Sëlltik-Partizani 40 vite më parë, kur skocezët i prisnin të kuqtë me gajde dhe i bënin hile Mustës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 23:25

Sëlltik-Partizani 40 vite më parë, kur skocezët i prisnin të kuqtë me gajde dhe i bënin hile Mustës

UVIL ZAJMI

Ndeshja e dytë, ajo në Gllazgou ka tjetër histori. Vetëm pak minuta lojë, papritur Partizani është në avantanzh falë një autogoli. Por pjesa e parë do mbyllej 4-1, pas një fortune skoceze, që ndërkohë kishin humbur dhe një penallti.

perlat musta i partizanit peson gol nga celtic

Në transfertën britanike nuk udhëtuan Hysi, Rragami, Çuri, Janku dhe Lika. Birçe do të nxjerrë një tjetër formacion në fushë me dinamasin Çoçoli në mbrojtje. Nga misteri për shqiptarët, te pritja spektakolare me flamuj e gajde dhe vlerësimi i veçantë për Panon, fama e të cilit shtangu vendësit.

Drejt Skocisë me autobus e avion dhe pritja spektakolare

Para nisjes për në Skoci, në javën e 4-t, Partizani barazonte 0-0 në Elbasan me Labinotin. Nga shtypi informohemi se Partizani kalon një provë të vështirë, luan mirë në mbrojtje, ndërsa Gjini humbet një rast në fundlojë. Pas katër javësh renditje, Partizani, Dinamo, Skënderbeu e Vllaznia kanë 5 pikë, me 2 fitore dhe 1 barazim.

Kështu, pasi ka lënë pas kampionatin, të dielën më 30 shtator nisen nga Shtëpia Qendrore me një autobus “Korosa” në orën 6-të mëngjesit. Skuadra merr rrugën drejt Beogradit, pa e ditur se farë e priste. Një natë qëndrimi aty, në mjediset e selisë së ambasadës, të nesërmen me linjën ajrore Beograd-Londër, grupi arrin në kryeqytetin britanik, ku ishte programuar një tjetër natë fjetjeje, në një hotel pranë aeroportit. Për të vijuar të martën, kur pas 40 minutash fluturim avioni ulet në pistën e Gllazgout.

selltik partizani

Nga çfarë ishin informuar në shtypin skocez, nga Billy Mc Neill dhe Alex Cameron, në një shkrim të gjatë, ku në ballë të faqes me germa të mëdha shkruhej: “Mister”, për t’i pritur e shoqëruar kishte dalë policia vendëse, të hipur në kuaj. Ndërkohë, e kundërta dhe befasuese për ta kishte qenë ngrohtësia, trajtimi që ata gjetën gjatë qëndrimit në Tiranë. Nisur kështu nga mikpritja shqiptare, të angazhuar për t’ia rikthyer, organizatorët vendës kishin rezervuar diçka të rrallë për lojtarët e stafin e Partizanit, një surprizë të veçantë.

Lista ka ndryshime, mungojnë titullarët

Për në Gllazgou, për takimin e dytë ndaj Sëlltikut, Partizani niste me disa mungesa të konsiderueshme. Papritur dhe pa asnjë koment sqarues, jashtë liste janë dy lojtarë titullarë, Kastriot Hysi e Ferid Rragami. Bëhej fjalë kur skuadra kishte luajtur në Janinë pak muaj më parë për Kupën Ballkanike, motive banale siç ndodhte në ato vite. Bashkë me ta nuk udhëtojnë as Spiro Çurri, edhe ky i formacionit i dy javëve më parë në “Qemal Stafa”, Agim Janku, sulmuesi legjendar që ishte dëmtuar dhe nuk shkoi.

Madje ky moment shënoi edhe ndarjen e tij me Partizanin. As Hasan Lika që rikthehet te Shkëndija. Ndërkohë, një tjetër futbollist, gjiganti Çoçoli i Dinamos do të jetë në formacion. Tentohet të shfrytëzohet shtatlartësia e tij në mbrojtje, për t’iu kundërvënë skocezëve në lojën në ajër, ku skuadrat britanike bazojnë taktikën.

Me Partizanin janë edhe dy vëllezërit Ballgjini, Haxhi e Shyqyri. Skuadra zhvillon stërvitje tradicionale njohëse në mbrëmjen e së martës, pastaj në hotel dhe frekuentimi në orët e vona nga disa lojtarë në një “nigt club”, një disko që ndodhet në brendësi të tij, me të rinj që vallëzonin. “Sapo u njoftuan se ne ishim futbollistë dhe do të luanim ndaj Sëlltikut, ata u entuzizmuan pa masë. Nga Starova që komunikoi me ta u informuam se ata ishin tifozë të Rejnxhersit”, kujton Musta.

Në Gllazgou tjetër formacion, Partizani në avantazh

Në Gllazgou Partizani doli në fushë me një formacion të ndryshuar nga ai i Tiranës. Aktivizohet Starova, që bashkë me Berishën, Ahmetajn, Çoçolin, Baçin dhe Mustën në portë kompletojnë mbrojtjen. Në mesfushë Lame, Breca dhe në sulm Braho, Murati, Sh. Ballgjni. Ndeshja u zhvillua në një kohë me shi, mbrëmje tipike britanike.

Partizani luante me të kuqe, ndërsa skocezët me tradiconale: horizontale bardhejeshile. Duke njohur vlerat, forcën, kualitetin e lojtarëve skocezë, kualifikimi i Partizanit dukej i pamundur, por papritur e para në avantazh do të kalonte pikërisht skuadra shqiptare, falë një autogoli. Pjesa e parë 4-1 dhe nga katër gola, tre shënohen me kokë dhe një penallti të humbur prej tyre. Sipas specialistëve, fitorja nuk diskutohej, pasi Partizani konsiderohet një skuadër e re, me mungesë eksperience në të tilla aktivitete.

E vërteta e fotos historike

Kjo foto e bërë në Gllazgou mbetet unike. PerlatMusta kujton: “Duke qenë se presidenti i Sëlltikut ishte befasuar dhe tejet i kënaqur nga pritja në Shqipëri, kishte rezervuar një të tillë për ne atje. Pasi qëndruam një natë në një hotel pranë aeroportit të Londrës, në pamundësi të vinte, kishte dërguar djalin të na shoqëronte. Kur mbrritëm në Gllazgou, kohë e vrejtur, pak shi, kohë tipike britanike, në mjedisin para hotelit ai kishte organizuar një pritje të veçantë. Sapo u hap dera, dolëm nga autobusi, na rrethoi një grup i madh me skocezë. “Janë të miqësisë Shqipëri-Angli”, na thanë.

partizani ne skoci para ndeshjes me selltikun 3 tetor 1979

Ata kishin një flamur gjigant shqiptar dhe midis tyre ndodhej një person që i binte gajdes, që duket në të djathtë të fotos. Për ne ishte befasi dhe ajo foto aty është bërë pikërisht në ato çaste”, thotë Musta. Dhe nga Pano, Breca, Murati, A. Lekbello, H. Ballgjini, Lame, Hado, Musta të ulur, pastaj Ahmetaj, Meçe, Starova me një flamur në dorë, Berisha, Çoçoli, Braho, Birçe, duket qartë atmosfera pritëse për lojtarët e Partizanit.

Gllazgou

STADIUMI “PARKHEAD CELTIK”, 3 tetor 1979, ora 19:30

SËLLTIK-PARTIZANI 4-1 (4-1)

Sëlltik: Latchford, Sneddon, Mc Grain, Aitken, Mc Donald, McAdam, Provan, Davidson, McCluskey (Lennox 83’), Mac Leod, Doyle. Tr. U. McNeill.

Partizani: Musta, Baçi (kv 26’), Starova (kv 65’), Çoçoli, Berisha, Ahmetaj, Braho, Lame, Breca, Murati, H. Ballgjni (Fagu 72’).

Trajner: B. Birçe

Arbitër: L.A. Bjorck (Sue)

Spekatorë: 51.000

Golat: Mc Donald 19’; Aiteken 21’, Davidson 31’, Aitken 44’/ Snedon (aut) 11’. (Min ‘33 Goerge Mc Cluskey humbi penallti, goditi jashtë).

DEKLARATA PAS NDESHJES

Informacioni pas një jave, Birçe: “Në të dytën mund të shënonim….”

Pa asnjë informacion të shpejtë pas ndeshjes, e cila nuk u transmetua as në televizionin publik, shqiptarët sportivë, tejet kuriozë e të interesuar lidhur me 90-të minutat skoceze të Partizanit, janë informuar ditë më vonë.

birce gazeta

Në një intervistë të trajnerit Birçe pas kthimit nga Skocia, në gazetën “Sporti”, ai rrëfente: “Ndeshja u luajt në stadiumin “Parkhead Celtik”, nën një shi të vazhdueshëm, që e bëri terrenin rrëshqitës. Meqenëse kundështari që në fillim do të na sulmonte dendur dhe rreptë, ne na dilte si detyrë që të mbroheshim ngjeshur dhe me kujdes dhe të gjenim mundësinë për të kaluar në sulm në hapësirat që do të na krijoheshin. Për këtë qëllim përdorëm rreshtimin taktik 1-4-3-3, me Muratin pak të tërhequr. Breca dhe Lame në mesfushë duhet të punonin më shumë për sulmin.

Lojtarët e sulmit nuk u impenjuan me veprimet e tyre në mbrojtjen kundërshtare, kështu që loja jonë në sulm qe shumë e varfër. Krahu i majtë i mbrojtjes sonë, ku kundështari kishte përqendruar forcat e tij, u ça, ndërsa dublimi mungoi fare. Lufta për topin e parë në ajër la për të dëshiruar. Në minutën e 17-të mbrojtësi Snedon në tentativë për ta larguar topin, shkakton autogol. Kaluam në avantazh gjë që na krijoi mundësi të mëdha, pasi u bëmë 2- 0 për ne.

Në 18’ Braho kroson te Murati, i cili përballë portjerit Laçfard nuk godet mirë me kokë dhe topi përfundon jashtë. Një minutë më vonë, Murati lëshon një top diagonal në drejtim të Ballgjinit, mbrojtësi Snedon del huq, por Ballgjni ishte i papërgatitur për të marrë topin e goditur. Në një nga sulmet e skocezëve, në minutën e 20-të vjen një top në formë krosimi nga vija fundore e krahut të djathtë dhe qendërmbrojtësi Eitken ndërhyn me kokë nga 7-8 metra dhe barazon rezultatin në 1-1.

Dy minuta më vonë, në 22-të provon nga vija fundore e krahut të majtë, kroson një top në 5-metërsh, Musta del, por shtyhet në ajër dhe Makdonald i lirë me kokë shënon: 2-1. Për skuadrën tonë u krijuan situata të vështira, lojtarët humbën qetësinë, ia linin topin njëritjetrit, hezitonin. Në minutën e 34- t një krosim i ardhur nga krahu i majtë parakalon portën tonë dhe Davidson me rrëshqitje e çon rezultatin e lojës në 3-1. Në minutën e 39-të gjyqtari akordon një 11- metërsh në dëmin tonë dhe Makllaski gjuan jashtë portës. Në të 44- ën është përsëri Eitken që ka ardhur nga mbrojtja dhe në afërsi shënon me kokë. Në pjesën e dytë të lojës, skuadra jonë u hodh totalisht në sulm. Në minutën e 49- të dhe të 60-të, për habinë e të gjithëve në fillim Murati, pastaj Hado vetëm për vetëm me Lacforf, nuk shënuan. Sëlltiku e meritoi fitoren”.

PËRSHKRIMI I SHTYPIT SKOCEZ

“Evening Times”: “Plani i Sëlltikut ishte perfekt”

Të enjten, më 4 tetor me gërma të mëdha në shtypin skocez shkruhet: “Loja e ajrit mposht Tiranën”. Në një shkrim nga Hugh Taylor, ai e konsideron lojën e Sëlltikut duke e krahasuar me një “tornado” (stuhi) dhe informon:

evening times

“Loja efektive në Parkhead, nën dritat e ndezura krijoi një atmosferë të frikshme për Partizanin, për njerëzit e vështirë nga vendi më misterioz i Europës. Ata u hutuan nga orteku skocez që i goditi dhe diferenca e fitores e Sëlltikut ishte shumë e madhe. Kjo falë një loje të mrekullueshme shpirtërore, kryqëzime nga krahët e D. Provan e Douly, nga të shpejtët R. Mac Donald, Roy Aitken. Ata mundën të kthejnë buzëqeshjen në fytyrat e të gjithëve, pasi Alan Snedon kishte shënuar fillimisht në portën e tij.

Parkhead u trondit, por kjo situatë u kalua në mënyrë të mrekullueshme dhe loja e vendësve ishte si një stuhi “bardhejeshile” që rrotullohej poshtë e lart mbi Mustën e pafat. Në një mbrëmje me shi kur edhe topi rrëshqiste, me harkimet e tyre ata ndëshkan mbrojtjen e shqiptarëve. Sigurisht që reja masive e 51 000 spketatorëve mbështeste sulmet me “gjak dhe bubullima” të Sëlltikut, me golat e shkëlqyeshëm si në kohërat e vjetra. Portieri i tyre, me emrin Musta kishte vështirësi, sa herë që topi ndodhej në ajër afër tij dhe Partizani ishte në telashe. Sulmuesit e palodhur Provan dhe Doyle “shqyen zemrën” e mbrojtësave me këmishë të kuqe, pas dy goditjeve nga Mc Donald dhe Aitken me realizime të mahnitshme.

Një tjetër pas ekzekutimit nga këndi nga Vic Davidson dhe Aitken fiksuan shifrat në 4-1 pas një harkimi madhështor në të djathtë nga Provan. Ndërkohë, edhe Goerge Mc Cluskey humbi një penallti. Çuditërsiht nuk pati gola në pjesën e dytë, në të cilën Partizani u shfaq një skuadër shumë më e mirë, me Brahon dhe Muratin duke treguar se kishte të paktën lojtarë të klasit në skuadër dhe Pater Latchford bëri dy pritje të shkëlqyera. Pas intervalit Sëlltik humbi vrullin dhe forcën, por nisur nga fakti që kishte realizuar më shumë gola, arriti të marrë triumfin.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"