Nga Dede te Bejzade, flasin titullarët e Elbasanit kampion të 2006-ës: Ju tregojmë sekretet e suksesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2019 | 21:16

Nga Dede te Bejzade, flasin titullarët e Elbasanit kampion të 2006-ës: Ju tregojmë sekretet e suksesit

Atë sezon, të gjithë pa përjashtim dhanë një kontribut të madh për titullin e dytë të Elbasanit në histori, që nga trajneri Ilir Daja e deri te lojtari më i fundit në stol. Ja si e kujtojnë sot atë sukses disa nga protagonistët:

Elbasani kampion

NEVIL DEDE – “Janë vite shumë të bukura, për më tepër që i gjithë qyteti e përjetonte çdo javë, sa mbaronte një ndeshje, nga e hëna deri në ndeshjen tjetër, gjithë qyteti aty e kishte mendjen. Një nga faktorët kryesorë që fituam titullin atë vit ishte mbështetja e të gjithëve, jo vetëm në qytet, por edhe nga rrethinat përreth. Të vjen keq kur sheh që ajo mbështetje apo dashuria që njerëzit kanë për futbollin në Elbasan, të mos i përkthehet si një ekip konkurrent. Kushtet i ka të gjitha dhe të bën të ndihesh keq që ai qytet nuk ka një ekip të mirë për ata banorë aty, të cilët e përjetojnë shumë. Çdo vit këtë periudhë, me miqtë diskutoj gjithnjë se do të vijë një ditë që do bëhet ashtu siç ka qenë, ku unë shpresoj dhe mendoj se do bëhet si dikur”.

elbasani 2006

SKERDI BEJZADE – “Grupi për t’u shpallur kampion u formua në vitin e parë, kur ne u shpallën nënkampionë me trajner Artan Bushatin. Në fakt, atë vit nuk na lanë që ta fitonim titullin, sepse na e bënë me hile gjithandej. Në Durrës që e mbyllëm në barazim, arbitër ka qenë Sokol Jareci, një nga më të mirët, ku pas një goditjeje këndi shënojmë gol, por arbitri mbyll ndeshjen. Dy pikë të lëna aty, dy të tjera në Rrogozhinë, u lanë pikët dhe u shpall Tirana kampione. Për mua, që atë vit ne ishim për kampionë, edhe tifozërinë e fituam atë vit. Më pas vitin pasardhës ishte më e lehtë dhe fituam me meritë të plotë, për më tepër që nuk na e bënin më me hile, sepse e bënë një sezon më parë baltë. Sa për tifozët çfarë të them, na kanë respektuar gjithnjë dhe ia kemi kaluar të gjithë shumë mirë. Edhe sot e kësaj dite kam shumë miq në Elbasan. Një ditë jam i bindur se do rikthehet aty ku duhet ky klub”.

ELVIS KOTORRI – “Kanë qenë dy vite të mrekullueshme, me një adrenalinë të veçantë. Nuk është se ndodh përditë të dalësh kampion dhe ishte diçka e paharrueshme si për ne lojtarët edhe për sportdashësit. Mbaj mend në qytet që ishte një atmosferë e jashtëzakonshme, ku në çdo vend flitej për Elbasanin. Nëse ekipi i atyre viteve do të ishte aktualisht, patjetër që do të ishte rivalizues edhe tani, pasi ishim skuadër e mirë. Në atë periudhë çdo ndeshje ka qenë e veçantë për të gjithë dhe nuk mund të veçoj asnjë. Me pak fjalë, në tërësi ishte një vit i veçantë. Sa i përket gjendjes tani, nuk e di se çfarë po ndodh, por shpresoj që gjërat të rregullohen, sepse nuk i takon Elbasanit të jetë në këtë gjendje.

HETLEM ÇAPJA – “I kujtoj ende me nostalgji ato vite në fakt, pasi kanë qenë të paharrueshme për të gjithë ata që kishin fatin të luanin në atë ekip. Edhe sot e kësaj dite i kujtoj shpesh me miqtë në bisedat që bëjmë, sepse Elbasani mund të them se bëri historinë atë periudhë. Jo vetëm si klub, por edhe me tifozërinë, e cila ka qenë një shtysë shumë e madhe për të gjithë. Ndeshja më e veçantë ka qenë kur kemi fituar në Tiranë 3 me 2 në “Selman Stërmasi”, një superndeshje do ta cilësoja. Ndërsa sot të vjen keq, gjithë këta biznesmenë që ka qyteti dhe të mos i interesojë asnjërit! Është për të ardhur keq. U bëj thirrje biznesmenëve t’i kthejnë sytë nga sporti dhe të kontribuojnë sadopak për qytetin tonë dhe ta rikthejnë sërish aty ku duhet”.

ILIRJAN FILE – “Në fakt, nuk do të preferoja ta ndaja sezonin e titullit kampion, me atë nënkampion. E them këtë, pasi kanë qenë të dyja ekipe të mira dhe të denja për t’u shpallur kampionë, pavarësisht se e fituam vetëm një herë. Normalisht kanë qenë vitet më të bukura, kanë qenë të tilla për çdo sportdashës dhe për më tepër ne që ishim pjesë e klubit. Çdo gjë ka qenë pothuajse perfekte, por ‘qershia mbi tortë’ mund të them se ishte tifozëria. Nuk ishim asnjëherë vetëm. Ndërsa sot, pas disa vitesh jemi në një gjendje të rënduar dhe sigurisht që na vjen keq. Por, unë kam besim se si një ekip tradite, edhe Elbasani do të ringrihet aty ku duhet. Futbolli i njeh këto cikle, thjesht tani është një periudhë jo e mirë, por sërish do shkojë aty ku duhet”.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"