Muri i Berlinit, 30 vite nga rënia e tij dhe historia me Shqipërinë sportive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 22:55

Muri i Berlinit, 30 vite nga rënia e tij dhe historia me Shqipërinë sportive

UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Çfarë ishte ai Mur, ajo vijë që dëshmonte ndarjen e një qyteti, një shteti, të brezave e të një bote në dy pjesë, Lindje-Perëndim? Po në sport? Nga rezultatet e bujshme të sportistëve gjermano-lindorë, përdorimi masiv i dopingut shtetëror, arratisjet e famshme dhe goli i Shparvarcerit në derbi që shtangu një botë futbollistike. Si i kujton sot Mihal Gjika ndeshjet me RDGJnë, transfertën në Magdeburg, vetëdënimin pas humbjes 1-4 me lindorët në Tiranë? Por, edhe Bujar Pagria, foton që bëri me aparatin e tij te Porta e Brandenburgut, pas kthimit të Besës nga Skocia në shtatorin 1972- shit. 

Ndarja e dy Gjermanive erdhi pas Luftës së Dytë Botërore dhe e rrënuar e kishte të ndarë territorin në dy shtete: nga njëra anë Republika Federale Gjermane, e konsideruar Gjermania Perëndimore me kryeqytet Bonin, dhe në anën tjetër Republika Demokratike Gjermane me kryeqytet Berlinin Lindor.

Kombetarja 1973

Një ndarje kjo që reflektohet edhe në sport, kur futbolli i RDGJsë njihet si Oberliga, organizon Kupën, ka një kombëtare të re, ajo e Gjermanisë Lindore, dhe që arrin të marrë pjesë vetëm në Botërorin 1974 dhe Lojërat Olimpike 1976. Duke qenë e pozicionuar prej kohësh në bllokun e vendeve socialiste filosovjetike, ndryshe paraqitej në evenimentet sportive të bllokut lindor ku ishte gjithmonë protagoniste.

Ishte Muri më pas që konkretizoi ndarjen fatale. Ai u ndërtua nga qeveria e saj si një sistem fortifikues për të penguar e ndaluar lëvizjen e lirë të qytetarëve në territorin midis dy Gjermanive. Puna për ngritjen e tij filloi më 13 gusht 1961, me gjatësi 155 km, i lartë 3.6 m. I tillë ai qëndroi për 30 vite, deri më 9 nëntor 1989, kur u shemb. Me qindra qytetarë që tentuan ta kalonin “ngushticën e vdekjes”, janë vrarë nga rojet.

DOPINGU, NJË ORGANIZIM SHTETËROR 

Nga vitet 1960 deri 1989, Gjermania Lindore aplikonte programe për përdorimin e dopingut, organizuar e mbështetur nga vetë shteti, në të cilin ishin përfshirë mijëra sportistë të disiplinave të ndryshme. Kjo, për të treguar superioritetin e RDGJ-së si një vend komunist lidership edhe në sport. Të shumta ishin substancat e prodhuara posaçërisht nga kompanitë njohura farmaceutike, përfshirë edhe kolosët e kësaj industrie, si “Schering” etj. Në Olimpiadën “Montreal 1976”, Gjermania Lindore, vetëm me 16 milionë banorë, fitonte më shumë medalje ari se Shtetet e Bashkuara.

Një fakt i bujshëm, shoqëruar me një detaj, që nga viti 1972 deri më 1988, RDGJ ka marrë 144 medalje olimpike, një shifër jashtë logjikës dhe normës, që në total, përfshirë edhe gara e aktivitete të tjera, kuota arrin në 570 medalje… Sipas deklaratave të M. Euald, përdorimi i dopingut ka qenë një mision i nisur që në vitin 1964 në Lojërat Olimpike të Tokios. Një eksperiment i tiji ky, i konsideruar edhe shkencor, e që arriti rezultate të paimagjinuara.

RDGJ

Pas rënies së Murit, hapjes së arkivave, janë mbi 2200 sportistë të dopuar, por gjatë hulumtimeve, ky numër mund të jetë gjithmonë e më i madh. Agresiviteti dhe detyrimi për t’i përdorur substancat e ndaluara arrinte deri aty, sa sportistët i përdornin edhe kur ato nuk ishin eksperimentuar më parë te kafshët. Rasti më i pabesueshëm është ai me disa herë kampionen e hedhjes së gjyles, Heidi Krieger, që i duhej të përdorte dopingun shtetëror ende pa mbushur 13 vjeç.

Përgjegjësia e mjekëve sportivë në RDGJ ishte e madhe, ndonëse në proceset gjatë viteve që vijuan ata u ndëshkuan me dënime modeste, edhe pse kishin transformuar jetën e shumë sportistëve, si ajo e Kriegerit. Për këtë mjafton të shohësh fotot… Përdorimi i dopingut me mbështetjen e shtetit ishte kryesisht në sportet individuale, si atletika e lehtë, noti, peshëngritja, gjimnastika, por edhe në sporte të tjera me skuadra.

NGA DINAMOJA DHE DIKTATURA E STASI-T…

Edhe futbolli ka qenë nën “presing”. Stasi, policia famëkeqe e regjimit (The Ministry for State Security or State Security Service – Staatssicherheitsdienst, SSD), ka komanduar me prepotencë gjithçka, nga arbitrat e futbollit, deri edhe fituesit e kampionateve. Eri Mielcke, ish-kryetar i Stasi-t, ishte njëkohësisht president edhe i Dinamos së Berlinit, skuadra më e fortë dhe e privilegjuar e kampionatit. Veçanërisht në sfidat derbi, ndaj Unionit dhe Hertës, rrëmbente edhe lojtarët më të mirë. Kush refuzonte, mbyllej bashkë me familjarët në burgjet e Rescherstrasse që administroheshin nga Stasi. Kjo ndodhte me të gjithë futbollistët e mirë që nuk viheshin në shërbim të Dinamos së Berlinit. Nga 1979 deri më 1988 kjo skuadër fitoi 10 kampionate radhazi me një dominim absolut ndaj rivalëve, si Magdeburg e KS Jena. Shumë sportistë, midis tyre edhe arbitra të FIFA-s, ndër ta Prokop, Stumph, ishin agjentë sekretë apo punonjës të Stasi-t. Raporti ka qenë 1 me 60, që do të thoshte një kontroll total në jetën sociale të një shteti, aq më tepër në sport.

Futbolli kishte federatën e vet, që organizonte Oberligën, por gjithçka ishte në shërbim dhe funksion të Dinamos së Berlinit, e cila në sezonet ’81/’82 dhe ’82/’83 nuk humbi në 36 ndeshje. Edhe pse e tillë, Dinamoja ka qenë skuadra më e urryer e Gjermanisë Lindore. Kjo, edhe nga fakti se jo vetëm klubet rivale, por edhe tifozëritë e tyre ishin të poshtëruara në shumë forma nga “Stasi Club”. Gjithmonë para ose pas ndeshjeve shpërthente fushatë arrestimesh, përfshirë edhe ato të skuadrës berlineze, por që liroheshin nga agjentët e Stasi-t, me mundësinë për t’u lejuar të futeshin sërish në stadium, ajo që nuk u lejohej tifozëve rivalë.

…TE GOLI I SHPARVARCERIT NË DERBIN BOTËROR

Në rrafshin politik, RFGJ nuk kishte marrë asnjëherë goditje kaq të madhe në historinë e saj nga ai gol me një peshë social-politike (jo aq sportive), kaq me rëndësi si ai i shënuar nga Jurgen Shparvarcer më 22 qershor 1974 në “Volksparkstadion” të Hamburgut, që heshti një stadium dhe me shpejtësi bëri xhiron e botës.

Realizuar në derbin historik midis dy Gjermanive, në një sfidë që asgjë tjetër veç saj nuk mund t’i përfaqësonte situata të kundërta ndërmjet dy blloqeve gjeopolitike të dy Gjermanive të ndara nga një Mur, tashmë përballë për herë të parë në një kompeticion aq të madh si Kupa e Botës në futboll. Ishte shorti kokëfortë, kur në turin e parë, në Grupin A do të jenë bashkë Gjermania P., Kili, Australia, dhe kushërinjtë e varfër gjermanë të Lindjes, që edhe në rrafshin ndërkombëtar, seleksioni i RDGJ-së nuk kishte shumë reputacion.

sJ[ARVARCER

Për herë të parë ishte kualifikuar në fazën finale të një Botërori, por futbolli që luhej në RGJ, nuk ishte i vlerësuar, sigurisht për mbylljen, me hije dyshimi për parregullsinë që e karakterizonte, veçanërisht në nivele klubesh. Gjermania P. shquhej në sportet me skuadra, ndërsa lindorët në ato individuale: atletikë, çiklizëm, not etj. Ndërkohë, sfidat midis dy Gjermanive kishin regjistruar dy takime më parë: një në Kupën e Kampioneve në të njëjtin vit, Bajern M.-Dinamo D. Në “Olimpiastadion”, me 24 tetor 1973, vendësit fitojnë ngushtë me gola të Hansen (autogol), Hoffman, Dumberger (BM), Sachse, Heidlerhe (DD), Roth dhe G.

Myler që firmos 4-3 fundin e një sfide spektakolare. Në kthim, pas një dygolëshi të Hënesit në dhjetë minutat e para, u duk se vendësit u kryqëzuan, por Dinamoja reagon fuqishëm me tre gola në portën e Maierit nga Uaetzilich, Schade dhe Hafner, duke qenë shumë pranë kualifikimit. Ishte një tjetër gol i Gerd Mylerit që shpëtoi skuadrën e Bekenbauerit & Co nga eliminimi. Pastaj përballja në Lojërat Olimpike 1972. Gjermanëve lindorë u mjaftonte dhe një barazim në derbi, ndërsa fqinjëve vetëm fitorja.

Fiton RDGJja 3-2 me gola të Pomerenke (Madgedurg), barazon Uli Hënes, sërish Streich kalon në avantazh lindorët, Ottmar Hitzfeld shënon në 2-2 dhe goli deçiziv i triumfit për lindorët realizohet nga Vogel. Ai ishte golashënuesi më i mirë në historinë e Oberligës, lojtar i KZ Jenës. Duke iu rikthyer “Botërorit ’74”, me RFGJRDGJ, përballë janë futbolli profesionist ndaj atij diletant dhe parashikimet ishin të gjitha për skuadrën e Shënit, kampione e Europës në fuqi. E kundërta për lindorët. 140 kanale televizivë, gazetarë nga e gjithë bota, interesim i madh dhe 60 mijë spektatorë do të ndjekin takimin, ndër të cilët 8.500 janë nga pjesa tjetër e Murit, të ardhur me trena specialë, me vizë turistike, me kohëzgjatje vetëm ditën e ndeshjes, një 90-minutësh thellësisht me tone politike.

Gjithçka në ekuilibër, deri në minutën e 77-të, kur pas një kundërsulmi, Shparvarcer, lojtar i Magdeburgut, shmang Vogts, Bekenbauer, mposht Maierin me një gjuajtje nga larg. Një gol, që jo vetëm shënon një fitore sensacionale, por realisht ka bërë që Muri të bjerë. Një rezultat që ka shkatërruar festën e vendësve nga njëra anë dhe tifozët komunistë që gëzojnë nga ana tjetër. Vetë Shparvarcer, 26- vjeçar atëherë, tregon: “RDGJja ishte përgatitur për një disfatë. Me sa gola do të mundemi? Vetëm për këtë flitej. Ne u bazuam te mbrojtja, pa asnjë taktikë loje, dhe në futboll kishim ardhur nga sporte të tjera, si atletika. Ata ishin të gjithë yje botërorë dhe si regjisor loje kishin Bekenbauerin, i cili atë ndeshje e ka quajtur ‘Vatërlo’. Me kalimin e minutave atyre u filloi një panik dhe i dërgonin topat pa adresë.

Ne ishim një kombëtare me këmbët në tokë, e kontrolluar nga policia, pa asnjë pretendim. Unë vija nga një familje punëtorësh, ndeshjet i ndiqnim në televizor dhe atë ditë rrugët e Gjermanisë kanë qenë të shkreta. Dikush më quajti edhe tradhtar. Kur më 1988 ika në Gjermaninë P., zyrtarët lindorë nuk e pëlqyen dhe vetëm ‘ai Shparvarcer nuk duhet ta bënte’, thoshin. Pas ndeshjes kam qenë i fundit që jam larguar nga fusha dhe në tunel, për te dhomat e zhveshjes, më prisnin Brajtner e Overat. Me të parin shkëmbeva fanellën dhe kur më 2002, në Gjermani ishte ajo përmbytje e madhe, Brajtner e vendosi në ankand dhe të ardhurat u dhanë ndihmë për viktimat e katastrofës.

Personi që e mori fanellën time nga Brajtner, ka paguar 35 mijë euro dhe më pas e dhuroi në ‘Shtëpinë e Historisë’ në Bon. Edhe pse kam realizuar të tjerë më të bukur, ai ka qenë një gol që e kujtojnë të gjithë. Për vite ishte sigla e mjaft emisioneve sportive. Pas rënies së Murit, të gjithë i bënin pyetjen njëri-tjetrit:

Ku ishe ti atëherë kur Shparvarcer shënoi?” Në përfaqësimet me klube, gjatë kohës së Murit, Magdeburg fitoi Kupën e Kupave në vitin 1974 në Roterdam ndaj Milanit, ndërsa e fundit e Oberligës që luajti një finale europiane ishte Lokomotiva L. në Kupën e Kupave, Athinë 1987. U mund nga Ajaksi dhe Van Basten ishte autori i golit të fitores për holandezët.

Arratisjet e bujshme të futbollistëve nga RDGJ-ja 

Arratisja e lojtarëve nga RDGJ-ja për në RFGJ nuk ka qenë diçka e re. Më 1979, L. Eigendorf, u arratis në Gjermaninë P. pas takimit miqësor të ekipit të tij Dinamo B. në transfertën e luajtur në Kajzerslautern, skuadrën me të cilën ai nënshkroi një kontratë. Por Eigendorf u vra më 1983 nga agjentët sekretë të Stasi-t, si një shembull ndëshkimi ekzemplar për ata që tradhtonin vendin dhe socializmin në Gjermani.

Dënimi i tij me vdekje u bë publik vite më vonë, edhe pse dyshimet ishin menjëherë pas ngjarjes. Vdekja e tij erdhi nga një përplasje me makinë, por në trupin e tij u gjetën doza alkooli dhe droge, duke kuptuar se ai kishte vdekur para se të hipte në makinën e tij. Pastaj mbrojtësi Falko Gotz, që në vitin 1983, para takimit me Partizanin e Beogradit e braktisi skuadrën dhe kërkoi azil politik. Më 1979, mbrojtësi N. Nachteueich dhe portieri J.Pahl u larguan nga grumbullimi me “Under 21” për në Bundesligë, me fanellat e Bajern M.

cIKLISTET

Dhe Eintraht, ku Pahl, për 11 vite mbrojti portën e saj, duke fituar edhe Kupën UEFA më 1980. Po kështu edhe F. Lippaman, titullar me Dinamon D. arrin të arratiset më 1986, për t’u aktivizuar në radhët e Nurembergut. Nga largimet e famshme është edhe ajo e J. Bergerit, i cili bënte pjesë në stafin teknik të kombëtares U-21, që përfitoi nga një ndeshje e luajtur në Jugosllavi. Por, jo gjithmonë arratisjet kanë rezultuar pozitive, si në rastet e tre lojtarëve të Dinamos së Drezdenit, G. Veber, M. Muller e P. Kotte. Ishin futbollistë kryesorë me klubin dhe kombëtaren.

Më 23 janar 1981, ata arrestohen në aeroportin e Berlinit, para se të nisen në një turne me kombëtaren e tyre në Amerikën e Jugut. Agjentët e Stasi-t kishin zbuluar që do të arratiseshin, se kishin kontaktuar me drejtuesit e Këlnit, për të nënshkruar kontrata deri në 200.000 marka për secilin prej tyre në Bundesligë. Të tre dënohen me akuzën “Tentativë arratisjeje nga Republika dhe tradhti ndaj shtetit”. Veber, i konsideruar ndër lojtarët më të mirë të RDGJ-së, me 31 ndeshje në kombëtare, 25 vjeç, i cilësuar si kryetar e organizator i arratisjes, u dënua me dy vjet burg.

Të tre u përjashtuan përjetë nga futbolli, nga Dinamoja, u ndaluan të komunikojnë me ish-lojtarët e skuadrës së tyre, të mos luajnë jashtë, madje as në atë amator. Futbollistët që luanin në RDGJ, bënin një jetë normale, pa favore, shumë larg luksit, ndryshe nga ata matanë Murit.

Ndonëse ishin lojtarë kryesorë të Dinamos së Berlinit, askush prej tyre nuk mund të pasurohej. Forma e tyre e mirë, rezultatet pozitive shpërbleheshim me dhurata, me një shtëpi ose me një makinë. Gjithçka ndryshoi pas rënies së Murit, pas fundit të regjimit berlinez, kur shumë futbollistë kalibri si Tomas Doll, Ulf Kirsten, Matias Samer, ky i fundit edhe fitues i “Topit të Artë”, luajtën në Bundesligë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"