Sabah Bizi: Na dhanë nga 1 dollar, nuk u bleva dot as çorape vëllezërve

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 14, 2018 | 14:53

Sabah Bizi: Na dhanë nga 1 dollar, nuk u bleva dot as çorape vëllezërve

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Sabah Bizin e gjemë në Velipojë. Biseda me të është emocionuese. Ai njeri më rikthen te futbollisti model në fushë dhe jashtë saj. Ka qenë më i miri në ndeshjen e Tiranës, por, në mënyrë modeste, nuk e pranon. Një kolos i mesfushës dhe i tillë ka mbetur, një ndër talentet unikë, ndonëse sot ka humbur shikimin, atë që e dallonte nga të tjerët, por asgjë nuk e pengon të tregojë me pasion atë Partizan-Torino të ’68-ës.

sabah bizi

Bizi, grumbullimin me Partizanin a e prisnit?

Jo, nuk e prisja. Kur më kanë thirrur si përforcim bashkë me Rragamin e Vason, që ishin larguar nga klubi, u befasova. Ishim të grumbulluar në Korçë, në konviktin e Shkollës Bujqësore. Pas një ndeshje kontrolli në Pogradec, që e ndiqte edhe Petrit Dumja, pas saj më thotë që “luajte shumë mirë dhe të pëlqen Partizani? Do të qëndrosh me ne”, dhe kishin organizuar një ceremoni të vogël. Sollën një tortë dhe më njoftuan se do të më mbanin të kryeja shërbimin ushtarak në repartin 4930. “Ke bërë tre, të kanë mbetur 21 muaj”, më thanë.

Kthehemi te Torino, ju ishit në formacion…

Ishte një befasi aktivizimi. Kam luajtur në mesfushë, kam vrapuar pa pushim gjatë 90 minutave, duke pasuar majtas e djathtas për Jasharin, Bajkon, Shaqirin. Italianët kishin një mbrojtje të mirë, një portier shtatlartë, një mbrojtës të hollë e të gjatë. Puia quhej… Sigurisht, neve na mungonte eksperienca.

Çfarë kujtoni tjetër nga ai takim?

Golin e humbur nga Pano dhe kur në pushim në dhomat e zhveshjes erdhën disa ushtarakë, që diskutuan me Resmen të bënte ndryshime në formacion.

Po në Torino?

Pasi kemi shënuar gol me Bajkon, ende pa përfunduar loja, i thoshim arbitrit se do luajmë kohët shtesë. Ai, i habitur, nuk e kuptonte për çfarë bëhej fjalë. Të painformuar mirë, bënim gabim llogaritë, duke menduar se goli në Torino, bashkë me atë të Tiranës, pra 3-3, loja duhet të shtyhej.

Keni ndonjë kujtim tjetër?

Janë shumë vite, kujtoj se duke shëtitur me Mihal Gjikën, pamë një biond edhe ai po shëtiste. Më thotë “Lakja”: “Ky është Haller?”. – “Kush, – i them, – ai biondi i Gjermanisë që luan me Juventusin?”. Dhe realisht ai ishte. Pastaj, një detaj tjetër, kur na dhanë si dietë nga një dollar e gjysmë dhe në tri ditë bëheshin 4 dollarë, pra, asnjë paketë cigare nuk blije. Doja t’u merrja vëllezërve nga një palë çorape, por nuk munda.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.





www.minuta90.com