Kualifikimet e mëdha në diktaturë, kur 17 Nëntori shkruante historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2021 | 21:59

Kualifikimet e mëdha në diktaturë, kur 17 Nëntori shkruante historinë

Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

E futur në një kënd të historisë së volejbollit shqiptar të vajzave, 17 Nëntori-Fenerbahçe e luajtur 51 vite më parë, në janarin e 1969-ës në Kupën e Kampioneve, një konkurrimin europian me klube, të befason kur mëson si ai debutim ka regjistruar dy fitore magjike në Tiranë e Stamboll. Një triumf në kufijtë e të pabesueshmes për kohën, rrethanat, diferencat në kushte, por edhe shumë të tjera.

17-nentori logo

17 Nëntori: Dojaka, Hoti, Prifti, Foto, Kondo, Pelingu, Azemi, Bytyçi, Selimi, Qereshniku, V. Dashi, A. Prifti, Vako, Terezi

Një start që do të nisë me 17 Nëntorin e Harun Dojakës, të Fahrije Hotit, Selimit (Verria), Kondos, Pelingut, Azemit, Qatos, Fotos, Bytyçit, Priftit etj., një plejadë e shkëlqyer, në tentativë për një ndryshim esencial. Mungon përvoja europiane në të tilla nivele madhore, por ai do të ishte një ballafaqim për të gjykuar e parë realisht nivelin e volejbollit shqiptar të femrave.

“Kjo pjesëmarrje na e bëri akoma më të qartë rrugën që duhet ndjekur në të ardhmen”, shkruajnë specialistët e kohës te “Sporti”. “Panorama Sport” i rikthehet asaj sfide sportive, duke iu referuar njërës prej volejbollisteve protagoniste, Urani Kondo, me rrëfimin e jashtëzakonshëm ndërmjet kujtimeve unike të saj.

Turi i parë, përballë kampionet e Turqisë, 17 Nëntori – Fenerbahçe 3-0 (15-11, 15- 7, 15-12)

E shpallur kampione në atë sezon, 17 Nëntori i drejtuar nga tekniku Harun Dojaka, për debutimin në këtë trofe nis grumbullimin dhe stërvitja është intensive. Kërkohet përgatitje fizike dhe teknike. Në prag të takimit merren si përforcim Engjëllushe Qato nga Tomori; Sasha Azemi, Valentina Foto dhe Urani Kondo nga Studenti, si dhe Lumnije Pelingu nga Vllaznia. Më pas ndeshja: Ka qenë fillimi i janarit, e diel pasdite, një pallat sporti i tejmbushur.

Ishte kjo atmosfera që parapriu debutimin e tiranaseve në volejbollin kontinental për femra. Para fillimit të ndeshjes, pas sinjalit të gjyqtarit italian Primo Olivi, në fushë u rreshtua skuadra e djemve të Dinamos, në pritje për të luajtur në Kupën e Kampioneve me ekipin turk Muhafiz Gucu. Për mosparaqitje të turqve, në bazë të rregullores, Dinamo u kualifikua për 1/8 e finales. Pas kësaj, në fushë, zbresin vajzat:

17 Nëntori: F Hoti, I. Pelingu. V. Selimi (Veria), U. Kondo. V. Foto, S. Azemi. U aktivizuan: R. Bytyçi, E. Qato.

Fenerbahçe: A. Koc, P. Tangyr, A. Asteli, S. Bora, S. Koc, I. Donmez.

Arbitër: L. Asimoviç (Jugosllavi), Ismet Xhepa (Shqipëri)

Nga “Sporti” lexojmë: “Seti i parë ishte seti i një prove të pritur pak me ankth nga lojtaret tona. Ato zhvillonin aktivitetin e tyre të parë ndërkombëtar. Nga lëvizjet e para në fushë, dukej se ato ishin mjaft të impresionuara. Spektatorët e kuptonin drejt çdo veprim të mirë apo të dobët në fushë, por i duartrokitën, e inkurajuan skuadrën, pa marrë parasysh lojën që ajo bënte dhe asnjëherë nuk e qortuan.

Një planzhon i bukur i Pelingut, një gjuajte e fortë e Hotit japin pikët e para të ndeshjes. 2-2, më pas 3-3 dhe 4-4. Për disa çaste loja kalon në favor të skuadrës turke, lojtaret shqiptare humbasin pritje e gjuajtje. Rezultati 8-5 për turket, me dy gjuajte me lojtaren me numrin 6, që ishte më e mira. Dy pikë të Azemit, 7-8 pastaj 8-8, 10-8, 12-10, 14- 10 dhe 15-11 mbyllet i pari. Seti i dytë: Fillim i mirë. Hoti luan pa frikë dhe me zgjuarsi, duke i dhënë skuadrës 3 pikë.

Nga 3-1, në 5- 1 dhe 7-1. Në fushë është vetëm një skuadër. Me sa impenjim fitohen 7 pikë, me aq lehtësi humbasim. Dhe, nga 7-2 në 7-4 e 8-5. Por shpejt nis ngjitja dhe nga 8-5 në 10-6, pastaj në 13-7, luhet pa gabime. Seti i dytë mbyllet me një pritje akrobatike të Azemit, e ndjekur më pas nga dy gjuajtje të Hotit dhe 15-7. Seti i tretë: Kalojmë shpejt në avantazh 4-2, 6-2 me gjuajtje të forta të Pelingut e Fotos. Tri pikë radhazi të Fenerbahçes dhe 8-5 për 17 Nëntorin.

Një ngecje e bukur e Hotit, një gjuajtje e Pelingut, dhe 9-7. Sërish Azemi 11-8, dhe 14- 9. Vijnë tri pikë nga turket pasi shqiptaret lëshojnë. Më në fund, 15-12 dhe 3-0 finale. Ka shpresë për rezultat pozitiv në Turqi dhe aq më shumë për një kualifikim të mundshëm. Bilanci i pikëve është: 45-30. Por, në Stamboll nuk do të shërbejnë as pikët. Kjo, pasi fitoren, kualifikimin, do ta vendosin setet”.

Para nisjes ne stamboll

 

Para nisjes për në Stamboll, nga e majta: H. Dojaka (Tr). F. Hoti, U. Kondo, E. Qereshniku, L. Pelingu, R. Bytyçi, J. Paloka (zv.trajner). Ulur majtas: S. Azemi, V. Foto, Z. Vako, V. Selimi, L. Terez

Kthimi: Fenerbahçe – 17 Nëntori 2-3 (15- 7, 15-13, 10-15, 13-15, 2-15)

Surpriza e Stambollit: Nga 2-0 në 3-2 për tiranaset! Kjo është faqja e dytë e këtij rrugëtimi të saponisur për vajzat e klubeve shqiptare në Europë. Fitore edhe në Turqi dhe kualifikim i madh i merituar.

STAMBOLL, E DIEL 19 JANAR

Fenerbahçe – 17 Nëntori 2-3

Fenerbahçe: A. Koc, F. Menesku, P. Tangyr, A. Asteli, S. Bora, S. Koc, I. Donmez.

17 Nëntori: F Hoti, I. Pelingu. V. Selimi, U. Kondo. V. Foto, S. Azemi. (U aktivizuan R. Bytyçi, E. Qato).

Arbitër: D. Fidelius (Rum)

Po nga “Sporti” lexojmë: “Loja nis me vendëset në kërkim të pikëve kualifikuese, që fitojnë dy setet e para me rezultatin 15-7 dhe 15-13. Ndërsa tentojnë të marrin edhe të tretin, vajzave të 17 Nëntorit u duhet të shënojnë detyrimisht 11 pikë për të siguruar kualifikimin, pasi janë në kuotën e 20 pikëve. Por volejbollistet shqiptare do të shfaqen më të mobilizuara dhe më të vendosura, duke fituar setin e tretë 15-10 që i garanton kualifikim.

17 nenotir ne stamboll logo

17 Nëntori në Stamboll (Foto arkiv UBM)

Por, asgjë nuk do të ndalet këtu. Ato do të marrin edhe të katërtin ndonëse ka rivalitet, por 15 -13 për 17 Nëntorin dhe 2-2. I treti është tejet spektakolar. Të eliminuara dhe të dorëzuara, vajzat turke e kanë humbur orientimin dhe nga 14-0, në 15-2. Mbrojtja jonë i neutralizoi gjuajtjet e nr.6 dhe nr.1 Aishet Koc dhe Meneseu.

Kjo e fundit rumune, e gjatë 1.90 metra dhe që nuk luajti këtu. Gjatë këtij seti u dalluan sidomos Pelingu, Qato, Foti si dhe pasueset. Spektatorët turq duartrokitën lojën e bukur të volejbollisteve tona. Përfundimisht 3-2, fitohet ai takim dhe me shifrat finale 6-2 me sete. Në raundin e dytë, tiranaset do të ndeshen me rumunet e Rapid të Bukureshtit.

Një tjetër skuadër ballkanase, por shumë më e fortë se Fenerbahçe. Pas takimit, trajneri Dojaka do të deklaronte: ‘Ekipi ynë pati akoma rezerva për lojë më të mirë. Skuadra turke luante në fushën e vet, nuk ishte e emocionuar dhe kishte 2 sete në favor të saj. Por besimi i madh në fitore, bëri që skuadra jonë të paraqitej me epërsi në të gjitha drejtimet’.

Darka zyrtare ne stamboll logo

 

Në Stamboll, në darkën zyrtare, nga e djathta: Pelingu, 17 Nëntori në Stamboll (Foto arkiv UBM) Selimi, Hoti, Kondo, Azemi, Foto, Vako (Foto arkiv UBM)

Ndërsa kapitenia Fahrie Hoti u shpreh: ‘Unë isha e sëmurë, prandaj nuk po flas për veten time. Të gjitha shoqet e mia luajtën mirë dhe në mënyrë të veçantë Pelingu. Në dy setet e para ishim të hutuar, hera e parë që luanim jashtë atdheut tonë. Seti i pestë ishte krejtësisht yni’”.

Turi i dytë, shkurt 1969, dy humbje të thella me kampionet e Rumanisë

17 Nëntori – Rapid 0-3 (6-15, 4-15, 5-15)

Kthimi: Rapid – 17 Nëntori 3-0 (15-0, 15- 5, 15-2)

Pallati i sportit “Partizani” 17 Nëntori – Rapid 0-3 (6-15, 4-15, 5-15).

17 Nëntori: Hoti, Pleinku, Verria, Azemi, Qato, Foto. U aktivizuan edhe Kondo, Bytyçi, Qerreshniku e Prifti.

Rapid: Sekeli, Floresku, Baga, Cezan, Tudora, Rabac.

Arbitër: M. Dimitrov (Bullgari) dhe Andra Xhori (Shqipëri) “Që në fillim u duk se 17 Nëntori nuk luan i qetë. Bëhen gabime në pritjen e shërbimit, sulmi, blloku nuk organizohen mirë. Skuadra jonë nuk është në gjendje t’i bëjë ballë sulmit të fuqishëm të Rapidit.

Rezultati arrtin në 0-8. Publiku inkurajon nxehtësisht. Volejbollistet tona sikur e marrin veten, dhe 4-9. Por 17 Nëntori nuk e ruan ritmin. Qato humbet shërbimin, Bytyçi gabon në pasime dhe seti i parë mbaron 15-6 për rumunët. Në të dytin, 17 Nëntori shënon pikën e parë, por rumunet komandojnë 5-2, 6-2, 7-2 ndërsa vendëset gozhdohet në vend. Mbrojtja bëhet me shumë vështirësi, pritja e shërbimit është e dobët, lojtaret qëndrojnë të hapura dhe sulmi është i zbehtë.

Rapid fiton 15-4. Në setin e tretë, skuadra jonë luan me gabime që e detyrojnë trajnerin të bëjë disa ndërrime. Selimi, Pelingu e Qato zëvendësohen me Bytyçin, Qershnikun e Priftin. Nga shifrat 4-0 për Rapidin rezultati barazohet në 5-5. Rapidi sulmon me gjakftohtësi, duke ngecur e sulmuar në qendër, gërshetuar sulmin e shpejtë me anë të Floreskut e sulmin gradual. 15-7 dhe përfundimisht 3-0″, përfundon “Sporti”. Pas një jave, në pallatin e sportit “Xhujeski” në Bukuresht.

Rapid – 17 Nëntori 3-0 (15-0, 15-5, 15-2)

Rapid: Sekeli, Floresku, Baga, Cezan, Tudora, Rabac 17 Nëntori: Hoti, Pelingu, Veria, Qato, Azemi, Foto. Qereshniku, Bytyçi.

Gjyqtarë: D. Jushua (Izrael), K. Caresku (Rumani)

“Rumunet u mobilizuan, luftuan nga pika e parë, – shkruan “Sporti”, – ndërsa volejbollisteve shqiptare u iku loja nga duart. Edhe lojtaret më të mira bënë gabime dhe pika më e dobët ishte blloku. Seti i parë fitohet 15-0 prej tyre. Seti i dytë nis pak më ndryshe. Ka bllok të organizuar, disa shërbime të mira nga 2-1- 2, 3-2, 6-3, 10-5 dhe 15-5 për vendëset.

Ndonëse i treti nisi 1-0 dhe 2-1 për tiranaset, rumunet shënojnë 14 pikë radhazi e fitojnë thellë 15-2 dhe 3-0. Vetëm Foto e Pelingu bënë lojën e tyre, ndërsa të tjerat gabuan në të gjitha drejtimet. Mirë luajti Qereshniku, kur hyri si rezervë. Nuk pati luftë për topin. Kishte mungesë të plotë mobilizimi”, e mbyll gazeta.

Harun Dojaka, njeriu i triumfit historik

Ka qenë trajneri i ekipit kampion të 17 Nëntorit 1969 për të rritura, pjesëmarrës për të parën herë në Kupën e Kampioneve, që kalon turin e parë e renditet në 8 më të mirat e Europës. Ish-lojtari i Tiranës, më pas specialist, pasionant, trajner i palodhur, si seleksioner hodhi bazat për krijimin e grupit të vajzave për një sport modern me të ardhme.

Me vullnet, karakter, i angazhuar, ai do të drejtonte 17 Nëntorin në atë kualifikim të paharruar. Sa profesionist, aq i thjeshtë, komunikues dhe me kontribut të madh në krijimin dhe edukimin e brezave të asaj periudhe. Ka një zgjim të volejbollit të vajzave dhe befas jemi në startin europian, madje me një kualifikim të madh. Prej disa vitesh, mjeshtri Dojaka fatkeqësisht është ndarë nga jeta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"