Partizani-Atvidaberg, kualifikimi historik i të kuqve në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2020 | 21:05

Partizani-Atvidaberg, kualifikimi historik i të kuqve në Europë

UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Ajo e gusht-shtatorit 1970, e 50 viteve më parë, regjistron kualifikimin e parë historik të një klubi shqiptar futbolli, në trofetë europianë, ndonëse në turin paraeliminator të Kupës së Kupave: 1-1 në Suedi dhe fitore 2-0 në Tiranë. Një rezultat befasues, përtej logjikës, rrethanave dhe forcës së kundërshtarit. Gjithçka në harkun e një muaji:

Nga triumfi me suedezët e Atvidaberg, te shpresa e madhe për një kualifikim edhe ndaj Vaker pas 3-2 në Insbrug. Humbja zhgënjyese në Tiranë, shoqëruar me komentet nën zë për një tolerim nga të kuqtë, për të shmangur Realin e Madridit. Sabah Bizi, një ndër protagonistët e atyre sfidave, për “Panorama Sport” kujton: “Në Suedi kam shënuar golin e parë. Nëse eliminonim Vakerin, kishin frikë se shorti do të na binte me Realin dhe nuk do të mund të luanim. Rrjedhimisht, Partizani do dënohej nga UEFA”.

SEZONI 1969-’70: 17 NËNTORI KAMPION, PARTIZANI KUPËN!

Kampionati 1969-1970, i rikthyer në atë tradicional vjeshtë-pranverë, shpall kampion 17 Nëntorin. Për Partizanin, ai sezon do të jetë viti i triumfit të madh në Shqipëri e Ballkan! Fillimisht merr Kupën e Republikës pas finales së dyfishtë me Vllazninë 4-0/0-1, për të vijuar me Kupën Ballkanike: Sloboda-Partizani 1-1 (Pano), Partizani-Universitatea 1-0 (Janku); UniversitateaPartizani 0-1 (Janku); PartizaniSloboda 1-2 (Pano).

Me 2 fitoret në grup, në vendin e parë, në finale e pret Beroe. 1-1 (Bizi) në Zagora, por bullgarët nuk paraqiten në kthim, me pretendimin se kanë një turne miqësor në Turqi. Duke qenë se datat ishin përcaktuar 9 e 16 gusht, ata kërkuan të luhet më 12, pastaj më 26 gusht dhe 9 shtator, të cilat u refuzuan nga Partizani i angazhuar në Europë.

Pas kërcënimit të FSHF-së se do të tërhiqej nga Kupa Ballkanike, në një telegram në muajin shtator, Sekretariati i KB bën njoftimin zyrtar: 3-0 aforfe për Partizanin, duke e shpallur fitues. Shorti europian për Kupën e Kampioneve për atë edicion ka rezervuar 17 Nëntori- Ajaks dhe PartizaniAtvidaberg në Kupën e Kupave. Pas FC Torinos në 1968 (1- 0/ 1-3), për ushtarakët është e dyta në këtë kompeticion, e dyta edhe me një klub suedez nga ai debutues në Kupën e Kampioneve tetë vite më parë, Norceping-Partizani 2-0/1-1 (Kraja).

Ndërkohë, vitet ’70 janë të bujshme për skuadrën e një qyteti të vogël me 7 mijë banorë në Suedi, fitues i Allsvenska (kampion) dhe Svencka Cupen, një kampionat me 12 skuadra, që luhej në prill-tetor dhe që kryesohej nga Atvidaberg. Edicioni 1970-1971, ishte i 11-ti i Kupës së Kupave dhe regjistron pjesëmarrjen e të gjitha shteteve. Për këtë arsye, katër skuadra do të luajnë turin paraeliminator: Atvidaberg-Partizani dhe Bohemians-(Irl)- Gottvaldov (Çek). Trofeu do të fitohet nga Çelsi, që në finale mund Realin e Madridit.

NË KOPENHAGEN, FRIKË NGA AVIONI

Një periudhë plot aktivitete ndërkombëtare, nga Kupa Ballkanike, turneu i Shpresave në Bullgari, sfidat europiane, e Partizani qëndron i grumbulluar 6 muaj. Etapa e parë drejt Skandinavisë, është udhëtimi Tiranë-Budapest me avion. Në përbërje grupi ka Dh. Shkodrani, shef klubi, përgjegjës, trajnerët Boriçi, zëvendës Kraja, mjekun Polizoi Shqina kirurg në Spitalin Ushtarak dhe masazhatorin A. Kastrati.

“Gjatë qëndrimit pak ditor në kryeqytetin hungarez, nëpërmjet ambasadës sonë iu kërkua Federatës Hungareze të mundësonin një stërvitje të Partizanit. Presidenti saj, një ish-futbollist, sapo u informua lejoi të stërviteshim në aneksin e “Nepstadium” si dhe të shihnim HonvedFerencvarosh. Kujtoj se ndërsa po qëndronim në tribunën përballë, ndiqnim takimin, ishte një hungarez që shihte Loron. Dikush i tha se ai interesohej për të. Erdhi, u takuan dhe pasi u largua, Loro na tregoi se si presidenti i federatës dhe ai, kishin qenë në fushë në takimin Hungari-Shqipëri 12-0 në vitin ….”, kujton Astrit Ziu për “Panorama Sport”. Pastaj udhëtimi drejt Kopenhagen.

“Aeroporti kishte ngarkesë dhe avioni u detyrua të kryente disa rrotullime. U përhap lajmi, pati momente ankthi kur dikush me shaka tha se ‘avionit nuk i hapen rrotat, prandaj të ndahemi, të përqafohemi’. Pas disa orësh qëndrimi në aeroport, po me avion u nisëm për në Stokholm ku mbërritëm dy ditë para takimit. Aty na priste autobusi me të cilin vajtëm në Likonping, afër Atvidabergut, një qytet i gjelbëruar, me vila e fusha golfi si dhe kosovarë që na shoqëronin.

Janku, Balluku, Berisha, Ziu logo

Në Suedi, Janku, Balluku, Berisha, Ziu (Arkiv RRSHB)

Dilaver Hasa, Dilo quhej njëri prej tyre, nga Peshkopia, i arratisur prej kohësh, mësues, i martuar, që u prezantua si kosovar. Ai është edhe autori i fotove, fiksuar në fushën pranë hotelit ku bënim stërvitje”, tregon Fatmir Ismaili për “Panorama Sport”. Për takimin, Boriçi përgatiti skemën 4-3-3, me Muhedinin në portë, e mbrojtje shtatlartë, Seferaj, Berishën, Canin e Ziun. Në mesfushë Shllaku kapiten në qendër, Bizi majtas, Rragami në të djathtë. Balluku, Pano dhe Janku në sulm. Rezerva jam unë si portier, Thaka, M. Shehu, J. Shandro”, e mbyll për gazetën Ismaili.

BARAZIM PREMTUES NË SUEDI

E diel 23 gusht 1970,

Atvidaberg FF-Partizani 1-1 (0-1)

Bizi 2′ / L.Franzen 61′)

Atvidaberg: U. Blomberg, C. Gustaffsson, J. Olsson, K. Karksson, Johansson. A. Ljunberg, B. Augustsson, L. G. Andersson,C. Torteston L. Franzen, O. Eklund. Zev, L. Schenell. Trajner: B. Gustavsson.

Partizani: B. Muhedini, Mikel Janku, A. Ziu, L. Shllaku, R. Rragami, B. Cani, S. Bizi, V. Balluku, Sotir Seferaj, Panajot Pano. (Zëvendësimet: Gj. Thaka, Tomorr Shehu). Trajner: L. Boriçi.

Spektatorë: 2146

Arbitër: Robert Schaut (Belgjikë).

(Skeda e marrë nga faqja zyrtare e UEFA-s).

Ka një mospërputhje te emrat: Mikel për Agim Jankun, Sotir për Suvorov Seferaj, dhe te zëvendësimet Tomorr për Mitat Shehun. Edhe për autorin e golit të Partizanit shënohet se ka qenë autogol, ndërkohë që vetë Bizi, konfirmon se e ka realizuar ai. N ga “Sporti”, ku publikohet formacioni partizanas, lexojmë: “Partizani arriti një rezultat mjaft të mirë, duke barazuar 1-1.

Partizani para ndeshjes ne Suedi logo

Partizani para ndeshjes në Suedi, nga e majta: Berisha, Rragami, Muhedini, Bizi, Balluku. Ulur majtas, Seferaj, Ziu, Canaj, Pano, Janku (Arkiv Bku)

Partizani u hodh në sulme të befasishme, nga erdhi edhe goli i parë i shënuar sapo kishin kaluar 2 minuta nga Bizi. Në qoftë se nuk u arrit ndonjë gol tjetër, kjo erdhi dhe nga pritjet e mira që u bëri gjuajtjeve të Jankut portieri vendës, një goditje të bukur me kokë të Ballukut, kurse më fatalja ishte një gjuajtje e Panos, kur topi u përplas me forcë në shtyllën pingule.

Edhe në pjesën e dytë ne patëm raste me anë të Panos, i cili kreu një goditje të bukur e të fortë. Por, portieri kundërshtar me një ndërhyrje i bëri një ndryshim drejtimit të topit, por nuk e ndaloi dot të prekte shtyllën dhe pastaj të rifutej në lojë. Vendësit barazuan në të 63′. Në 10 minutat e fundit u aktivizuan edhe Thaka e M. Shehu. Ndeshje e kthimit në rast barazimi 0-0, goli i shënuar në fushën kundërshtare vlen 2, ndërsa 1-1, kemi 2×15 minuta shtesë e më pas do të hidhet shorti.

Skuadra fituese do të ndeshet më 16 e 30 shtator me Vaker, Austri. Pastaj udhëtimi: “Nga Atvidabergu u nisëm me autobus, dhe në Stokholm na dhanë paratë e na lejuan të futemi në një supermarket. Kam blerë një orë “Seiko”, 45 korona. Nuk kishim kohë, vetëm dy orë në dispozicion. Më mbetën disa para, e duke nxituar bleva një bluzë të thjeshtë që kushtonte më shumë se ora. Pastaj me avion Stokoholm-Budapest. Nga aeroporti udhëtuam me disa furgonë për në zonën tek ura me luanë, para Parlamentit. Na sistemuan në disa shtëpi ku banonin disa gra, të gjetura nga ambasada me pagesa të ulëta. Në dhomë isha me A. Kastratin, Thakën, Suvorovin. Gratë kujdeseshin duke na përgatitur mëngjesin, pastaj na thoshin të dilnim një nga një, nga frika se mos na shihnin.

Mbrojtesi Ziu me topin logo

Moment nga ndeshja, mbrojtësi Ziu me topin (Arkiv e MQB)

Nga Budapesti me “Interflug”-un shkuam në Berlin. Arritëm vonë dhe kemi fjetur në mjediset e pritjes së ambasadës. Ambasador ishte Engjëll Kolaneci. Ai dhe na sistemoi. Të nesërmen para nisjes, siç duket kishin biseduar dhe ambasada kineze solli një mikrobus për të na shëtitur. Pamë murin e Berlinit, brezin e rrethuar, sheshin ku kishte bërë paradën Hitleri”, thotë Fatmir Ismaili. Pas kthimit, në gazetën “Sporti”, trajneri Boriçi në artikullin “Rezultat pozitiv i Partizanit në Suedi”, jep një informacion më të detajuar për takimin.

TRIUMFI I MERITUAR NË TIRANË DHE KUALIFIKIMI HISTORIK!

E diel 2 shtator, ora 14.00,

Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”.

Partizani-Atvidaberg 2-0 (2-0)

Golat: Pano 15, Ragami 44′

Partizani: Muhedini, Seferi, Berisha, Ziu, Cani, Shllaku Balluku (Thaka), Ragami, Bizi, Pano, Janku.

Atvidaberg: Blomberg, Olson, Anderson, Augusttsson (Frantzen), Ljunberg, Karlson, Gustafson, Anderson G., Valinder, Eklund, Sandberg (Johanson).

Arbitër: Babadzan (Turqi).

Spektatorë: 20 000.

Trajneri Borici logo

Trajneri Boriçi duke drejtuar një seancë stërvitjeje në Suedi (Arkiv i Ka.Nik)

Për atë takim, Boriçi nuk bëri asnjë ndryshim. Në “Sporti”, specialistët S. Tupja e Sh. Kocani, midis të tjerave shkruajnë: “Partizani luajti me shpirt luftarak dhe në pjesën e parë e në gjysmën e së dytës na nxori mallin e takimeve të zjarrta, ku i gjithë ekipi veproi në unitet.

12′- Janku godet topin nga këndi, ai fluturon në zonën e rreptësisë së Atvidabergut dhe Bizi me kokë e dërgon paksa jashtë;

13′- Pano, me mashtrime të shpejta gjuan me forcë dhe nga 20 m shënon golin e parë;

Goli i Panos ndaj Atvidaberg logo

42′- Shllaku gjuan një goditje dënimi nga 25 m dhe topi “bombë” grushtohet me vështirësi nga Blombergu; Ragami shënon me kokë në një pozicion të vështirë golin e dytë në fundin e pjesës së parë”. Turi i parë, austriakët të shqetësuar “Barazuan me Gjermaninë. Kujdes, është Partizan i frikshëm”! Ndërkohë, pragsfida shoqërohet me frikë. Kjo, e shprehur nga shtypi që duke iu referuar gazetës vendëse të Tirolit, takimin e parapriu një shkrim nga redaktori Vofgang Thiel, i cili kishte qenë dëshmitar okular në 0-0 të Kombëtares gjermane në dhjetorin e ’67-ës në Tiranë.

Në lidhje me takimin ndaj Partizanit, lojtarëve të Vakerit dëshiron t’u kujtojë: “Partizani është një ekip interesant, që vjen nga një vend po aq interesant, ku çdo gjë që lejohet në botë atje supozohet e ndaluar. Zigjelbrit nuk po luajnë sot kundër një kundërshtari të panjohur, por ndaj futbollistëve nga një vend që ka bërë një hap të madh përpara në pesë vitet e fundit. Ata janë shumë të ashpër, luajnë fuqishëm, fort, janë entuziastë, vrapojnë shumë, një ekip në të cilin “të gjithë luajnë për të gjithë”. Mjerë, tri herë mjerë, nëse ata marrin epërsinë 1-0, do të kalojnë me shtatë lojtarë në mbrojtje që nuk dorëzohen, dhe me dy të tjerë që dinë të kundërsulmojnë.

Sigurisht një 2-0 është më shumë se 1-1 dhe nëse një gol do të shënohet shumë shpejt. Kam përjetuar rezultatin 0-0 të Kombëtares gjermane në Tiranë, një rezultat që ishte pjesërisht faj i Helmut Shënit, i cili kishte dhënë moton “lëri të vrapojnë qetësisht, lëri të zemërohen qetësisht”. Një dëshmi tipike kur nënvlerëson kundërshtarin. Tashmë ne e kemi një eksperiencë nga një qëndrim i tillë. Unë do të doja t’i tërhiqja vëmendjen Vakerit.

Lojtaret e Partizanit logo

Lojtarët e Partizanit përshëndesin publikun para takimit (Arkiv i SHKD)

Sepse ekziston një shans për kualifikim nëse takimi në Insbruk fitohet me të paktën dy – tre gola diferencë. Në Tiranë, në ndeshjen e dytë, Vaker nuk do të luajë kundër një skuadre, por ndaj një kundërshtari shumë të rrezikshëm, që do të mbështetet edhe nga një spektator i pasionuar, por i disiplinuar. Jo pa meritë Partizani është tetë herë kampion dhe pesë herë fitues i kupave në Shqipëri. U eliminua në 1962 në Kupën e Europës nga Norçeping dhe në 1964 nga Këln, por vetëm pas barazimit 0-0 në Tiranë”. “Ndërkohë, – vazhdon gazeta, – Partizani mbrëmë zhvilloi një seancë njohëse dhe relaksuese në stadium, zyrtarët e klubit janë optimistë: Çdo ekip vjen për të fituar”. Ata ishin entuziastë për ndriçuesit e rinj në stadiumin “Tiroli”.

“Ne nuk e kemi këtë në Tiranë dhe takimi i dytë do të luhet në mesditë”, u shprehën. Skuadra ka dy lojtarë të Kombëtares, Pano e Shllaku, si dhe dy të skuadrës nën 23 vjeç, Bizi e Janku”, e mbyll gazeta. Ato dy takime do të jenë tejet dramatike, plot emocion, ankth deri në frymën e fundit, nga ëndrra madrilene, te zhgënjimi i madh! E para-vajtje, nga 2-0 për Partizanin në 2-3 për VakerPër në Austri, Partizani u nis me avion dhe nga Vjena do të vijojë me tren për në Insbruk.

Ekipi ka përgjegjës shefin e klubit Gani Berberi, trajnerin L. Boriçi, zëvendës K. Kraja, 15 futbollistë, mjekun I. Feta, masazhatorin A. Kastrati. Në Austri, kampionatin me 16 skuadra e kryeson Admira E. me 10 pikë. Tek Vaker spikasin dy gjermano-perëndimorë, një jugosllav dhe lojtarët e Kombëtares, portieri Retenshajner, Obert e Jara.

INSBRUK, E MËRKURË 16 SHTATOR 1970

“Tivolistadion”, ora 19:30.

Vacker-Partizani 3-2 (1-2).

Golat: Pano 22′, Janku 24′ / H. Ettmayer ’40 pen, Obert 52′, Franceskin ’83

Vaker: Rattenstelner, Eschimuller, Binder, Ëarner, Voggenberger, Elgenstiller, Obert, Ettmayer, Francescin, Grausam, Jara (Tschenett, Laderer, Sommer, Paer, Senegovic).

Partizani: Muhedini, Seferi, Berisha, Ziu, Cani, Shllaku, Balluku,Ragami, Bizi, Pano,Janku (Ismaili, Thaka, Çobaj, M. Shehu).

Arbitër: Guguloviç (Jug)

Nga “Sporti” lexojmë: “11 mijë spektatorë ishin të pranishëm në ndeshjen e luajtur në mbrëmjen e së mërkurës me shi. Partizani e nisi lojën me vrull dhe shënoi golin e parë në të 22′ me anë të Panos. Dy minuta më vonë, e rriti në dy numrin e golave me autor Jankun. Pësimi i dy golave i nervozoi lojtarët insbrukas, megjithatë e morën shpejt veten duke shkurtuar diferencën me penallti.

Partizani nje nate para takimit ne Insbruk logo

Partizani një natë para takimit në Insbruk, nga e majta: Cani, Ziu, Shllaku, Muhedini Tr. L. Boriçi, Ismaili, Berisha, Rragami, M. Shehu. Ulur majtas, Balluku, Thaka, Janku A., Bizi, Sh. Coba, Pano, Seferaj

Pas pushimit në të 51′ barazoi Oberto, kurse golin e fitores 3-2 e bëri Françekin. Gazetat e quajtën fitoren e Insbrukut të pashpresë. “Në Tiranë nuk kemi asnjë shans. Ata vunë në pah klasin e lartë të lojës së Panos, fjalë të mira u thanë edhe për Rragamin e Bizin”.

Gazeta austriake logo

Gazeta austriake flet për ndeshjen Vaker-Partizani

“Replay” edhe në kthimin “qemalstafas”! Edhe në Tiranë në ndeshjen e kthimit e njëjta situatë: nga 1-0 në 1-2 për austriakët. Një 90′ që u përfol edhe për tolerim nga Partizani, për të evituar përballjen me Realin e Madridit dhe dënimin e paevitueshëm nga UEFA.

E mërkurë, 30 shtator, ora 15:00

Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, ora 14:00.

Partizani-Vaker 1-2 (1-1).

Partizani: Muhedini, Seferi, Berisha Ziu, Shllaku, Cani, Balluku Rragami, Bizi, Pano, Janku (Thaka).

Vaker: Retenshtajner, Eshlmiler, Verner, Ajgenshtiler, Krist, Senegovic, Franceskin, Obert, Grauzan, Etmajer, Jara.

Gjyqtarë: Sheurer, Longareti, Shaerer, (Zvicër).

Po nga gazeta “Sporti”

Kronika:

22′- një lëmsh i krijuar në portë mbyllet me avantazhin tonë me gol të Rragamit.

38′- një aksion i ngathët edhe për gabim të mbrojtje sonë, krijon barazimin në 1-1 me anë të Grauzanit.

51′- Ober futet në zonë i lirë, lëshon një pasim të shkurtër dhe pranë portës me një kthesë Grauzani përsëri shënon. Jemi 1-2″. Partizani është eliminuar ndërsa Vaker në turin vijues do të ndeshet me Realin e Madridit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"