25 vite nga titulli, kur Teuta festonte dy herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2019 | 21:59

25 vite nga titulli, kur Teuta festonte dy herë

BUJAR QESJA

bujar qesja

Pjesa e parë

Nuk kisha sesi ta lija të më kalonte një moment i tillë i rrallë dhe his torik, në mos i vetmi deri tani. I vëmendshëm ndaj ecurisë së kulmeve sportive dhe kulturore të Durrësit, kisha fiksuar dy data të rëndësishme. 23 dhe 30 prill 1994. Teuta e Durrësit dhe e durrsakëve tronditi shpirtrat e gjithsecilit dhe zemra kishte rritur ritmin e rrahjeve, aq sa na dukej sikur s’e kishim në kraharor.

teuta 1994..

Pse dy data?! Sepse durrsakët u detyruan ta festonin dy herë titullin. Një herë në “Niko Dovana”, një javë para përfundimit të kampionatit të 58-të kombëtar të futbollit më 23 prill 1994 dhe së dyti, në dy ndarje në Lezhë pasditen e 30 prillit dhe në mbrëmje në sheshin “Iliria” në qendër të Durrësit. 23 prill 1994! Teuta luante ndeshjen e 25- të të kampionatit, në Durrës me Vllazninë e Shkodrës. Aso kohe shkodranët drejtoheshin nga Astrit Hafizi. Nëse Teuta fitonte, shpallej automatikisht kampione e Shqipërisë.

Në rast barazimi, titulli do të priste javën e fundit. Tirana qëndronte dy pikë larg durrsakëve. Por, me bindjen se kjo nuk do të ndodhte kurrë, kurrë, durrsakët e kishin bërë gati festën. Vendosmëria për ta prekur më në fund një trofe të këtij niveli ishte mbi 100 për qind. Nuk kishte “Zot nane”, që të mund t’ua privonte këtë mundësi të djegurve nga titujt bashkëqytetarëve të mi. Durrësi, nga 16 prilli deri më 23 prill 1994, s’kishte parë qetësi. Ishte improvizuar një kupë shumë e madhe, që populli do t’ua dorëzonte djemve të tij të topkëmbës. Ata ishin heronjtë e ditës.

63953_10150095291824462_401567_n

Për ta diskutohej në çdo shtëpi, në çdo lokal, në çdo grumbullim njerëzish, në çdo kënd a qoshe të qytetit, në çdo, në çdo…. kudo, kudo…..veç fjala kampion lakohej, e lakohej pa pushim. Titulli ishte bërë si një drogë shpirtërore, që kishte pushtuar çdo njeri, çdo mëndje, çdo rrugë, çdo rrugicë a skutë. 23 prilli 1994 pritej me padurim. A do të mundej Vllaznia t’ua prishte këtë gëzim ta paparë durrsakëve? A kishte forca, para furisë 9-ballëshe të detit të gëzimit dhe entuziazmit të skajshëm të “djemve të detit” në fushë dhe të mijëra e mijëra të tjerëve në stadium e perimetrit të tij? Kurrë, kurrë më parë futbollistët e Teutës nuk kishin qenë kaq pranë titullit kampion. Mjaftonin vetëm 90 minuta, 90 minuta që të prekej historia, që të prekej e paprekura.

O Zot! O Zot! Çfarë përgatitej të ndodhte! Flamuj festivë në stadium dhe jo vetëm. Letra të bardha dhe shumëngjyrëshe. Madje, koreografia anonime durrsake kishte ngacmuar fantazinë deri në të panjohurën. Do të shihnim që në fushë ishin vendosur 22 pëllumba të bindur, në të gjithë rrethin qendror të mesfushës. Një për çdo futbollist. Banderola të mëdha, shaje të shpërndarë nga klubi ku shkruhej TEUTA. Parulla të tipit dy shkopinj, e në distancë ku shkruheshin me ngjyra mbi bezën e bardhë “Forca Djemtë e Detit”, “Para djema”, “Ju jeni heronjtë tanë”, “Titulli është i yni”, “Durrësi mburret me ju”, etj. etj. Stadiumi prej 12.004 vendesh ishte i tejmbushur. Në këmbë, një tjetër stadium më vete. Në qytet s’kishte mbetur njeri i gjallë. Fryma mbahej vetëm në “Niko Dovana”. Festa popullore kishte nisur, por nuk kishte plasur ende.

teuta 1994

Kazani i entuziazmit ishte në vlim. Adrenalina e çdonjërit prej nesh, edhe unë brenda me ta, nuk matej. Vullkani popullor ishte në shpërthim. Dhe tani: Forca djema! Në mbarim Teuta 1 dhe Vllaznia 0. Qëndroja lart në kabinë. Transmetimi im ishte shumë i ngarkuar me emocion. Zemra sa s’po më dilte vendit. Kisha peshën kryesore në “Radio Tirana” atë ditë. Populli shikonte sa në fushë, e sa tek unë, sesi po e përcillja entuziazmin e pazakontë. Isha në provimin e jetës. Fjalët nuk po i bindeshin mendimit. Sikur ishin përcaktuar gjatë tërë javës. Figuracioni i fjalës ishte në sinkron me dallgët e gëzimit të një populli të tërë, që veçse thërriste, e thërriste pafundësisht. Ulur asnjë. Në këmbë të gjithë.

Në çastin kur loja përfundon, populli, durrsakët e mi, aq të djegur dhe të përvëluar për një rast të tillë, kishin pritur një jetë për këtë minutë, pushtojnë fushën. Ahmet Shqarri m’i “çau” kufjet dhe, duke bërtitur, pasi unë nuk dëgjoja tashmë, më foli fort: “Bujar, sa të mundesh më dëgjo! Kampionati në këto çaste është në Durrës, është te ty vëlla. Gjithçka është ndërprerë me të tjerat. Teuta është kampione. Keni fituar në fushë, fito edhe në mikrofon. Vlerat radiofonike të Teutës janë në duart e tua, në profesionalizmin tënd. Vazhdo sa të mundesh!”

teuta 1994.

I erdhi dita Teutës sime, po më erdhi kjo ditë edhe mua. 43-vjeçari Bujar Qesja s’e kishte pasur dhe mbase s’do ta kishte kurrë një rast të tillë, që të vallëzonte me mikrofonin si të donte ai. Dallgët e gëzimit të njerëzve, lumi i rrëmbyer i entuziazmit të tyre, më kishte përfshirë të tërin. Dhe pa dyshim, ka qenë një poezi në transmetim. Ndjenja, shpirt, gëzim, pse jo edhe delir. Teuta kampione! Dhe deri këtu sa punë më është dashur, sa shkrime, sa komente, sa kronika dhe radiokronika kam bërë. Dhe Zoti më fali edhe mua të rrallën, të veçantën, historiken. Të transmetoj Teutën kampione të Shqipërisë. Pa u lodhur, më shkoi në mendje t’i jap një titull vetes: radiokronist kampion!

Titulli po shpërndahej në eter, nga valët e “Radio Tiranës” dhe “Niko Dovana” më dukej si stacion televiziv dhe transmetues. Kam transmetuar 25 minuta. Për herë të parë ndjeva dhimbje në gjoks. Mbase shenjat e para të një operacioni shumë të vështirë, që do të bëja në zemër në vitin 2004 në Bolonja të Italisë, 10 vite pas kësaj ngjarjeje të pazakontë. Brinjët më dukej se më shponin mishin. Frymëmarrja sikur po më linte. Nuk kisha provuar kurrë më parë një ritëm kaq të lartë transmetimi. Por edhe “Niko Dovana” nuk kishte parë kurrë më parë një vullkan njerëzor në shpërthim maksimal. Entuziazëm, entuziazëm pa fund.

65705_10150095292304462_6697335_n

Lojtarët mbaheshin në krah dhe lëviznin në duart e njerëzve si kukulla. Lot gëzimi. Të gjithë thërrisnin. Dhe ishin me mijëra. Të falënderoj miku im i shtrenjtë Shqarri, që ua fale mikrofonin atë ditë durrsakëve. Por mbetem shumë i ligështuar, aq sa edhe tani nuk më është zbehur ky ligështim, që ky transmetim unik, historik nuk gjendet në arkivin e “Radio Tiranës”. Nuk e di sepse! E pafalshme! Është një gjurmë, një dokument, një realitet i Teutës kampione. Një titull! Një histori! Një gabim, pse jo edhe i pafalshëm. Me qëllim!? Nuk e di! Pas transmetimit, kam vrapuar i dehur nga fitorja dhe kam dalë drejt e në fushë. Menjëherë më thithën dallgët e mëdha të njerëzve. Të gjithë në delir! Me të drejtë. Ishte një rast që nuk e kishim provuar asnjëherë më parë. Teuta kampione e Shqipërisë. Durrës më 23 prill 2019

Pjesa e dytë, më 30 prill 2019

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"