“Elektrifikimi i plotë i fshatit”, kur marketingun e bënte vetëm… partia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2021 | 20:19

“Elektrifikimi i plotë i fshatit”, kur marketingun e bënte vetëm… partia

Nga UVIL ZAJMI

3

Ai ka qenë dhe mbetet një proces me diokër, absurd, por i detyruar të aplikohej të paktën deri në vitin 1990. Në Shqipërinë komuniste, reklamat nuk ekzistonin, ishin të ndaluara me përjashtim të banerave e sloganeve ideologjike të shoqëruara me foto gjigante të udhëheqësve të kohës. Një rikthim në atë kohë, për mënyrën si organizohej, realizohej e çfarë përmbante publiciteti në mjediset sportive shqiptare. Nga “Të gjithë në votime”, “Elektrifikimi i plotë i fshatit…”, që habitën gjermanët, te portreti i Mao Ce Dunit i ardhur nga Kina dhe refuzimi i një milion markave gjermane për një reklamë në stadiumin tonë kombëtar “Qemal Stafa”. Si e kujton Fatmir Vrana, piktori që për më shumë se 20 vite ka drejtuar sektorin e dekorit sportiv. “Vetëm motive politike, ato të kongreseve, të marksizëm-leninizmit, arritjeve dhe mobilizimit për të vënë në jetë vendimet e partisë, ‘Lavdi PPSH’, pa harruar ato për Enver Hoxhën etj. I kontrollonte vetë Xhelil Gjoni. Deri në pallate sporti, parqet e lojërave me dorë nuk mungonin parulla të tilla”, thotë Vrana në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Vetëm pas ‘90-ës, u shfaqën për herë të parë reklama vendëse e të huaja, deri edhe sponsorë në fanellat e lojtarëve. E para, ajo italiane “Abacco”, në bluzat e futbollistëve të Partizanit.

12

BANERI PËR ELEKTRIFIKIMIN QË SHTANGU GJERMANËT

Pa asnjë lidhje me veprimtarinë sportive, kombëtare apo atë ndërkombëtare, në të gjitha mjediset sportive kanë qenë të vendosur banera politikë, shoqëruar me foto të drejtuesve të lartë komunistë shqiptarë e të huaj. Nga Ballkaniada e ‘46-ës, gjatë viteve të miqësisë me sovjetikët ose me vendet e demokracive popullore, në ndeshje, turne miqësore, në sektorë të ndryshëm të stadiumeve, vetëm parulla e foto të tilla do të shihje. Një praktikë, imitim, plagjiatim nga shtetet e Lindjes, ku jehona e një partie, një udhëheqësi, duhet të ishte e pranishme në çdo veprimtari masive, kryesisht sportive. Mjafton t’u referohesh fotove të kohës dhe kjo dukuri duket qartë. Janë të panumërta rastet, por ato “emblemë” për kohën, të lidhura me disa sfida historike, përballje epokale, do të mbeten: Shqipëri-Jugosllavi 0-2 në majin e 1967-ës, kur në sektorin përballë të “Qemal Stafës” duket qartë parulla: “Të gjitha votat për kandidatët e frontit!” Dhjetor 1967, ekipi kombëtar i RF Gjermane zbret në Tiranë e bashkë me emrin e stadiumit që e menduan të një ish-futbollisti të shquar, habia e dytë e tyre është e lidhur me banerin e madh të vendosur dukshëm në sektorin përballë, që fotoja historike e kohës e tregon qartë.

pjimage (30) (1)

Me shkronja kapitale shkruhej: “ELEKTRIFIKIMI I PLOTË I FSHATIT MË 1971, VEPËR MADHËSHTORE E PARTISË”. Dhe pak më poshtë: “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Të shtyrë nga kureshtja, duke e menduar si një reklamë gjigante, pyetën shoqëruesin shqiptar dhe mbetën të befasuar kur u informuan se nuk ishte e tillë. Apo ajo, kur në shkurt të ‘71-shit, Myler realizonte dhe në sfond duket slogani “Në Kongresin VI me ballin lart e duart plot”. Deri tek ajo në takimin Flamurtari-Partizani i Beogradit, kur në foton para takimit, pas Gjondedës, P.Rucit dhe Vokrrit shiheshin portretet gjigante të Hoxhës e Alisë. Për të vijuar në pallatin e sportit “Partizani”, viti 1966, Kupa e Kampioneve Dinamo-Virtus, volejboll meshkuj, në murin anësor shkruhej: “Rroftë PPSH, me shokun Enver Hoxha në krye”.

7

REKLAMA GJIGANTE E “KICKER” ME MEMËN DHE KAZANXHIUN

Mbetet interesant fakti, kur në prill të vitit 1967, në Dortmund do të luhet RF GjermaneShqipëri. Në prag të sfidës, në njërën nga faqet e “Kicker-Sportmagazin”, revista sportive më e njohur në Gjermani, me famë edhe në botë, e specializuar kryesisht me futbollin (e krijuar në vitin 1920, që dilte të hënë e të enjte), publikoi pas takimit një reklamë gjigante ku i bëhej publiciteti çokollatës së njohur “Mars”. Dhe në qendër të saj, organizatorët kishin zgjedhur e vendosur tre futbollistë të takimit RF Gjermane-Shqipëri: Gerd Myler e në krah të tij duken mjaft qartë dy shqiptarët Josif Kazanxhi e Ali Mema.

8

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"