“Me bukë me vete në plazh”, ish-portieri Jani Kaçi: Kemi shëtitur gjithë bregdetet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2018 | 21:45

“Me bukë me vete në plazh”, ish-portieri Jani Kaçi: Kemi shëtitur gjithë bregdetet

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Me qëllim që sportistët të mos qëndronin pasivë, e të sorollateshin rrugëve të qytetit, klubet organizonin edhe pushime ditore. Në çdo ditë të javës, nga selia dhe me autobuzin e klubit, sportistët udhëtonin drej plazhit më të afërt, si një pushim ditor. Tirana kishte Durrësin dhe nga klubi 17 Nëntori nisej çdo ditë automjeti “Skoda” me shoferët Fiqo Xhabaftin, Bujar Lugën së bashku me çiklistë, atletë, mundësa, shtangistë, gjimanastë, etj, që me “bukë me vete”, ose duke u trajtuar në restorante të ndryshme, shfrytëzonin ditën e plotë në plazh. Aty ku i linte në vajtje, i grumbullonte në mbrëmje në kthim për Tiranë. Ndonëse ishte e ndaluar, sidomos futbollistët u krijonin privilegje shoferave, duke marrë edhe pasagjerë për në Durrës. Po kështu edhe klubet e tjera, Shkëndija, Studenti, Dajti në çdo ditë të javës, të njëjtin ritual aplikonin. Kishte raste kur sportistët qëndronin dhe në këmbë në autobuzët e vegjël të markës “Robur”, kur ai tejmbushej.

shkendija gjate pushimit veror

Modë, shëtitje, njohje e dashuri fshehurazi

Kjo ka qenë “motoja” gjatë qëndrimit, me lirinë totale e pa limite që i ofronte ai dyjavësh plazhi nga të gjithë e prej të gjithëve. Pak vrapime në mëngjes, përgjatë bregdetit, pastaj qëndrimi në grup në çadrën e vogël, me një tranzistor, lojë me letra, domino, ndeshje futbolli të improvizuara në rërë, ku mbledheshin të gjithë plazhistët të vendosur në formë kuadrati për t’i parë. Pastaj sfilata, tërheqje vëmendje vajtjeardhje Iliria-Apolonia, me qëndrim te “Breshka”. Si frekuentues të xhiros së famshme të plazhit, për nga emri e fama që i shoqëronte, binin në sy edhe për çfarë demonstrononin, kryesisht veshjet, pasi ato i kishin mundësitë t’i siguronin kur dilnin jashtë shtetit. Edhe mbrëmja ishte argëtuese, shëtitje, miqësi dhe frekuentim i dy pistave me orkestër. Të gjithë në kërkim të njohjeve të reja dhe nuk mungonin miqësitë me vajzat e bukura e tërheqëse, qëndrime dhe pak dashuri fshehurazi me to. Pastaj kthimi vonë në çadra apo kabina, ndërsa më të kontrolluar ishin ata të Partizanit, Dinamos, që pa zhurmë dhe falë dashamirësisë së ushtarit te dera, futeshin në konvaleshëncat përkatëse.

Edhe klubet e tjera në plazhe popullore

Një praktikë e tillë ka qenë për të gjitha klubet e futbollit dhe qershori i mblidhte pranë deteve apo liqeneve. Kështu, Vllaznia në vitet ’60-’70 ka frekuentuar Shëngjinin, jo shumë i populluar masivisht në ato vite. Ismet Hoxha, ishfutbollist kujton: “Në atë dyjavësh sistemoheshim në një ndërtesë në kodër pranë kishës, ndërsa stërviteshim te fusha poshtë saj. Pastaj u hap Velipoja dhe qëndronim në ndërtesën e ngritur nga klubi për sportistët e Vllaznisë. Edhe Shirokën preferonim”.

Në Shëngjin shkonte Besëlidhja, madje edhe Korabi aty vinte. Jani Kaçi, për “Panorama Sport” kujton: “Skënderbeu ka shëtitur thuajse në të gjitha plazhet, në Durrës, Divjakë e Vlorë, fillimisht në çadra, ose kabina, por edhe në vila apo hotel. Madje dhe në Pogradec, shkonim duke shfrytëzuar liqenin”. Klube të tjera si Besa, Shkëndija, pëlqenin Golemin dhe çadrat i montonin nën pishat e shumta të kësaj zone. Ndërsa skuadrat e Myzeqesë, përfshirë Tomorin, Naftëtarin, Traktorin, Apoloninë zbarkonin në Divjakë, duke fjetur në çadrat e sistemuara nën hijen e pemëve që të ofron pylli i madh. Flamurtari i qëndronte besnik qytetit, duke shfrytëzuar Kampin e Punëtorëve. Një privilegj për të kaluar disa ditë afër detit e kishin edhe pak skuadra të Kategorisë së Dytë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"