Cikli fenomenal, kur Dinamoja triumfonte ndaj Virtus Bolonjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2020 | 15:17

Cikli fenomenal, kur Dinamoja triumfonte ndaj Virtus Bolonjës

UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Ai nuk ka qenë thjesht një kualifikim, por pas Partizanit më 1961, më shumë në “pole position” në Kupën e Kampioneve tani është Dinamoja. Përtej rrjetës do të jenë italianët e Virtusit, një kundërshtar potent, që nga vështirësia është gati e pamundur të matesh me ta.

Kanë eksperiencë në të tilla takime, lojtarë cilësorë, trajtime, sponsorizime, kushte. Por si lindi dhe si u ndërtua formacioni më spektakolar në volejbollin shqiptar të djemve, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar? Çfarë ishte ajo 6-she që befasoi jo vetëm realitetin kombëtar, por edhe atë jashtë kufijve?

Dinamo logo

Dinamo, nga e majta: Zh. Bonati, Y. Shehu, Trajner: V. Koja, A. Rusi, Radi, E. Terihati. Ulur nga e majta: Panteqi, Lulolli, Tartari, Lena

Takimet dhe surpriza me italianët, sfidat me holandezët e Blloker dhe eliminimi për dy pikë nga vendimet e padrejta të arbitrave. Nga dyshja e gjigantëve Rusi-Bonati, në një rrugëtim interesant të parrëfyer më parë, të cilën për “Panorama Sport” e rikthejnë midis fakteve, ngjarjeve, fotove të rralla të vetë protagonistë të atyre përballjeve: Ditari unik i Vangjel Kojës dhe një intervistë pas kaq vitesh nga Gjermania me Ylli Shehun, kapitenin legjendar të asaj skuadre: “Në Bolonjë na bënë ‘Qytetarë Nderi’, sepse kryetari i bashkisë ishte komunist”.

Medalja e qytetarit te nderit logo

Medalja e “Qytetarit të Nderit” të Bolonjës

NGA PARKU SPORTIV MBRAPA KRYEMINISTRISË, ATY KU FILLOI GJITHÇKA

Dekada 1960-1970 do të ketë disa momente ndryshe në volejbollin kombëtar, kur në skenë befasishëm do të shfaqet një skuadër e re. E nisur nga parku sportiv i lojërave me dorë mbrapa Kryeministrisë, aty merr udhë skuadra e Vangjel Kojës, njeriut që do të projektonte gjashtëshen më të famshme në historinë e volejbollit shqiptar të meshkujve, Dinamon!

Me intuitën e një profesionisti, Koja trajner-lojtar, krahas emrave të njohur të klubit, B. Totozani, N. Ketri, J. Malaj, A. Mero, H. Kotoni, F. Kola, P. Shehu, Xh. Aga, P. Maçi, Q. Gjinali, B. Tafili, F. Jakova, M. Jorgo ni, afron të rinj të talentuar nga Y. Shehu, Radi, Panteqi, Lulolli, Tartari, Rusi, Bonati, Lena, Terihati, Starja etj., duke nxitur rivalitetin e kohës, që në ato vite dominohej nga Partizani i Murzakut, Agës.

Papritur në mjediset sportive do të shfaqet në horizont një Dinamo e re, entuziaste, kërcënuese, ambicioze, me një shpërthim të frikshëm. Kampione më 1964, për tetë vite pa ndërprerje, ajo 6-she do të jetë plurifituese në vend, duke shtangur edhe opinionin sportiv kontinental, deri edhe eurofinaliste.

E strukturuar mirë, me stabilitet në rezultate, me lojë që bazohej te virtuoziteti, eksperienca, harmonia, bagazhi teknik i lojtarëve, të aftë të zgjidhnin çdo situatë. Me Dinamon e Vagjel Kojës, të cilin koha do ta konfirmonte më shumë se një strate, do të niste cikli i një progresi të madh epokal i volejbollit kombëtar dhe atij me klube.

ASLLAN RUSI SHKËMBIMI I RRALLË DHE BONATI MUNGESA E MADHE

“Mund të ketë qenë viti 1958, pas një miqësoreje me të rinjtë e Tiranës, ku binte në sy një djalë i ri me një trup të hollë, shtatlartë, që atë ditë luante zbathur. I propozova Thanas Mitrushit, trajnerit të Tiranës, të bënim një ndërrim duke i dhënë një sportist timin. Asllan Rusi quhej, fizikisht ishte i dobët, por në pak kohë ndryshoi”, kujton Koja për “Panorama Sport”.

Lojtar kalibri, i papërmbajtshëm, me karakter të fortë, pasion e vullnet të hekurt. 189 cm i gjatë, shuter kryesor, me kërcyeshmëri të lartë, godiste fuqishëm mbi bllokun, me rendimet konstant. I frikshëm edhe kur dilte në vijën e parë. Vendimtar në mjaft takime ndërkombëtare, lider i vërtetë, merrte në dorë fatin e lojës, nuk njihte kundërshtarë. Zhan Bonati, në pozicionin 3, me cilësi shumë të mira fizike, 187 cm, zbuluar nga kampionatet e shkollave, iu afrua Dinamos që në krijim. “Asllani me Zhanin ishin si dy binjakë.

Asllan Rusi zhytje

Asllan Rusi në momente loje kundër Virtusit

Trupa të bukur, me vullnet të jashtëzakonshëm, por edhe shumë miq. Të sjellshëm, të edukuar, që në fillim krijuan një dyshe potente me të ardhme jo vetëm për Dinamon, por edhe për volejbollin kombëtar. Me pasion të madh në stërvitje, nga shtanga, paralelet, vrapimet, bashkë do t’i gjeje deri në orët e vona në pistën e stadiumit ‘Dinamo’, siç më tregonte punëtori i stadiumit. Për një problem familjar, si ka ndodhur me mjaft sportistë të goditur padrejtësisht nga sistemi, në vitin 1966, ishte i grumbulluar për në Kinë, por nuk e lejuan të vinte. Më pas Zhani kaloi me Dajtin, ku luajti për disa sezone”, e mbyll Koja.

STARTON CIKLI FENOMENAL, VIRTUS ËSHTË “VIKTIMA” E PARË

Ndonëse është kampion më 1964, pjesëmarrja në Kupën e Kampioneve do të vijë pas dy vjetësh, saktësisht në sezonin 1966-1967, kur paraprakisht në gusht ekipi niset për një turne miqësor në RP të Kinës ku në 7 ndeshje, fiton 3 prej tyre. Për volejbollin shqiptar, pjesëmarrja në turnetë ndërkombëtarë, me klube i referohet vetëm Partizanit më 1961, ndërsa me kombëtare ka disa ndër to, ajo për EKB në Kiev (BRSS) më 1962, përfshirë edhe ato me kinezët.

Për të ardhur te Virtus, skuadër bolonjeze, atë vit kampione e Italisë dhe ishte hera e parë që luhej me një klub italian, formacion perëndimor, që reflektohet kudo, në cilësi, mentalitet, forcë, rezultate, eksperiencë. Ndeshja e parë në Tiranë, në pallatin e sportit “Partizani”, të tejmbushur. Ka kuriozitet të dyanshëm për të parë Dinamon tonë, por edhe Virtusin. Për t’iu rikthyer atij takimi, veç “Sportit” të dhjetorit 1966, kemi edhe një dokument të rrallë, të jashtëzakonshëm, të cilin na e ka ofruar trajneri Vangjel Koja.

Janë ditarët, ku ai ka thuajse pjesën më të madhe sportive të karrierës së tij, të cilët i ruan me shumë kujdes. “Pas titullit, Dinamoja do të luajë në Kupën e Kampioneve në të parin përfaqësim. Pak informacion kishim, emër i madh i një shteti me volejboll në ngjitje….”, lexojmë nga ato çfarë ai ka mbajtur shënim. Një ditar që do të na shërbejë edhe për “Dinamo Euro Final ’72”.

FITORE E THELLË QË FRIKËSON ITALIANËT

DINAMO-VIRTUS 3-0 (15-10; 15-3; 15-5)

Tiranë, 2 dhjetor 1965, pallati i sportit “Partizani”.

DINAMO: Shehu, Rusi, Sharofi, Bushati, Tartari, Panteqi. Trajner: V. Koja.

VIRTUS: Xupiroli, Tedeski, Meskoli, Fangarexhi, Guideti, Xaneti. Trajner: O. Fedezone.

GJYQTARË: A. Kosiç (Jug) i K/Nd., Albert Saqellari (ndihmës i K/Parë të RP Shqipërisë) dhe B. Fuga e N. Preka anësorë.

SPEKTATORË: 4000

Në “Sportin” e 6 dhjetorit, në faqen e parë, mbi titullin “Start i bukur i Dinamos” shihet qartë edhe slogani: “Nën udhëheqjen e partisë të ngrejmë më lart frymën revolucionare në fiskulturë dhe sport….”. Lexojmë një shkrim pasionant nga Mirush Strazimiri, shoqëruar me intervista pas takimit.

“Një interesim të madh kishte ngjallë kjo ndeshje te sportëdashësit që stërmbushën ulëset e Pallatit të Sportit Partizani si dhe mijra të tjerë që nuk patën mundësi të ndjekin nga afër Dinamon në këtë provë të saj të parë me përgjegjësi. Deri tashti kombëtaret e volejbollit të Shqipnisë dhe Italisë janë ndeshë në kampionate botnore ose evropiane 3 herë dhe të tri herët kemi humbë në: 1955 në Bukuresht 2-3; 1958 në Pragë 0-3 dhe më 1962 në Moskë 1-3. Me skuadrën kampion të Italisë, 3 lojtarë janë efektivë të kombëtares ndërsa 3 të tjerë janë aktivizue me të.

DinamoVeley logo

Dinamo para takimit me Virtusin:  V.Koja, Shehu, Terihati, Rusi, Bushati, Lulolli, Pelivani, Jubani, Sharofi, Lena, Driza, Tartari, Panteqi

Një natë ma parë, në stërvitje si dhe gjatë nxemjes, vumë re se skuadra kampione e Italisë dispononte shuterë të fortë midis të cilëve Fangarexhi dhe Xupiroli të një klasi ndërkombëtar dhe përbëhej nga lojtarë shtatgjatë me përgatitje të mirë teknike dhe atletike. Pra, kockë e fortë për t’u brejtë, dhe të gjitha përfundimet e mundshme dukeshin. Mirëpo të gjitha këto dinamovitët nuk deshën t’i marrin parasysh. Ata dijnë se kanë përballë një kundërshtar të fortë dhe duhet mposhtë mundësisht me rezultat sa më pozitiv që të krijohet ‘rezerva’ e duhun e pikëve dhe seteve të nevojshme, për një Kupë ndërkombëtare me dy takime”.

VANGJEL KOJA, TRAJNER I DINAMOS

“Fitoren e thellë e argumentoj me mobilizimin e madh, me lojë të gjallë në mbrojtje e sulm, duke evituar në maksimum gabimet. Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët. U binda se Dinamo do ta fitonte kur vura re se italianët nuk përpunonin si duhet topin e parë dhe sulmi i tyre i fuqishëm nuk do të shpërthente dot. Në Itali do ta kemi të vështirë, por unë kam besim te forcat e skuadrës”.

ANASTAS PANTEQI

“Loja ime u përqendrua në cilësinë e pasit, që shuterët tanë të gjuanin në bllokun e paorganizuar të kundërshtarëve ose bllok njësh. Në ndeshjen e kthimit ne do kualifikohemi”.

ODONI FEDERZONE, TRAJNER I VIRTUSIT

“Për Dinamon pak njohje kishim, nuk prisnim që ajo të luante kaq mirë. Këtë e thanë edhe disa lojtarë që kanë luajtur në Moskë më 1962 kundër jush. Nga skuadra juaj më pëlqeu mëshomë ai ‘i madhi’ që gjuante me të dyja duart dhe që na shënoi shumë pikë, e kam fjalën për Shehun, ndërsa ‘i vogli’ flitet për Panteqin. Ky nuk është niveli dhe forca e skuadrës sonë. Në Bolonjë gjithçka mund të ndodhë”. Ndërsa Xuproli, duke u shtrënguar duart lojtarëve tanë, u thotë: “Ju keni fituar, ju urojmë suksese ndaj holandezëve”.

VIRTUS-DINAMO 3-0 (15-11, 15-11 DHE 15-6) NË ITALI, KUALIFIKIM HISTORIK!

Ndeshja e kthimit u zhvillua me 10 dhjetor. Skuadra përbëhet nga Shehu, Rusi, Tartari, Panteqi, Terihati, Lena, Lulolli dhe si përforcim merren shkodranët Bushati e Jubani, vlonjati Driza, Pelivani e Sharofi nga 17 Nëntori, ndërsa përgjegjës është Vaskë Afezolli, shefi i klubit. Ali Lulolli kujton: “Duke qenë se udhëtimi do të bëhej ditën e martë me linjën ajrore ‘Alitalia’, për shkak të kohës së keqe, njoftohet se avioni do të vinte të enjten.

Kështu u vendos që nisja të bëhej me ‘Skënderbeun’, një anije mallrash, Durrës-Ravena. Rreth 30 orë duke fjetur në dhomat e krevatet e liruara nga marinarët, një udhëtim i gjatë, lodhës. Pastaj me autobus ‘Fiat’, 20-vendësh, në mesditë skuadra sistemohet në një hotel në qendër të Bolonjës. Të sfilitur, nuk ka stërvitje njohëse, darka në një restorant dhe një vizitë te salla ku do të luhet.

Në Bolonjë logo

Në Bolonjë, në këmbë nga e majta: Driza, Lena, Lulolli, Koja, Shehu, Terihati, Sharofi, ulur Panteq

Të nesërmen në mbrëmje ndeshja”. “Sporti” në një njoftim të shkurtër informon: “Të dielën në mbrëmje, natën vonë u zhvillua në Bolonjë (Itali), ndeshja e kthimit midis kampiones së Italisë Virtus dhe kampiones sonë Dinamo, e vlefshme për turin e parë të Kupës së Kampioneve në volejboll. Sipas të dhënave që ka redaksia jonë, ndeshja përfundoi 3-0 në favor të skuadrës vendëse, 15-11, 15-11 dhe 15-6.

Pavarësisht nga humbja, Dinamo u kualifikua për në turin e ardhshëm të Kupës për arsye të pikavarazhit më të mirë”. Me diferencë pikësh 45-18/45-28, (83-73 në total), Dinamo regjistron befasinë e parë të madhe në atë kualifikimin historik. “Problem ishte shtatlartësia pasi me lartësi trupore 1.60 m si Panteqi e Tartari, që ishin lojtarë të rëndësishëm formacioni, e që luanin njëkohësisht, arrinim t’i krijonim vështirësi kundërshtarit”, tregon Koja. Në Bolonjë, Dinamoja luan me: Shehu, Rusi, Panteqi, Tartari, Bushati dhe Sharofi.

HAGA, PADREJTËSIA E MADHE NË EMËR TË NJË VËRSHËLLIME

Kundërshtari i ardhshëm do të jetë Blloker i Hagës, kampionia e Holandës. Sfida e parë e luajtur më 7 janar të 1967-ës në Tiranë i ka shokuar: 3-0 për skuadrën e Kojës (15-10; 15-11; 15-9), një fitore që do të nxisë entuziazmin. Por në L’Aja (Den Haag), shifrat do të përmbysen në 0-3 për vendësit (15-10; 15-13; 15-5) dhe për vetëm për dy pikë (45- 30/ 45-28), ata sigurojnë kualifikimin.

Ka pretendime për vendimet e njëanshme të arbitrave, që të informuar për diferencën e vogël të pikëve, kanë qenë deçizivë në përcaktimin e rezultatit, duke i ndihmuar vendësit, sidomos në pikët e fundit të setit të dytë. Shtypi i huaj i kohës do të përcaktonte: “Arbitri gjermanoperëndimor u ka mohuar shqiptarëve pikën e 14-të në setin e dytë pas së cilës ata do të realizonin edhe të 15-ën, por ai set u mbyll 15-13 për vendësit”.

Ndonëse Dinamoja eliminohet, sidoqoftë përfaqësimi është më shumë se dinjitoz. Kampione absolute e padiskutueshme e pa rivalë në Shqipëri, në edicionin pasardhës, 1967-1968, po në Kupën e Kampioneve shorti do ta përplasë me Partizanin e Beogradit që ka në përbërje lojtarë shtatlartë, forcë fizike dhe ambicie. Në Tiranë, dhjetor 1967, 3-2 për gjashtëshen e Kojës, ndërsa kthimi nuk ka histori, 3-0 për jugosllavët që kalojnë turin. Për të ardhur te 1968-1969, me Dinamo-Muhafiz Guxu (Stamboll), por 3-0 aforfe dhe me 9 shkurt ’69, Dinamo-CSKA (Sofje) 1-3 në Tiranë dhe 0-3 në Bullgari.

1969-1970 do të nisë me Dinamo-Akademik (Sofje), por për mosparaqitje të kundërshtarit, sërish aforfe dhe në raundin e dytë janë holandezët e Delta Loid, që dominojnë 6-1 me sete (3-0/1-3) pas dy takimeve. Vijmë në fundvitin 1970, për të parë një “Euro-Dinamo” të pandalshme. Fillimisht me dy kualifikime radhazi: Në Athinë, nëntor, Panathinaikos-Dinamo 2-3 (15-7; 8- 15; 11-15; 16-14; 13-15) dhe fitore 3- 0 me pikët e para (15-12; 15-3; 15-6) në “Partizani”.

Në dhjetor, në Zagreb, Mlladost-Dinamo 3-1 (15-8; 4-15; 15- 10; 15-11) dhe me një set, shpresë pas një jave luhet në Tiranë, por as ai nuk do të nevojitet dhe 3-0 (15-5; 15-11; 15-10) për Dinamon. Por këtu do të mbyllet aventura dinamase, sepse në janar të ’71-shit, përballë është Zetor: 3-0 në Brno dhe 1-3 në Shqipëri. Por, 1972-shi do të vijë shpejt dhe volejbolli kontinental do të tronditet kur një Dinamo e jashtëzakonshme do të shfaqet në “Final Four” të Brukselit.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"