Astrit Greva: Për pak më mori në qafë një televizor, prej sistemit refuzova kafen me…
UVIL ZAJMI
Të tilla situata i kanë sho qëruar për kohën sh qiptarët që dilnin jashtë shtetit, të orientuar për të refuzuar çdo propozim, miqësi dhe kontaktet në shtetet që konsideroheshin armike, në veçanti me ato të ishbllokut socialist. Jugosllavia, në linjën e parë.
Greva, fillojmë me refuzimin e kafes?
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Xhorxhieviç më ftoi mua dhe Njaz Lleshin për një kafe. Ishte një moment që u vumë në vështirësi, sepse në Tiranë na kishin thënë se nuk duhet të kishim asnjë kontakt personal. Xhorxhieviç e kuptoi dhe më thotë që të nesërmen në mëngjes do të vinte te hoteli, për të na marrë mua dhe Njazin e shoqëruar për shëtitje në Beograd.
Si mund të dilnit pa i thënë askujt?
Sigurisht që njoftuam Dhori Shkodranin, drejtuesin e klubit tonë dhe kështu u veprua. Ai erdhi dhe pasi dolëm na futi në një magazinë: “Merrni çfarë të doni”, na tha. Por ne refuzuam 2, 3 herë, dhe ai na bleu disa çokollata. Pastaj, pasi u informua për fëmijët tanë që ishin të vegjël, “fshehurazi” na bleu diçka për ta.
Vijmë te banketi zyrtar dhe kënga “Vajta në Elbasan…”.
Banketi zyrtar u organizua në një nga restorantet kryesore të Beogradit. Në tavolinën në formë T-je, në ballë qëndronin drejtuesit, ndërsa në dy krahët ne. Ishte një atmosferë entuziaste. Lojtarë vendës shoqëroheshin nga gratë, të dashurat, të fejuarat. Për ta bërë sa më argëtues dhe miqësor qëndrimin, pranë një organo, ishte një këngëtar, burrë me moshë të madhe, që këndonte më zë të ulët.
Ju kujtohen këngët?
Midis mjaft këngëve, ishin edhe katër shqiptare. Nuk e dinim, vetëm kur ai filloi t’i këndonte. Njëra prej tyre ishte ajo me famë elbasanase “Vajta në Elbason, për me ble fuston, ishte krizë e madhe goce, veresi s’ma dhanë…”. E mendoni çfarë befasie, por edhe kënaqësie njëkohësisht?
Pati vlerësim të madh për Fagun, apo jo?
Në një çast u dëgjua një kërcitje gote nga Sllavniç që tërhoqi vëmendjen për qetësi. I ngritur në këmbë, iu drejtua Sali Himës, përkthyesit që ishte folës në televizionin e Prishtinës, njëkohësisht student në mjekësi, dega kardiologji, në Beograd. “Përktheja të lutem – i thotë: E ngre këtë gotë për lojtarin më të mirë që kemi këtu, Agim Fagun. Nuk është kompliment, por e vërtetë”, u shpreh ai.
A patët kontakte me ndonjë nga yjet e tyre?
Gjatë darkës pashë Simonoviçin që u ul pranë Fagut. Nuk e dija qëllimin, por më pas Agimi më tregoi se ai kishte shprehur vlerësimin e tij për basketbollin shqiptar dhe respektin për Fagun. “Si ka mundësi që jeni në këtë nivel? Në ambasadë në Tiranë, na treguan si stërviteni, kushtet dhe sinqerisht na habisni”, i kishte thënë ai.
Ju ka rënë rasti të takoheni më vonë me ndonjërin prej tyre?
Unë jo, por Agimi më ka treguar një episod, kur për motive pune në avionin e linjës, Beograd-Athinë, 15 vite më vonë, ka qenë duke udhëtuar, kur ishte takuar rastësisht me Sllavniç. Pasi ishin takuar, ai u ishte drejtuar lojtarëve të skuadrës së Partizanit, që asokohe drejtonte si trajner: “Ky është lojtari më i mirë i basketbollit të dy Partizanëve, atij të Tiranës dhe Beogradit”. Ndërsa me Xhorxhieviçin, Agimi sigurisht është takuar në disa raste, kur ishte ambasador apo president i Komitetit Olimpik.
Si ishte kthimi drejt Tiranës?
Ishte dëshirë imja për të parë Dibrën e Madhe, pasi unë kam lindur në Vlorë, por dibran jam. Ky ishte një rast i mirë. Devijuam për në Strugë, Resnje, Manastir, Bitola, Shkup dhe ndalëm në sheshin qendror. Gjetëm njerëz, na u afruan dhe kërkonin stema, simbole, por mbi gjithçka Fagun. Kur e zbuluan që ishte në fund të autobusit, sollën gazetën “Rilindja” dhe ia dhuruan. Është kjo që po ju jap për “Panorama Sport”, të cilën e kam ruajtur. Pastaj i morën autografe dhe u nisëm drejt Tiranës.
Astrit Greva, si u shfaqët ju në gazetën “Borba”?
Kjo është një ngjarje që e kam në kujtesë. Paraditen kur po shëtisnim me Xhorxhieviçin në Beograd, ai na kërkoi mua dhe Njazit foto të fëmijëve tanë, për të blerë diçka për ta. Unë kisha një të tillë bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Ia dhashë. Në kthim, ndalëm në Shkup, ku unë kisha hallën e moshuar aty dhe me Dodan Përmetin shkova për ta takuar
Dhe…?
Në një çast, kur ndodheshim në shtëpinë e saj, vjen bashkëshorti, një profesor, e më thotë: “Astrit keni dalë në ‘Borba'”, duke më treguar gazetën e njohur, kur në një faqe të saj shkruhej: “Astrit Greva, një diplomat i vërtetë”, dhe fotografia që i kisha dhënë Xhorxhieviçit e vendosur në mes të shkrimit. U habita, por më qetësoi burri i hallës që me pak fjalë më tregoi përmbajtjen.
Çfarë shkruhej?
Asgjë me rëndësi, përveç faktit që në një intervistë marrë Xhorxhieviçit, ai tregonte takimin me mua, duke më vlerësuar jo vetëm si trajner, por edhe për mënyrën e komunikimit, bisedat tejet korrekte që kisha bërë në lidhje me situatat, marrëdhëniet jo vetëm në sport, që sipas tij, unë i kisha trajtuar me shumë diplomaci.
Kthehemi në Tiranë. Pse nisin problemet?
Në Shkup halla më dhuroi një televizor, të cilin e mora shumë kohë më vonë pasi erdhëm në Tiranë. Disa ditë më vonë, më thërret Azis Tahiri në ministri dhe midis bisedave më pyet për vajtjen te halla. Pasi i tregova, me thotë se e kishin informuar edhe për një shkrim te “Borba”. “Nuk e di, – iu përgjigja, – por sigurisht u trondita”. “Jo, – më tha, – sa për informacion, nuk është për t’u shqetësuar”. Pak i qetësuar u largova, por mendjen e kisha te gazeta dhe pasojat që mund të vinin, por realisht nuk pata asnjë të tillë.
Dhe letërkëmbimet me Xhorxhieviçin…
Ai më ka dërguar disa letra më vonë, ndërsa unë nuk iu përgjigja asnjëherë. I detyruar ndërpreva çdo komunikim me të.
SHËNIM
Por, për Crvena Zvezdën kjo ndaj Partizanit nuk do të ishte e fundit. Pas një viti, në dhjetor të ’73- shit, klubi beogradas do të vinte sërish në Tiranë, por për Kupën e Kupave dhe kundërshtar në pallatin e sportit “Partizani” do të jetë 17 Nëntori. Një tjetër 40-minutësh historik, me të tjerë personazhe, ngjarje dhe episode që “Panorama Sport” do ta sjellë në vijim.
* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"