Thoma Duro, “Gjinua” i Dinamos që bëri “çorap” kinezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2019 | 22:28

Thoma Duro, “Gjinua” i Dinamos që bëri “çorap” kinezët

UVIL ZAJMI

Kisha vite pa e parë dhe në njëfarë mënyre pata humbur gjurmët e tij. Krejt rastësisht, i ulur për një kafe mëngjesi në një lokal në parkun e madh të Tiranës buzë Liqenit Artificial, më zuri syri një burrë, tejet aktiv, që punonte, aty.

thoma duro ne avion

Një strukturë e njohur, ndonëse mbante një kapele në kokë. “Të jetë Thoma Duro ky?”, mendova për një çast dhe ndërsa m’u afrua e kapa prej dore. E njoha, ishte pikërisht ai. I pandryshuar, Thoma Duro i shekullit të kaluar i kohës kur luante, por me diferencën se sot mbart dhjetëra vite më shumë mbi shpatulla. Me një kujtesë ekzemplare, energjik, i sjellshëm, e lamë për t’u takuar. Me një start, si atëherë kur luante, kështu e nis tregimin e jetës, duke e shoqëruar e treguar fotot që i kanë mbetur, pasi në vite e kohë, shumë prej tyre i ka dhënë e nuk i janë kthyer më.

Në pamjet bardhezi që të ofron, sheh me nostalgji dhe i rikthehesh periudhës, ku bashkë me të dallon të tjerë protagonistë, të gjithë personazhe të njohur të asaj dekade. “Me Dinamon, me Kombëtaren, me Halilin, Bushatin, Panon, Lubonjën, nga ai brez pak jetojmë”, thotë. Pastaj jeta, nga ajo familjare i lindur në shkurtin e largët të vitit 1937, katër motra e dy vëllezër (asnjë sportist), karriera sportive e nisur në portë si portier e më pas sulmues i majtë. Befasues dhe gatigati i paparashikueshëm.

cas

Si janë fillimet sportive të Thoma Duros?

Si zakonisht, me lagjet… Si fëmijë te Fusha e Aviacionit, me ekipin e rrugës “Skënderbej”, me Mond Nasen, vëllezërit Ben e Vasil Bukovikun. Kur e kam nisur karrierën, madje si portier, por shtatshkurtër, më kaluan në sulm. Isha i shpejtë dhe i shkathët. Pastaj te Spartaku i Tiranës në vitin 1955 me trajner Tonin Jakovën.

Ju erdhi thirrja për shërbimin ushtarak. Çfarë ndodhi më pas?

Ai ka qenë momenti që më ndryshoi karrierën. Ishte 25 gusht 1956, jam nisur për të kryer shërbimin ushtarak. Pak kohë në Drejtorinë e Tiranës, pastaj në Drejtorinë e Kufirit në Tepelenë, ku luaja me repartet ushtarake të zonës. Një vit aty, pastaj në Sarandë. Edhe Besim Zekthi, balerini i njohur, ka qenë me mua, madje e kujtoj, organizonte dhe ishte i angazhuar me grupet artistike të qytetit.

skender jareci thoma duro

Te Dinamo me urdhër, por kundër dëshirës së Petrit Dumes, apo jo?

Gjatë ndeshjeve që zhvillonin me repartet ushtarake në Shkollën e Bashkuar, Izet Cani më kishte parë, sidomos kur me divizionin e Përmetit zumë vendin e dytë dhe unë aty spikata. Kur erdhi një urdhër i Ministrisë së Bdrendshme që papritur unë do të transferohesha në Tiranë, por te Dinamo. Ndërkohë, Petrit Dume kishte shprehur dëshirën dhe më donte te Partizani. I patën thonë: “Jo, nuk ka mundësi”. Ia kishte komunikuar Izeti, duke i argumentuar se “Duro është efektiv i Ministrisë së Brendshme dhe nuk e merr dot”. Dhjetor 1956, isha te Dinamo dhe në janar 57 filloj rregullisht stërvitjen me skuadrën dhe bëhem pjesë e saj. Trajner ishte Zihni Gjinali. Jorgji Godari, ish-arbitër, ishte shef i klubit. Stërviteshim te Fusha e Aviacionit, te një fushë në Institutin Bujqësor. Ishte një skuadër ku gjej gjithë brezin e viteve ‘50, një Dinamo kampione për pesë vite radhazi.

Dhe si e siguruat formacionin?

Fillimisht kam zëvendësuar Skënder Begenë, që ishte në fund të karrierës. Dhe trajneri Gjinali më kishte piketuar mua në atë vend, ku luante ai. Ai më futi të luaja në krah të majtë, por unë luaja me të dyja këmbët. Mbrojtësit luanin ashpër ndaj meje dhe kisha vështirësi me disa prej tyre, sepse godisnin nga mbrapa. Ishte e vështirë, por më keq e kam pasur me Çapalikun dhe jo me Frashërin.

skender halili thoma duro

Ju kujtohet fillimi?

Isha i ndrojtur ndaj lojtarëve autoritarë të vjetër. Fillova të ambientohesha me skuadrën dhe shokët, por ishin emra të mëdhenj dhe nuk e kisha të lehtë. U shërbeja të gjithëve, më shumë sulmuesve. U jepja asiste duke u krijuar pozicione të favorshme që të shënonin. Kam qenë titullar deri në vitin 1967, kur u ndava me futbollin.

Keni qenë njeriu asist, por pse jo shënues?

Pak gola kam shënuar në karrierë. Kujtoj që kam humbur një penallti ndaj Partizanit, kur në portë ishte Mikel Janku. E nxora jashtë. Ndërsa në Shkodër kam realizuar një gol në minutën e fundit. Fituam ndeshjen dhe tifozët shkodranë të gjithë në këmbë duke me më duartrokitur. Por edhe në 1958-ën ndaj Dinamos së Bukureshtit, fituam 2-1, shënuam unë dhe Jareci.

Cili ishte Thoma Duro?

Lojtar i shpejtë, i shkathët, rrenacak me topin ose driblues. Shumë punëtor. Vrapoja gjatë gjithë ndeshjes, duke shkelur çdo pjesë të fushës.

Cili ishte motivi që u ndatë me futbollin?

Ka qenë 25 gusht i vitit 1966, në një ndeshje miqësore, përgatitore, një javë para fillimit të sezonit në stadiumin “Dinamo”. Luanim kundër Labinotit dhe u përplasa me Tas Mitrushin. Theva këmbën e djathtë dhe më pas gjithçka mbaroi. Më dërguan në spital, ku erdhi Panajot Boga, doktori i njohur. 1 vit duke u kuruar… Shumë kohë jashtë fushave, pa ndeshje dhe pa stërvitje. U rikuperova më pas, por nuk ndihesha mirë. Nuk u aktivizova në sezonin 1966-‘67 dhe e lashë kur isha 30 vjeç. Në vendin tim luajti Sajmir Dauti.

dinamo 1960

Keni qenë lojtar korrekt, apo jo?

Po, asnjëherë i larguar nga fusha prej arbitrave. Vetëm në një rast, kujtoj bëra një gabim që më kushtoi: Në një takim kundër Besës, i nxora takat Xhavit Daiut. Zihni Gjinali më nxori menjëherë jashtë, si një veprim antisportiv.

Ju kujtohen trajnerët?

Sigurisht. Mbi të gjithë Zihni Gjinali. Ishte ai që më hapi dyert e karrierës. Të luaje në sulmin e Dinamos në atë kohë ishte e pamundur, për potencialin e madh që kishte. Përbëhej nga lojtarë të mëdhenj dhe cilësorë. Pastaj Zyber Konçi, një tjetër strateg. Me të gjithë kam qenë në formacion, asnjëherë zëvendësues apo në stol. E kam mbyllur me Skënder Jarecin, dikur bashkë në një ekip, pastaj ai trajneri im. Pa harruar edhe Loro Boriçin apo Tonin Jakovën deri te Lym Alla në fillimet e mia. Për të gjithë jam thellësisht mirënjohës.

Stavri Lubonja kujton se i keni dhënë asist në golin e paharruar…

Bëhet fjalë për takimin ndaj Partizanit në finalen e paharruar në stadiumin “Dinamo”, atë të vitit 1961. Ka qenë takimi i parë dhe kur Resmja shënoi në minutën e 117-të, e menduam të humbur ndeshjen. Kujtoj se kur rifilluam lojën, pa asnjë shpresë për të shënuar, duke pritur që arbitri Besim Hamdiu do të vërshëllente fundin, kam qenë nga krahu i majtë, i kam pasuar topin Stavrit që papritur goditi nga distanca dhe gol. Një barazim i jashtëzakonshëm. Pastaj ndeshja e dytë që me golin e Panos, Partizani fitoi titullin.

thoma duro majta

E mbani mend formacionin e atyre dy ndeshjeve?

Si të mos e kujtoj, madje të gjithë. Në portë Mile Qoshja, pastaj Halili, Verria, Halluni. Në mesfushë N. Jareci, Bespalla dhe në sulm isha unë, Lubonja e Medi Bushati. Kam harruar ndonjë? Ah po, edhe Caushin në mbrojtje, ndërsa Skënder Jareci u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Mediut.

Thuhet se me Kombëtaren keni luajtur vetëm jashtë, jo në Tiranë. E vërtetë?

Janë tri takime, ajo me Danimarkën në vitin 1963, në Europian që e humbën 0-4. Trajner ishte Konçi dhe nga Dinamoja ishim unë, Vorfi e Bushati. Në sulm kam luajtur me Panon. Pastaj me Zvicrën, sërish jashtë fushës, më 1965, në Gjenevë. Humbën 1-0, në sulm ishim unë, Zhega dhe Pano. Dhe e treta, po atë vit, por në Belfast, kundër Irlandës së Veriut të Xhorxh Bestit. Kam qenë në formacion me Panon e Bert Jasharin që shënoi golin. Janë vite që nuk kishte zëvendësime gjatë lojës, vetëm nëse dëmtoheshe. Humbëm 1-4, kujtoj Ali Memën që humbi një gol të sigurt, nga 5 metra afër, ia priti portieri. Pra, vetëm në takimet jashtë Shqipërisë.

Pse?

Edhe sot nuk e di motivin. Kujtoj se Zihniu më aktivizonte pa asnjë ndërprerje edhe te Dinamo. Mjaft lojtarë ndryshonin, por unë qëndroja në formacion. Gjinali bënte fjalë me drejtues të federatës: “Pse nuk e merrni në Kombëtare Thomain dhe pse luan vetëm jashtë dhe jo në Tiranë?!” Me Kombëtaren olimpike kam qenë edhe në Bullgari. Trajnerë kanë pasur Boriçin dhe Zyber Konçin, njëkohësisht edhe i Dinamos në ato vite.

31

Mund të na thoni diçka për turneun e Kinës, kur habitët Çu En Lain?

Ka qenë viti 1965, me Dinamon, ndoshta muaji maj. Isha në formë dhe i kam bërë “çorap” kinezët. I dribloja mbrojtësit kinezë njëri pas tjetrit. Çu En Lai, i ndodhur në stadium, kërkoi të më takonte pas ndeshjes. “Ku është ai i vogli?”, pyeti. “Ja ku e keni”, i thanë, kur më prezantuan. “Edhe floriri i vogël është, por ka vlerë të madhe. Si motor Vespa e kemi”, i tha Konçi shoqëruesit që t’ia përkthente Çu En Lait.

Një jetë më Dinamon. A ndiheni i plotësuar?

Sigurisht, dhe në kohën e një rivaliteti të jashtëzakonshëm me Partizanin. Vetëm një herë kam dalë kampion dhe fitues i Kupës, në vitin 1960. Kam luajtur bashkë me portierin Bonati, Beliun, Qoshen e J. Ramën. Pastaj me Tallushin, Dh. Gjylin, S. Gjocin, S. Halilin, Q. Allunin, G. Sheshin, A. Dumen, H. Verrinë, vëllezërit S. e N. Jareci, Xh. Shaqirin, B. Vilën, N. Bespallën, L. Vorfin, M. Bushatin, T. Gjikurinë, S. Lubonjën, Sh. Rrelin, A. Ruçon etj.

A kishit miqësi me Panon?

Ishim të afërt, të dy nga Delvina. Edhe ai si unë, e ka filluar si portier. Kundërshtarë, por edhe bashkë kur luanim me lagjet, pastaj u ndamë. Sulmues të dy, na ka bashkuar më vonë Kombëtarja, por edhe Dinamoja, kur Panajotin e morëm si përforcim në ndeshjet për Kupën Ballkanike. Ajo kohë, ai grup ka pasur futbollistë klasi, midis tyre S. Halili apo Bushati, Lubonja, S. Jareci, të papërsëritshëm, me të cilët kam pasur fatin të luaj. Një brez i artë, kundërshtarë, por edhe miq.

thoma duro

Jeni dashuruar shumë i ri?

14 vjeç kam qenë, kur jam dashuruar me gruan që kam sot. I kam thënë nënës së saj se dua ta marr, por ajo më tha: “Po e prite, merre, ne jemi dakord”. Të dyja familjet jemi nga një fshat, Lefteror i Delvinës. Ajo ishte nxënëse te “Qemal Stafa” dhe atlete. Më 1965 u martuam, kur unë isha 28 vjeç. Lindën dy fëmijë, dy vajza, dhe sot jemi gjyshër me nipër e mbesa të rritur.

Angazhimi pasi u shkëputët me Dinamon?

Pas lirimit nga ushtria dhe si lojtar i Dinamos, kam qenë ushtarak, për shumë vite. Pastaj kam punuar si libralidhës te Lidhja e Librit në Tiranë, deri kur shkova në Greqi. Gjithmonë mbi biçikletë, një mjet që e kam pasur të pandarë edhe kur luaja. Mund të isha bërë atlet? I shpejtë dhe sprintier kam qenë, por nuk e doja atletikën.

Pas futbollit a punuat si trajner?

Vetëm me të rinjtë e Dinamos për 3-4 vite, pastaj u shkëputa. Më 1991, u larguam për në Athinë ku jetuam e punuam aty për dhjetë vite, për t’u rikthyer në Tiranë përfundimisht.

Çfarë do të kujtonit tjetër nga karriera?

Edhe turnetë, takimet në Kupën Ballkanike. Udhëtimet e gjata, argëtuese me anije për në Turqi, ndeshjet në Stamboll, grumbullimet, miqësitë. Mbeten ndër kujtimet më të paharruara. Por, edhe me Kombëtaren në Danimarkë, Zvicër e Irlandë i kujtoj me shumë nostalgji. Mendoni për çfarë kohe e vitesh bëhet fjalë, ishte një ëndërr për të gjithë. Dhe unë e kam pasur atë privilegj e kënaqësi.

Shumë i mbajtur jeni Thoma Duro…

Më mban puna. Nuk më trembin vitet, mosha. Kam qenë sulmues, më duhet të vrapoja dhe jo mbrojtës, duke qëndruar në pritje, apo jo…?

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"