Genc Tomori, mesfushori që ndali Tiranën duke luajtur si portier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2018 | 22:48

Genc Tomori, mesfushori që ndali Tiranën duke luajtur si portier

UVIL ZAJMI

Në vazhdim të tregimit tonë, kur një lojtar kthe het në hero në një rol krejt të pazakontë, siç është ai i “Goalkeeper”, na i ofron Genc Tomori, kur mesfushori i njohur i të kuqve dhe kombëtares, në harkun e një viti ka mbrojtur dy herë portën e skuadrës, pa luajtur asnjë ditë në atë rol. E para në derbi, në përballjet epokale: Partizani-17 Nëntori, sezoni 1986-87…..

genc tomorii

Ju kujtohet ndeshja e parë si portier?

Ndeshja me 17 Nëntorin. Ka qenë nga ndeshjet e para, shtator sezonin 1986-87. U luajt në stadiumin “Dinamo”. Nuk i di arsyet pse nuk u luajt në “Qemal Stafa”. Ne ishim me formacionin më të mirë po kështu edhe “17 Nëntori”, Kola, Minga, Mema, Josa, etj. Pjesa e parë e ekuilibruar, kemi pasur si ne dhe ata shanse. Në minutën e 44-ët, pas një harkimi nga e djathta, Kola goditi me kokë pjesën e poshtme të traversës, nga porta nga jugore, topi u përplas në tokë, kaloi apo jo vijën e portës, arbitri Kaimi dhe asistenti Konçi japin gol. Pati protesta të mëdha nga ana jonë, sidoqoftë mbyllen 45′ e para.

Çfarë ndodhi në korridor?

Ndërsa u drejtoheshim dhomave të zhveshjes, nga ishhyrja e vogël jugore tradicionale e Dinamos, polemikat vazhduan edhe në korridor, midis Mustës, Ahmetajt dhe arbitrit Kaimi. Pa u futur në dhomat e zhveshjes, unë kam qenë pak më mbrapa, pashë që ai i nxori të kuqin Mustës. Ishte hera e para si futbollist që shikoja një karton të kuq t’i nxirret një lojtari në korridor, jo në lojë. U futëm në dhomat e zhveshjes, nuk u diskutua fare kartoni, por kur Bajko u përqendrua te pjesa e dytë, çfarë duhet të ndryshonim, dola dhe i thashë se kam parë arbitrin që i ka nxjerrë të kuqin Mustës.

Si reaguan drejtuesit në atë moment?

“S’ka mundësi, nuk kemi parë gjë”, -ishte reagimi, ndonëse Perlati tha që e kam parë, por nuk e di se kujt ia nxori të kuqin. Një drejtues i klubit shkoi te dhomat e zhveshjes së arbitrave dhe doli që Musta ishte ndëshkuar me të kuq, pasi lejohej që edhe jashtë fushe arbitri kishte të drejtë të nxirrte kartonët. U bë rrëmujë, një konfuzion i madh, pati sërish protesta në korridor, ndërsa duhet të dilnim të fillonim pjesën e dytë.

genc tomori

Si u veprua më pas?

Pati një hezitim nga Neptuni se kush do të rrinte në portë, pastaj m’u drejtua mua. Nuk e di nga u nis, por më tha “do rrish ti!”. I papërgatitur, hezitova për një çast, pasi përgjegjësia ishte e madhe. “Pse unë?” – e pyeta. Nuk m’u përgjigj dhe duke dalë mendoja që po zëvendësoja Mustën dhe kjo ishte e pamundur. Pastaj mund të pësoja shumë gola apo jo? I mora fanellën Mustës, dorezat jo, se dora ime ishte më e vogël se e tij.

Çfarë reagimi pati nga publiku?

Tifozët u habitën kur më panë. Pati një stepje, mëdyshje, nuk kishte asnjë sinjalizim as me altoparlant dhe u krijua një habi e madhe. Po kështu edhe ata të 17 Nëntorit, që duke u futur në fushë më panë, ndonëse një informacion të shpejtë e kishin marrë duke dalë, por nuk besonin.

Ishin 45 minuta heroike apo jo…?

Filloi loja, Tirana u hodh në sulm dhe kam pritur 3-4 raste goli të Kolës, Mingës e kjo më dha kurajë mua dhe ekipit duke barazuar më pas me Ylli Shehun. Minutë pas minute lojtarët i kishte përfshirë paniku që nuk po shënonin, bashkë me ta edhe tifozët. Ata filluan të gjuanin nga çdo pozicion. Kujtoj se kam kanë qenë dy goditje dënimi të Memës, specialist në të tilla gjuajtje, njërën e kam grushtuar në korne, tjetrën e kam pritur. Loja u mbyll 1- 1, me një rast për ne për të realizuar.

Cila ishte jehona pas ndeshjes dhe pse u largua Mema?

Pas ndeshjes pati një jehonë të madhe, pasi ishte hera e parë që 45 minuta në portën kundërshtare luante një lojtar dhe Tirana nuk fitoi. Kujtoj se, pas saj, disa lojtarë kërkuan të largohen… Nëse nuk gaboj Mema deklaroi se “kur nuk e mundëm Partizanin me dhjetë lojtarë e pa portier, unë nuk luaj më” dhe atë ditë e ka lënë futbollin. Pas ndeshjes, tifozët më pritën me shumë entuziazëm. Në “Rubrikën Sportive” nga pamjet filmike rezultoi se topi nuk e kishte kaluar vijën. Atë sezon morëm kampionatin.

Morët famë edhe si portier?

Musta kishte besim tek unë. Stërviteshim bashkë me gjuajtje, luaja shpesh unë në portë ose në raste të veçanta kur bënim garë me gjuajtje me Arjan Ahmatajn. Më doli nami, “kemi portier tjetër”, thoshte Arjani. Nuk e kisha menduar, madje i gjykoja të fundit ato 45 minuta ndaj 17 Nëntorit, pa e ditur se shumë shpejt se një tjetër sfidë më priste në portë…

PROTAGONIST EDHE NË LISBONËN E EUSEBIOS…

E dyta ndeshje si portier nuk do të vononte, madje në shtatorin e ardhshëm të 87-ës, në Lisbonë në Kupën e Kampioneve, në një stadium me kapacitet afro 100 mijë, nga më të mëdhenjtë e Europës në atë kohë, do të luhej Benfika-Partizani. Para takimit Eusebio, legjenda portugeze i pati takuar futbollistët dhe drejtuesit e klubit shqiptar. Pastaj ndeshja, historia e një kronike e atij 90-minutëshi tejet e rrallë. Si e rikthen Tomori kur mbrojti portën për më shumë se 30 minuta si portier…

Genci, si ishte fillimi i ndeshjes?

Benfika kishte Mozer, Diamantino, Aguash, lojtarë brazilianë ndërsa trajner ishte Eriskon. Një pjesë e parë shumë e mirë, patëm mundësi për të shënuar, Ylli Shehu bashkë me mua. Gjithë pjesën e parë tifozët ishin kundër vendësve, i vërshëllenin se nuk po realizonin. Diku nga minuta e 40-të, në një aksion pa pretendime pas një mosmarrëveshjeje midis Frashërit e Mustës, ata shënuan me autogol dhe 1-0 pjesa e parë.

Pjesa e dytë, arbitri spanjoll e prishi disi lojën apo jo?

Mund të ketë qenë minuta e 55-të, Musta në pozicion normal pret topin, i vjen kundërshtari dhe përplaset me të. Faull për ne dhe prisnim që ai të rifillonte lojën, kur arbitri i afrohet dhe i nxjerr të kuqin. Rrëmujë e madhe, ne nuk fillonim ndeshjen dhe nga ky moment arbitri spanjoll Perez e kishte shkatërruar lojën.

Tomori, pse zëvendësimi me ju dhe jo portierin rezervë?

Duke iu rikthyer shtatorit të kaluar, kur luajta në portë ndaj 17 Nëntorit, them se ky fakt ka ndikuar te trajneri Bajko, që në atë situatë konfuze, vjen e më thotë “Genci, ti ke luajtur portier dhe tani do luash ti”. Nuk ishte momenti për diskutime, i marr bluzën jeshile dhe dorezat Muçës, portierit të dytë, dhe u futa në portë.

E njëjta situatë si në “Dinamo”?

Thuajse si kundër 17 Nëntorit. Edhe portugezët filluan të sulmonin, gjuanin nga larg, i kam pritur me qetësi topat e parë, ndërsa çdo minutë që kalonte shtohej ankthi i lojtarëve të Benfikës. Kur nxorri Mustën, arbitri spanjoll ndëshkoi me të kuqe edhe Frashërin dhe ne mbetëm me 9 futbollistë. Pasatj në një moment tjetër largoi edhe Ahmetin, Lamen. Gola janë bërë në 10-minutat e fundit, kur ishim me 6 veta dhe unë në portë. Dy të realizuar nga Aguash dhe Mozer. Ndeshja ka vazhduar gati 20-minuta më shumë. Rezultati përfundimtar 4- 0, kujtoj se në fund patëm një rast që e humbëm. Më kujtohet se Eurovizioni, kur jepte golat në siglën hapëse, kishte momentin kur arbitri nxirrte me të kuq, pa asnjë motiv, Mustën. Ndeshja e kthimit nuk u zhvillua se Partizani u përjashtua nga UEFA dhe Federata e Futbollit mori masa ndëshkuese ndaj lojtarëve e drejtuesve.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"