50 vite nga përballja me Partizanin, ish-mesfushori i Torinos: Na befasuan në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2018 | 18:51

50 vite nga përballja me Partizanin, ish-mesfushori i Torinos: Na befasuan në Tiranë

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Aldo Agroppi, sot 73 vjeç, mesfushori dhe flamuri i FC Torinos, pastaj trajner, më pas komentator sportiv. Në fushë nuk toleronte askënd, ndërsa jashtë saj është i njohur për “atë që gjuha nuk i mban”, pa pasur frikë të thotë mendimin e tij. Ka pak që ka botuar librin e fundit të tij, “Non so parlare sotto voce” (Nuk di të flas nën zë).

Për të realizuar një bisedë me të, numrin e celularit të tij na e siguroi Ze Maria, trajneri i Tiranës. “Po, e kujtoj, por në Tiranë nuk kam qenë…”, nis biseda me të. Ndonëse me probleme shëndetësore, Agroppi na ofroi këtë bashkëbisedim ekskluziv për “Panorama Sport”.

aldo agropi

Aldo, si e kujtoni ndeshjen me Partizanin?

Kemi luajtur në turin e parë për Kupën e Kupave. Unë nuk kam ardhur në Tiranë, pasi isha pak i dëmtuar. Nuk kishim asgjë të detajuar, hera e parë që luanim ndaj një skuadre shqiptare, e mendonim për tipike të Lindjes, të fortë fizikisht.

Çfarë Torinoje ishte në ato vite?

Ndonëse e mbyllëm të shtatët në kampionat, fituam Kupën e Italisë. Skuadra kishte disa lojtarë cilësorë, që luanin edhe me kombëtaren e saposhpallur kampione e Europës, si Vieri, Ferrini, Puia, por edhe Franko, argjentinasin Komben, një goleador për kohën, që në Tiranë nuk luajti.

Ju befasoi rezultati i ndeshjes së parë?

Sigurisht, nuk e prisja, pasi ndeshja e dytë mund të kishte probleme. Sigurisht që na befasoi. Por, shënuam shpejt dy gola dhe pastaj Mondiniko të tretin.

Partizani realizoi një gol në fund të lojës…

Po, por gjithsesi kujtoj se e kemi administruar me kujdes fundin, sepse edhe një gol tjetër i Partizanit na eliminonte. Në turin e tretë jemi eliminuar nga Sllovenia që fitoi kupën.

Tjetër herë me një ekip shqiptar?

Jo, asnjëherë, ajo ka qenë e para dhe e fundit.

Agroppi, faleminderit!

Janë 50 vite, shumë gjëra janë harruar. Të më falni! Komplimente që e kujtoni atë takim!

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"