Foreman-Klei, historia e duelit madhështor të boksit që “trazoi” edhe Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 21:20

Foreman-Klei, historia e duelit madhështor të boksit që “trazoi” edhe Tiranën

UVIL ZAJMI

Në një rrëfim të rrallë për “Panorama Sport”, publicisti Ahmet Golemi i rikthehet atij takimi zhvilluar më 30 tetor të 1974-ës. Por jo vetëm në aspektin sportiv, emocionet, rrethanat, udhëtimet e heshtura e pa zhurmë, qëndrimi para ekranit nga mesnata e deri në agim të atij fundtetori të zymtë për të parë KleiForeman.

kasius klei

Por, edhe për procesin gjyqësor, kur e dënuan dhe në hetuesi e akuzonin si admirues të Kleit deri te torta që ai bleu për Aliun. Miqësia me Ismail Kadarenë dhe pasionin e kolosit të letërsisë për boksin si dhe simpatia e tij për Klein. Interesimi i madh i shqiptarëve për atë përballje, deri edhe në vilën e Hoxhës në plazh, në burgje, kampe internimi, kudo dhe fshehurazi është ndjekur sfida më e bujshme e boksit gjysmë shekulli më parë.

“Duel në xhungël”, duke e konsideruuar si më e madhja e shekullit të kaluar në boks! I programuar me 15 raunde, ai ishte i pari takim i organizuar nga manjati Don King. Për titullin kampion bote në peshën e rëndë dilnin në skenë kampioni në fuqi George Foreman “Big George”, 25 vjeç nga Hjuston Teksas 40-0 (37 Ko) dhe ish-kampioni Kasius Klei, i njohur si Muhamed Ali “The Greatest”, 32 vjeç nga Ouisville Kentucky 44-2 (32 KO).

muhamed ali

Ajo u zhvillua në Zaire, më 30 tetor 1974, në prani të 60 000 spektatorëve. U boksua në një ring të improvizuar në “Stade Tata Raphael”, nga dëshira e presidentit asokohe Mobutu Sese Seko, që garantoi organizimin, për t’i dhënë famë atij dhe vendit të tij. Takimi filloi në 04:20 të mëngjesit me orën e Kinshasës dhe atë europiane, për t’u transmetuar në mbrëmjen e 29 tetorit në Amerikë. Një botë e tërë me një shifër rekord ndjekësish, sportistë, opinionistë, gazetarë, artistë, aktorë, politikanë, kanë qenë në pritje dhe ankth për ta parë përballjen e gjigantëve të ringut. Po në Shqipëri?

klei foreman

DERI NË AGIM EDHE NË VILËN E HOXHËS, ME KLEI-FOREMAN

Është periudha kur vendi po kalon situata të tensionuara, pasi kishte ndëshkime në art e kulturë, ekonomi, ushtri dhe mbizotëronte një atmosferë heshtjeje. Kishte ankth dhe njerëz të kufizuar nga frika. Pas 1973-shit kanalet italiane të “RAI”-t, janë mbyllur (vetëm lajmet e orës 20:00), pasi “kanoçet” ende nuk janë shpikur. Nisur nga simpatia e madhe e shqiptarëve për Klein, kudo diskutohej për atë duel. Mbrëmja e së martës së 29 tetorit ka qenë kohë e keqe me shi, e në fshehtësi, njerëz me grupe, pa zhurmë e pa rënë në sy, për të shmangur çdo dyshim dritareve u janë vendosur edhe batanije, pasi lagjja dhe Sigurimi ishin vigjilentë.

Orë pa fund pritjeje, deri në të gdhirë, me sytë hapur nga ekrani bardhezi i televizorëve “Butrinti”, “Dajti”, “Iliria” të UETsë, “Phonola” apo “Grundig”, për të ndjekur takimin direkt nga “RAI”. Ndonëse figura televizive nuk ishte e pastër në Tiranë, ashtu është parë. Të tjerë kanë kanë marrë rrugën drejt Krujës, apo në Dajt, pasi lartësia ofronte shikim të sigurt. Por, Durrësi ishte qyteti që garantone sinjalin italian, por edhe atë jugosllav të “JRT”-së. Në Sukth, në fermën e njohur të asaj kohe e kanë mbushur atë natë qytetarë nga Durrësi, por edhe nga Tirana. Mbi 100 persona duke ndjekur Klei Foreman.

Midis alternativave dhe mundësive, sfida e shekullit është ndjkur e parë deri në vilën e pushimit të Enver Hoxhës, në rezidencën e tij në Plepa të Durrësit, periudhë kjo kur ai ndodhej në Tiranë. “Ishim një grup miqsh e shokësh, të njohur, atje e kemi parë Klei-Foreman në një televizor ‘Phonola’. Kishim përgatitur edhe një parullë ‘Forca Klei’, tregon njëri prej tyre.

Bashkë me ne ishte edhe vetë djali i Hoxhës, Iliri”. Deri edhe në Itali: “Po udhëtonim për në Luksemburg, për takimin ndaj Sparta Berntrazh. Atë natë kemi qëndruar trazit në Romë dhe Klei-Foreman e kemi parë në hotel”, kujton një ndër basketbollistët e njohur të Partizanit. E kundërta me shtypin shqiptar, asnjë informacion apo koment. Pastaj orët e para të së mërkurës së 30 tetorit pa zbardhur ende, dita e një mëngjesi krejt ndryshe kryeqytetas. Njerëz të përgjumur, komente të zjarrta në baret e sapohapura, qendra pune, shkolla e deri në burgje, apo kampe internimi nuk ka munguar informacioni.

MJESHTRI I SHAHU – Vangjel Adhami: Në tren, me televizor me vete

Mjeshtri i madh i shahut, Vangjel Adhami, kujton natën magjike: “Kam qenë 26 vjeç, të rinj pasionantë, me televizor me vete kemi udhëtuar në mesnatë nga Tirana në Durrës”.

vangjel adhami

Adhami, pse vendosët të shkonit në plazh?

Në Tiranë nuk kishte siguri për ta parë. Ishte një shi i pandalshëm atë natë dhe ne u nisëm me trenin e fundit të orës 21:30. Pasi arritëm në Durrës, morëm autobusin urban, te hekurudha dhe më pas te hotel “Butrinti”. Dhomat ishin zënë nga muzikantë, pasi aty po zhvillohej një festval folkloristik, por recepcesionisti na gjeti një dhomë. Televizorin e kisha futur në një çantë, i vogël, nuk dukej.

Për çfarë televizori bëhet fjalë?

Kur isha në Ziegen, në Gjermani në Olimpiadën e shtatorit të vitit 1970, unë, Pustina, Omari dhe Vila blemë nga një televizor portativ të vogël, japonez “Universal”. Kushtoi 369 marka. Kur erdhëm, na i bllokuan në doganë… “Keni kaluar kuotën”, na thanë, që ishte dhjetë mijë lekë plaçka për kohën. Pas shumë përpjekjesh, ndërhyri Fatos Omari, e në dhjetor, pasi paguam lekët, e morëm.

Dhe mundët ta ndiqnit ndeshjen…?

U futëm në dhomë, vendosëm televizorin. Dritaret ishin me pamje nga deti, sinjali vinte shumë keq, nuk dukej asgjë. Me shpejtësi dolëm dhe hapëm derën e një dhome përballë, nga lindja. Ishte bosh, pa plaçka, provuam, sinjali jugosllav “JRT” vinte mirë. Kur në një çast hapet dera, shfaqen dy burra. Ishin të festivalit dhe do flinin aty. “Na falni, – i thamë ne, – jua kemi zënë dhomën, duam të shohim boksin”. “Sa mirë, – thanë ata, – po e shohim edhe ne”. Ishin shkodranë. Nuk njiheshim, por me muhabet, kështu e kaluam deri kur erdhi ora. Pastaj me trenin e parë që nisej nga Durrësi u kthyem në Tiranë.

Adhami, e keni ende televizorin?

Jo. Për fat të keq ma vodhën në 85-ën, në një kabinë plazhi te hekurudha. Ka qenë e diel dhe ia kisha dhënë kunatit. Atë ditë shkova për të marrë dy djemtë si dhe televizorin. Pikërisht atë paradite na i morën.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"