Tiki-taka, kur Besa e luante 60 vite para Barcelonës. Cic-mici i famshëm merrte më qafë vendës dhe të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2022 | 19:53

Tiki-taka, kur Besa e luante 60 vite para Barcelonës. Cic-mici i famshëm merrte më qafë vendës dhe të huaj

NGA UVIL ZAJMI
“Ju kujtohet cic-mici, pozicioni artificial jashtë loje i Besës së famshme të viteve ‘70-të? Çfarë ishin këto shpikje, risi unike dhe moderne për kohën, që për vite shtangën jo vetëm mjedisin futbollistik shqiptar, por edhe atë të huaj? Cilët ishin ideatorët, protagonistët, motivet e atyre modeleve të lojës, asaj fantazie që u kthye në art, dhe që edhe sot, pas 60 vitesh, kujtohen me nostalgji nga të gjithë”?

tiki taka

ÇFARË ËSHTË TIKI-TAKA, SI LINDI KY STIL LOJE NË FUTBOLLIN MODERN?
“Unë marr topin, pasoj, kam topin, pasoj, marr topin, pasoj, kam topin, pasoj”. (Ksavi)
Termi tiki-taka (“tiqui-taca” në spanjisht) tregon një stil futbolli të lindur dhe të përhapur kryesisht në Spanjë, i karakterizuar nga një seri e gjatë pasimesh të afërta, në lartësi të ulët dhe të kryera me qetësinë ekstreme për të imponuar zotërimin e topit në pjesën më të madhe të ndeshjes, me qëllimin për të lodhur kundërshtarin duke ndjekur topin. Në këtë skemë loje, mbajtja e topit kryhet me shumë durim kryesisht në vijë horizontale, ndërsa vertikalizimet kufizohen vetëm në momentet në të cilat krijohen hapësira.

Shprehja tiki-taka u krijua dhe u popullarizua nga gazetari spanjoll Andres Montes, i cili gjatë komentit të Kupës së Botës 2006, duke përshkruar futbollin e luajtur nga kombëtarja spanjolle e Luis Aragones, tha: “Estamos tocando tiqui-taca tiqui-taca”. Por, tiki-taka nuk ishte thjesht motivi i triumfit të “la furie rose e la roja”, por mbi të gjitha si një moment që shënon fillimin e ndryshimit dhe aplikimit të një stili të ri loje. Dhe, Aragones është “babai” i tiki-takës shoqëruar me titullin europian më 2008-ën, duke transformuar Spanjën në një model të një futbolli të ri.

Këtë e pasoi, moderoi Vinsente dell Boske, fitues i Kupës së Botës më 2010-ën dhe Europianit më 2012-ën. Një nga përdoruesit e parë dhe kryesorë të këtij stili loje ishte dhe Josep Guardiola, trajner i Barcelonës, falë lojtarëve fizikisht të vegjël, por shumë teknikë si Pedro, Ksavi, Andres Iniesta, Çesk Fabregas dhe Lionel Mesi. Gazetari, kritiku sportiv gjerman Raphael Honigstein, e përshkruan tiki-takën si “një stil radikal”, që evoluoi shpejt. Sipas tij, tiki-taka është “një evolucion i rëndësishëm i futbollit total, por që ndryshon nga ai sepse fokusohet në qarkullimin e vazhdueshëm të topit në tokë dhe jo të lojtarëve. Të kontrollosh topin me qetësi për një kohë të gjatë, edhe kur skuadrat që nuk kanë fizik të mjaftueshëm ndaj një kundërshtari muskuloz, duke e qarkulluar topin për një kohë të gjatë, me një tiki-taka befasuese, i detyrojnë të qëndrojnë në mbrojtje, një mënyrë loje që e lodh, shpërqendron, nervozon, çorienton dhe e detyron ekipin që ka përballë të gabojë nga presioni për të marrë topin.

Besa e trajnerit Bet Vila, finaliste në Kupën Ballkanike, Kupën e Shqipërisë dhe e kualifikuar në turin e parë të Kupës së Kupave

Besa e trajnerit Bet Vila, finaliste në Kupën Ballkanike, Kupën e Shqipërisë dhe e kualifikuar në turin e parë të Kupës së Kupave

Po në Shqipëri?
E para dhe e vetmja skuadër në historinë e futbollit kombëtar, dhe të një klubi, që e krijoi, praktikoi cic-micin e famshëm, një tiki-taka moderne për ato vite, e panjohur jo vetëm në Shqipëri, por dhe në futbollin botëror, ka qenë dhe mbetet Besa e Kavajës e viteve ‘65-‘70. Kështu është njohur tiki-taka shqiptare, gjithçka e bazuar në dy elementë teknikë, dy skema taktike, dy filozofi, strategji loje plot fantazi. Pastaj pozicioni artificial jashtë loje, një tjetër mekanizëm që befasoi skuadra, lojtarë, mbrojtje, trajnerë, specialistë, arbitra, gazetarë, tifozë, kundërshtarë vendës, të huaj, të gjithë viktima të këtij truku taktik. Surpriza të mëdha për periudhën dhe vitet që pasuan, e të përbashkët kishin një emër, një klub, një skuadër: Besën!

Si e rikthejnë sot për “Panorama Sport”, Agim Dizdari, Besnik Dyla e Zen Mullaiu, ikona të atyre formacioneve, si lindi cic-mici, “off-side” artificial, cili ka qenë roli, kontributi i trajnerëve historikë duke nisur nga Dedja te Gjinali, Pelingu, Vila, në krijimin, aplikimin me sukses të atyre filozofive me të cilat mori famë, finaliste në Kupën Ballkanike, triumfuese në turin e parë të Kupës së Kupave, që edhe sot pas një gjysmëshekulli Besa kujtohet e tillë. Besa: E cic-micit, e pozicionit artificial jashtë loje. Të papërsëritshme!

AGIM DIZDARI: CIC-MICI, NJË IDE E ZIHNI GJINALIT, EMRIN IA VURI JARECI

Futbollist emblemë, golashënues i njohur i Besës, Partizanit, i periudhës 1960-1970, sot 82 vjeç, nga Venecia ku jeton familjarisht, pa harruar asgjë, për “Panorama Sport”, thotë: “Ishte Zihni Gjinali, ustai që e krijoi atë. Ndonëse një stil loje i praktikuar, i luajtur dhe i interpretuar në epoka të ndryshme dhe me protagonistë të ndryshëm”.

Z. Dizdari, keni qenë lojtar i Besës së trajnerëve të mëdhenj. Çfarë skuadre ishte ajo?
Besa ka qenë një skuadër me traditë të hershme, me një futboll modest, por simpatik. Gjithmonë protagoniste në kampionatet shqiptare me lojtarë cilësorë dhe ndeshje të bukura. Por edhe me trajnerë të mëdhenj. Secili me strategjinë e filozofinë e tij, duke i përshtatur njohuritë e tyre me traditën e futbollit kavajas. I pari ka qenë Skënder Dedja në vitet 1957-‘58. I sapoardhur nga Hungaria ku kishte kryer shkollën e futbollit hungarez, një trajner energjik, i përgatitur. Ishte i pari që futi shkencën, teknikën, kronometrin, mjetet didaktike, duke kërkuar të aplikojë metoda të reja. Donte grumbullimin e skuadrës, një risi për kohën. Besa e fundviteve ‘58-të, zuri vendin e 2-të në një kampionat ku luanin 8 skuadra, të gjitha shumë të forta.

Besa e trajnerit Zihni Gjinali. A. Dizdari, i treti nga e djathta

Besa e trajnerit Zihni Gjinali. A. Dizdari, i treti nga e djathta

Flasim pak për kohën kur Gjinali erdhi te Besa, çfarë ndodhi në ekip?
Zihni Gjinali, një emër dhe personalitet i madh, një trajner autoritar dhe shumë profesionist. Ai erdhi në Kavajë pas viteve ‘60-të. Fillimisht u njoh me situatën, kur luhej në fushën e vjetër në një terren jo të mirë dhe shpesh të rënduar me baltë. Në atë fushë ishte e vështirë të luaje me topa të gjatë dhe shpejt. Po kështu edhe shumë fusha të tjera si në Berat, Vlorë, etj. Pra, i duhej të përshtatej. Pastaj duke parë forcën e kundërshtarëve, pamundësinë për t’u përballur me skuadrat që kishin futbollistë cilësorë, ai e bazoi stërvitjen dhe lojën te stili e karakteristikat e futbollistëve kavajas. Nisur nga një traditë fiziologjike, jo lojtarë fizikisht të fuqishëm, por me aftësi teknike individuale, lojtarë shtatshkurtër në përgjithësi, të aftë të kenë një kontroll, të mbajnë, qarkullojnë mirë dhe gjatë topin. Ai ideoi një mënyrë tjetër të lojës të Besës, një futboll ndryshe nga skuadrat e tjera. Pikërisht në këtë periudhë e ka zanafillën, nga ku lind praktikimi dhe perfeksionimi i cic-micit, një tiki-taka e kohës.

Agim Dizdari sot

Dhe është Besa ajo që ka luajtur një tiki-taka për kohën apo jo?
Cic-mici, kështu është njohur në gjuhën sportive popullore, një tiki-taka për kohën, që i referohet skuadrës sonë. Bazuar në kuadratin klasik, në afërsinë e deri 7 lojtarëve me njëri-tjetrin, lojën me pasime të shkurtra, në kuadrat dhe me mur. Jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshje, na u kthye një mënyrë instinktive. Të gjithë merrnin pjesë nga momenti kur ekipi vihej në zotërim të topit. Karriqi ishte truri. Tek ai afroheshin mesfushorë, ktheheshim ne sulmuesit si me komandë, duke e luajtur topin në kuadrat. Besa kishte lojtarë cilësorë, teknikisht mjaft të mirë si dy Merhorët, Pagria, Dimroçi, Filiari, Kashami, etj. Qëllimi ishte vonesa, humbje kohe duke e mbajtur, qarkulluar topin, për ta lodhur fizikisht dhe psikologjikisht kundërshtarin. Me objektivin që ndeshja të përfundonte në barazim ose një humbje me rezultat të ngushtë, sidomos ndaj Partizanit apo skuadrave që luanin fizikisht. Dhe jo pak herë ne kishim sukses.

Kam një kuriozitet: cic-mic, kush ia vuri këtë nofkë me të cilën njihet edhe sot?
Ka qenë Jareci i Dinamos, njeriu që e përdori për herë të parë këtë gjetje figurative të goditur dhe që i rezistoi kohës. Para një ndeshjeje Besa-Dinamo, pasi kishte ndjekur lojën tonë, me zgjuarsinë që kishte, u thotë lojtarëve në analizë: “Besa bën një lojë me një cic-mic që duhet të kemi shumë kujdes…” Kaq ka mjaftuar që ai stil loje të njihej gjithmonë si cic-mici kavajas.

E filloi Gjinali, por në Kavajë më pas erdhën të tjerë trajnerë, sa rezistoi cic-mici?
Të gjithë pas Gjinalit ishin përkrahës të asaj filozofie. Nga Isuf Pelingu, Allaman Idrizi, Bet Vila. Ky i fundit kujtohet edhe si trajner i Besës kur bashkë me cic-micin, praktikohej edhe “off-side” artificial, një tjetër surprizë e madhe për kohën, jo vetëm për futbollin kavajas, por edhe atë kombëtar.

“SHPIKËSI” I POZICIONIT JASHTË LOJE TE KAVAJASIT, BESNIK DYLA: ANKOHEJ EDHE PANO PËR TAKTIKËN TONË

Mbrojtësi legjendar, një karrierë si futbollist me Besën (1962-1973), më pas arbitër deri më 1985-ën. Por mbi të gjitha, lideri dhe ideatori i “off-side”-it artificial, interpretuesi kryesor nga ku niste aplikimi i atij mekanizmi taktik loje. Sot 77 vjeç, në rolin e lojtarit të “lirë”, ishte kënaqësi kur bashkë me gazetarin sportiv emblemë, Fatmir Efica, u takuam me Besnik Dylën.

Në vitin 1966 iku Gjinali dhe erdhi Isuf Pelingu për t’ia kaluar më pas stafetën Bet Vilës… Çfarë mbani mend?
Historia e Besës së vërtetë është e lidhur me Zihni Gjinalin. Ishte ai që e mësoi Besën të luajë futboll, jo me kundërshtarin, por me topin. Ndërsa stërvitja me Bet Vilën kishte shumë intensitet, gjithçka në një kohë të shkurtër. Fillimisht aty te fusha e vjetër e ka zanafillën.

Historia thotë se Besnik Dyla ka qenë mbrojtësi dhe “shpikësi” i pozicionit jashtë loje te Besa…
Në ato vite, me skemat 4-3-3 nisa të luaj mbrojtës “i lirë”. Ka qenë edhe rastësi. Në mënyrë instiktive, kur kundërshtari kishte topin, ishte në sulm, të katër mbrojtësit, ata nga e djathta, Mullaliu, pastaj Qerroli, stoperat Kapedani o Allaj, unë si “i lirë” dhe Hushi nga e majta, avanconim përpara duke befasuar kundërshtarët që ishin të papërgatitur. Me idenë për ta mbajtur sa më larg portës sonë. Në sulm kishim Merhorin, Pagrinë, Bishtajën, që ishin lojtarë sistematikë në shënimin e golave.

Kur dhe si e aplikonit “off-side”-in artificial? A kishit rregulla?
Ishte një proces që e kishim përvetësuar. Lëvizjet i dinim, kuptoheshim pa u parë. Madje as Bet Vila në analizë nuk e përmendte. Jo shumë në fushën tonë, se nuk ishte edhe terren i mirë, por kishim edhe skuadër të mirë, ndaj fitonim. Ndryshe në udhëtim, e praktikonim sistematikisht kudo, por më shumë në Tiranë ndaj Partizanit e 17 Nëntorit, ose në Shkodër. Pra, kundër ekipeve të forta… Edhe pse e dinin, të gjithë binin viktimë. Me Lokomotivën ishim në vështirësi si dy skuadra të një Komiteti Ekzekutiv, Partie. Ndeshja midis nesh konsiderohej derbi. Dinamo na mundte lehtë se luante lojën tonë. Por edhe kemi humbur. Nuk ishte e lehtë, kjo edhe për shkak të arbitrave.

Besnik Dyla: sot

Si funksiononte, madje dhe Pano shpesh ishte “viktimë” e “off-side”-it tuaj apo jo?
Isha unë që jepja sinjalin duke bërtitur “dilni, dilni”. Kujtoj se edhe Pano shpesh binte në rrjetën e “offside”-it tonë artificial. Vetëm kur e shihte veten pesë metra “off-side”. “Edhe me mua e bëni këtë?”, më thoshte me humor. “Po nuk e bëmë – i thosha, – ju e fitoni lojën”.

Në ndeshjet ndërkombëtare, sa aplikohej pozicioni artificial jashtë loje?
Periudha 1971-1972 ka qenë historike për Besën. Kemi luajtur 10 ndeshje ndërkombëtare, një rast i rrallë në ato vite, në pak kohë dhe për një skuadër modeste. Gjashtë takime në Kupën Ballkanike dhe katër në Kupën e Kupave. Në të gjitha sfidat, loja bazohej tek aplikimi i “off-side”-it artificial. Edhe kundërshtarët e kishin të vështirë, ishin të papërgatitur dhe u duhej kohë sa të orientoheshin. Një sistem loje që i nervozonte veçanërisht kur donin të sulmonin, të krijonin presion, ishin në disavantazh.

Keni një detaj, atë në Skoci kundër Hiberniansit… Çfarë ndodhi?
Kur kishin mbetur edhe 25 minuta lojë, Bet Vila më thotë të bëhem gati, pasi në atë takim qëndrova në stol. Duke bërë nxehmjen, Arkaxhiu, portieri, më pyet: “Besnik sa gola kemi pësuar”? Ja bëj me gishta, “gjashtë”. Kur u shënua goli i shtatë, u futa në lojë dhe vetëm “off-side” artificial kemi bërë. Nuk pësuam gola të tjerë.

Dhe vjen ndarja me “off-side”-in artificial të Besnik Dylës… Kur ndodhi?
Deri më 1973-shin kam luajtur kur edhe Bet Vila iku nga Besa. Isha 30 vjeç. Fillova karrierën si arbitër futbolli. Por edhe Besa nuk kishte më shkëlqimin, pasi me largimin e disa lojtarëve iku edhe lavdia e saj. Disa vite më vonë ra në Kategorinë e Dytë.

ZEN MULLALIU: ÇMENDËM DANEZËT, POR ME GREKËT NA DËNUAN ARBITRAT TANË

Prej vitesh në Itali, në Xhulianova ku banon me familjen, Zen Mullaliu, mbrojtësi dhe mesfushori elegant, i rikthehet asaj kohe kur Besa e tij shkëlqente. “Kam qenë 20 vjeç, shumë dekada kanë kaluar e do të kalojnë, por cic-mici dhe pozicioni artificial jashtë loje nuk do të harrohen…”, thotë për gazetën “Bekja” kavajas, një nga futbollistët me karrierën më të gjatë në vendin tonë pasi ka luajtur nga vitit 1965, deri në vitin 1985, vetëm me fanellën e Besës. “Me ‘off-side’ artificial, i çmendëm. Të gjithë e kishin të vështirë kur luanin me ne. Bet Vila kishte shumë simpati për trajnerin rumun, Stefan Kovaç. Ishte edhe kjo një ndër arsyet që e shtynë atë tek ideja për ta praktikuar sado pak stilin e lojë së Ajaksit, me parimin jo mbrojtje statike, por me daljet e mbrojtësve përpara”.

 besa kavaje vitet '70

Keni qenë lojtar titullar, protagonist i Besës së Bet Vilës…
Bet Vila, ish-dinamovit, si edhe Gjinali, me një formim perëndimor, e përshtatën filozofinë e tyre edhe te Besa. Për shqiptarët ishte surprizë një lojë e tillë mbrojtëse, që në jo pak ndeshje i ka çorientuar kundërshtarët. Ishte një variant taktik i panjohur në vendin tonë për skuadra, lojtarë, trajnerë dhe arbitra. Me tre mbrojtës në vijë të drejtë dhe pas tyre një “i lirë”, që komandonte lëvizjet. Për shumë vite atë funksion bashkë me Dylën e kam kryer edhe unë. Shumë i rëndësishëm ka qenë roli i portierëve Arkaxhiu e Feshti, të cilët Vila i alternonte për të mbajtur formën. Ishin edhe ata që orientonin mbrojtjen, pra jepnin sinjalin për “off-side” artificial.

 

1971-1972 sezone të mëdha, të paharruara për Besën në Europë dhe në Shqipëri. I mbani mend apo jo?

 

Morëm pjesë për herë të parë në Kupën Ballkanike, sezoni 1971. 0-2 në Tërnava ndaj Etar Veliko (Bull) dhe 2-1 në Durrës; 1-0 ndaj Cervenkas (Jug) në Durrës dhe 0-2 në Beograd. Me 5 pikë, të parët në grup dolëm në finale ndaj Panioniosit, kryesuese e grupit tjetër. Një përballje me vlerë edhe historike pasi luhej për herë të parë ndaj një skuadre greke, asnjëherë në të kaluarën. 2-1 në vajtje dhe barazim 1-1 në Durrës. Ishim finalistë, por trofeun nuk e morëm dhe për faj të arbitrit.

Shkëlzen Mullaiu sot

Pse, për çfarë bëhet fjalë?
Pas humbjes 2-1 në Greqi me Panionosin, në Durrës në takimin e dytë, anësorët ishin shqiptarë. Në një çast kur ne bëmë “off-side” artificial, ai nuk sinjalizoi dhe grekët shënuan golin e parë. Kur u ankuam tek arbitri turk, ai na tha: “Kur nuk sinjalizoi vijërojtësi juaj, çfarë pretendoni nga unë”?

Një tjetër finale e humbur, këtë herë ndaj Vllaznisë. Çfarë ndodhi?
Edhe kjo dramatike, me plot polemika dhe padrejtësi sportive. Kupa e Shqipërisë, finale, pranverë 1972. 2-0 fitojmë në fushën e vjetër të Kavajës, humbasim 0-2 në Shkodër kur arbitri dha dy penallti kundër Besës. Pastaj historia e 5 penalltive me R. Rragamin që nuk gaboi asnjë. Sërish finalistë, sërish një tjetër kupë e humbur, sidoqoftë ishim protagonistë.

Shkojmë në Danimarkë, një kualifikim i madh historik europian, pastaj në Skoci….
1972, shtator. Në Danimarkë turi i parë i Kupës së Kupave, ndaj Framad. Barazuam 1- 1, duke i çmenduar danezët me aplikimin me shumë sukses të “off-side”-it artificial. Pas barazimit 0-0 në Durrës, u kualifikuam. Ndryshe me skocezët e Hiberniansit kur u goditëm që në fillim nga presioni i madh i tyre, tifozëria. Ndeshja e parë me drita për ne, u çorientuan totalisht duke nxjerrë mbrojtësit anësorë pas shpine, na shënuan 7 gola.

Ishte problem për arbitrat ai mekanizëm loje?
Deri në 15 herë në një ndeshje e kemi aplikuar. Edhe arbitrat mërziteshin me ne. Tef Prela ishte një ndër ta. Më shumë anësorët që e humbnin durimin dhe gabonin. Labinoti, sulmuesi Duçka, një lojtar i shpejtë, shënues, ishin “viktimat” që binin më shumë në kurthin tonë.

Kur gjykoni se ishte fundi i atij procesi taktik?
Deri kur brezi i viteve ‘70-të u largua përfundimisht. Më 1973-shin iku Dyla, Bet Vila, Merhori, Pagria dhe trajner erdhi R. Spahiu. Në sezonin 1977 Besa ra në Kategorinë e Dytë, që shënoi edhe mbylljen e ciklit të shkëlqyer kavajas. Me të edhe aplikimi i pozicionit artificial jashtë loje, që nuk funksionoi, nuk u përdor, nuk u aplikua më.

Sot nuk e shohim të praktikohet, pse si gjykoni?
Them se kanë ndryshuar raportet. Në skuadrat shqiptare ka pak futbollistë vendës, më shumë të ardhur deri edhe nga jashtë. Po kështu edhe trajnerët nuk janë më të traditës. Kërkohet rezultati që është më i rëndësishëm. Sidoqoftë, në futbollin shqiptar të viteve ‘70-të, cic-mici, “off-side”-i artificial edhe sot kujtohen nga ai brez për famën që morën si shpikje fenomenale, në kufijtë e një fantazie gjeniale për kohën, të aplikuara me shumë sukses nga Besa.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"