Kur sportistët nderonin me simbolin zogist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 11:58

Kur sportistët nderonin me simbolin zogist

Nga UVIL ZAJMI

12

Nderimi me simbolin zogist ka qenë një përshëndetje e praktikuar sistematikisht dhe e shohim në fotot bardhezi të fiksuara në veprimtaritë sportive të kohës. Ndër to, Ballkaniada e Zagrebit 1934, por edhe mjaft ndeshje futbolli të organizuara në Shallvare gjatë periudhës 1943- 1944. Pavarësisht se në Shqipëri mbizotëronte ende situatë lufte, duke iu referuar edhe shtypit të kohës, janë zhvilluar ndaj disa formacioneve ushtarake gjermane takime miqësore kureshtare dhe intriguese (deri edhe turne boksi) e ku protagoniste janë SK Tirana, Besa, Banka Kombëtare etj. Wehrmachtauswahl, ai më kryesori që ka në përbërje lojtarë nga Këlni, Borusia D., Magdenburgu, deri edhe FC Vjena, që kanë luajtur me këto klube para se të mobilizonin ushtarë për në Shqipëri. Nga ajo kohë kanë kaluar shumë dekada, por për lexuesit e saj, “Panorama Sport u rikthehet atyre përballjeve, shoqëruar me komente e informacion. Këto shoqërohen me foto të jashtëzakonshme, që për gazetën i ka ofruar gazetari Fatmir Mneri, së bashku me kujtimet e të atit, të mirënjohurit Xhavit Demneri. Një material kureshtar, por edhe me rëndësi për historinë sportive, që publikohet për herë të parë në “Panorama Sport”. Si e komenton sot akademiku, profesori Paskal Milo përshëndetjen “alla Zog” dhe si e kujton publicisti Skifter Këlliçi motivin se pse nuk u transmetua në radio ndeshja sportklub Tirana-Wehrmachtauswahl 0-0. Ndërkaq, po ju sjellim disa publikime të shtypit të kohës, për të kuptuar përjetimin e këtyre ndeshjeve në Tiranë.SK Tirana me nderimin zogist

TIRANA – SKUADËR USHTARAKE GJERMANE 3-1

Me iniciativën e skuadrës sportive të Kryeqytetait “SK Tirana”, do të zhvillohet në sheshin e Shallvares, të dielën më 13 Fruer n’orën 2.30, një ndeshje miqsore topë-kambë midis skuadrës së trupavet gjermane dhe skuadrës “Tirana”. Kjo, asht ndeshja e parë që po zhvillohet midis rinisë shqiptare të Kryeqytetit dhe trupave gjermane të distakueme në Tiranë.

Ndeshja: Të dielën mbas dreke, u zhvillua ndeshja miqësore e para-lajmëruar e footballit, midis një skuadre të Tiranës dhe një Skuadre Ushtarake Gjermane. Me gjithë kohën e keqe, publiku nuk mungoi pa e ndjekur këtë ndeshje interesante, që arbitrohej prej një referi gjerman. Gjendja e terrenit ishte mjaft e keqe, për shkak të shiut që vazhdoi të bjerë edhe gjatë lojës. Por, sportistat e të dyja skuadrave, me vullnetin e tyre, i kapërcyen të gjitha pengesat dhe zhvilluan një lojë mjaft të shpejtë e tërheqëse. Koha e parë mori fund 2-0, në favor të Skuadrës së Tiranës: të dy goal-et u shënuan në minutat e para të lojës. Në kohën e dytë skuadra gjermane bëri goal-in e vetëm; pak minuta para mbarimit, lojtarët tiranas shënuan goal-in e tyre të tretë. Lojtarët u brohoritën prej publikut, sidomos gjatë fazave të konkludimit të sulmeve të ndryshëm. Të dielën që vjen, me 20 shkurt, n’orën 3 mbas dreke do të bëhet ndeshja e revanshit. Parashikohen forcime skuadrash nga të dyja anët. Në qoftë se koha do të mbajë, loja ka për të qenë më interesante dhe publiku më i shumtë se në ndeshjen e parë.

Njoftim: Ndeshja e revanshit e footballit u shty për sot një javë. Skuadrat u lajmëruan.

Njoftimi: Skuadra Ushtarake gjermane – Skuadra Tiranase 1-0. Të djelën në Sheshin “Shallvare” u zhvillua ndeshja e footballit (revanche), midis skuadrës ushtarake Gjermane dhe asaj të Tiranës. Koha e parë përfundoi 0-0, kurse në të dytën gjermanët shënuan golin e fitimit.

Lojtarë të SK Tiranës duke

SKUADRA E MARINËS GJERMANE – SPORT KLUB TIRANA 1-3

“Të djelën me 23 prill – njofton shtypi – në Fushën e Shallvares do të zhvillohet një ndeshje e top kambës në mes të skuadrës së Marinës Gjermane dhe Sport Klub “Tirana”. Skuadra e marinës do të paraqitet më e kompletueme me lojtarë të zgjedhun. Në skuadrën e Sport-Klub “Tirana”, do të marrin pjesë lojtarë të rinjë, kështu që ndeshja parashifet të jetë shumë tërheqëse. Sport Klub – “Tirana”, kampione e Shqipënis, nuk do të mungojë me u tregue edhe këtë radhë në naltësimin e duhun. SK “Tirana” paraqitet me këtë formacion: Nush Qymyri, Bajram Kurani, Sllave Llambi, Rexhep Spahiu, Xhavit Demneri, Fiqeret Hoxha. M. Mëniku, Paci, M. Petrela, Kil Derani, Resuli, Pasha Begu, Parapani.

Ndeshja: Përpara një publiku të shumtë, u zhvillua një takim midis skuadrës së Sport Klub “Tirana” dhe një skuadre të Marinës Gjermane. Ndeshja e cila ishte shumë interesante, vuri në dukje vetijat sportive të sportistavet t’anë, përfundoi 3-1 në fitim të Sport Klub Tiranës. Koha e parë ishte 1-0 në fitim të kryeqytetasve. Nga ana shqiptare shënuan goal-et Paci, Mëniku dhe Derani, kurse nga ana kundërshtare shënoi center-alfi.

2

SFIDAT NDAJ WEHRMACHTAUSWAHL

Për atë periudhë spikasin edhe takimet ndaj Wehrmachtauswahl, një përzgjedhje (Ausvald) e Vermaht (Forcave të Armatosura) të trupave gjermane që ndodheshin në Shqipëri, siç na informon shtypi i kohës. Një skuadër ushtarake që ka në përbërje lojtarë nga klube të njohura gjermane e austriake, si Nuremberg, Magendburg, Borusia Dortmund, Augsburg dhe FC Vjena etj. Takimet zhvillohen në Shallvare, të organizuara mjaft mirë dhe që ndiqen nga mijëra shikues. Ato arbitrohen nga shqiptarë të njohur, por edhe gjermanë dhe në fushë takimet karakterizohen nga një korrektësi shembullore.

SPORTKLUB TIRANA – WEHRMACHTAUSWAHL 0-0

23 prill 1944, sërish nga shtypi i kohës: “Të dielën, me 28 prill, n’orën 16.30, do të zhvillohet në fushën e Shallvares nji ndeshje footballi midis skuadrës përfaqësuese t’Ushtrisë gjermane në Shqipni dhe asajë të Sport Klub “Tiranës”. Loja parashikohet të jetë interesante mbasi, si në skuadrën gjermane ashtu edhe në atë të Sport Klubit, marrin pjesë element të ri, do me thanë që ekipet do të jenë të ndryshëm nga ata që kanë luejt javët e kalueme”.

Ndeshja:

Sportklub Tirana: Qymyri, Kurani, Llambi, Demneri, Hoxha, Spahiu, Parapani, Paci, Derani, Petrela (Resuli), Mëniku.

WermachtausWahl: Stolz (I.F.C Murnberg); Meier (S.C. Magdeburg); Grugl (B.v.a. Essen); Bex (V.f.r Këln) Ortnatek (Minerva Berlin); Brotman (Borussia Dortmund); Salevasky (Phonix Bochum); Platzer (B.C. Augsburg); Lobner (F.C.Wien); Dangerleit (V.f.b. Konigsberg); Frank (Viktoria Koln).

Arbitër: Llazar Miha.

Parakalimi i sportistëve shqiptarë

Nga shtypi informohemi: “Edhe ndeshja që u zhvillue të dielën mbas dreke në fushën e Shallvares në mes të Sport klub “Tiranës” dhe Skuadrës Përfaqësuese të Trupave Gjermane, në prani të një publiku prej ma shumë se 5.000 vetësh, pati fatin e dy të tjeravet. Përfundoi barabar. Me, të vetmin ndryshim se kësaj here jo ma 1-1 por, 0-0. Një fitim i shtrënguem me nji gol ndryshim në favor të “Sportklub Tiranës”, na duket se do t’i ishte përgjegjë ma besnikërisht lojës së zhvillueme prej të dyja skuadrave. Për nji gja të tillë flet nji gol i shënuem prej Demner it, i anulluar prej referit për një off-side me se të diskutueshëm, nji shut bombeje i Parapanit, që e përplasi topin në shtyllën e sipërme të portës gjermane, puna ma e randë e kryeme prej portjerit Stolz, me një aftësi shëmbullore, si ajo e Qymyrit. Dhe do të kishte qenë një fitim, me të vërtetë e bukur i arrijtun kundër një skuadre shumë të fortë, të lidhur mirë, me pak pika të dobëta, të përbame prej lojtarësh, që kanë luejtë të gjithë ndër shoqnimat të para të Gjermanisë. Mbrojtjet edhe vijat e mesme të të dyja skuadravet mund të thomi se kanë qenë zotnueset e ndeshjes. Si skuadra e “Sportklub Tiranës” ashtu edhe ajo e Përfaqësueses së Trupavet Gjermane, e kanë pasë “thembrën e Akilit” në vijën e tyre sulmuese, të zgjidhun e pa fuqi përshkuese. Mbrojtjet dhe vijat e mesme u treguan energjike, të sigurta në goditjen e topit, t’afta në mbulimin e kundërshtarëvet, decisive në thyemjen e zbritjeve të vijave sulmuese. Vija e parë e “Sportklub Tiranës” së tashme, nuk është asht sigurisht ajo e famëshmja e “Sportklub Tiranës” së dikurshme me të paharrueshmit Naim Kryeziu, Haki Korca, Riza Lushta, Mark Gurashi (Maliq Petrela), Halim Begeja. Ajo sot përbahet prej lojtarësh të rijë, të shpejtë, të shkathët, dinamikë, por pa nji koncept të rrafinuem loje, pa klasicizëm, pa gjuetje të tmerrshme”.

KAVAJË, WERMACHT – BESA 1-3 (0-1)

“Mbas ndeshjes së top-kambës, zhvillue në mes të këtyne dy skuadrave me 4 qershuer, qi përfundoi 9 me 2 në favorin e skuadrës Besa, u zhvillue me 18 po të k.m. edhe ndeshja e revanshit, – informon gazeta. – Këtë here Wermachti, tue marrë mësim nga humbja e ndieshme dhe e papandehun e ndeshjes së parë të 4 qershorit, i kishte ndryshuar lojtarët dhe u paraqit me një formacion tjetër, ma të fortë, tue përfshie në gjinin e vet lojtarët ma të zgjedhun edhe pjestarë të nacjonales gjermane. Ndeshja parashifej shumë interesante, mbasi premtimet e skuadrës mike ishin të mëdhaja dhe skuadra paraqitej me elemente krejt të rinj e shumë ma t’aftë. Për këtë arsye populli i këtueshëm, gjithmonë përkrahës i sportit, posa muerën vesht lajmin e ndeshjes, pa humbë kohë, që nga ora 5, tufa, tufa filluen m’u drejtue për në fushën e sportit, ku të kënaqet shpirti me kalue orët e mbramjes n’at ajër e n’at fushë të hieshme. Me kët mënyrë të katër anët e fushës u mbushën me popull, i cili me padurim pret fillimin e lojës. Asht ora plot 6 pa 5. Të dyja skuadrat njena pas tjetrës paraqiten në fushë dhe mbasi bajnë përshëndetjet e rastit para publikut, hudhin shortin për zgjedhjen e portave dhe sejcila skuadër zen vendin e vet. Arbitër loje asht sportisti veteran Ragip Babamusta, i cili ndonëse nuk ka kurs të posaçëm, por me gjithkëtë asht shumë i aftë dhe mjaft i përpikët në pikpamjen e faulleve dhe të frenimit të nji loje të randë. Pikërisht më 6, arbitri ep urdhënin e fillimit të lojës. Gjermanët luejnë topin e parë dhe pa kalue 2 minutat e parë, vehen n’ofensivë e shpesh herë rrezikojnë portën e Besës, por pa fryt. Wermachti ka në favor erën. Pjesa e parë e lojës mbaron 1- 0 në favor të skuadrës Besa. Pjesa e dytë zhvillohet edhe ma e gjallë se e para, me faza ma interesante dhe me nji rrjetë pasash ma të bukura. Gjatë zhvillimit të kësaj pjese, Besa shënon edhe dy gola të tjerë njenën me anën e centërforit, tjetrën me anën e allas së majt Fiqret Libohovës, lojtar i ri, por shumë teknik. Skuadra e Wermachtit ka në gjinin e vet lojtarë me të vërtetë në kuptimin e fjalës, të lidhur fizikisht, të qëndrueshëm e të mbajtun në lojë. Ndonëse superior fizikisht me skuadrën e Besës, kanë luejtë lojë me të vërtetë admiruese dhe aspak materjale. Kishin të bajshin vetëm me topin e jo me trupa. Loja u zhvillue prej fillimit e deri në fund me një disiplinë shembullore. Përgjithësisht ishin lojtarë të njoftun me topin, por mbi të gjithë, qi kanë tërhekë vemendjen e publikut ishin: Centërfori dhe dy allat, mezzo i majtë bashkë me dy alfet”.

Vllaznia e Shkodrës me nderimin zogist

WERMACHT – BANKA KOMBËTARE 2-4

Njofton shtypi: “Të dielën me 7 korrik, ora 17.00 në fushën e Shallvares Tiranë, djelmoshat futbollista të Bankës Kombëtare të Shqipnis, zhvilluen nji ndeshje, radhë të pame në vendin t’onë, me një publik të shumtë, tue mujtë Wermacht-in Gjerman 4-2. Skuadra e BKSH u paraqit me këtë formacion: Caligaris II, Rasha, Dunda, Agr. Bushati, Naraçi, Calligaris I, dr. Radovani, Pali, Gajtani, Bianco, Moisi. Wermacht-i u paraqit me nji skuadër të zgjedhun e të përgatitun. Kjo skuadër zhvilloi ndër diellet e kaluame dy ndeshje me “Sport Klub Tiranën”, tue barazue. Arbitroi prof. Adem Karapici. Kapiteni i skuadrës gjermane i dhuroi nji tufë lulesh kapidanit të skuadrës së BKSH Ndoc Naraçit, i cili edhe ky i jep kapidanit të Wermacht-it një tufë të bukur lulesh. Loja fillon. Gajtani, Naraçit, që ia nep topin Palit qi ia kalon Radovanit. Ky me shpejtësi e siguri kalon alfin kundërshtar, afrohet e me nji të gjujtun të mbrekullueshëm në trekandëshin e portës shënon të parin goal për BKSH. Jemi në minutën e parë të lojës. Publiku u shtangë e britmat e shumta s’munguenë. Në të 15’, Radovani ia kalon Gajtanit, i cili me gjakftohtësinë e duhun dhe i sigurt shënon golin e dytë për BKSH. Për zhvillimin e kësaj loje faktor kryesor kjenë qendër-mbrojtësi Naraçi, alfi Bushati dhe begu Rasha. Kah fundi i pjesës së parë, me zbritje të rrufeshme Wermacht-i me anën e qendërmbrojtësit të vet shënon golin e parë. Linea e dytë e gjermanëve veproi shumë e qendër-mësyesi i tyne ia duel me ba të gjuajtuna të bukura, me gjithse begu teknik Rasha e pengonte. Caligaris II asht në formë e i sigurtë në pritje. Kah 25’, Wermacht-i shënon golin e dytë. Dy me dy. Radovani me nji të rrejtun të bukur kalon alfin kundërshtar e jep në qendër me shpejtësi e Pali shënon me krye golin e fitores. Loja ashprohet. Populli entuziast bërtet për BKSH; edhe britmat e ushtarvet gjerman kjenë të mëdhaja. Në minutat e mbramë të lojës, lineja e parë BKSH, ban një zbritje të shpejtë në portën kundërshtare. Begu kundërshtar takon me dorë topin. Njimdhetësh. Banka shënon 4-2. Britmat e popullit zmadhohen. Pas pak arbitri lajmon fundin e lojës. Skuadra e Wermacht-it u përgëzue me lojtarët e BKSH, shpresë e lartësimit të sportit shqyptar”.

SK Tirana me nderimin zogist

PËRFAQËSUESJA E TIRANËS – WERMACHT 6-2

Është e rrallë, madje unike, mbi të edhe shënimi: “Dërrmimi i Wermahtit 6-2”. Fotoja dhe shkrimi janë të Xhavit Demnerit, njeriut, futbollistit, trajnerit simbol jo vetëm kryeqytetas, por edhe atij kombëtar. Bashkë me pasurinë që la, midis tyre ka edhe shumë foto që i përkasin asaj periudhe, atyre ndeshjeve. Të gjitha me një koment të shkurtër prej dorës së tij. Për atë takim, fotoja shoqëruese na njeh edhe me formacionin: Xhavit Demneri (kapiten), Bajram Kurani, Aristidh Parapani, Nush Çobani (portier), Akil Derani, Sllave Llambi, Halim Begeja, Fiqeret Hoxha, Masar Mëniku, Kostandin Paci, Rexhep Spahiu. Një ndeshje e luajtur më 16 shtator 1944, në Shallvare, fusha historike, një “Kombëtar” për kohën, mesditë, të pranishëm një numër shumë të madh shikuesish, dy skuadrat, nën drejtimin e arbitrit Abdurrahman Toptani, janë rreshtuar në mesfushë. Është momenti kur po nderojnë publikun: lojtarët shqiptarë me përshëndetjen tipike zogiste, ndërsa gjermanët me atë hitleriane. Ndeshja dominohet nga “vendasit” që fitojnë thellë 6-2.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"