Histori gazetarie në 90-vjetorin e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 13, 2020 | 23:40


Histori gazetarie në 90-vjetorin e kampionatit

NAMIK MEHMETI

Ndoshta ky mund të jetë një rekord ndërko mbëtar në gazetari: pra, që një gazetar ndjek, përshkruan me pendë për 51 vjet me rradhë në 51 kampionate kombëtare të shtetit të tij. Ky është rasti unikal i kolegut Besnik Dizdari, të cilit këtë jubile të rrallë të profesionit të tij ia “zbuluam” këto dit, në bisedat e shpeshta që bëj me të nga Firence ku jetoj. Ai vuri buzën në gaz dhe mandej për çudi nisi ta vlerësojë këtë rastësi, siç e quan ai.

Ndërsa unë, shok i vjetër me të qysh në adoleshencë dhe mbi të gjitha bashkudhëtar në gazetari, më pëlqen ta quaj si një lloj epoke të profesionit tonë të gazetarisë. Kështu po fiksohej se sot, në vitin 2020, kolegu ynë me firmosjen e shkrimit të tij “Fitorja e Sportklub Tiranës është fitore e historisë” (botuar më 3 gusht 2020 në “Panorama Sport”) përbën një jubile pikërisht në 50- vjetorin e përshkrimit të kampionatit të tij të parë më 1969-1970-ën.

dIZDARI-MEHMETI

– Kështu është Besnik?

– Për çudi apo për përkim, them se kështu është. Plot 50 vjet më parë edhe me shkrimin në të përditshmen “Bashkimi” të 30 qershorit 1970, ashtu si dhe prej gazetave të tjera, kurorëzohej fitimi i titullit kampion prej “17 Nëntorit”. Ishte përmbyllja e atij që po e quaj edicioni i parë i imi si kronikan, si përshkrues, si publikues në një gazetë i mbarimit të një kampionati kombëtar të futbollit në Shqipëri.

Kjo e gjitha përmes faqeve të një të të përditshmeje siç ishte “Bashkimi” i Tiranës, gazetar i së cilës isha. Këtu ka një përkim tjetër: atëhere si gazetar “nënshkrova” edhe unë, ashtu si dhe ata pak kolegë të gazetave të tjera, si kampione 17 Nëntorin dhe ja tek ndodh që edhe tash, mbas bukur 51 vjetësh gjithnjë si një gazetar “nënshkrova” edhe unë, ashtu si kolegë të tjerë të sotëm, po 17 Nëntorin, pra Sportklub Tiranën si kampione të Shqipërisë.

Edhe atëherë ishte një vit jubilar për të. Ishte 50-vjetori i themelimit të saj. Sot kur e shoh shkrimin, them se nuk ka as gjërësinë as thellësinë e duhur. Diçka e shpejtë midis lajmit dhe ndonjë afirmimi. Ende kështu e ngushtë ishte tradita e “Bashkimit” deri atëherë. Mirëpo kanë mjaftuar vetëm disa javë dhe hapësira sportive në faqet e tij thuajse shpërthen. Dhe ja që vij tek e sotmja kur shoh se sapo kam mbërritur te reportazhet, kronikat, editorialet, përshkrimet, problematikat për 51 kampionate kombëtare të Shqipërisë në futboll pa u ndalur assesi në 51 vjet rradhazi! Ose e thënë ndryshe, jam në 50-vjetorin, si të thuash, të shkrimeve të kampionatit të parë timin si gazetar: 1970-2020.

– Dhe jeni i vetmi në historinë e gazetarisë shqiptare, pra që si gazetar “kurorëzon” përmes pendës 51 kampionate në 51 vjet, pa asnjë ndërprerje, çka përbën një nga rekordet më të çuditshme të të gjithë këtij gjysmëshekulli gazetarie. Ndonëse këtu, për një çast po më mundon një mëdyshje, duke paramenduar se mund të ketë ndodhur të paktën në një vit të vetëm që të kenë munguar shkrimet tuaja përmbyllëse për ndonjë kampionat.

– Të jesh i qetë Namik. Nuk ka asnjë mungesë. Gazetat “Bashkimi”, “Sporti Popullor” (“Sporti” apo “Sporti Shqiptar” me emrat e ndryshimeve që unë kam bërë), “Tema”, “Sport Plus” që drejtova për pak kohë, “Futbolli Shqiptar”, “Panorama Sport”, pa shkuar te revista të ndryshme si bie fjala e famshmja “Ylli”, aty janë. Nuk po përmend të tjerat, sepse ka ndodhur që përveç shkrimit përmbyllës në gazetat ku punoja, shkruaja pra jo rrallë për kampionatin edhe për revista a gazeta të tjera. Ajo që ka ndodhur ndonjëherë është se në vend të një shkrimi kurorëzues të ditës së shpalljes së kampiones, mund të ketë qëlluar që ky shkrim të ishte i shkurtër, kronikal, pa afirmime e portretizime.

Dizdari Mehmeti

Vitet ’70. Besnik Dizdari dhe Namik Mehmeti (djathtas) në stadiumin “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”) të Shkodrës gjatë një ndeshjeje të kampionatit kombëtar të Shqipërisë.

Kjo po. Por mos të harrojmë se, për shembull, një javë apo dy para apo mbas përfundimit të kampionatit, kam botuar shkrime të plota që portretizonin kampionen që po mbërrinte, apo që ishte shpallur para disa ditëve. Them se më tepër se meritë, ky rast që ti e quajte epokal, në fund të fundit, është thjesht një kuriozitet profesional, një e dhënë “anagrafike” në jetën e një gazetari dhe kaq.

– Sidoqoftë, unë për vete them se kjo është disi sensacionale, ndoshta dhe jo vetëm për gazetarinë shqiptare.

– Ajo që më çudit edhe mua është kjo tjetra: si nuk ndodhi të më thotë dikush “mjaft më, lërua të tjerëve!”. Kështu që, në një farë mënyre, më duhet të vlerësoj e të çmoj fort këtë xhentilesë. Ndonëse duke shkruar unë, kjo assesi nuk do të thotë se kjo pengonte që të shkruanin të tjerët, të cilët kanë shkruar e komentuar edhe ata në vazhdimësi. Madje në gazetarinë e folur, në radio, si radiokronist, Ismet Bellova ynë i madh them se mund të ketë edhe më shumë se 50 vjet në përshkrimet e një kampionati të Shqipërisë. E kam fjalën për gazetarinë e folur.

– Të vimë tek ai kampionat i parë “i juaji”, 1969-1970, kur shkrimet rreth tij kanë qenë thuajse të përjavshme në gazetën “Bashkimi”, të shpejta, jo fort të gjata, por që do të vinin duke u zgjeruar deri aty sa s’kishte ku të shkonte më për një të përditshme shqiptare. E kjo do të vazhdonte deri më 1982- shin, kur u largove nga kjo gazetë. Sigurisht, e kujtoni mirë këtë përfundim të atij kampionati të 17 Nëntorit në 1970-n. Si ka qenë?

PO TË PËRGJIGJEM PËRMES RENDITJES SË TIJ:

  1. 17 NËNTORI / Tirana 44 19 6 1 56-10
  2. PARTIZANI / Tirana 38 14 10 2 51-19
  3. VLLAZNIA / Shkodra 35 13 9 4 34-10
  4. DINAMO / Tirana 35 14 7 5 38-23
  5. BESA / Kavaja 32 10 12 4 32-19
  6. LABINOTI / Elbasani 27 10 7 9 30-25
  7. SKENDERBEU / Korça 27 7 13 6 21-20
  8. TRAKTORI n/ Lushnja 27 8 11 7 23-27
  9. FLAMURTARI / Vlora 23 7 9 10 26-25
  10. LOKOMOTIVA / Durrësi 20 5 10 11 17-28
  11. LUFTETARI / Gjirokastër 18 5 8 13 22-41
  12. APOLONIA / Fieri 17 5 7 14 24-42
  13. TEKSTILISTI / Yzberisht 14 3 8 15 24-44
  14. NAFTETARI / Q. Stalin 7 2 3 21 9-74

– Bukur kjo kujtesë për 17 Nëntorin e Myslym Allës. Ndonëse mund të duket pak si artificiale përfshirja e kësaj renditjeje në gjininë e intervistës, por e shoh që ju keni dëshirë që këtë 50-vjetor gazetarie ta përfshini në “tregimet” për 90-vjetorin e kampionatit tonë kombëtar…

– Ashtu është. E sheh se ai ka qenë një kampionat i jashtëzakonshëm. Janë 14 skuadra. 17 Nëntori fiton me 6 pikë më shumë. Ishte viti kur ajo përmbyllte historinë e saj të madhe të 4 titujve 1965-1970. Po kujtoj këtu emrat e kampionëve të paharrueshëm, duke i renditur simbas alfabetit: Bukoviku, Bytyçi, Çela, Dhales, Frashëri, Hatibi, Hyka, Ishka, Kasmi, Kazanxhi, Konomi, Mema A., Mema O., Nurishmi, Shala, Tafaj B., Xhaçka.

Djem të rrallë dhe futbollistë të shquar. Shumica moshtarë të mi. Ti mund të shkruaje për ta, i takoje të nesërmen, teksa ata vinin buzën në gaz e të lëshonin edhe ndonjë shpoti të vogël për çka kishe shkruar. Kjo dukuri e miqësisë apo marrëdhënieve gazetar–futbollist do të më vazhdonte pa ndalë. Këta ishin djemtë e trajnerit Myslym Alla – i pakrahasueshëm, në mbështetje të të cilit do të ishte trajneri i dytë Enver Shehu, që shpejt do të bëhej i parë. Me 17 Nëntorin 1970 përfundonte cikli madhështor i kësaj skuadre me këtë titull të 1970- ës, kohë në cilën unë do të nisja rrugën e gjatë të “reporterit” të kampionateve të Shqipërisë që vazhdon ende tash 51 vjet. Ka qenë i paharrueshëm viti 1970.

17 nentori

Viti 1970. Është 17 Nëntori në çastin kur sapo është shpallur kampione e Shqipërisë. Lart nga e majta: B. Tafaj, B. Ishka, P. Dhales, P. Bukoviku, trajneri M. Alla, J. Kazanxhi, trajneri E. Shehu, A. Mema, P. Nurishmi, V. Konomi. Ulur nga e majta: G. Kasmi, A. Çela, S. Hyka, F. Frashëri, N. Xhaçka, D. Hatibi.

Futbolli i 17 Nëntorit – Sportklub Tiranës së sotme – do të kurorëzohej përmes një stili të bujshëm Europian, andej kah shtatori me 2-2-shin, për ne legjendar, me Ajaksin e Amsterdamit. E, “Bashkimi” më dha hapësirë bukur të mirë – shkrimi i vetëm i gjërë i së nesërmes të kësaj ndeshjeje në shtypin tonë. Mandej, për fat, ky 17 Nëntor që do të heshtte për bukur 12 vjet pa titull, deri më 1982-shin ku do të kthehej prap te titulli. Duke iu kthyer këtij kampionati të 1970-ës, përveç pasurisë së tij me 14 skuadra pjesëmarrëse, ai të emocionon më fort kur e sheh se sot “mendohet” se do të na mungojnë Kavaja, Elbasani, Lushnja, Vlora, Gjirokastra, Berati, Dinamo…

– Po thoni “mendohet”?… Ndërkohë që dihet dhe është e sigurt se këto qytete do të na mungojnë për stinën 2020-‘21, apo jo?

– Unë nuk them se është e sigurt. Mendoj se forcat atdhetare të mjedisit të futbollit kombëtar do të shprehin revoltën e tyre të fuqishme qysh këto javë të ardhshme për të realizuar kërkesën e tyre për shtimin e skuadrave nga 10 në 14 apo 16…

– Le të shpresojmë. Por duke iu kthyer ndalesës së 17 Nëntorit, çfarë ndodh me “pendën” tuaj gjatë këtyre 12 vjetëve pa 17 Nëntorin kampion?

– Penda vazhdon, sidoqoftë. Edhe pse më 1973- ‘74-ën, skuadra e famshme e kryeqytetit u rendit e 13-ta, por falë rregullit tejet të arësyeshëm të asokohe, ajo nuk zbriti nga kategoria, sepse kapërceu ndeshjet për mosrënie. Nuk është si sot, kur edhe pse u rendit jo e 13-ta, por e 8-ta në Shqipëri, u pa se si e vunë në pozitë tejet të vështirë Vllazninë e Shkodrës, duke “i dhuruar” një ndeshje rënieje e mosrënieje, thuajse “fantazmagorike”, ndoshta me dëshirën për ta flakur tej. Sidoqoftë në pritje të rikthimit të 17 Nëntorit kampion në 1982-shit, doemos gazetaria vazhdonte punën e saj vit mbas viti edhe për mua, teksa isha, si të thuash, reportazhisti i përjavshëm i “Bashkimit” për ndeshjet e kampionateve.

– Çfarë mund të veçoni prej tyre?

– Janë vite të paharrueshme. Edhe për faktin se kryeredaktorët e “Bashkimit”, Niko Nishku, Arqile Aleksi dhe Hamit Boriçi, do të m’i shtonin kolonat e faqeve për kampionatin. Kështu jam përshkuar nga kampionati i vitit 1971 i Partizanit i sapo shpallur edhe Kampion i Ballkanit, për të kaluar te titulli i parë i mbasluftës i Vllaznisë 1972, të Xhevdet Shaqirit e treshes R. Rragami – Zhega – Bizi, për të shkuar te Dinamo e Sabri Peqinit tri herë rresht (’75, ’76, ’77) kampione e katërshes së saj të pashlyeshme Çeço – Pernaska – Zëri – Ballgjini.

E mandej për t’iu kthyer titujve të rinj të Vllaznisë, Partizanit, Dinamos e 17 Nëntorit me plot bukurina, që do të ndikonin fort në shkrimet e mia gjithnjë e më të gjata e më të pasura për kurorëzimin e secilit prej këtyre kampionëve të pashlyeshëm.

– Kështu është mbyllur për ju Besnik dekada e parë e këtyre kurorëzimeve 50-vjeçare. Dhe sapo keni hyrë në dekadën e viteve ’80…

– Do të hyjmë te periudha e artë e këtyre 51 kurorëzimeve të kampioneve. Kjo është periudha që rivaliteti kryeqytet – Shkodër, Elbasan, Vlorë, e shndërron përtej këtyre kufijve përmbajtjen e kampionatit. Eshtë periudha 1982-1991, periudhë që ndikon fort te përkryerja dhe pasurimi edhe më tej i vetë gazetarisë sportive shqiptare. Duhej diçka tjetër. Lind emisioni i bujshëm “Nga njëra ndeshje në tjetrën” i Ahmet Shqarrit në Radio Tirana, ndërkohë që rubrika televizive e RTSH-së e drejtuar nga Vladimir Grillo bëhet gjithnjë e më popullore, pa harruar që komenti i së dielës në mbrëmbje i Ismet Bellovës, me pararendës Anton Mazrrekun e madh, mbetet si gjithnjë emblema radiofonike.

– Eshtë periudha (1982-1999) kur jeni kryeredaktor i “Sportit Popullor”, që do ta shndërronit në “Sporti Shqiptar” …

– Ndoshta asnjëherë tjetër kampionati kombëtar nuk ka qenë më i rëndësishëm se sa në këto vite. Janë ndër kampionatet më të bukura. Mbrenda një 10- vjeçari kemi 5 kampione të ndryshme: Vllaznia e Shkodrës 1983, Labinoti i Elbasanit 1984, 17 Nëntori i Tiranës 1985, Dinamo 1986, Partizani 1987, 17 Nëntori dy herë 1988, 1989, Dinamo 1990. Dhe ja Flamurtari 1991 – kufiri midis dy epokave të regjimit dhe demokracisë.

– Dhe si asnjëherë kampionatet e Shqipërisë nuk ishin përshkruar aq gjerësisht në gazetën “Sporti Popullor” që arrin 75.000 kopje për numër, të gjitha abonime dhe të shitura, e madje me botimin ditën e hënë, pra 24 orë mbas përfundimit të ndeshjeve të kampionatit dhe menjëherë dy herë në javë. Sot kjo mund të duket pak. Por duhet të futesh në asokohe…

– Do të ndodhë që për herë të parë në histori në asnjë javë të mos mungojnë skedat emërore dhe statistikore të ndeshjeve. Po të duash, po fiksoj edhe ditën kur kjo nisi për të mos munguar kurrë më. Ka qenë numri i “Sportit Popullor” i 23 marsit 1982. Ndeshjet ishin këto: Tomori – Labinoti 1-0, 24 Maji – Flamurtari 0-2, Naftëtari – Vllaznia 1-1, Luftëtari – Dinamo 0-1, Besëlidhja – 31 Korriku 1-0, Partizani – Besa 1-2, 17 Nëntori – Lokomotiva 2-1. Shtatë skeda të plota me rreth 300 emra. Duket krejt normale, por po kujtoj se për vite të tana kjo ka qenë një mungesë e madhe e informacionit të shtypit sportiv shqiptar. Mjafton të kujtosh se në kampionatin 1969-‘70, të parin “tim”, siç e komentuam më sipër, vetëm dy skeda të ndeshjeve të 17 Nëntorit – kampion, janë botuar në gazetë!

Dy dhe vetëm dy! Tash ato nuk do të mungonin më kurrnjiherë. Dhe të mos harrojmë: gjithçka me shtypshkronjat primitive të plumbit, kur titulli i shkrimit rradhitej me dorë, germë për germë. As me linotip pra. Ndërsa kompjuteri ishte ende vite-dritë larg për të mbërritur në Shqipëri. Në Kosovë kishte mbërritur ndërkaq! E kuptoja këtë, ndërsa me një autorizim lexoja në Bibliotekën Kombëtare “Rilindjen” e Kosovës, e cila, sidomos ditën e hënë kishte shtojcën e saj sportive në disa faqe tejet tërheqëse. Vuaja fort, teksa e kuptoja se unë e shokët e mi nuk mund t’i kishim këto mundësi…

– Dhe thuajse çdo javë pa munguar komenti juaj.

– Një detyrë dhe kënaqësi e pashlyeshme profesionale, por në tanësi “herojtë” ishit ju, bashkëpunëtorët skrupulozë në qytetet e Shqipërisë, që patëm. Keni qenë çdo javë në faqet e gazetës. Me kronikat që po i quaj “të natës”, përmes telefonave antikë, në shumicën e rasteve nga zyrat e postës.

– Dhe ruajna zot po të dilte ndonjë emër, minutë a rezultat gabim!… Mandej java që mbyllej gati përherë me komentin përmbarues tuajin, ate që ende ne nuk i thonim editorial. Por jo rrallë edhe me shkrime analitike ose kritike, madje edhe tonat. Sidomos për arbitrat, kritika që çonin peshë mjedisin futbollistik.

– Jo si sot që kalojnë aq lehtë. Madje deri te korridoret e Komitetit Qendror të Partisë, i mbushur edhe ai me tifozë kryeneçë, shumica të Partizanit e Dinamos, të cilët jo rrallë nuk nguronin të hapnin derën e Sektorit të Shtypit për të protestuar. Protesta që herë-herë mbesnin aty e herë mbërrinin deri te telefoni im… Pa harruar letrat kërcënuese që vinin herë me emër e herë pa emër, që ti i kujton mirë, siç i bisedonim bashkë rregullisht…

– E vërteta është se kalimi i titujve kampionë te qytetet, kryeqyteti nuk po e pranonte…

– Ashtu ishte. Por ne vazhdonim punën tonë.

– Kam përshypjen se ky ndryshim, që po më pëlqen ta quaj një lloj revolucioni edhe në gazetarinë tonë gjithsesi modeste, solli pra edhe vitet “shpëtimtare” ’90. Kujtoj me jo pak nostalgji se fitimi i titullit kampion të Flamurtarit më 1991-shin – ky për herë të parë – dhe të Vllaznisë në 1992-shin përbëjnë një si të thuash rinim të mëtejshëm të vetë shkrimeve tuaja kurorëzuese të skuadrës kampione. Nuk mund të harroj shkrimet për Flamurtarin 1991…

– Padyshim. Sepse erdhi demokracia. Buja e titullit të Flamurtarit në 1991-shin për herë të parë ka qenë e papërshkrueshme. Tashmâ, mbas shpërthimit në kupat e Europës me Partizanin e Beogradit e Barcelonën (1986, 1987), titulli vlonjat nuk duhej të vononte më tej. Dhe erdhi. Kanë qenë tri shkrime përmbyllëse, që po i quaj “vlonjate” në tre numra rresht të gazetës, për mua të paharrueshëm për jehonën që patën… Titulli ishte “Pasi Flamurtari fiton titullin e parë” dhe me foton gjigante gati në gjithë faqen e parë. Tash ky Flamurtar qenka në Kategorinë e Dytë!…

– Një vit më vonë, 1992, Vllaznia që u quajt kampione e parë e demokracisë. Dhe përshkrimi juaj i titullit me një poezi të famshme të Martin Camajt për Shkodrën…

– Sigurisht, gazetaria nuk është letërsi, por të paktën mund ta pranojmë se të vërtetat e paluejtëshme të kronikave të vetë kësaj jete që ne e quajmë futbollistike apo sportive, doemos që lidhen edhe me letërsinë. Aq më tepër kur mendon se ndeshjet e futbollit janë drama, madje janë drama herë lirike e herë epike, do të thoja. Kujtoj që shkrimi përmbyllës me titull “Vllaznia – Emblema e Qytetit të Veriu”, u ndoq edhe me karikaturën e Bujar Kapexhiut, që ka qenë tejet i pranishëm në gazetën tonë sportive. Ndonëse premiera ka qenë e karikatura e rrallë për Vllazninë e mëparshme nga i përkujtueshmi Tef Palushi.

– I kujtoj fort mirë këto shkrime, e kësisoj nuk ndalin. E gjitha kjo vazhdimësi, natyrisht është meritë e madhe.

– Në këtë rast duhet thënë se është merita e gazetave të përditshme që më hapën faqet e tyre mbas dorëheqjes nga “Sporti Shqiptar”. Në fund të fundit, nuk mund të harrojmë se kishte ardhur e plotë edhe liria e shtypit dhe them se erdhi edhe liria e pasqyrimit më të plotë e më të lirshëm edhe i gjithë kampionateve që po vinin.

– Doemos. Janë aty të gjitha shkrimet përfundimtare të këtyre 51 edicioneve të 90 vjetëve kampionat të Shqipërisë. Pra 51 nga 81 kampionate. Kë mund të veçoni në tanësinë e këtyre 51 kampionateve?

– Për mua janë 84 kampionate. Nuk mund të hiqen nga historia tri kampionatet e luftës (1939, 1940, 1942), të cilat unë e ti sigurisht nuk i kemi përjetuar.

– Të cilave ju u keni kushtuar librin e tretë ekskluziv “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”. – Ka qenë një detyrim atdhetar. Duke u kthyer te pyetja yte, them se e kam të vështirë ta përcaktoj. Diçka kujtuam e veçuam së bashku në këtë intervistë, por ajo që duhet spikatë, mendoj se është veçimi i tri periudhave të kësaj gazetarie. Periudha e parë, ajo e viteve 70’, kur kryeredaktorët e mi të paharrueshëm më dhanë hapësirën e gjërë për të pasqyruar kampionatet. Ata themeluan për Shqipërinë hapësirën më të gjërë se asnjëherë tjetër të temës sportive kombëtare për gazetat e përditshme…

– Kjo është një periudhë e cila mendoj se mban në këmbë strukturën e librit tuaj të fundit “Sabah Bizi… dhe brezi i tij” i mbështetur jo pak në shkrimet tuaja të vetë periudhës, pra ato të “Bashkimit”.

– Periudha e dytë, është ajo e viteve 80’, kur si kryeredaktor tash gjithçka e përcaktoja vetë. Doemos pa harruar Partinë që e kisha mbi krye edhe unë… Mandej vjen periudha e tretë, ajo e viteve ‘90, që ishte shpërthyese me përmbysjen e regjimit. Çka nuk ndal më deri sot e kësaj dite.

Këtu tash shkrimet e mia, por jo vetëm të miat, pasurojnë historitë e plota të kampionateve të Shqipërisë, gjithnjë duke risjellë pa droje në skenë themeluesit, protagonistët e kampionateve të mëparshme, pa frikësime në përmendjen e emrave, çka regjimi nuk të lejonte assesi. Sidoqoftë, veçohen qartë herët e para të titujve të Flamurtarit të Vlorës 1991, Labinotit të Elbasanit 1984, Teutës së Durrësit 1994.

Mbi të gjitha, 6 titujt radhazi të Skenderbeut të Korçës 2011-2016. Doemos pa harruar risinë e bujshme të titullit të KF Kukësit 2017 i paraprirë nga një lloj shpërthimi i tij deri në Kupat e Europës. E më tej rikthimin e Partizanit te titulli, çka besoj se kanë zënë një vend të madh në shkrimet e mia përmbyllëse të titujve, të ngjarjeve të tjera të tyre.

– Vetëm kaq? Sepse më duket që edhe këtu ka një “por”, apo jo?

– Eshtë “por”-i i mungesës së protagonistëve të mëdhej për ne, të skuadrave të qyteteve tradicionale të futbollit. Kjo, të paktën mua, dashtë pa dashtë m’i varfëron përshkrimet, analizat, komentet e kampionateve. Duke shkuar te një lloj statistike “origjinale”, më vjen shumë keq që më janë bërë 5 vjet që në shkrimet e mia nuk mund ta përmend apo ta komentoj skuadrën e Elbasanit, 6 vjet atë të Kavajës, 7 vjet atë të Beratit dhe plot 8 vjet atë të Dinamos – kjo 18 herë kampione e Shqipërisë!

Këtë e përjetoj si një nga mangësitë e mëdha edhe për shkrimet. Kam pasë një ndërlidhje tejet të ngushtë me ngjarjet, bukuritë, kthesat, arritjet e këtyre qyteteve, e këtyre skuadrave që në këto pesë dekada kanë qenë protagoniste të paharrueshme të shkrimeve të mia. Eshtë e çuditshme se si ka mundësi që nuk ndjehet e tronditur për këto rënie Federata Shqiptare e Futbollit? Si nuk e kupton se do të mbetet në histori si Federata që krijoi një nga varfëritë më të bujshme qytetare në jetën po qytetare të kampionateve të Shqipërisë?… Dhe ky “por” vjen e thellohet mandej për shkak të dëshirës ende të parealizuar të shndërrimit të kampionatit kombëtar të Shqipërisë në biznes.

Rruga drejt këtij shndërrimi ndikon edhe në stilin e gazetarisë rreth tij. Kjo do të thotë se kampionati nuk të duket më aq fort si një dukuri sociale, si të thuash demografike, atdhetare, një dukuri sociale ende e munguar e qyteteve tona, pra. Nuk gaboj kur them se kampionati i Shqipërisë është mposhtur prej kampionateve të shteteve të huaja.

Eshtë një lloj shkombëtarizimi me një “fajtor” të madh: televizionet komerciale të futbollit, siç po guxoj t’i quaj. Kjo ka ndikuar jo pak edhe në gazetarinë tonë. Më ka bërë shumë përshtypje jehona e madhe që iu bë këto ditë në Shqipëri, sidomos në televizione, ndërrimit i trajnerit të Juventusit Sarri me Pirlon, çka nuk përbën një problem shqiptar. Eshtë e pafalshme që të mbërrihet deri aty saqë në lajmet kryesore të ditës ky “episod” italian të jetë lajm sportiv kryesor në më shumë se një televizon shqiptar!

Dhe shiko se ku kemi mbërritur: sapo kanë zbritur një kategori më poshtë Flamurtari i Vlorës dhe Luftëtari i Gjirokastrës. Që i shtohen Kavajës, Elbasanit, Beratit, Dinamos, Lushnjës. Tash më thuaj, a doli prej ndonjë ekrani televiziv një editorial apo analizë për këtë humbje të re të kampionatit të Shqipërisë? Mirëpo, pa pikë droje, unë pashë se shqetësim më të madh kishte për eliminimin e Juventusit të Italisë nga Liga e Kampioneve. Absurde! Një shembull tjetër ishte tash së fundi, kur një televizion në lajmet kryesore u ndal gjatë tek eliminimi i Interit në Ligën e Kampioneve.

Në lajmet kryesore të ditës pra! Jo në një rubrikë sportive. Dhe jo në Itali, shtet të cilit i përkasin këto skuadra, por në Shqipëri. Dhe vetëm mandej ky televizion u kujtua të njoftonte për shortin e skuadrave shqiptare, të kombit të tij për edicionin e ri të kupave të Europës. Ja ku kemi mbërritur: me sa duket, e quajnë Interin e Milanos si Interin e Tiranës.

– Në mos gaboj, keni premtuar para do kohe se do të përimtosh këtë situatë të rënies së futbollit të skuadrave të qyteteve tradicionale…

– Sigurisht që do ta bëj, siç ti e di, për të njëqindtën herë. Madje fort dhe duke akuzuar me fakte edhe për mosatdhetari. Por këtë kritikë, tashmâ globale, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm. Por shumë. Nëse shumica e gazetarëve heshtin, më e pakta ata meritojnë të quhen përfaqësues të një gazetarie servile, që në gazetarinë sportive shqiptare nuk ndodhi të jetë e tillë as në gazetarinë e regjimit që kaloi. Përveçse dhe fajtorë. Sepse shtypi është pushteti i katërt, siç dihet.

– E megjithatë shkrimet, editorialet, përshkrimet do të ecin në rrugën e tyre, apo jo?

– Doemos. Veçse ka rëndësi se në çfarë rruge dhe si do të ecin…

– Ndërkohë, a mund të më thoni për lexuesit diçka për marrëdhëniet tuaja me protagonistët e shkrimeve në gjithë këto 51 vjet?

– Në vitet e para të mia si gazetar, protagonistët e kampionatit ishin moshatarët e mi, shokët e adoleshencës e të rinisë. Mandej erdhën të tjerë. Ne vazhduan njëlloj, duke respektuar rregullat e profesionit tonë. As unë për vete nuk mund të them se kam qenë i përkryer, ose i pagabueshëm, e ndoshta jo përherë objektiv. Subjektivizmi është pjesë e profesionit tonë. Por kurrë me synim e qëllim. Kemi qenë kritikë ndaj të metave. Hatërmbetje ka pasë, natyrisht, por kurrë dhe asnjëri nuk kaloi caqet e një etike e të një njerëzie. Protagonistët e shkrimeve të mia kanë qenë të mrekullueshëm. Futbollistët me një farë ndrojtjeje bënin vërejtjet. Trajnerët po e po, por kurrë nuk cenonin falënderimet dhe respektin për punën që bënim.

Në këto 51 kampionate dhe tituj të kampionit, bashkudhtar dhe përshkrues i të cilëve jam, ruaj respektin më të madh për trajnerët M. Alla, L. Boriçi, Xh. Shaqiri, S. Jareci, S. Peqini, D. Shehu, B. Birçe, S. Lubonja, E. Shehu, R. Rragami, F. Jorgaqi, F. Frashëri, N. Bajko, Sh. Rreli, E. Liçaj, A. Hafizi, S. Starova, H. Ballgjini, Sh. Muça, S. Mema, H. Dedja, D. Haxhiosmanovic, F. Sejdini, E. Hadziabdic, K. Alimehmeti, M. Josa, L. Sengla, I. Daja, A. Canaj, B. Sliskovic, A. Kola, A. Tafaj, Sh. Duro, S. Levy, E. Gjoka, S. Gega, Ar. Mema, J. Ahmataj, E. Egbo. Pata kënaqësinë t’i përmend të gjithë trajnerët – kampionë të këtyre 51 viteve të shkrimeve të mia (pra edhe ata të cilët në rrugën e titujve të fituar kanë drejtuar qoftë edhe një ndeshje të vetme skuadrën kampione), duke i vendosur simbas rradhës kur ata kanë fituar për herë të parë titujt e kampionit me skuadrat e tyre. Kësisoj, përveçse në historinë e Shqipërisë së futbollit, kësisoj ata janë të “praruar” edhe në arkivin tim.

– Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me dekret të posaçëm ju dha titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Madje së bashku me tre gazetarë të tjerë të shquar, Ismet Bellovën, Ahmet Shqarrin, Vladimir Grillon. Për ju në veçanti a ka të bëjë paksa ky nderim edhe me këtë jubile të 51 vjetëve rradhazi me përshkrim dhe kurorëzim me pendë të 51 kampionateve të Shqipërisë?

– Nuk e besoj. Fort e rëndësishme është se Presidenti Ilir Meta nderoi si askush tjetër në tanësi gazetarinë sportive shqiptare në ditën ndërkombëtare të saj, ate të 2 korrikut, duke bërë për herë të parë në histori një mirënjohje që kësisoj shteti shqiptar kurrë nuk e kishte bërë për gazetarinë sportive. Kësisoj, ai i dha një rëndësi dhe vlerësim të jashtëzakonshëm gazetarisë sportive shqiptare, popullaritetit të madh të saj. Eshtë një nderim i madh që i kujtoi kulturës shqiptare se gazetaria sportive nuk është e “kategorisë së dytë”, siç rëndom përcakohet shpesh në Shqipërinë tonë. Në të vërtetë ajo është “purissimo” e “Kategorisë së Parë”. Dhe jo vetëm me katërshen e saponderuar, por edhe me të tjerë…

ilir-meta-675x450

– Dhe pyetja e fundit: a ju ka shkuar ndërmend që të paktën editorialet përmbyllëse të 51 kampionateve të këtyre 51 vjetëve t’i përmbledhësh në një libër?

– Kjo po të shkon ndërmend ty, mua jo. Sidoqoftë, do të dilte një libër me nja 300 faqe, ndoshta jo i një rëndësie të madhe, megjithatë. Ndonëse prapë se prapë, një rëndësi do ta kishte: rëndësinë historike ku do të kuptohej se si eci ky editorial apo koment e përshkrim i një gazetari në dy kohë të dy sistemeve: atij të regjimit dhe këtij të demokracisë…

tIRANA

– Ju falenderoj për intervistën, Besnik.

– Ju falenderoj unë, ty Namik dhe gazetën “Panorama Sport” për nderin që më bëtë. Le të shpresojmë se ky bashkëbisedim midis kolegësh e bashkudhtarësh të vjetër të gazetarisë sportive, do të pëlqehet sadopak. Sidomos prej gazetarëve të rinj.

* Firence – Tiranë. Gusht 2020. Bashkëbisedimi u realizua përmes pyetje–përgjigjeve në “e-mail”




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com