Partizani-Oransoda, 50 vite më parë Agim Fagu bënte mrekulli në basketboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2018 | 23:07

Partizani-Oransoda, 50 vite më parë Agim Fagu bënte mrekulli në basketboll

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

18 dhjetor 1968. Një e mërkurë e jashtëzakonshme. Në mbrëmje është në program të luhet Partizani-Oransoda, dy skuadra kampione, debutuese në Europë, një “big match” si asnjëherë më parë. Jo vetëm Tirana sportive, por gjithë Shqipëria e ka përjetuar atë ndeshje, duke e pritur me padurim e interes të jashtëzakonshëm. Një qytet i tërë që kërkon jetë në “Pallat Sporti”, kërkesat për bileta janë në ekstrem, por ka pak në treg, pasi janë me planifikim dhe autorizim për dikasteret, ndërmarrjet, zyrtarët, drejtuesit, drejtorët, ushtarakët e lartë, ndërkohë që lulëzon tregu i zi dhe ato false.

Shumë forca policore kanë rrethuar mjedisin sportiv kryeqytetas. Partizani i kualifikuar direkt në turin e dytë do të ndeshet me italianët e OransodaKantu, që kanë eliminuar luksemburgasit e Black Star Mersch 97-51 dhe 124 -53. Skuadra ka në pesëshe dy amerikanë: Lynn dhe Burgges (biondi që i ekzekutonte personalet ndryshe, duke aplikuar gjuajtjet nga poshtë), argjentinasit De Simone e D’Akuila, dy lojtarët e kombëtares, Rakalkatin e Frixherion. Kjo ishte përballja e tretë kur një klub sportiv përtej Adriatikut vinte në Tiranë.

partizani oransoda basket

Tri vite më parë Virtus i Bolonjës në volejboll për Kupën e Kampioneve dhe 3-0 për Dinamon; pak muaj më parë “FC Torino” në futboll për Kupën e Kupave dhe 1-0 për Partizanin. Tani radhën e kishte Oransoda, kur basketbolli italian në ato vite ishte në kulm, me Ignis (Vareze), Simenthal (Milano) protagonistë të elitës. Ndeshja e parë në Tiranë me 18 dhjetor që do të transmetohej në televizionin ende eksperimental shqiptar dhe e dyta në Kantu me 9 janar 1969.

Për koincidencë, dhjetori kishte treguar se ishte muaji i rezultateve të mëdha, të bujshme e befasuese. Me 17 dhjetor të 67-ës, në “Qemal Stafa” Shqipëri-RF Gjermane 0-0, që i eliminoi gjermanët… Një vit më pas, më 18 dhjetor 1968, sërish e mërkurë, Partizani-Oransoda dhe një barazim spektakolar 73-73, një histori sportive përtej imagjinatës, që lidhet me mbrëmjen e atij dhjetori, gjysmë shekulli më parë: Së pari, për rezultatin sensacional, por mbi të gjitha me Agim Fagun, protagonistin absolut të sfidës, duke befasuar një kontinent të tërë, deri edhe sekretarin FIBA-s, Xhons, i pranishëm në “Partizani”.

agim fagu oransodes

Nga shorti, atmosfera, amerikanët që u lejuan të futen në Shqipëri dhe titujt sensacionalë në median italiane se në Shqipëri pamë një basketboll modern, një “Mistër 48-pikësh”. “Fagu, njëri që luan si amerikan”; “Kujdes nga Fagu, një ‘përbindësh'”; “Shqipëria një mister”… Si e kujtojnë Astrit Greva, trajneri i Partizanit, dhe Agim Fagu atë përballje? Në një rrëfim të rrallë për “Panorama Sport”, ata rikthejnë edhe një herë detajet e asaj dite të paharruar. Me dëshirën për t’iu rikthyer kujtesës, labirintit të një sfide epike, Oransodës dhe 48 pikët e Agim Fagut mbetet unike, për të mos u përsëritur më!

Pragsfida, atmosferë e rënduar….

Do t’i referohemi shtypit të kohës, nga i cili informohemi se Oransoda erdhi në Tiranë një ditë para ndeshjes, u sistemua në hotel “Dajti”. Ndërkohë, flitet për përgatitjet e Partizanit shoqëruar me biseda redaksionale me lojtarë e trajnerë. Jemi pas ngjarjeve në Pragë dhe situata politiko-sociale, si dhe ajo sportive në Europë ishte e tensionuar. Kjo kishte përfshirë edhe Shqipërinë, që e reflektonte edhe në sport.

Për herë të parë në një pallat sporti gjatë gjithë takimit dëgjohej thirrja, “Gimi, Gimi, Gimi!”, çka deri atëherë nuk ishte guxuar të thirrej e bëhej tifo për një sportist, pasi vetëm emri i Enver Hoxhës ishte lejuar në mjedise publike. Policia, edhe ajo entuziaste, që mundohej të evitonte brohorimat, duke bërë me shenja se të tilla thirrje janë të ndaluara, por ishte e pamundur t’i frenoje.

Madje, edhe tre anëtarë të Byrosë Politike, të pranishëm në tribunë, godisnin me dorë parvazin duke mbajtur ritmin, kur një tifozëri shfrenuese bërtiste pa pushim në kor “Partizan, ça, ça, ça”, “Partizan ça, ça, ça”, që për herë të parë një thirrje e tillë moderne dëgjohej në një pallat sporti.

“Il Corriere della Sera”, gazetari L. Cecchini shkruan: “Partizani, një skuadër misterioze!”

“…Një udhëtim dhe ndeshje misterioze për skuadrën kanturine. Askush nuk di asgjë për aktivitetin e basketbollit të shqiptarëve. As edhe FIBA… Kjo, për faktin se vetë Xhon Uillimas ka gjetur rastin të asistojë në këtë takim duke udhëtuar me Oransodën, për të parë e njohur nga afër se çfarë shkalle zhvillimi ka ky sport në këtë vend të vogël e të mbyllur ballkanik. Shqiptarët me skuadrën e tyre kombëtare kanë marrë pjesë vetëm në Lojërat Ballkanike dhe në mjaft takime kanë luajtur me ekipe kineze, duke preferuar që ta lidhin basketbollin me ta. Për Oransodën nuk duhet konsideruar një ndeshje e vështirë, por Stankoviç duhet të zgjidhë disa pikëpyetje në skuadër…”.

Loja, vendimtare sekondat e fundit

Italianët kaluan të parët në avantazh me De Simone, pastaj Bërxhes (Burgges) shënon edhe dy pikë të tjera dhe në minutën e 4-rt ekipi italian udhëheq 12-5. Pikërisht këtu fillon kthesa: Fagu nis të gjuajë më sukses, kurse Pali realizon dy kosha të vlefshëm dhe në 7′ rezultati është 17-17, ndërsa në 9′ Fagu sjell për herë të parë Partizanin në avantazh 23-22. Pjesa e parë mbyllet 41- 40 për kampionen e Italisë. Në pjesën e dytë italianët komandojnë 51-42 dhe në 12′ Pali largohet nga fusha me 5 gabime personale.

Minuta 14-të, Kasmi shënon dhe e dërgon Partizanin në avantazh 63-68. Në 18′ rezultati barazohet në 67-67 dhe në këtë kohë Përmeti shkakton gabimin e tij të 5-të. Frixherio realizon të dyja gjuajtjet e lira. Kanë mbetur akoma edhe 70 sekonda dhe rezultati është 71-67 për italianët. Tanët shpërthejnë në sulm dhe kundërshtari është vetëm 2 pikë përpara. Duhen vetëm 10 sekonda, loja hyn në faza dramatike, Pëllmbi gjuan dhe topi drejtohet për në shportë. Publiku ngrihet i tëri në këmbë dhe pallati oshëtin nga duartrokitjet dhe entuziazmi. Ndeshja mbyllet në barazim 73-73.

Partizani taktikisht veproi drejt: Duke nuhatur se Fagu ishte në formë të përsosur, të gjithë punuan për lirimin e tij nga mbulimi dhe ai realizoi 48 pikë, me një përqindje të lartë: 55.51%. Në mbrojtje aplikoi “secili të vetin”, ku u dalluan sidomos Pali dhe Kasmi, që mbulonin lojtarë të gjatë, Bërxhes 2.2 m, Lyn 2.1 m, De Simone 2.00 m. Në mbrëmje pas takimit, sekretari i përgjithshëm i FIBA-s, Uilliam Xhons, i pranishëm në këtë takim, i dorëzoi një flamur Agim Fagut shoqëruar me fjalët: “Këtë flamur ne ua japim vetëm basketbollistëve të shquar. Edhe juve jeni i tillë. Është një nder e kënaqësi e madhe për mua t’ju përgëzoj për lojën e shkëlqyer që zhvilluat dhe t’ju dorëzoj këtë kujtim simbolik”.

Tiranë, e mërkurë 18 dhjetor, ora 17:30, pallati i sportit “Partizani”
PARTIZANI-ORANSODA 73-73 (40-41)
PARTIZANI: A.Fagu (kap) 48 pikë, N. Pali 11, B. Pëllumbi 5, D. Përmeti 4, K. Kasmi 2, E.Moja 2, A. Lahi 1.
(Bekteshi, Çuçi, Boshnjaku, Gjini, Hutka). Trajner: A. Greva.
ORANSODA: Lynn 20, De Simone 15, Burgess 14, Friggerio 11, D’Aquilla 7, Recalcati 6 (Farina, Marino,
Della Fiori, Viola Nani). Trajner: B. Stankoviç.
ARBITRA: J. Kavçiç (Jugosllavi), P. Marin (Rumani) të K/Nd.

Gjuajtjet e lira: Partizani: 9 nga 12; Oransoda
21 nga 26.
Dalin jashtë për 5 gabime personale:
Pali ’12 e 10” (57-62), dhe Përmeti ’17 e 30” (67-67).
Spektatorë: 3500.

Rregullorja: Sipas rregullit të ri, në takimet e këtyre kompeticioneve, nëse ndeshja mbyllet në barazim, nuk do të luhet koha shtesë, pesëminutëshe. Ajo do të aplikohet vetëm në raste kur pikët do të jenë të barabarta pas dy takimeve. Ky do të ishte barazimi i parë historik regjistruar në Kupën e Europës me klube.

Pas takimit, media shqiptare: “… Nga vendimet e Partisë…, në pasaktësi… Fagu 47 pikë”!

Janë disa gazeta, kryesisht ato politiko-shoqërore, që dalin të nesërmen dhe gjatë javës që komentojnë takimin, e në disa prej tyre ka edhe pasaktësi, kur shkruajnë se “… Fagu ka realizuar 47 pikë….”. Ndërsa “Sporti”, që del një herë në javë, artikullin kryesor e ka të marrtën, më 24 dhjetor.

Krahas kronikës nga specialistë të njohur, përshkrimi i ndeshjes shoqërohet me frazat standarde të njohura për kohën se: “…Duke vënë në jetë vendimet e Partisë e të Shokut Enver, duke vënë politikën në plan të parë, basketbollistët e Partizanit luftuan me vendosmëri e vetëmohim në fushën e betejës sportive dhe demonstruan cilësi të larta morale e sportive, shpirtin luftarak e patriotik, guximin, energjinë dinamizmin dhe përgatitjen e shkëlqyer fizike…”. Reagimi i “La Gazzetta dello Sport”, “I Giganti del Baschet” “…Për Oransodën surpriza është Fagu…”, “…Agim Fagu me 48 pikë ndër më të mirët e Europës…”; “…Precizioni i tij maja e takimit….”; “…Pamë një basketboll modern…”; “…Dy amerikanë lejohen të futen në Shqipëri…”.

Gazeta më e madhe sportive italiane, me të dërguarin e saj special në Tiranë, gazetarin Marko Kasini (nuk jeton më), të nesërmen shkruan: “Është një njeri i Partizanit, ndër më të mirët e Europës, Agim Fagu, 22-vjeçar, kapiten i skuadrës. Është 186 cm i gjatë dhe ka shënuar 48 pikë, ndër të cilat 42 nga aksione loje dhe 6 nga gjuajtjet e lira.

Është e vërtetë që e gjithë skuadra luan për të, kjo në ndeshjen e 40 ndërkombëtare të tij, por është edhe e vërtetë që precizioni i tij ishte maja e takimit. Oransoda në shumë momente u arrit dhe u kalua nga një Partizan i shpejtë, fizikisht i përgatitur. Në Shqipëri zbuluam një Partizan që mund të luajë mirë në kampionatin jugosllav apo italian. Pamë një basketboll modern, presing i tmerrshëm, kondicion atletik i mrekullueshëm dhe një lojtar me vlerat e të mëdhenjve si Koraç, Daneu, Mifka, Steveniers.

Shqiptarët e nisën lojën duke e mbështetur te pivot, 21-vjeçari Pali 197 cm. Por kur ai u mbulua nga De Simone, loja u përqendrua e gjitha te Fagu, duke aplikuar bllokazhet. Ndaj Fagut trajneri Stankoviç kishte caktuar amerikanin Lynn, i aftë në sulm, por jo i tillë në mbrojtje. Pastaj, ai vendosi edhe Farinën, Frixherion, D’Anxhelon, por askush nuk mundi ta frenojë dhe Fagu shënoi 26 pikë në të parën dhe 22 në të dytën.

Do të ishte vetëvrasje nëse edhe lojtarët e tjerë do të shënonin nga distanca, por ishin të pasaktë. Te Partizani luajnë katër lojtarë të Kombëtares. Barazimi është një kuriozitet në Kupë. Nuk kënaq asnjë. Arbitrimi ishte perfekt, një publik i jashtëzakonshëm, tre mijë qëndronin jashtë pallatit. Aventura e Tiranës u mbyll.

Por, kemi bërë një zbulim të madh, që basketbolli modern luhej edhe në Shqipëri dhe ky është një sinjal edhe për Europën e basketbollit. Për herë të parë që dy amerikanë, Lynn e Brugess, vinin me një skuadër sportive e ndonëse nuk lejohej hyrja e tyre në atë vend, autoritetet vendëse e lejojnë futjen e tyre në Shqipëri.

Pas ndeshjes, trajneri Astrit Greva deklaroi: ‘Kërkojmë të luajmë një basketboll atletik si shprehje e një përgatitje fizike. Ky është koncepti që tentojmë të realizojmë Në Kantu Partizani do të humbasë, por jam i sigurt që do të na duartrokasin. Dhe Fagu do t’i bëjë të flasin të gjithë sërish për të. Madje, gjithë Europën'”.

“Tutto Sport”: Fagu një “Dorë e Artë”!”

“Mister 48″, i pagabueshëm, një lojtar në lartësinë e amerikanëve më të mirë që janë në Europë…”; “… Për të gjithë Fagu një surprizë e madhe….”; “… Nëse në Kantu do të rishfaqet sërish i tillë, pa dyshim ai do të shpallet një yll i basketbollit europian…”. “Në Tiranë, Oransoda e kërkoi fitoren. Përballë ndeshi me një skuadër të panjohur, që luajti një basket të mirë. Duhet theksuar që përjashtim në atë skuadër, ndërmjet lojtarëve me fanella e pantallona të kuqe, bën pjesë një mbi të gjithë, ‘një lloj përbindëshi’, një ‘Mister 48’ me emrin Agim Fagu. I pagabueshëm, një sportist robust dhe shumë i përgatitur, njëzet e një vjeç, 187 cm i gjatë, që ka realizuar në total 48 pikë, duke qenë i pranishëm në çdo top.

E gjithë skuadra luante për të që ta lironte të gjuante dhe ai vetëm gjuante e shënonte duke realizuar gati 90 për qind të gjuajtjeve e duke vënë në vështirësi markuesit. Fillimisht bëri të vuante Lynn, pastaj D’Akullan, Frixherion e Farinën, të cilët djersitën, u lodhën për ta mbuluar. Për të gjithë, Fagu ishte një surprizë e madhe. Në kampionat ai ka një mesatare prej 35 pikësh në ndeshje. Nëse në Kantu do të rishfaqet sërish i tillë, pa dyshim ai do të shpallet një ylli i basketbollit europian.

Të gjitha aksionet e të kuqve ishin gjithmonë një lëvizje përpara kundërshtarëve, për të furnizuar me topa Agim Fagun, një lojtar në lartësinë e amerikanëve më të mirë që janë në qarkullim në Europë. Me të vërtetë një ‘Dorë e Artë’ për basketbollin shqiptar. Kemi mendimin se ky Agim Fagu duhet të jetë midis yjeve të basketbollit europian, së bashku me Emilianon, Masinin, Georgias, Bava, Steveniers, Gilles, Pistelak, e shumë të tjerë.

Nuk e dimë a do ta përsërisë 18 dhjetorin e Pallatit të Sportit të Tiranës. Fagu, i aftë të çmarkohej, realizonte, por edhe të tjerët kryejnë një punë kolosale, duke organizuar kundërzbritje të shkëlqyera e qarkulluar ulët topin me pasime të shpejta, duke nxjerrë jashtë loje të gjatët e Oransodës.

Partizani ishte një tjetër surprizë, një skuadër shqiptare që luan basket modern, racional, të shpejtë, plot ego, përgatitje atletike me kthjelltësi gjatë 40 minutave. Me moshë mesatare 22- vjeçare, me lartësi mesatare 188 cm, shqiptarët janë në gjendje të mundin thuajse çdo skuadër europiane, në veçanti në fushën e tyre. Në Kantu sigurisht do të jetë tjetër muzikë. Megjithatë, duhen vlerësuar, por tani e njohim mirë, një skuadër me stofin e një protagoniste”.

“Il Corriere della Sera”: “..Fagu, një kampion me klas të madh si Koraç…”

“…Basketbolli shqiptar na zbulon një 22-vjeçar, një kampion me klas të madh. Në përbërjen e tyre kanë një lojtar, të ngjashëm me Koraç: Quhet Agim Fagu, është 22-vjeç, 1.87 m, dhe në vend të mushkërive ka dy shakuj. Ai rrëshqet midis bluzave të mbrojtjes si një ngjalë, ka një shpërthim ‘felin’, elegant, gjuan dhe shënon si një makinë.

E provuan ta markojnë disa lojtarë, Lynn e Farina, e të tjerë, por nuk kanë mundur: ai realizoi 48 pikë. Ajo, të cilën e kishim klasifikuar Partizanin kampione të Shqipërisë, si një skuadër misterioze, më në fund është zbuluar. Debutuese është shfaqur, protagoniste në të parën e turit të dytë për Kupën e Kampionëve, duke e mbyllur 73-73 me Oransodën, një takim tejet i ndezur. Barazimi në basket është një rregull i ri në këtë sezon, me ide të Mister Xhon Uilliams i pranishëm në Tiranë.

Shqiptarët tejet misteriozë në vigjilje, jo shumë shtatlartë, por të shpejtë, ishin një formacion me zemër prej motori dhe u paraqitën si aktorë të një klasi të lartë, duke i detyruar kundërshtarët që ta ndajnë së bashku rezultatin e takimit.

Për ne ka qenë surprizë që në një vend të vogël të zbulonin një skuadër me një nivel të madh teknik e moral”. Stankoviç, në përfundim deklaroi: “Nuk ishim të përqendruar ndaj një skuadre që, ashtu siç na kishte informuar Xhons, duhej treguar vëmendje, pasi luan një basketboll modern, mbron mirë e me agresivitet. Edhe për Uilliam Xhons ka qenë një befasi. I pranishëm në këtë sfidë, për të ishte e rëndësishme të takonte e të njihej duke biseduar me drejtues të basketbollit shqiptar që tashmë i referohen Kinës Popullore…”.

SHËNIM: Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"