Shqipëri-RF Gjermane, 50 vite më parë Tirana ndizej nga dueli madhështor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 19:42


Shqipëri-RF Gjermane, 50 vite më parë Tirana ndizej nga dueli madhështor

Nga Uvil Zajmi

shqiperi rf gjermani (1)

RF Gjermane zbriti në aeroportin e Rinasit me një avion çarter të hënën e 15 shkurtit. Mesditë e një dimri tipik. Të martën paradite, duke parë terrenin e rënduar të stadiumit kombëtar, gjermanët iu drejtuan “Dinamos” për stërvitje. E gjithë Tirana u vu në ndjekje të autobusit të tyre. Rruga u bllokua dhe gjatë një ore stërvitjeje, në stadium kanë qenë më shumë pranishëm se në ndeshje. Shikuesit qëndronin në shkallë, deri edhe bordurat brenda terrenit ishin zënë prej tyre.

E mërkurë, 17 shkurt 1971, ora 14:00. Një stadium i mbushur përtej kapacitetit, terren rrëshqitës, kohë me shi në pjesën më të madhe të lojës. Interesim i jashtëzakonshëm. E gjithë Shqipëria nën ankthin e përballjes së madhe. Emocione dhe kudo: në familje, punë, lokale, flitej vetëm për ndeshjen me Gjermaninë.

shqiperi rf gjermania (1)

Moment loje, dyluftim i Dhales me Bella

Shkollat, ndërmarrjet, administrata shtetërore e mbyllën shpejt ditën e punës, duke vrapuar për të zënë vend para ekranit nën komentin e Këlliçit dhe valëve të radios me Bellovën e Gjergon. Pas rezultatit 0-0, që eliminoi Gjermaninë katër vite me parë, në atë takim trajneri H. Shën, erdhi me formacionin më të famshëm në historinë e kombëtares gjermane, duke filluar nga Majer, Vogs, Bekenbauer, Hejnkes, Grabovskit, Myler, deri edhe milanisti Shnelinger.

rf gjermania

I pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, H. Bangerter. Ai 90- minutësh ka qenë dhe mbetet një nga përfaqësimet më dinjitoze kuqezi të drejtuar nga Loro Boriçi. Nga ndeshja e 1967-ës luajnë Dinella, Vaso, Bizi, Rragami, Pano dhe jo Shllaku, Gjinali, Kazanxhi, Zhega, Jorgaqi e Mema. Për gjermanët, nga takimi i 0-0-s, luajnë vetëm Patzke, Veber, Netzer, Overat. Pas një gjysmëshekulli, për pasionantët, nostalgjikët, “Panorama Sport” do ta sjellë atë takim me disa foto të rralla dhe me një intervistë të shkurtër me Sabah Bizin, një ndër protagonistët absolutë në atë takim si dhe Astrit Ziun, surpriza “boriçiane” që habiti shqiptarët.

shqip (1)

Dyluftim Pano-Shnelinger

 

SHQIPËRI – RF GJERMANE 0-1

Goli: G. Myler 38’

Shqipëria: Dinella, M. Gjika, Dhales, Kasmi, Cani, Vaso, Ceco, R. Rragami, Pano (kap) Bizi, A. Ziu; (Në dispozicion: Muhedini, Berisha, S. Hyka, Zhega, G. Xhafa, M. Leshteni). Trajner: Loro Boriçi, zv.trajner: Ilia Shuke; mjek dr. Koli Gaqi; masazhator Ali Kastrati

RF Gjermane: Majer, Vogs, Shnelinger, Patzke (Bela 67’), Veber, Bekenbauer, Grabovski, Netzer, Overath (kap.), Myler, Heinkes. Trajner: H. Shën

Gjyqtarë: Becirov, Matev, Stanes (Bullgari).

Shikues: 20.000

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/