10 klubet e mëdha me shpenzimet më rezultative në merkato në 10 sezonet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2022 | 20:14

10 klubet e mëdha me shpenzimet më rezultative në merkato në 10 sezonet e fundit

NGA EDUARD ZALOSHNJA

Në futbollin modern të viteve të fundit nuk është më ndonjë sekret fakti se sukseset janë të gjitha fryt i një pune të jashtëzakonshme profesionale, por edhe i një sasie kolosale parash të investuara. E kur flasim për shpenzimet e bëra e të konvertuara në suksese, natyrisht që vëmendja është përqendruar te ligat më të forta në Europë.

Merkato

Po flasim për Anglinë, Spanjën, Italinë, Gjermaninë e Francën. Në lojë janë afro 100 skuadra, por pesë ligat më të forta të futbollit në Europë, 10 klube janë shquar më shumë në 10 sezonet e fundit. Ato janë edhe klubet që kanë shpenzuar më shumë në merkato për lojtarë të nivelit të lartë.

Pa folur për emra të përveçëm, lista është vërtet e gjatë. Por të gjithë shtrojnë një pyetje bazike që ka të bëjë me faktin nëse këto shpenzime në sigurimin e trofeve madhorë, si titujt kampionë kombëtarë apo europianë (që u sjellin klubeve edhe të ardhura të majme) janë përkthyer vërtet në suksese. Le t’i analizojmë një nga një duke filluar nga klubi që ka shpenzuar më shumë në merkato në 10-vjeçarin e fundit, kampionët në fuqi të Anglisë, Mançester Siti.

1- Mançester Siti (Angli)

Shpenzimet në merkato: 1.66 miliardë euro Trofe madhorë: 6 (6 tituj në Premier Ligë) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 276.7 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Xhek Grilish (117.5 milionë euro)

2-Juventus (Itali)

Shpenzimet në merkato: 1.63 miliard euro Trofe madhorë: 9 (9 tituj në Serinë A) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 181.1 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Kristiano Ronaldo (107 milionë euro)

3-Çelsi (Angli)

Shpenzimet në merkato: 1.58 miliard euro Trofe madhorë: 4 (2 tituj në Premier, 2 tituj në Ligën e Kampioneve) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 395 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Romelu Lukaku (103 milionë euro)

4- Barcelona (Spanjë)

Shpenzimet në merkato: 1.53 miliardë euro Trofe madhorë: 6 (5 tituj në La Liga, 1 Champions) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 255 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Osman Dembele (140 milionë euro)

5-Paris SG (Francë)

Shpenzimet në merkato: 1.41 miliard euro Trofe madhorë: 8 (8 tituj në Ligën franceze) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 176.3 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Nejmar (222 milionë euro)

6-Mançester Junajtid (Angli)

Shpenzimet në merkato: 1.34 miliard euro Trofe madhorë: 2 (1 Premier, 1 Europa League) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 671.4 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Pol Pogba (105 milionë euro)

7-Atletiko Madrid (Spanjë)

Shpenzimet në merkato: 1.14 miliard euro Trofe madhorë: 4 (2 La Liga, 2 Europa League) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 286.2 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Zhoao Feliks (127.2 milionë euro)

8-Real Madrid (Spanjë)

Shpenzimet në merkato: 1.1 miliard euro Trofe madhorë: 8 (4 tituj në La Liga, 4 Champions) Shpenzime për trofe madhor të fituar: 137.5 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Eden Hazard (115 milionë euro)

9-Liverpul (Angli)

Shpenzimet në merkato: 1.09 miliard euro Trofe madhorë: 2 (1 titull në Premier, 1 Champions) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 545 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Virxhil van Dajk (84.7 milionë euro)

10-Bajern Mynih (Gjermani)

Shpenzimet në merkato: 799 milionë euro Trofe madhorë: 12 (10 tituj në Bundesligë, 2 Champions) Shpenzime për trofe madhorë të fituar: 66.6 milionë euro Blerja më e shtrenjtë: Lukas Hernandez (80 milionë euro) Po cili ka qenë klubi që ka qenë më rezultativ në sigurimin e trofeve madhorë me më pak shpenzime në merkato? Meqë jo të gjithë trofetë madhorë janë të barabartë për nga vështirësia, duhen përdorur koeficientë të ndryshëm për secilin prej tyre.

Këtu na vjen në ndihmë portali statistikor amerikan “https://fivethirtyeight.com/”, i cili është i specializuar në analiza sondazhesh politike dhe statistika sportive. Bazuar në probabilitetet e vështirësisë, ky portal i jep fitimit të Ligës së Kampioneve koeficientin 2 (në skajin më të lartë) dhe koeficientin 1 Ligës franceze (në skajin më të ulët).

Me fjalë të tjera, vlerësohet statistikisht se është dy herë më e vështirë të fitosh Ligën e Kampioneve në Europë sesa Ligën 1 në Francë. Duke përdorur koeficientet e “fivethirtyeight.com” dhe shpenzimet e mësipërme në merkato mund të llogaritet se sa u është dashur të shpenzojnë klubet për një trofe madhor të konvertuar.

RENDITJA KLUBET

Shifrat vendosin në krye të listës së klubeve dhjetë herë kampionët radhazi të Gjermanisë, Bajern Mynih. Ndonëse është klubi i fundit në shpenzime mes dhjetë më të mirëve, Bajerni qëndron në krye të listës në raportin e shpenzimeve të bëra dhe të përthyera në suksese. Teksa Mançester Siti, klubi rekordmen për shpenzime, qëndron vetëm në vendin e pestë në këtë listë të konvertuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"