLLI TOTAL, DETAJET E NJË CIKLI TË MADH…

Futbolli total i takon Ajaksit në vitet ’70 me trajnerin Rinus Mishels, ish-lojtari Ajaksit që edhe e ideoi atë. Kur Mishels në vitin 1971 kaloi te Barcelona, stafetën e pasoi te trajneri rumun Stefan Kovaç. Ndryshe nga regjimi autoritar i Mishelsit, ai ishte tejet liberal antidisiplinë, me një demokraci të paparë për kohën, në skuadër lojtarët vendosin formacionin, taktikën, deri edhe miqësoret. Edhe kapiteni zgjidhej me votim në çdo fillim sezoni prej tyre. Deri edhe stërvitjet, Kovaç ia besoi zëvendësit të tij, Bobi Harms, një tjetër formë e panjohur për klubet.

Nga i pari Valibor Vasoviç, i caktuar nga Mishels në “Uembli” 1971, Pit Kajzer dhe Johan Krujf ishin kapitenët që ngritën trofetë në Roterdam më 1972 dhe Beograd 1973. Më 1973, Kovaç u largua dhe u zëvendësua nga Xhorxh Knobel. Vitet 1970- 1975, në mjaft vende tentohet të luhet ai stil loje, por përfaqësues autentik i atij futbolli ka qenë dhe mbetet padyshim Ajaksi, pionieri “voetball totaal” (futbolli total), ku të gjithë sulmojnë e të gjithë mbrojnë. Një grup lojtarësh me lojë moderne, që nëse shikon sot imazhet e epokës, të zëvendësuara me ngjyra, të duket sikur po asiston, për nga ritmi dhe organizimi i lojës, në nivelin aktual të Champions-it, përfshirë klasin e lartë të Johan Krujfit, interpretuesin kryesor simbol të tij.

Ajaks Tirana logo

Qendërsulmues, Krujf i kudondodhur gjatë ndeshjes ndryshonte pozicionin, duke luajtur në çdo rol, kjo në varësi të zhvillimit të saj, në kërkim të pozicioneve ku ai mund të ishte më i rrezikshëm. Ndërsa Ajaksi i Mishelsit fitoi 4 tituj kampionë, 3 Kupa të Holandës, futbolli total i Ajaksit dominoi më pas Europën futbollistike me tre tituj kampionë me katër finale në 5 vite, i pari në 1968. Ajo që të habiste në ato vite për brezat e televizorit bardhezi, ishin inkursionet me topin në këmbë të dy mbrojtësve anësorë, Surbier dhe Krol, shpesh në zonën kundërshtare duke goditur e shënuar.

Botwrori 1974, finale Holanda. (1)
Një skemë loje, ku asnjë lojtar nuk ishte i fiksuar në pozicionin e tij dhe në 90 minuta secili prej tyre mund të luante si sulmues, mesfushor, mbrojtës. Të gjithë i shkëmbenin vendet me njëri-tjetrin duke mbuluar çdo pozicion, pavarësisht nga roli, duke u zëvendësua nga një lojtar e duke ruajtur e garantuar ekuilibrin taktik në skuadër. Një futboll që mbështetej tek aftësitë individuale të futbollistit për të luajtur në disa role, intuita e tij të kuptonte dhe të adaptohej në situata taktike loje, duke shkëmbyer me efikasitet pozicionet, çka kërkonte një përgatitje të lartë fizike dhe njohje të mirë taktike. Pas tre titujve radhazi 1971, 1972, 1973, e pas fitores në Superkupën e Europës, janar 1974, Ajaks-Milan 6-0 (0-1 e para në Milano), në atë edicion Ajaksi do të eliminohej nga CSKA e Sofjes, dy muaj më parë.

1970 Ajax-17 Nen. Dinella pret (1)Amsterdam, moment loje, Dinalla eviton jë gol të sigurtë

Nga ai moment e më pas, skuadra do të rrënohej me shpejtësi. Por, për mjaft specialistë edhe sot ekziston mendimi se futbolli total, krahas stilit të bukur të lojës, ka raste kur është edhe humbës. Si në Botërorin ’74, me fitoret 4-0 ndaj Argjentinës, 2-0 ndaj Gjermanisë Lindore e Brazilit me lojë e gola spektakolarë ku shënonin të gjithë, Holanda tronditi botën. Por Kupën e mori RF Gjermane, me një grup lojtarësh klasi në përbërje. “Humbja e 7 korrikut do të jetë trauma më e madhe për Holandën në shekullin XX; pas përmbysjes në 1953 dhe Luftës së Dytë Botërore”, do ta përcaktonte dramaturgu J. Timers. Janë vitet kur futbolli total luhet ende pa e ditur vlerën, forcën reale të tij.

Në fund të sezonit Neskens do të ndiqte Krujfin te Barcelona, Han shkon tek Anderlehti, Kejzer pas një debati me zëvendëstrajnerin, Hans Kraj braktis futbollin, Blankenburg në 1975 rikthehet në Gjermani dhe Rep te Valencia. Myhren transferohet te Sevija, teksa nuk lëvizin Surbier, Hulshof dhe Krol, që luan më pas te Napoli. Të gjithë tashmë janë në kërkim të famës dhe parave. “Për ne, Beatles ishin një shembull frymëzimi, – kujton Myhren.

ajax-coppa-1970-71

– Edhe ne si ata, kishim entuziazmin midis nesh. Por, më pas kënaqësia, miqësia u venit, nuk dëshironim të luanim bashkë. Ishim një skuadër me kualitete në fushë. Me Kovaç luanim mirë sepse ai i dha liri fantazisë, por humbi disiplina. Ishim të ngopur me fitore dhe kishte humbur shpirti. Pas ndeshjes, secili shkonte në punën e tij. Ajo ishte një skuadër që mund të fitonte 6- 7 tituj radhazi. Kështu edhe në kombëtare. Në atë Botëror, secili futbollist kishte projektuar largimin, kishte humbur harmonia, dëshira. Kishte xhelozi midis lojtarëve”.

 

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com