Faza e dytë në mal, aty ku dilte koha edhe për filma “hot”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2018 | 22:59

Faza e dytë në mal, aty ku dilte koha edhe për filma “hot”

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Mbaron “liria”, të gjithë drejt pyjeve e lartësive malore. Stërvitje pa fund, vrapime e gjumë! Periudha e pushimit veror pak është shfrytëzuar si fazë e përgatitjes fizike, ndonëse kishte skuadra që paradite qëndronin në plazh e në mesditë zhvillonin seanca të ndryshme stërvitjeje. Faza e dytë, si një etapë e rëndësishme para fillimit të kampionateve e aktiviteteve zyrtare, apo ndeshjeve për Kupat e Europës, sidomos për futbollin programohej në muajin korrik-gusht e për t’iu shamngur të nxehtit të gjithë transferoheshin drejt malit, mjediseve të freskëta, duke ngritur vendqëndrime të improvizuara, pasi kampet ishin të planifikuara për pushues, pionierë, etj.

Pra, çadra mbetej i vetmi sistemim pa problem përfshirë ndonjë mjedis tjetër të rastësishëm aty pranë për fjetje e gatim. Kjo periudhë ishte sfilitëse për lojtarët, lodhëse dhe pa pretendime për argëtim: Stërvitje dy herë, paradite e mesditë dhe gjumë.

17 nentori stervitje ne malin e dajtit

Nga Thethi, Vermoshi, Razma, në Dajt, Llogara e Voskopojë

Një pjesë e madhe e klubeve, ato të futbollit, kanë shfrytëzuar terrenet malore, një praktikë e filluar në vitet 60-të, kur faza përgatitore zhvillohej dy herë, në dimër e verë. Vllaznia ndërkohë ka pasur Thethin, si fillim, por Razmën e kishte si bazë të përshtatshme për një periudhë të tillë. Jo larg qytetit, për akomodim shfrytëzohej Shtëpia Pyjore apo mjediset e ish-kishës, e bashkë me to në Razëm transferohej dhe kuzhina e klubit. Nga futbollistët pëlqehej maja e Veleçikut, një lartësi mbi 1800 m që shpesh shërbente dhe si ngjitje stërvitore-turistike për to. Atje kanë shkuar edhe klube të tjera, ndonëse edhe Vermoshi apo zona verilindore të krijonte mundësitë optimale. Shumë është përdorur pjesa juglindore e vendit, periferitë e Korçës, si Voskopja, Cangonji, si bazë e stërvitjes apo përgatitjes gjatë kësaj periudhe. Skënderbeu, kryesisht ka qenë i përhershëm, pasi këtë mundësi ia ofronte edhe afërsia gjeografike. Apo Llogaraja për Flamurtarin. Ndërsa Luftëtari preferonte Libohovën.

Furnizim me “Zuk” dhe filmat e ndaluar “hot”

Ndryshe ndodhte me ekipet e kryeqytetit. Partizani udhëtonte drejt Ersekës, ku akomodohej e stërvitej në një stadium të vogël me pistë, por edhe me Pogradecin ka qenë i abonuar sidomos rreth viteve 80- të, madje duke pasur në dispozicion Kampin e Punëtorëve dhe stadiumin e qytetit. Dinamo, Shkëndija, Studenti transferoheshin në Malin e Dajtit, së bashku me 17 Nëntorin që ishte klient sistematik i kësaj zone shumë afër Tiranës. Për të gjithë sportistët si dhe trajnerët, akodomodimi ishte në çadra, ose në një repart ushtarak përbri kampit. Ndërkohë, një çadër funksiononte vetëm si mencë dhe për gatim, pasi kuzhina e klubit atë dyjavësh shpërngulej në Dajt dhe furnizmi me ushqime, larje, deri edhe vajgur nga Tirana, bëhej me automjetin “Zuk” të klubit 17 Nëntori, pasi për t’u larë, e bërë banjo për sportistë shërbenin dy dushe me vajgur të improvizuara në qiell të hapur. Gjatë dy-tre javëve shkëputje nga gjithçka, edhe berberin ishin të detyruar ta kryenin me njëri-tjetrin, mjaftonte një gërshërë.

shkendija ne malin e djatit

“Grumbullimet e vetmisë së Madhe”

Ajo çka mungonte në këto grumbullime ishte argëtimi. Sidoqoftë në vitet 60-të Xhavit Laçi, ish-sportist e drejtues kujton: “Në dimër, ne të klubit Tirana shkonim në kampin e Dajtit. Ishim nga disa disipilina, djem e vajza. Te Kampi i Pionierëve organizonim mbrëmje dhe si orkestër funksiononte një gramafon me një pllakë me këngën “Viti i Ri”, me të cilën vallzonim pa pushim. Arriti një moment që Todi Janku e theu diskun: “Mjaft, – tha, – vetëm këtë do dëgjojmë?”. Në kohën e lirë, dikush me letra, ndonjë libër, domino, shah, deri duke gjuajtur për gardalina nga ata që ishin maniakë për zogj, këto ishin disa forma çlodhëse. Komunikimet, bisedat telefonike ishin të kufizuara, pasi nuk ishte koha e celularit, sepse në ato zona të thella vetëm një linjë funksiononte, e që shërbente në raste të urgjencave apo problemeve shëndetësore. I vetmi që u ka bërë shoqëri sportistëve në ato “grumbullime të vetmisë së madhe”, ka qenë televizori. I markave “Butrinti” apo “Dajti” bardhezi prodhime të URT-së, merrej televizori i klubit dhe u dërgohej lojtarëve. Mjaftonte një antenë e sajuar që përcillte sinjalet në aparatin e vendosur në çadër apo mjedis tjetër ku futbollistët të ndiqnin ato pak emisione të RTVSHsë, por edhe filma, deri ato të ndaluar “hot” që transmetonte “Tele Norba”, një kanal jugor italian. Sportistët e klubeve kryeqytetase që ndodheshin në Dajt, në rastet kur trajnerët jepnin urdhër për t’i mbyllur, që ata të flinin, disa prej tyre në mesnatë fshehurazi largoheshin nga kampingu, duke u ngjitur deri lart në antenë për të parë kanalet e huaja, kryesisht ato italiane.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"