Nga Shqipëria tek Atletiko, këto janë 600 golat e Mesit. Argjentinasi nuk di të ndalet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2018 | 13:34

Nga Shqipëria tek Atletiko, këto janë 600 golat e Mesit. Argjentinasi nuk di të ndalet

Nuk ka pengesa apo barriera që mund ta ndalin Lionel Mesin. Por edhe nëse i dalin përpara, është njësoj sikur ato të jenë të padukshme për të. Prova e fundit e ofruar nga “jashtëtokësorët” e pakët që luajnë në fushat e planetin tonë ishte ajo e kësaj të diele pasdite, kur sulmuesi i Barcelonës dhe i Kombëtares së Argjentinës e ngriti topin mbi barrierën e Atletikos së Madridit, duke festuar jo vetëm golin e 600-të në karrierë si profesionist, por në të njëjtën kohë i “ofroi” skuadrës dhe tifozërisë së tij titullin kampion në një tabaka floriri. Madhështor, fenomenal, spektakolar…

Epitetet për Lionel Mesin kanë përfunduar dhe që ai do të ishte një nga legjendat e sportit më të bukur në botë, u kuptua shumë shpejt, që në debutimin e tij mes profesionistëve dhe kampionëve të rrallë sepse, realisht, në sezonin 2004-2005, Barcelona e drejtuar nga Frenk Rajkard numëronte shumë të tillë, ndoshta më shumë sesa i nevojiten një skuadre të vetme futbolli, si Ronaldinjo, Eto, Ksavi, Iniesta e të tjerë… Por ja që për katalanasit kishte lindur një “diamant” i ri, udhëheqësi dhe lideri i padiskutueshëm i dekadës së fundit për këtë skuadër, ndonëse askush nuk mendonte që ai do të fitonte aq shpejt këto spaleta dhe vazhdon t’i meritojë ende sot. Dhe nuk po flasim vetëm për ato që në “misionet” që Barcelona i urdhëron, por edhe për Kombëtaren e vendit të tij, Argjentinën.

mesi

“PERLA” E PARË

Në stadiumin “Kamp Nou”, më datë 1 maj 2005, luhej java e 34-t e sezonit 2004-2005 të kampionatit spanjoll. Frenk Rajkard vendos të thërrasë Samuel Etonë në stol, në minutën e 86-të dhe hedh në fushë ndaj Albasetes një djalë në “panjohur”, me numrin 30 mbi shpatulla dhe një mbiemër që tashmë është sinonim i fenomenit: Mesi!

Pak minuta në dispozicion, shumë pak në dukje, por aq i mjaftuan atij që të realizojë jo një, por dy gola. Fatkeqësisht, të parin ia anulojnë për pozicion jashtë loje, por i dyti është “i ligjshëm”, është fantastik, një festë që do të tërheqë festë për shumë vite me radhë për vetë futbollistin dhe klubin e Barcelonës. Një yll i ri kishte lindur dhe Lionel Mesi ishte vetëm 17 vjeç, 10 muaj e 7 ditë, në rastin e golit të tij të parë, një gol që do të tërhiqte edhe 599 të tjerë. Nga 1 maji e në vazhdim, ai që u etiketua si “Pleshti jashtëtokësor” do të vinin një mori me gola të tjerë, shumë pak prej tyre pa peshë dhe për këtë, mjafton të pyesësh kundërshtarët që janë përballur me të.

mesi

GOLI NDAJ SHQIPËRISË

Shumë kundërshtarë e kanë pranuar hapur se të luash kundër Lionel Mesit, është një fatkeqësi. Por ndoshta, në rastin e Kombëtares shqiptare,ishte edhe një nder, pasi ata që zbritën në fushë në duelin e 21 qershorit 2011, patën mundësinë që të shijojnë nga afër magjitë e një kampioni që do të mbetet i pavdekshëm në historinë e futbollit. Dhe të paktën, në të ardhmen e tyre, kur të jenë baballarë ose gjyshër, Beqaj, Bulku, apo edhe më të rinjtë si Vila, Hyka e Muzaka do ta thonë me krenari: “Ne ishim në atë ndeshje. Ne e shijuam Mesin, edhe pse na shënoi një gol dhe na mundën 4-0”.

viktimat e mesit

SA SHUMË REALIZIME…

Gjithsesi, për Shqipërinë ajo ishte një miqësore luksi dhe do të mbetet e tillë sepse nëse duam të hyjmë në librin e rekordeve të Mesit, ka skuadra si Atletiko, Sevija, apo Reali i Madridit që kanë pësuar respektivisht 29, 28 dhe 25 gola nga ylli argjentinas. Ai numëron 224 ndeshje në të cilat ka shënuar 1 gol, në 118 raste u ka shënuar dopieta, në 38 raste tripleta, një “poker” (4 gola) në 5 raste dhe një “Poker Mbretëror” (5 gola) në një ndeshje. Por natyrisht që magjitë e fituesit të 5 “Topave të Artë” nuk do të ndalen këtu, sepse ai është vetëm 30 vjeç dhe ka ende shumë vite në karrierë mbi shpatulla. Prandaj edhe shifra e 600 golave do ta zgjerohet lehtësisht…

mesii

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"