Nga Ilir Meta te Robert Papa, rrëfehet Shqarri: Në ’97 transmetimi nisi me kallashnikov…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2018 | 21:24

Nga Ilir Meta te Robert Papa, rrëfehet Shqarri: Në ’97 transmetimi nisi me kallashnikov…

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Nuk ishte rastësi ide ja për një emision radiofonik të atyre përmasave, por mbi të gjitha nuk ishte as e lehtë për Shqipërinë e shumë halleve. Megjithatë, Shqarri ia doli dhe sot me krenari rrëfen për “Panorama Sport” disa nga momentet më pikante. Natyrisht, ka pasur dhjetëra bashkëpuntëtorë, një ndër të cilët ka qenë edhe Ilir Meta, sot President i Republikës së Shqipërisë. Po vetëm njëri prej tyre, mund të “dilte” nga axhenda e Shqarrit dhe ai ishte Ismet Bellova.

Shqarri, si lindi ideja?

Jo rastësisht, ideja më erdhi nga modeli i famshëm italian “Tutto il calcio minuto per minuto”, që prej shumë vitesh transmetohej në vendin fqinj. Projektin e diskutova me shokë e miq të mi, regjisorin e njohur Ylli Pepo, bashkëstudent dhe koleg në RTSH, gazetarin e mirënjohur Besnik Dizdari, radiokronistin e famshëm dhe shefin tim të asaj kohe, Agron Çobani dhe me fotoreporterin e shquar, Petrit Kumi, që e inkurajuan idenë time.

nga njera ndeshje ne tjetren

Si u prit në fillim?

Opinioni ishte informuar disa ditë më parë nga një shkrim i botuar në gazetën “Sporti” për fillimin e këtij emisioni. Kisha kohë, që përgatitesha, ndërsa njerëzit ishin në pritje dhe plot interesim. Një natë më parë ishin nisur për në qytetet përkatëse makinat me teknikët dhe aparaturat e duhura për të qenë në gatishmëri në mëngjesin e nesërm, bashkë me radikronistët që do të transmetonte direkt ndeshjet në fjalë.

Starti ishte vërtet me çiklizmin?

Transmetimet direkte kisha kohë që i pata nisur, kryesisht nga Pallati i Sportit në Tiranë, me ndeshjet e basketbollit, volejbollin dhe me intervista me Agim Fagun, Asllan Rusin, Ela Tasen etj, duke trasmetuar sidomos ndeshjet ndërkombëtare, atëherë kur vendi ynë konkurronte me shumë sukses. Ndërsa, garat e çiklizmit si të thuash ishin gjeneza. Ato i kam ndjekur dhe transmetuar nga fillimet e para të viteve 70-të, kur i ndiqja bashkë me operatorin e njohur televiziv, Astrit Omeri. Ishin pikërisht ato transmetime që hapën rrugën e më ngacmuan idenë e transmetimit të drejpërdrejtë në Radio Tirana edhe për emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

ahet shqarri ilir meta

Cilat ishin vështirësitë e fillimit?

Për të transmetuar disa ndeshje në të njëjtën kohë, për çdo kronist ishte e nevojshme që të kishte pranë një teknik, që të mbulonte çdo problem apo difekt teknik. Me çfarë nuk është transmetuar në ato vite, deri edhe me linjë ndërqytetase, kabllo e telefona të reparteve ushtarake, etj. Dhe më kryesorja, sepse duhej treguar kujdes, që radiokronistët vendës të mos shfaqeshin tifozë, ndonëse ishin në një trysni të madhe nga opinioni.

Dhe vjen ora e madhe…. Çfarë kujtoni nga ajo ditë?

Kujtoj se disa orë para se të fillonte ai emision isha si i trullosur, vija vërdallë i tensionuar nëpër korridoret pranë studios. Komunikoja me radikronistët nëpërmjet frekuencës së Postës Qendrore të Tiranës, pasi bashkëpunimi me të ka qenë kryesor dhe mjaft i rëndësishëm. Ndërkohë, teknikët ishin nga më të vjetrit e plot përvojë, si M. Berberi, S. Paçrami, F. Dizdari, H. Sala, R. Reci, H. Stërmasi, etj., që për siguri i nisja nëpër rrethte, ndërsa në studio si fillim kisha të tjerë, po me përvojë si F. Alimehmetin dhe tekniken S. Qylafku. Sinjali që nisi të shoqëronte më vonë fillimin dhe mbylljen e emisionit ishte një kompozim i krijuar enkas nga miku im, kompozitori Shpëtim Saraçi.

Çfarë ndodhte me grafikun? Sepse të gjithë kërkonin mikrofonin apo jo?

Para çdo fundjave, hartoja një grafik, se cili do të shkonte për të transmetuar në rrethe dhe cili në kryeqytet. Kishte kërkesa për ndeshjen më të rëndësishme në rrethe apo në Tiranë. Radiokronistët bënin garë në njëfarë mënyre të të zinin radhën. Madje, më propozonin edhe ndeshjen që ata preferonin për të transmetuar, përveç Ismet Bellovës që kishte lirinë e plotë për të transmetuar ku të dëshironte.

Pas fillimit a u shtuan risi të tjera dhe cilat ishin ato?

Po, nisa të ftoj për herë të parë specialistë të futbollit, që gjatë transmetimit i shtonin shumë vlera emisionit me komentet e tyre dhe në këtë rol kam pasur personalitete si Sabri Peqini, Skënder Begeja, Refik Resmja, Gëzim Kasmi, etj.

Nga Bellova tek Ilir Meta, një listë e gjatë?

Në “vijën e parë”, siç thashë ka qenë Ismet Bellova, i vetmi që kishte punuar së bashku me Mazrekun. Bellova ishte unik, autoritar, tejet profesionist, i pakrahasueshëm, duke krijuar një shkollë të tijën. Pastaj Aleko Gjergo me profesionin farmacist, me zërin më të bukur dhe me shumë kulturë. Apo Veli Rada, aktor në profesion, që mbi 20 vjet ka qenë ndër figurat qëndrore të transmetimit, mjeshtër në interpretimin e situatave të papritura që sjell loja. Për të vijuar me të tjerët që i jepnin origjinalitet dhe larmi emisionit, që në fund të viteve 80- të, pati si pjesëmarrës edhe atë që sot është Presidenti i Republikës, zotin Ilir Meta.

Protagonistët e rretheve, cilët ishin?

Në rrethe shumë shpejt u afirmuan dhe u bënë të njohur si “zëri i qytetit”: Frederik Fico në Gjirokastër, nga Shkodra Ymer Stërniqi (që të dy mjeshtër të vërtetë të këtij profesioni), Sefedin Allkja, që fitoi një reputacion të madh me transmetimet e tij origjinale nga Elbasani; për të vijuar me Moisi Dalipin në Vlorë, Rrok Preçin nga Laçi që krijoi fizionominë e tij. Pastaj, Bujar Qesja e Fatmir Efica, dy protagonistë përkatësisht nga qytetet e tyre: Durrësi e Kavaja. Pa harruar Vlash Pambukun në fillimet e këtij emisioni nga Berati, që u pasuan nga Agron Kaja, i cili bashkë me Vladimir Ngjelën në Korçë, u kthyen në “veteranë” të rëndësishëm e mjaft të domosdoshëm të emisionit për përvojën e tyre.

Afrohen edhe zëra të rinj apo jo?

Sigurisht. Kujtoj me respekt P. Pogu e P. Tomën në Shkodër, P. Qiqin, T. Shehun në Gjirokastër, F. Dollia në Kavajë, Ll. Çuko në Lushnjë, Z. Shtjefni e A. Vane në Lezhë; dyshen Mbriçaj, Emiri nga Fieri, F. Thaçi në Krujë, P. Starova në Pogradec e shumë të tjerë, të cilët i falënderoj për atë bashkëpunim 20-vjeçar në këtë emision. Me këtë rast dua të përmend se në fillim të viteve 90-të u përfshi në këtë emision edhe Alma Sula, e cila luajti të parin rol të radiokronistes sportive femër në Shqipëri.

Jemi në vitet 80-të, është prezent edhe televizori…

Po, por radio mbetej ende padrone e shtëpive të shqiptarëve. Në orën e “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, gjithçka përqendrohej aty, bllokoheshin e ndërpriteshin të gjitha thirrjet e bisedat telefonike me qytetet ku kishte ndeshje. Të gjithë ishin të predispozuar në këtë emision. Më vonë ndodhi një risi tjetër, kur studio qendrore kaloi në “Qemal Stafa”, pikërisht në kabinën e përcaktuar për “Radio Tiranën”, nga ku për shumë vite, drejtova direkt të gjthë ndeshjet.

Nga mijëra orë transmetim, çfarë ju kujtohet më shumë?

Britma e Sefedin Allkjes, “Gooool Goooool”, kur Labinoti i Elbasanit shënonte, veçanërisht kur ky ekip u shpall kampion i vendit. Ndodhte për herë të parë, gjë që më vonë do ta dëgjonim vetëm nga radiokronistët e huaj! Apo kur Veli Rada në ndeshjen Partizani-17 Nëntori, pati thanë: “Unë vë bast që Mema do të realizojë… ishte çasti kur S. Mema bëhej gati të ekzekutonte një goditje dënimi që në fakt e çoi në rrjetë”. Ndërsa, me Robert Papën ruaj një episod që vetëm unë dhe ai e dimë, por që tashmë po e bëj publike: Ai ishte caktuar për të transmetuar në Vlorë, një ndeshje që e kishte zgjedhur vetë dhe kur unë i jap linjën Vlorës, më del tekniku e më thotë se për këtu nuk ka ardhur radiokronisti! Mbaron emisioni dhe duke zbritur shkallët e Stadiumit “Qemal Stafa”, jam befasuar kur përballë më del Robert Papa i veshur ushtarak, pasi ato ditë ishte në zbor. “Pse nuk ishe në Vlorë”, e pyes? “Nuk shkova, sepse ashtu më doli një punë”, më tha. Kështu që erdha këtu për të parë ndeshjen Partizani-17 Nëntori…”. I tillë ishte Robert Papa, me kulturë, por tekanjoz, por edhe me një temperament që prodhonte të tilla të papritura, që të vinin në vështirësi.

Ndiqej nga qeveritarët ky emision, a ishin tifozë ata?

Nga kryeministri Adil Çarçani dhe të tjerë nga Byroja Politike, të gjithë ishin të interesuar për të ndjekur emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Ishte kjo arsyeja që për transmetimin e tij kishte angazhim të madh e bëhej përjashtim. Në majin e 1986-s, ditën e përurimit të pishinave në kompleksin “Dinamo”, ku ishin të pranishëm shumë nga udhëheqja e lartë e vendit, teksa isha duke përgatitur kronikën e rastit, me karakter sportiv, dëgjoj nga afër një zë që më thotë: “Shqarri, besoj do e dëgjojmë sot ndeshjen e Partizanit…”. Unë u trondita disi se po fliste kryeministri, që m’u drejtua me emër, por ju përgjigja gjithë kënaqësi e siguri: “Patjetër shoku Kryeministër….”. Sepse pikërisht një ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm, Marash Hajati, kishte urdhëruar që për emisionin e asaj dite të vihej në dispozicion edhe “makina e rezervës urgjente”, që përdorej vetëm për rastet ekstreme!!!.

Po gjatë 97-ës çfarë vështirësish patët?

Gjithçka e shkatërruar, një Shqipëri në kaos, ndeshje që luhen në fusha asnjanëse. Vetëm “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, nuk u ndërpre asnjëherë. Edhe pse nën presion, pa kushte dhe pa siguri, shpesh edhe nën breshërinë e armëve, radiokronistët gjenin mundësinë për të dhënë informacion për dëgjuesit. Mbaj mend një moment, kur e dhashë linjën në Burrel, ku luante “17 Nëntori” dhe në vend të radiokronikës, mikrofoni përcolli breshëri kallashnikovi, çka e bëri Mirela Milorin e TV Klanit që me këtë detaj, të niste lajmet e asaj mbrëmjeje….

Edhe Sandro Ciotti në kabinën tuaj?

Po, ky është një moment i veçantë për mua. Ka qenë ndeshja me ekipet Shpresa Shqipëri-Itali, që u zhvillua në “Qemal Stafa”, në vitin 1984, kur papritur në kabinën time futet një person, duke më pyetur nëse kjo ishte kabina e caktuar për transmetimin e radiokronikës së tij. Ktheva kokën, një zë i dëgjuar, e njoha menjëherë, ishte Sandro Ciotti. U prezantuam, ndërkohë që shoqëruesit e tij i thanë për mua se “ky është një Ciotti” për shqiptarët, ai që drejton emisionin e ngjashëm me “Tutto il calcio…”. Qëndruam për pak kohë bashkë, duke pasur si kujtim nga ajo ditë edhe një foto në kabinën e transmetimit. Por, ajo kabinë ka qenë e frekuentuar edhe nga artistë, mjekë, kompozitorë të njohur shqiptarë, si Kujtim Spahivogli, Ferdinand Deda, e shumë të tjerë, edhe pse ishte e ndaluar të qëndroje aty, kishin kënaqësinë ta ndiqnin ndeshjen, veçanërisht ato ndërkombëtare nga ajo kabinë.

Në përvjetor për “Hous of Arts”?

Historia e emisionit tim është e veshur me ngjarje e kujtime të paharrueshme. I tillë ishte edhe përvjetori i 20-të i tij. Në “Hous of Arts”, një organizim fantastik, një befasi që nuk e kisha menduar kurrë që të ishte ashtu. Erdhën plot miq, e shokë, mbi të gjithë ata i kishin dhënë jetë e bukuri këtij emisioni njëzetëvjeçar. Me atë rast, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së u shpërndau vlerësime, si dhe nga një pllakatë mirënjohjeje për këtë jubile disa prej pjesëmarrësve më të shquar.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"