19 shtator 1979, kur Murati i Partizanit bënte historinë ndaj Sëlltikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2019 | 23:48

19 shtator 1979, kur Murati i Partizanit bënte historinë ndaj Sëlltikut

UVIL ZAJMI

Ato do të mbeten dy takime të paharruara të Partizanit. Në veçanti 90-minutëshi i “Qemal Stafës”, 40 vite më parë. Goli historik i Muratit që shtangu skocezët dhe si FSHF-ja “mashtronte” UEFA-n, kur lojtarët e marrë si përforcim luanin me emrat dhe jo mbiemrat e tyre. Pasiguria e sëlltikasve për transfertën tiranase, të informuar se udhëheqësi Hoxha nuk pëlqente flokët e gjata dhe mjekrën. Befasia e numrit 7, që habiti edhe arbitrin Zlatanos dhe thesi me dollarë që britanikët i propozuan Sefedin Brahos. Presidenti Uajt: “Patëm fat që shpëtuam me një gol”.

Partizani-Selltik (1)

Rikthim europian me Vllazninë

Vetë izolimi në mesvitet ’70-’80, me pasojë 6 sezone jashtë Kupave europiane me klube, duke u kufizuar vetëm në atë Ballkanike me Labinotin, Partizanin, 17 Nëntorin, Dinamon, Vllazninë e Skënderbeun. Skuadra e parë me të cilën futbolli shqiptar rikthehet në elitën e trofeve kontinentalë, është kampionia, Vllaznia. Në turin e parë 1978-’79, do të kenë përballë Austrinë e Vjenës, me lojtarë të përfaqësueses që shkëlqeu në Botërorin argjentinas. 2-0 në “Vojo Kushi” (Zhega, Ballgjni) dhe 1-4 në Vjenë (Hafizi).

Pas Austrisë, në sezonin vijues një tjetër formacion i famshëm, perëndimor dhe i futbollit britanik do të vinte në Tiranë. Shorti i Kupës së Kampioneve në edicionin e 25-të të saj do t’i rezervonte Partizanit skocezët e Sëlltikut. E para në “Qemal Stafa” dhe pas dy javësh në Gllazgoun e largët.

Kapitenet Berisha dhe McGray (1)

Për Partizanin ishte konkurrimi i pestë në këtë trofe: 0-2 në Suedi në debutim dhe 1-1 në Tiranë ndaj Norçeping (Kraja); ndaj Spartak Plovdit 1-0 (Kraja) në “Qemal Stafa” e 1-3 (Pano) në kthim; 0-0 dhe 0-2 me Këlnin dhe në 1971, dy humbje 0-1 në Tiranë dhe 0-3 në Sofje me CSKA. Gjatë 1978- ’79, Partizani luan në Kupë Ballkanike, duke u renditur i dyti në grup, me 4 pikë pas Rijekës me 6.

Rezultatet:

Rijeka-Partizani 3-0

Janina-Partizani 3-0

Partizani-Rijeka 4-1

(Murati (2), Braho, Hado)

Partizani-Janina 2-0

(H. Ballgjini, Lika)

Ndërkohë në Shqipëri, pas 9 vitesh mungesë, në përfundim të kampionatit të 33-të 1978-’79, Partizani rikthehet në podiumin e kampionit, i 12-ti për të (i fundit në 1971). Pas tij renditen 17 Nëntori, Besa, Flamurtari, Dinamo, Labinoti që janë edhe 6 finalistët e Spartakiadës Kombëtare, ndërsa Traktori, Besëlidhja zbritën në të dytën. Listën e shënuesve e kryesojnë Murati (Par), Dibra (17 Nën) me 14 gola. Skuadra drejtohej nga Birçe e Pano dhe përbëhej nga portierët Musta e Lekbello; mbrojtësit Hysi, Meçe, Berisha, Starova, Ahmetaj; mesfushorët F. Rragami, Lame, Breca, Londo mesfushorë; sulmuesit Bushati, Hado, Gjini, Fagu, Janku, Murati, Lika, Prifti.

Në fillim të sezonit 1979-1980, në javën e parë Partizani mund 1-0 Apoloninë (gol Rragami), një takim që ka si kronikë dy shtylla të fierakëve, një rast të Muratit në fundlojë dhe Fagu e Breca që dallohen për të kuqtë. Në javën e dytë në Dinamo-Flamurtari, Ballgjni-Curri luajnë me klubet e tyre, si dhe Braho që në Luftëtari-Lokomotiva 2-1 figuron gjirokastrit. Në Shkodër, Vllaznia -17 Nëntori 1-0, Millan Baçi luan me ngjyrat bardheblu.

Përforcimet, Gurmën as djali i Hoxhës nuk e bën partizanas!

Përgatitja e Partizanit fillon më 15 qershor, pastaj 1-15 korrik në Durrës dhe tri javë të fazës përfundimtare në Pogradec. “Objektivat – siç do të deklaronte Birçe, – janë ruajtja e titullit kampion, Spartakiada dhe pjesëmarrja në Kupën e Europës në ndeshjet me Sëlltikun”. Ndërkohë, skuadra do të përforcohej me disa lojtarë, ndër ta, talenti Milto Gurma, një preferencë e vjetër e Partizanit, i shumëpëlqyer nga Birçe, por një transferim i mbetur gjithmonë në tentativë dhe ndaj Sëlltikut ky do të ishte shansi, mundësia e fundit për ta sjellë te Partizani.

Baci vs Selltik (1)

Gurma merret në grumbullim në Pogradec dhe në çastin e nisjes për Tiranë, vjen urdhri nga Komiteti Ekzektiv që Gurma të kthehet në Gjirokastër. As ndërhyrja e djalit të Enver Hoxhës, i ndodhur me pushime në Pogradec dhe as FSHF, nuk kanë mundur të bëjnë federimin që do të zyrtarizonte transferimin te të kuqtë. Përfundimisht, edhe kjo negociatë pati dështuar. Ndërkohë, ndaj Sëlltikut do të merren si përforcim disa lojtarë: sulmuesit Shyqyri Ballgjni dhe mbrojtësi Kujtim Çoçoli të Dinamos, Spiro Çuri i Flamurtarit dhe i zakonshmi Sefedin Braho i Luftëtarit, që nuk përbënte risi pasi ishte sistematik, madje në Kupën Ballkanike ndaj Rijekës kishte realizuar një gol.

E veçantë ishte thirrja për herë të parë e Ballgjinit, Çurit e Baçit. Madje në Gllazgou do të jetë edhe dinamoviti tjetër Çoçoli. Marrja “borxh”, ose huazimi “provizor” ishte një formë e modës për klubet shqiptare, një praktikë e trashëguar. Ndonëse Europa, Ballkani e njihte këtë mënyrë, ata nuk reagonin. Një edicion më parë, në Kupën e Kampioneve ndaj Austrisë, Vllaznia kishte marrë si përforcim Jani Kaçin, portierin e Skenderbeut, Safet Berishën, mbrojtësin e Partizanit dhe Shyqyri Ballgjinin e Dinamos, autor i njërit prej golave.

Vijnë Sëlltik e Aberdin me Fergusonin në stol

Me futbollin britanik shqiptarët ishin ndeshur një dekadë më parë, maj-nëntor të 1965-ës ndaj Irlandës së Veriut, ndërsa me klubet skoceze ishin dy përballje: 17 NëntoriKilmarnok në Kupën e Kampioneve 1965-’66 (0-0 në Tiranë) dhe kur në Kilmarnok projektohej Parisi si vendi ku do të zhvillohej sfida e tretë, skocezët realizuan golin 1-0 në fundlojë dhe u kualifikuan. Përballja e dytë ishte pak vite më vonë në Kupën e Kupave, sezoni 1972- ’73: Hibernians-Besa 7-1 dhe 1-1 në Durrës. “The Celtic Football Club”, i themeluar në vitin 1888, është i vetmi klub skocez që ka luajtur pa asnjë ndërprerje në Scottish Premeirship, nga viti i krijimit të saj (1890-’91) dhe bashkë me Aberdinin nuk kanë rënë asnjëherë në kategoritë inferiore.

Selltik, Qemal Stafa (1)

Në 1892-shin, Sëlltiku fitoi për herë të parë Kupën e Skocisë, ndërsa në 1893-shin kampionatin e parë. Fansat e saj njihen si “The Boys” dhe bashkë me rivalët historikë të Rejnxhers, luajnë derbin e famshëm skocez i njohur “Old Firm”, ndër më të fortët e të gjitha kohërave. Sëlltik përfaqëson komunitetin katolik të Gllazgout, ndërsa Rejnxhers ata protestantë. Bluza e Sëlltikut është e njohur në të gjithë botën për vijat e saj horizontale bardhjeshile.

Skuadra i zhvillon ndeshjet në “Celtik Park”, i treti stadium në Britani për nga madhësia, me një kapacitet rreth 61 mijë spektatorë. Titulli i fituar në sezonin 1978-’79, ishte i 31-të për klubin. Sëlltiku vinte për herë të parë në Tiranë dhe në përbërje kishte disa lojtarë të përfaqësueses, pjesëmarrëse në Botërorin argjentinas të 78-ës. Trajner ishte Billy McNeill (i quajtur Çezar), ish-futbollist dhe kapiten i Lisbon Lioncit, i cili që në sezonin e parë arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar titullin kampion në javën e fundit. Më 21 maj 1979 në “Celtic Park”, në prani të 52 000 spektatorëve, luhej derbi ndaj Rejnxheres. 4-2 ishte rezultati përfundimtar.

Në 1967-ën Sëlltik u bë i pari klub britanik që fitoi Kupën e Kampioneve, kur në finalen e Lisbonës mundi 2-1 Interin, që njihet edhe si i pari trofe që jepet kupa me veshët e mëdhenj, i konsideruar si një nga triumfet më të mëdha të historisë së klubit. Himni i skuadrës është “You’ll Never Walk Alone”. Skuadra kishte një formacion potencial, luanin futbollin e njohur tipik tradicional dhe “mbytës”. Pasi pati kaluar Partizanin, pastaj Dundalkun 3-2/0-0, do të eliminohej në raundin e tretë nga Reali me rezultatin 2-0/0-3.

Kampion do të shpallej sërish Notingam, që mundi 1-0 në finalen e “Bernabeut” gjermanët e Hamburgut, duke regjistruar një rast të rrallë, si i vetmi klub në Europë, me më shumë trofe kontinentalë se kombëtarë. Pas Sëlltikut, në 1982-shin, në raundin e parë të Kupës së Kupave, në Tiranë do të vinte Aberdeni për t’u ndeshur me Dinamon. 1-0 në Skoci dhe 0-0 në “Qemal Stafa”, kur trajner ishte Aleks Fergusoni. Aberdeni atë sezon fitoi trofeun duke mundur në finale 2-1 Realin.

Denny McGray: “Kishin frikë nga mjekra ime”

Pas një shkëputjeje disavjeçare nga futbolli europian, ndryshimeve të bujshme dhe situatave të rënduara politike, mbyllja dhe izolimi krijonte enigma, kaos dhe pasiguri për këdo që vinte në Shqipëri në atë periudhë. Aq më shumë për një klub futbolli, në këtë rast britanik, siç ishte Sëlltiku i Gllazgout. Këtë e tregon kohë më vonë futbollisti Denny McGray në “Scotsman Scottish”, gazetë informuese në sport, biznes, “lifestyle”, etj, kur ai kujton:

McGray (1)

“Gjëja e parë që na thanë në klub para nisjes për në Tiranë ishte shqetësimi për mjekrën time. U fol për frikë në aeroport për shkak të saj, duke na sqaruar se mjekrat e gjata, rroku e plot gjëra të tjera nuk pëlqeheshin nga Enver Hoxha”. Të sistmuar në hotel “Dajti”, para takimit trajneri Mknill deklaronte: “Eshtë e vështirë të parashikojmë. Partizani është një ekip i fortë, është kampioni juaj. Ndeshja me siguri do të jetë e fortë”. Ndërsa futbollistët Mekllanski me 70 takime ndërkombëtare, golashënues dhe Lenoks, sulmues i majtë në vitin e 19-të që luante aty, deklaronin: “Do të jetë shumë e vështirë për ne, nuk mund të flasim për rezultatin e saj.

Një humbje minimale ose një barazim do të ishte me vlerë”. Ndeshjen e drejton Zllatanos, njohje e vjetër… Tiranë, 19 shtator, e mërkurë… Ditë me diell dhe në mungesë të projektorëve do të nisë në orën 16:30 në stadiumin “Qemal Stafa” ku të pranishëm ishin afro 20 mijë spektatorë. Kishte një kuriozitet lidhur me arbitrin kryesor të atij takimi, grekun Nikolaos Zllatanos. Para një dekade, pikërisht në Amsterdam, në Kupën e Kampioneve ai kishte qenë një ndër arbitrat në sfidën Ajaks-17 Nëntori 2-0. Zlatanos do të rikthehet edhe një herë tjetër në Tiranë, për të drejtuar takimin Dinamo-Ajaks 0-2.

PARTIZANI: Musta, Millani, Berisha, Hysi, F. Rragami, Lame, Breca, Shyqyriu, Murati, Sefedini, Spiro (Ahmetaj). Trajner: B. Birçe.

SËLLTIK: Latchford Sneddon, Mc Grain, Aitken, Mc Adam, Conrpy, Provan, Davidson, Mc Cluskey, MacLeod (54’Doyle), Lennoks. Trajner: W. McNeill

Gjyqtarë: N. Zlatanos, G. Kifonidis, A. Karavasillis. Shënues: A. Murati min 33′

KARTONË TË VERDHË: Hysi 62′, Mc Grain 84′

Formacioni partizanas, me emra dhe jo mbiemra Ajo që të bën kurioz, janë emrat e disa lojtarëve të Partizanit, kur në formacionin zyrtar para takimit lexojmë: Millani, Sefedini, Shyqyriu, Spiro. Bëhet fjalë për Millan Baçin, Spiro Currin, Sefedin Brahon, Shyqyri Ballgjnin. Një truk i aplikuar për futbollistët e marrë si përforcim nga klubet e tjera, për të evituar e shmangur dyshime nga kundërshtarët në rastet e një reklamimi të mundshëm në UEFA.

Madje edhe gjatë transmetimit në radio, televizon, e në shtyp me të tillë emra janë prezantuar. Ndonëse njiheshin manovrat tipike, kjo praktikë që bënin klubet shqiptare, kur futbollistët identifikoheshin edhe me emrat e baballarëve, nuk ka patur reagime. Rekordin e mban Ali Mema, i cili në Turqi për Kupën Ballkanike ka luajtur me katër klube, Dinamo, Vllaznia, 17 Nëntori e Partizani, aq sa të habitur turqit, i kërkuan me humor: “Na thuaj realisht me cilin klub luan…?”

Goli spektakolar i Muratit

“E kështu arrijmë në minutën e 35-të”, shkruan Nexhat Gjuzi në “Sporti”, kur do të shënohet ai çast i paharruar i krejt takimit. Shyqyriu ka kaluar me shpejtësi nga e majta, ka krosuar me përpikmëri, dhe ndërkohë Murati ka ndjekur me vëmendje gjithçka, ka kërcyer me elegancë duke goditur me kokë topin që pushon në rrjetën e Sëlltikut. Mbrojtësit dhe portieri skocez shikojnë ndërkohë njëri tjetrin”.

Agim Murati (1)

Një gol me vlerë fitoreje ndaj Sëlltikut, me kokë, aty ku ata janë “zotër”. Mund të jetë ndër golat më spektakolarë e më të rëndësishëm të realizuar nga një futbollist shqiptar në pjesëmarrjet me klube në trofetë kontinentalë. Kush e ka parë dhe e ka jetuar nga afër atë moment, e kujton mirë çastin.

Murati, i njohur edhe si mjeshtër në lojën në ajër, i ndodhur në vendin e duhur, gjeti kohën e duhur në afërsi të zonës së 5 metrave, u ngrit lart mbi mbrojtjen shtatlartë e të njohur të skocezëve, si një kolos dhe i sigurt goditi saktë me kokë, në krahun e majtë të portierit. Dhe sigurisht, një gol që i befasoi skocezët, aq më shumë pasi nuk e prisnin të ndëshkoheshin nga “arma” e fortë e tyre.

Pak rreshta, por që nuk mjaftojnë……

E kam fjalën për protagonistin absolut jo vetëm të atij takimi, por që në vetvete përbën një kapitull të madh e të rëndësishëm për klubin dhe historinë e futbollit kombëtar. Agim Murati (1953-2005), goleadori autentik i Partizanit, një ndër shënuesit dhe përfaqësuesit autentikë të shkollës partizanase, por që fatkeqësisht nuk jeton. Përfaqësues i një plejade me futbollistë të shquar, Murati-Partizani ka qenë dhe do të mbetet një tandem 15-vjeçar i projektuar dhe i pandarë në fushë e jashtë saj. Një karrierë e lidhur totalisht me atë fanellë.

Partizani kampion 1978-1979 (1)

I ardhur në vitet 70-të, as 17 vjeç te të kuqtë, një lojtar mitik, realizues i talentuar, nuk njihtekundërshtarë, veçanërisht në lojën në ajër ku ishte “mbret”. Simbol i klubit dhe i periudhës kur luajti. Një model, kudo. Edhe në çastin kur Pano i madh u nda me futbollin, atë ditë maji në “Qemal Stafa”, legjenda kishte zgjedhur pikërisht Muratin për t’ia dorëzuar fanellën.

Ndonëse ka vite që është ndarë nga jeta, madje në moshë të re, 52 vjeç, në arkivin e klubit Partizani, futbollisti Agim Murati, ndërmjet shumë momenteve sportive të lëna si trashëgimi, ka një kujtim të jashtëzakonshëm, të paharruar, një perlë të rrallë: golin ndaj Sëlltikut!

SHËNIM: Në vijim, ndeshja e kthimit në Skoci. Nga nisja me autobus, fjetja në ambasadë në Beograd, pritja me gajde dhe flamurë në Gllazgou, pastaj 90 minuta të paharruara të rrëfyera nga vetë protagonistët, shoqëruar me foto të rralla.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"