Moviola me “specialistë vendës”, pro dhe kundër, nga Shakohoxha te Kokoka e Çarçani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 22:51

Moviola me “specialistë vendës”, pro dhe kundër, nga Shakohoxha te Kokoka e Çarçani

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Moviola pati një shpërndarje, aplikim në të gjitha televizonet, kryesisht ato private edhe në qytete të ndryshme me ndeshje kampionati bashkë me “moviolistë vendës”. Por, edhe gjatë europianëve e botërorëve, kur Pandi Laço bashkë me Lirim Zallën e Robert Papën, startuan në TVSH, “Emocione”, kushtuar Botërorit “Italia ‘90″, me një “quiz moviolë”. Pastaj pa u ndaluar çdo eveniment i tillë në studiot televizive me komente dhe moviolën me arbitrat e elitës, si Janku, Jareci, etj., edhe pse ishin në aktivitet.

pjimage

SHAKOHOXHA: “KAM QENË DHE JAM KUNDËR SAJ!”

“Moda e moviolës në një emision sportiv prej vitesh ka qenë dhe ishte kthyer në një preferëncë mediatike, por unë sistematikisht kam qenë kundër saj. Në të gjitha emisionet sportive që kam drejtuar, nga i pari te TVA në vitin 1999, “E diela Sportive” dhe më pas te Klan, “Klan futboll”, nuk e kam aplikuar moviolën. Për një arsye: me ato pak kamera në ato vite nuk mund të siguroje pamjet filmike të qarta për një moviolë moderne. Po kështu edhe sot, edhe pse janë shumë më tepër kamera, ka probleme në interpretime të rasteve të dyshimta”, thotë për “Panorama Sport”, Dritan Shakohoxha, moderatori dhe zëri i njohur televiziv i kombëtares.

KOKONA: “FOTOFINISH”, ME MOVIOLË DIREKTE!

Dëshira për ta aplikuar moviolën si instrument të përhapur e sistematik në shumë kampionate të botës, për ndeshjet e futbollit kryesisht, starton edhe në “Telesport”. Në javën e parë të kampionatit të futbollit të sezonit 2002-2003, bashkë me të ftuarit dhe opinionistët, në “Fotofinish” i moderuar nga një tjetër gazetar i njohur, Tritan Kokona u pa edhe moviolisti. “Te Telenorba, ku drejtoja “Mbas loje”, nuk e aplikoja. Ndërsa në “Telesport”, morëm Plarent Kotheren, ish-arbitër i FIFA-s. Duke qenë se ndeshjet trasmetoheshin direkt me link nga qytetet, emisioni ishte në orën 8 të mbrëmjes, Kotherja, pasi kishte ndjekur në radio takimet dhe sipas sugjerimeve të gazetarëve, në rrethe përgatiste një moviolë “flash”, duke punuar në montazh dhe kur më njoftonin se ishte gati, unë i kaloja linjën. Në dy vite, 2002-2004, si i vetmi televizion sportiv në Shqipëri, meritë e Met Malajt, edhe moviola pati një evoluim të madh. Pas Kotheres, në 2003 moviola vijoi me Bujar Pregjën, që sapo ishte ndarë me arbitrimin.

NË “SKANER”, ÇARÇANI: “MOVIOLISTËT KËRCËNOHESHIN”

Një tjetër emision sportiv, edhe ky tejet i ndjekur, “Skaner Kampionat” i moderuar nga gazetari Gerti Çarçani, që në fillimet e tij, bashkë me të ftuarit, specialistët, opinionistët ka edhe njeriun e moviolës. “Në 15 vite moviola nuk ka munguar asnjëherë në “Skaner”, nga 2001 që filloi deri kur u mbyll televizoni, çdo të diel në darkë kishte edhe moviolistin”, tregon Çarçani. Minutazhi i moviolës, i shoqëruar me debatet, në mjaft raste përbënte kulmin e emisionit tejet të ndjekur. Nga B. Pregja te Kotherja, Kaimi, Canaj, Kuka, te Jareci, Janku dhe Zajmi. Kujtoj disa momente të veçanta, kur Astrit Canaj vinte nga Durrësi dhe telefonatat kërcënuese nga presidentë e tifozë që i bënin, të cilat më detyronin ta ndërprisja emisionin e të jepja publicitet. Apo kur Kaimi, në vështirësi për të interpretuar një vendim të arbitrit Pashaj, preferoi me diplomaci se nuk mundej dhe më “braktisi” direkt moviolën. Apo shprehjen e njohur të Pregjës, “duket sikur duket, por nuk duket…”.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"