“Hillsborough”, 30 vite nga tragjedia më e madhe në Britani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2019 | 15:37

“Hillsborough”, 30 vite nga tragjedia më e madhe në Britani

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Tragjedia e “Hillsborough”, që provokoi 96 të vdekur dhe 766 të plagosur, është konsideruar edhe si fatkeqësia më e madhe e sportit anglez. Si një ndër skenarët më të errët në historinë e futbollit britanik, ajo ka mbetur një dhimbje që vazhdon edhe pas 30 vitesh.

E shtunë 15 prill 1989, ora 15:00, do të luhet gjysmëfinalja për FA Cup ndërmjet Liverpulit dhe Notingham Forest, që sipas rregullores do të zhvillohet në fushë asnjanëse, në këtë rast në stadiumin “Hillsborough” në Shefield, aty ku luan ndeshjet skuadra e Shefieldit.

-images-stories-2016-2016-04-2016-04-27_hillsborough

Vetëm 6 minuta pas fillimit të lojës, arbitri Ray do të ndërpriste ndeshjen, pasi në atë mesditë në kaosin që kishte shpërthyer, 96 tifozë të “Reds” do të vdesin të shtypur njëri me tjetrin dhe ndarëset e tribunave “Leping Lane” të krahut pas portës, që për pak minuta kishte mbrojtur Bruce Grobbelar, portieri i Liverpulit.

“The Sun” e datës 19 prill 1989 shkruante se disa tifozë të Liverpulit janë parë të urinojnë mbi agjentët e policisë dhe duke rrëmuar në xhepat e të vdekurve, në kërkim të portofolave të tyre. Një version që pati një reagim të ashpër indinjimi nga ata të Liverpulit, ku u përfshinë deputetë, policia e shtetit, etj. Mijëra faqe, tituj gazetash, heshtje, gënjeshtra lidhur me shkaqet që për shumë vite janë mbajtur të fshehura e jo të publikuara dhe e vërteta nuk thuhej.

Dinamika e ngjarjes, organizimi jo i mirë

Nga organizatorët nuk ishte parashikuar mirë numri dhe vendosja e tifozëve, ndonëse për mbështetësit e Liverpulit ishte caktuar tribuna perëndimore (West Stand, i quajtur edhe Leppings Lane), që ndodhet në të majtë të asaj qendrore dhe me kapacitet deri në 14,600 vende.

Për ata të Notingham Forest, zakonisht më pak në numër, ishte rezervuar kurba lindore “Kop End”, në gjendje të sistemojë 21,000 spektatorë. Nisur nga fakti se nga viti 1985, pas tragjedisë në Hejsel, klubet angleze u përjashtuan nga takimet në Kupat Europiane, kishte një indiferencë nga Federata Britanike e Futbollit.

dont-buy-the-sun-wembley-e1446241696663

Që në mëngjes, mijëra tifozët e Liverpulit, historikisht rivalët me grupin “Garibaldi Reds Nottingham”, kanë shpërthyer në “Hillsborough”, 30 vite nga tragjedia më e madhe në Britani Ngjarja më 15 prill 1989 në Shefield të Anglisë, ku humbën jetën 96 persona Prapaskenat e fatkeqësisë, që erdhi si pasojë e pakujdesisë së policisë rrugët e Shefield.

Vetëm gjysmë ore nga fillimi i ndeshjes, sektori ku do të qëndronin ata ishte ende gjysma e zbrazët, ndërsa turma e mbushur me njerëz në portat po rritej gjithnjë e më shumë dhe hyrja në stadium nga tifozët liverpulas filloi të shkaktojë probleme. Fluksi është i madh dhe futja e tyre në sektorin e “Leppings Lane”, 15 minuta para takimit u ngadalësua.

Të shqetësuar për masën e madhe, mijëra tifozë jashtë që prisnin për t’u futur, vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes policia vendos që në 14:52 të hapë një derë në Sektorin C. Hapja e asaj porte të madhe çeliku, që normalisht qëndronte e mbyllur, përpara hyrjes së një tuneli që të çonte në sektorin qendror të kurbës në Sektorin C, ishte një ide që do të rezultonte katastrofike.

Qindra tifozë zgjedhin futjen pikërisht aty, ku për arsye të pashpjegueshme mungojnë edhe stjuartët. Edhe ata pak që ndodheshin aty i orientojnë gabimisht. Krijohet një konfuzion, shkaktohet një shtypje, presion i jashtëzakonshëm mbi atë turmë në tunel. Diçka e paparashikueshme, jo akte dhune, as invadim, por ngjeshje te njëri-tjetri, që rritej e që krijonte efekte frike, mbi këdo që shtynte e që shtyhej.

Në ato 14 minuta, nga hapja e portës C dhe pezullimit të ndeshjes, shtypja e trupave shkakton tragjedinë: Një numër i madh viktimash vdesin për mungesë oksigjeni, frymëmarrje. Qindra të tjerë shpëtojnë duke kapërcyer, kaluar rrethimin, edhe pse me vështirësi prej moslëvizjes, dhe nga paaftësia e forcave të rendit që nuk ishin të përgatitur e nuk e kishin menduar se kthimi mbrapa do të shndërrohej në dramë.

Ndërprerja e ndeshjes

Ndërsa paniku shpërtheu, askush, qoftë në fushë apo në sektorët e tjerë të stadiumit, nuk kuptoi se çfarë po ndodhte dhe loja filloi rregullisht. Vetëm pas 6 minutash, ajo u pezullua me rekomandimin e policisë, kur arbitri pa një pushtim të fushës nga disa tifozë, të cilët vërshuan aty për t’iu shmangur forcës dërrmuese, ndërkohë që duke parë gjendjen, policia hapi rrethimin e brendshëm dhe i la tifozët e Liverpulit të arrinin në fushë.

01-crush

Në kaosin e krijuar, fluksin e tepruar të njerëzve në tentativën për t’u futur në stadium në një mënyrë të ngjashme me situatën, atë që ndodhi katër vjet më parë në Heysel në Bruksel, shkalla e katastrofës është kolosale: 96 prej tyre (79 prej tyre nën 30 vjeç) kanë humbur menjëherë jetën dhe mbi 700 raportohen të plagosur. Nga mosorganizimi, vetëm njëra nga 44 ambulancat e pranishme ka mundur të futet në fushë, për të dhënë ndihmën e parë të shpejtë.

Një ndër skenat më prekëse e tronditëse ishte ajo, kur tifozët dhe policët sistemonin viktimat në banerat publicitarë, që i shërbenin si barela. Midis tyre dhe një fëmijë 10 vjeç, kushëriri dhe moshatar i Steven Xherrard, kapiteni i Liverpulit më vonë. Ndeshja nuk u zhvillua. Ajo u përsërit më 7 maj në “Old Trafford” në Mançester dhe Liverpuli fitoi 3-1. Në atë sezon, pak ditë më vonë ai fitoi edhe FA Cup, duke mundur në përballjen derbi Evertonin, një takim i luajtur në stadiumin “Wembli” të Londrës…

Një stadium i pasigurt

Ka pasur një neglizhencë të jashtëzakonshme në “Hillsborough”, një stadium me të cilin tifozët e Shefild ishin krenarë për bukurinë dhe sigurinë që ofronte ky impiant. Kur më 1986 Mbretëresha kishte përuruar tribunën anësore “Kop”, atë përballë “Leppings Lane”, dhe Bill Eastvoud, një inxhinier i njohur kishte deklaruar se “‘Hillsborough’ ishte stadiumi më i sigurt në Britani”.

hillsborough-1

Por sinjalet ishin dhënë kur më 1981, në finale për FA Cup, midis Uolves e Spurs kishte pasur dhjetëra të plagosur në rrethana shumë të ngjashme me atë të 1989. Më 1987, 1988 situata të tilla ishin përsëritur sërish, me të tilla probleme, me informacione për dhunë, agresivitet të tifozëve. Institucionet sportive kishin marrë mesazhe dhe ishin informuar se “rrezikohet që shpejt të ndodhë një fatkeqësi”.

Për shumë stadiume duhej dhënë garancia, por certifikata e sigurisë nuk u lëshua asnjëherë nga autoritetet përkatëse dhe në atë periudhë luhej në mjaft stadiume, zyrtarisht të paaprovuara dhe të papërshtatshme.

Anglia e viteve të errëta

Janë vitet e errëta, kur vendi ndodhej në një periudhë të vështirë përballë fatkeqësive: Në harkun e katër viteve ishte regjistruar shpërthimi zjarrit në stadiumin “Bradfoprd City” me 57 të vdekur; fundosja e tragetit “Herlad of Free Enterprise” (188 të vdekur, të gjithë qytetarë britanikë); zjarri në hekurudhën në Clapan (35 të vdekur); zjarri në stacionin e trenit të King’s Cross me 31 të vdekur.

Dhe në një atmosferë të tillë pak indiferente vjen “Hejsel” me 39 të vdekur, një tragjedi e provokuar, jo e ardhur nga faktorë të jashtëm, por që tronditi opinionin publik. Pas viteve ’60, me lindjen e huliganizmit, të favorizuar edhe nga mundësia që masa të mëdha tifozësh shkonin nga një qytet në tjetrin për të shoqëruar skuadrën e ndjekur takimet, e gjitha kjo pasoi me shpërthimin e dhunës, e cila ndërmjet viteve ’70-’80 ishte dramatike.

Pikërisht në këtë periudhë, qeveria e Thatcher-it, jo dashamirëse me futbollin, kishte menduar aplikimin e kartës së identitetit për tifozët, në një Mbretëri të Bashkuar ku nuk ekzistonte as ajo klasike. Klubi i Liverpulit ishte shprehur haptazi kundër mjaft ndryshime që ishin në projekt.

Madje, të njohur si “huliganët liverpulas”, ndonëse të admiruar për një pasion të madh për futbollin, jo në pak raste kanë qenë në qendër të polemikave. Nga njëra anë, Liverpuli i konsideruar “Beatles të topit”, nga ana tjetër protagonistë negativë, ajo në tragjedinë e Hejselit.

140415133953-pkg-riddell-hillsborough-remembered-00003514-story-top

Aq sa në vitin 1964, Drejtoria britanike e Hekurudhës vendosi të pezullonte trenat specialë që niseshin nga qyteti, sepse në vitet e kaluara mjaft vagonë ishin shkatërruar nga tifozë kur udhëtonin me ta.

Një prokuror në kërkim të së vërtetës

Menjëherë pas masakrës, trajtimi i ngjarjes iu besua prokurorit Taylor, me detyrën e hetimit të shkaqeve të asaj që ndodhi, duke verifikuar mospërputhje serioze në organizim e në sjelljen e policisë.

Megjithatë, procesi që pasoi nuk ndihmoi për të hedhur dritë të plotë mbi ngjarjen, sidomos në lidhje me përgjegjësinë. Shkaqet e fatkeqësisë janë kërkuar kryesisht në çrregullim dhe lehtësia, me të cilën policia kishte proceduar për të hapur portën C. Në këtë kontekst të mungesës së qartësisë, për më shumë se njëzet vjet mbështetësit Liverpulit të pranishëm atë ditë në “Hillsborough” bashkë me të mbijetuarit, janë trajtuar padrejtësisht si autorët e masakrës, me pretendimet që kanë dhunuar deri në grabitje të trupave të vdekur.

Vetëm në shtator 2012, pas një hetimi të ri nga Paneli i Pavarur Hillsborough, një komitet i kryesuar nga peshkopi i Liverpulit, me interesimin direkt të Kryeministrit David Cameron, ka njohur zyrtarisht fajin e policisë “South Yorkshire”, duke i nxjerrë të pafajshëm tifozët e Liverpulit dhe publikisht iu kërkoi falje të afërmve të viktimave për “padrejtësinë e dyfishtë: pamundësinë për të mbrojtur jetën e të dashurve të tyre dhe pritja e pafalshme e tejzgjatur për të zbardhur të vërtetën”.

Hetimi i Panelit zbuloi se ndryshe nga versionet zyrtare të dhëna më parë në shtyp, në orën 15:15 të asaj pasdite, 59 prej 96 viktimave ishin ende gjallë dhe 41 prej tyre mund të ishin shpëtuar nëse do të ndihmoheshin në kohë. Nga hetimi i ri doli në dritë se policia e “South Yorkshire” gënjeu dhe ajo e kishte ndryshuar të vërtetën me qëllimin për të shfajësuar policët e për t’i shpëtuar nga gabimet dhe mangësitë e tyre.

Duke akuzuar e bindur opinionin publik se veprimet ishin kryer nga huliganët, pikërisht nga ata që akuzonte edhe qeveria e kryeministres të atëhershme, Margaret Thatcher, të miratuara edhe nga konkluzionet e raportit të prokurorit Taylor. Në dhjetor të 2012-ës, kryetari i Gjykatës së Lartë të Drejtësisë të Uellsit anuloi vendimin e hetimit të vitit 1989, duke organizuar një hetim të ri lidhur me 15 prillin e ’89-ës.

Ndërkohë, nga ana e dy klubeve, një ngjarje josportive ndodhi në më 1999 në dhjetëvjetorin e tragjedisë, kur të dy klubeve iu kërkua të mbanin 1 minutë heshtje për të përkujtuar viktimat dhe atë çfarë ndodhi në ndeshjen Liverpul-Nottingham Forest. Por të dyja klubet refuzuan, pasi midis komunitetit të të afërmve, familjarëve kishte një mosmarrëveshje.

Sidoqoftë, tifozët e “Reds” i kujtojnë 96 të vdekurit me një përkujtim, që zhvillohet çdo 15 prill në sektorin “Kop” të stadiumit “Anfield”. Ora ndalet gjithmonë në 15:06, kur bilbili i arbitrit vërshëlleu për pezullimin e asaj ndeshjeje tragjike. Është krijuar edhe një shoqatë e quajtur “Drejtësia për 96”, me qëllim që të ndihmojë të afërmit e viktimave.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"