Partizani-Torino, 50 vite nga dueli historik me një klub italian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 22:54

Partizani-Torino, 50 vite nga dueli historik me një klub italian

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Është 50-vjetori i asaj ndeshjeje të veçantë, që, për shumë motive mbetet, historike. Ishte e para pas luftës me një skuadër të futbollit italian. Ishte një Partizan i riformuar nga trajneri Resmja, në kërkim të një skuadre të ndryshuar pas ngjarjes së ’67-ës; për rezultatin sensancional 1-0 në “Qemal Stafa”; për golin e humbur nga Pano; për golin e të riut Shaqiri; për historinë e bluzave të bardha, si asnjëherë më parë që luajti Partizani; për një stadium të mbushur; për sirenat e alarmit që habitën italianët në hotel “Dajti”; mosaktivizimi i Kombi-t në Tiranë pas një polemike me gazetarët italianë gjatë stërvitjes në “Qemal Stafa” dhe festa me argëtim dhe pije pa fund e Partizanit në Shtëpinë Qendrore.

partizani torino

Partizani, nga e majta: Shllaku, Janku, Rragami, Jashari, M. Gjika, Bizi, Shaqiri, Vaso, Bajko S. Gjika, Pano.

Pastaj, ndeshja e kthimit, 3-1, dhe goli i Bajkos: Polemikat dhe kërkesa për të luajtur kohët shtesë 2×15 minuta nga futbollistë e drejtues të Partizanit. Ndërkohë, futbolli në Shqipëri kalon një situatë jonormale. Pas 17 Nëntori-Kilmarnok (Skoci) për Kupën e Kampioneve (1964- ’65), ka një ndalesë disavjeçare: sezoni ’65-’66, vetëm pak ditë para takimit 17 Nëntori-Valarenga (Nor), arrestohet Skënder Halili dhe, pas një urdhri shtetëror, klubi “tërhiqet” nga aktiviteti; në atë vijues ’66-’67, me përjashtimin e Partizan-17 Nëntorit, nuk ka pjesëmarrje në Kupat e Europës, vetëm Kombëtarja luan, duke veçuar barazimin kolosal 0-0 me Gjermaninë, për eliminatoret e “Euro 68”.

Goli i Shaqirit (Foto e marrë nga gazeta "Sporti")

Goli i Shaqirit (Foto e marrë nga gazeta “Sporti”)

Ndërkohë, sezoni që duhet të fillonte në vjeshtën e ’67-ës nuk nis, pasi FSHF ka ndryshuar formulë dhe të gjitha kampionatet do të zhvillohen gjatë ’68-ës. Sërish nuk ka pjesëmarrje në Kupën e Kampioneve, pasi Shqipëria nuk ka ende ekip kampion, pasi 17 Nëntori do të shpallet fitues në dhjetorin e vitit 1968, me të drejtë të luajë pas një viti, në shtatorin e 1969 me Standardin e Liezhit. Vetëm Partizani, duke fituar Kupën e Shqipërisë në pranverën e 1968 në finalen e dyfishtë ndaj Vllaznisë, nga shorti i hedhur në fillim të korrikut në Gjenevë, do të luajë për herë të parë në Kupën e Kupave ndaj italianëve të FC Torinos.

Skuadrat duke dalë në fushë, para takimit

Skuadrat duke dalë në fushë, para takimit

Tanket në Pragë, futbolli Europian në kaos

Situata politike në Europën Lindore ishte tejet e tensionuar, kur tanket sovjetike pushtuan Pragën. Shumë klube protestuan duke refuzuar të luajnë, një konfuzion total në futbollin europian midis vendeve perëndimore dhe atyre lindore, që përfshinë edhe UEFA-n. Kjo e fundit, ende pa filluar, piloton tjetër short dhe klubet që braktisin turneun janë nga Dinamo e Moskës, Spartak i Sofjes, Gornik Zabrze, Union Berlin dhe Gyori ETO.

Por jo Partizani, që jo vetëm nuk e bojkoton, madje edhe duke i zhvilluar ndeshjet, kur i përkiste një vendi dhe një populli që pas daljes nga Traktati i Varshavës ishte mobilizuar për luftë e mbrojtje. Ishte koha kur sapo ishin shembur kultet fetare, lufta e klasave ishte në kulm, “Revolucioni Kulturor Kinez” është prezent, dhe në këtë atmosferë janë luajtur sfidat e dyfishta, Partizan-Torino, e para me 17 shtator në Tiranë dhe ajo e kthimit, më 2 tetor të ’68-ës në Torino. Pastaj, shkrimi informues i Loro Boriçit në “Sporti” pas kthimit nga Italia.

Faqja e parë e "Sportit", pas takimit

Faqja e parë e “Sportit”, pas takimit

Ku janë sot personazhet e atyre përballjeve historike?

Ndryshe nga si është trajtuar ai takim, për të kujtuar në këtë jubilar gjysmëshekullor preferova të rikthej ato përballje, duke iu referuar disa nga futbollistëve që i kanë përjetuar nga afër 180 minutat legjendare. Nga gazeta “Sporti” njoftohemi se Torino-Partizani kryesohet nga M. Terihati dhe Y. Ymeri. Trajnerë janë: R. Resmja, L. Boriçi e M. Ndini, Dr. I. Feta’ masazhator A. Kastrati dhe lojtarë: M. Janku, T. Jozja, M. Gjika, S. Gjika, L. Shllaku, R. Rragami, S. Bizi, N. Bajko, P. Pano, J. Shule, T. Çiraku, Sh. Çoba, S. Seferi, B. Kenaj, T. Vaso, P. Shaqiri dhe A. Janku. Shumë prej tyre sot janë mbi 70-vjeçarë, në pension, duke nisur nga dy golashënuesit, Shaqiri (në Kanada), Bajko, Bizi, Janku, Jashari, M. Gjika, T. Vaso, që jetojnë në Shqipëri, ndërsa S. Gjika në Greqi, R. Rragami shkon e vjen në Amerikë e T. Çiraku në Itali. Të tjerët, nga Resmja, Boriçi, Pano, Shllaku, etj. fatkeqësisht janë ndarë nga jeta. Po ata italianë? Aldo Agroppi, portieri Lido Vieri, titullarët e Torinos në ato vite, kanë kënaqësinë të flasin për “Panorama Sport”, ndërsa i mirënjohuri Emiliano Mondoniko, autori i golit të tretë dhe i famshmi Edmondo Fabri, ish-trajneri i Italisë në Botërorin e Londrës, edhe i Torinos ndaj Partizanit, nuk jetojnë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"