Histori me Enzo Bearzotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 22:23

Histori me Enzo Bearzotin

Nga LLUKA HEQIMI

lluka heqimi

“Di lui ho sempre ammirato la profonda cultura, il modo di vivere, i suoi alti valori umani e morali, l attaccamento alla bandiera e la capacita di gestire il grupo dei giocatori con la fermezza di un capo e la bonta di un padre”.

“Ndaj tij kam admiruar gjithmonë kulturën e thellë, mënyrën e të jetuarit, vlerat e tij të larta njerëzore dhe morale, lidhjen e tij me flamurin dhe aftësinë për të menaxhuar grupin e lojtarëve me vendosmërinë e një drejtuesi dhe mirësinë e një babai”.

Azegli Vicini

S’e kisha takuar ndonjëherë person alisht Enzo Bearzotin. Ishim në kursin e 8-të UEFA-s në Makolin të Zvicrës në janar të vitit 1981. Delegacioni ynë përbëhej nga Loro Boriçi, trajner i ekipit përfaqësues të futbollit, dhe unë. Enzo erdhi të takojë miqtë e tij italianë, të cilët ishin duke biseduar me ne. Ishte i gjatë, elegant, i komunikueshëm, një person të cilin nuk do të mundem ta harroj për atë që na transmetoi, në ato pak orë që i ndamë së bashku në hollin e qendrës sportive të Makligenit, aty ku ishte zhvilluar Kampionati Botëror i futbollit të vitit 1954.

bearzot

Na u afrua vetë dhe asokohe kjo nuk ishte diçka që ndodhte shpesh, menjëherë e hapi bisedën për Boriçin tonë, duke e kujtuar atë si ish-lojtarin e shkëlqyer të ekipit italian të Lacios. Hunda pak sa e shtypur prej boksieri dhe llulla që mbante në cep të buzës ishin shenjat e tij karakteristike. Ai dru i lakuar, kur kapej në dorë lëvizte bashkë me gishtërinjtë e tij sikur donte të shkruante.

– “Boriçi ka qenë një lojtar shumë i madh, i cili nuk më ka lejuar të luaj futboll”, – foli Enzo me një nënqeshje mjaft tërheqëse, duke shprehur simpatinë e tij për Loron.

– “Ja ku e keni”, – i thashë unë, ndërsa ndjeva një gëzim të paimagjinueshëm. M’u duk se ky moment ishte sa i Loros, aq edhe i kombit tonë.

Ai u ngrit dhe fillimisht e përshëndeti me pak drojë Loron e më pas iu hodh në qafë. Ky Enzo që po shihnim, duke shprehur simpati e gëzim, dukej se nuk kishte lidhje me Enzon e pankinës, ku ai vishte një maskë serioziteti gjatë ndeshjeve të vështira të futbollit.

Një nga shoqëruesit e tij, Antonjoni mundi të qëndrojë më shumë me ne. Në një vizitë të planifikuar në një nga kantinat e verës që ndodhej aty pranë, ku tregoheshin shërbimet sezonale të rrushit dhe prodhimi i verës ai na shoqëroi. Këtu na dhuruan një gotë të veçantë që kishte të shkruar adresën e kantinës dhe gdhendje të veçanta që tregonin detaje të saj. Ngaqë Enzo nuk ishte aty, Antonjoni m’u drejtua dhe më tha:

– “Dottore, a mund të marrësh veç gotës tënde edhe një për Enzon, sepse unë do të marr dy dhe për mikun tim që nuk është këtu”.

– “Po – i thashë – do ta bëj”. U futa edhe një herë në radhë dhe mora gotën me shumë drojë dhe ia dhashë.

– “Hej, – tha ai, – kjo gotë do të jetë në kristalierën e Bearzotit, një tifoz i madh reliktesh dhe këtë ia solli Luka Albanese”. U gëzova në njëfarë mënyre dhe droja ime kur mora edhe një gotë tjetër nuk kishte pasur ndonjë farë kuptimi. Bearzoti u gëzua shumë kur hapi kutinë dhe pa gotën.

– “Grazie Luka”.

– Luka a e shikoni ju Italinë?- më pyeti.

Dita e madhe e fitores

– Po, iu përgjigja, duke pasur parasysh kanaçet tona.

– Kur të përshëndes ndonjëherë direkt nga ekrani ta dish që atë përshëndetje e kam për ju.

Nuk e di pse, por përshëndetjet e Bearzotin në çdo ndeshje unë gjithmonë i personalizova. Sot mjeshtrin e madh e kujtoj me shumë dashuri, jo vetëm për atë që i dha Italisë dhe botës, por edhe ato pak momente dhe kujtimesh që ndamë mes nesh.

Deri këtu për mua ishte shumë. Unë jam tifoz me Brazilin dhe Anglinë dhe pas kësaj historie isha bërë tifoz edhe me Enzo Bearzotin dhe Italinë e tij. Do të plotësoja një dëshirë të kisha një foto me Bearzotin, por ishim në kohën kur fotot nuk bëheshin kaq lehtësisht si tani dhe nuk mund të ekspozoheshin.

immagini archivio

Enzo Bearzoti i lindur me 26 shtator 1927 në Aiello del Friuli, ndërroi jetë në Milano më 21 dhjetor 2010, në moshën 83- vjeçare.

Kështu e kishte menduar vdekjen kampioni i madh i botës, Enco Bearzoti, në fushë me topin dhe llullën që nuk e ndante nga dora.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"