“Na bëni bukë për dy mijë veta”, si u dënua Industriali i Laçit me urdhër të Komitetit Qendror të PPSH-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2023 | 21:12

“Na bëni bukë për dy mijë veta”, si u dënua Industriali i Laçit me urdhër të Komitetit Qendror të PPSH-së

NGA UVIL ZAJMI
Ngjarja është unike, duke iu referuar kohës, regjimit, personazheve dhe çfarë ajo përcolli. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një fletërrufe t’i drejtohej një udhëheqësi, aq më shumë një anëtari të Byrosë Politike të PPSH-së dhe një zv/ kryeministri, siç ishte Manush Myftiu.

Skuadra e Industrialit, me trajner Ndue Tarazhin

Skuadra e Industrialit, me trajner Ndue Tarazhin

Gjithçka ndodhi pas një ndeshjeje futbolli, zhvilluar në Rrëshen në shekullin e kaluar, e vlefshme për kampionatin kombëtar të futbollit të Kategorisë së Tretë, ndërmjet Minatorit vendës dhe Industrialit të Laçit.

“Një derbi i zonës, për nga afërsia, mentaliteti, njohjet, rivaliteti, tifozëritë, pretendimet, ishin ato që i karakterizonin ndeshjet në mes dy qyteteve, ngjallnin interes dhe ndiqeshin nga mijëra tifozë”, kujton sot për “Panorama Sport”, ish-trajneri laçian i Industrialit, Ndue Tarazhi. E rrëfyer sot pas disa dhjetëvjeçarëve duket e lehtë, por nuk ka qenë e tillë. Ngjarja është e lidhur me periudhën pas trazirave në Rrëshen dhe reagimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila e dënoi rëndë skuadrën kurbinase, nisur edhe nga thirrjet në stadium të konsideruara provokuese: “Industrial, Industrial, o fitore, o skandal”! “I vumë fletërrufe Manush Myftiut, në qendër të Tiranës, si iniciator i dënimit tonë, por e hoqën për shtatë minuta”, tregon protagonisti kryesor i asaj ngjarjeje të pazakontë, Ndue Tarazhi. Një veprim të tillë për kohën vetëm laçianët mund ta bënin!

LUHET NË RRËSHEN, DERBI MES MINATORIT DHE INDUSTRIALIT
Ka qenë viti 1986, është një ndeshje që kujtohet gjithmonë nga tifozët laçianë. Bëhet fjalë për atë të luajtur me Minatorin e Rrëshenit, skuadra që luanin në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë. Që në orët e para të asaj të diele, Rrësheni ishte mbushur nga mijëra laçianë, që kishin ardhur me autobusë të linjës, kamionë “Skoda” të Parkut të Laçit, që merrnin bakër pirit në Kurbnesh, taksi, motoçikleta, biçikleta e karroca me kuaj, madje edhe në këmbë, duke u nisur në orët e para të mëngjesit të asaj dite.

Nisur nga ajo situatë, pritej përplasje mes dy tifozërive, kishin ardhur nga Tirana edhe forca policore si përforcim. Ka incidente, ndeshja nuk përfundon ashtu siç dhe pritej. Loja u ndërpre disa herë dhe situata e rendi publik dolën jashtë kontrollit. Arbitri u detyrua të përfundonte ndeshjen me rezultatin 3-2 për Rrëshenin, çka solli dhe irritimin e tifozërisë laçiane. Disa prej tifozëve u përleshën fizikisht me tifozët mirditorë, ku spikatën përkatësisht Gjin Bushi i Laçit me Gjin Gurin e Rrëshenit. Situata u qetësua disi, vetëm në orët e vona të mbrëmjes, kur policia vendëse e mbështetur nga forcat e ardhura nga Tirana, u kujdes për përcjelljen e tifozëve laçianë dhe i shoqëroi deri tek Ura e Zogut në Milot. Madje, vuri edhe automjete në dispozicion të tyre.

REAGON SHTETI, KËRKOHEN FAJTORËT…
Lidhur me atë ngjarje dhe precipitimin e saj në instancat më të larta shtetërore, Ndue Tarazhi kujton: “Situata e krijuar pas rrëmujës pati jehonë që shqetësoi edhe shtetin. Na thirrën në Federatën e Futbollit, mua, trajnerët dhe shefat e klubeve përkatëse, duke bërë ballafaqim dhe një analizë të plotë, se kush e kishte fajin për ato që kishin ndodhur. Për ekipin e Rrëshenit, interesoheshin edhe sekretarja e Parë e Komitetit të Partisë, Gjela Biba. Federata mblidhet disa herë dhe drejtuesit e rrethit të Mirditës më akuzuan mua si “organizatorin e të gjitha atyre rrëmujave”, duke paraqitur si fakt dhe provë materiale një telegram që i kisha dërguar disa ditë para ndeshjes shefit të Klubit Minatori të Rrëshenit, Preng Bardhokut.

Në të, miqësisht dhe me humor, i shkruaja: “Na bëj bukë për 2 mijë veta”. Ky telegram iu paraqit gjatë ballafaqimit dhe zv/kryeministrit Manush Myftiu, i cili si sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, mbulonte Kulturën dhe Sportet. Sapo pa telegramin, ai tha: “Mos ta shoh më Laçin në futboll”. Si përfundim, Komisioni i Disiplinës pranë federatës mori vendim që ekipit të Laçit t’i hiqeshin të gjitha pikët që kishte grumbulluar deri në atë ndeshje, çka e zbriste atë automatikisht në fund të klasifikimit. Pra, ajo shaka miqësore më kushtoi shtrenjtë, pasi federata e përdori atë telegram si provë materiale për të dënuar ekipin”, kujton Ndue Tarazhi.

Industriali i Laçit

VJEN DËNIMI I RËNDË, LAÇI PËRJASHTOHET NGA KAMPIONATI
Vendimi për dënimin e ekipit të futbollit, ra si bombë në qytetin e Laçit, çka bëri që jo vetëm drejtuesit e skuadrës, por edhe grupe tifozësh, të shfaqeshin çdo ditë përpara dyerve të federatës së futbollit në Tiranë. Dënimi i ekipit të futbollit kishte pezmatuar gjithë qytetin, e cili e kishte atë argëtimin e vetëm. Në të gjitha bisedat që bëheshin kudo, në shtëpitë e laçianëve, ndërmarrjet e qendrat e tjera të punës, dënimi i ekipit të futbollit ishte kryefjala e ditës. Me ditë të tëra, grupe tifozësh qëndronin në bordurat e barin e lulishtes kryesore të qytetit (anës rrugës nacionale), për të pritur dhe pyetur këdo që vinte nga Tirana: “A dini gjë çfarë thuhet për Laçin, a do t’i falen pikët?”

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"