Viti 2019 – varfëria sportive e Shqipërisë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 28, 2020 | 23:43

FB Speciale Të fundit Te tjere

Viti 2019 – varfëria sportive e Shqipërisë

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Ai është viti nga më të varfrit në his tori. Mû për këte, këte bilanc sport iv të vitit 2019, po e kam më të vështirë se asnjëherë që ta sendërtoj. Madje për të gjithë këto vite të fundit. Kështu, ngaqë viti 2019 është një nga vitet sportive më të varfër për Shqipërinë.

Deri aty saqë po të mos ishte një shêj i bukur përtëritës i peshëngritjes dhe dy tashmâ të zakonshmit, të mëdhenjtë e atletikës së lehtë Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, mund të kishim mbetur pa asgjë. Duke u rropatur për të përcaktuar ashtu si dhe vitet e shkuara pesëshen më të mirë të vitit sportiv, e pata tejet të vështirë pra, për të përcaktuar 5 sportistët më të mirë. Në fund, mendova për këta:

1. LUIZA GEGA: E 9-ta në Kampionatin Botëror të Atletikës së lehtë në 3000 m/p me rezultatin 9.19.93. Rekord i Shqipërisë. Por mbi të gjitha rasti i parë në historinë e atletikës shqiptare, që një përfaqësues i saj arrin në finale të një Kampionati Botëror. Sigurisht, kjo arritje e Luiza Gegës është shumë më tepër se titulli i kampiones së Ballkanit të arritur prej saj në vrapimin e 3000 metrave në sallë po në këte vit 2019. Teksa ajo nuk ndal. Zë vendin e parë në Rovereto International Meeting, po në 3000 metra me pengesa (9.26.73).

luiza gegaa

2.BRIKEN ÇALJA: Kampion i Europës në stilin e shkëputjes së peshës 73 kg me rezultatin 156 kilogram. Por dhe nënkampion në shtytje (183) dhe në dygarësh (339). Që do të thotë 1 medalje ari dhe 2 argjendi në Kampionatin e Europës. Një tjetër pasuri për të dhe për ne.

briken calja

3. IZMIR SMAJLAJ: 2019-ta ishte viti kur ai arriti rekordin kombëtar 8.11 metra në kërcimin së gjati në Kampionatin Kombëtar në Shkodër. Ky rezultat europian për Shqipërinë deri para pak vitesh, quhej i paimagjinueshëm. Kjo është një tjetër arritje e jashtëzakonshme e Smajlajt mbas titullit të kampionit të Europës në sallë po në kërcimin së gjati. 8.08 metra. Beograd 2017.

Izmir+Smajlaj+2017+European+Athletics+Indoor+Aw8wph5TGK0l

4. ERKAND QERIMAJ: Medalje bronzi në Kampionatin Europian, pesha 81 kg në stilin e shkëputjes me rezultatin 159 kg. Por dhe 3 medalje të arta në Kupën e Mesdheut. Gjithçka është një rikthim spektakolar i mjeshtrit të madh të peshëngritjes shqiptare.

Qeramaj2

 5. THOMAS STRAKOSHA: I pari futbollist i kombësisë shqiptare, i cili 77 vjet mbas Riza Lushtës dhe Naim Kryeziut fiton Kupën dhe Superkupën e Italisë me Lazion e Romës. Strakosha “i Dytë” – Në të vërtetë prodhim i futbollit të Greqisë, por portier i Kombëtares së Shqipërisë – ishte protagonist i rangut në këto dy fitime në një prej shteteve me futbollin e cilësisë më të lartë europiane.

strakosha

Mjeshtërinë e tij ai e tregoi edhe në ndeshjet më të mira të Kombëtares për Kampionatin e Europës. A mund të vazhdonim më tej? Vështirë, shumë vështirë, ndonëse këto lloj përzgjedhjesh përherë bartin në vetvete dhe një lloj subjektivizmi apo dhe shijesh.

Siç shihet nga pesëshja, Shqipërisë 2019 thuajse i munguan titujt evropianë. Siç u tha më sipër, peshën europiane apo botërore të sportit shqiptar e mbajnë dy atletët Gega dhe Smajlaj. Pa harruar pra, dukjen e një kthese në sportin e peshëngritjes. Në të tjerat? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, mjafton të vështrosh bilancet ndërkombëtare të sportit më popullor në Shqipëri, futbollit, pjesëmarrjen e tij në 2019-ën në Kampionatet Europiane. Tek janë:

Shqipëria NËN-17 në Kampionatin Europian:

 3 ndeshje, 0 fitore, 1 barazim,

 2 humbje, golat 0-6. 

Shqipëria NËN-19 në Kampionatin Europian:

3 ndeshje, 0 fitore, 0 barazime, 3 humbje, 

golat 4-11.

Shqipëria NËN-21 në Kampionatin Europian:

6 ndeshje, 1 fitore, 2 barazime, 

3 humbje, golat 7-7 

Kombëtarja e Shqipërisë në Kampionatin Europian:

10 ndeshje, 4 fitore, 1 barazim,

 5 humbje, golat 16-14. 

Përmbledhin tash bilancin e përgjithshëm të këtyre Kombëtareve, ku skuadrat NËN-17 dhe NËN-19 zunë vendet e fundit në grupet e tyre. Dalin këta shifra kryefortë të një bilanci zhgënjyes:

 22 ndeshje, 5 fitore, 4 barazime, 13 humbje, golat 27-38!

Është më pak se 50 për qind sukses (45)! Shqipëria është humbëse e kthjelltë me të gjitha llojet e Kombëtareve të saj edhe për vitin 2019.

Dhe nëse përfshijmë mandej edhe bilancin e klubeve në Kupat e Europës, atëherë zhgënjimi thellohet. Vështroni: Shqipëria në Kupat e Europës me klubet 2019-2020:

4 skuadra, 10 ndeshje, vetëm 1 fitore, 4 barazime, 5 humbje, golat 5-13! 

Dhe asnjë kualifikim për herë të parë mbas 20 vjetësh, qysh nga sezoni 2000-2001!

Ndërkaq, përsërisim edhe këtu, se po të marrim 6 vitet e fundit, del që Kombëtaret tona 21, 19 dhe 17 kanë humbur plot 46 ndeshje dhe kanë fituar vetëm 16 herë. Kanë arritur vetëm dy kalime modeste turi, teksa për ta sundojnë vendet e fundit në grupe. Janë rezultate që provojnë se nuk ia vlen t’i ndërtojmë këto Kombëtare kryesisht me lojtarë jashtë tokës sonë. Siç e kemi thënë edhe më parë, do t’ia vlente që FSHF të nxirrte një vendim i cili të thoshte se ekipet kombëtare 21, 19 dhe 17 të formohen detyrimisht në 90 për qind të tyre nga lojtarë të Kampionateve të Shqipërisë. Mirëpo, këto ditë papritmas pamë se edhe Shqipëria NËN-15, paska dëshirë të marrë lojtarë jashtë kufijve të Shqipërisë. Interesante vërtet se si i zbulojnë!…

Dhe nuk mbaron këtu. Në numrin e së shtunës të “Panorama Sport” u botua një njoftim për grumbullimin e Kombëtares së Shqipërisë për futbollin në sallë për Europianin 2022. Vetëm një lojtar nga Shqipëria: Endrit Kasa i SK Tiranës! Të gjithë të tjerët nuk ishin të Shqipërisë. Madje kjo e ashtuquajtur Kombëtare e Shqipërisë, kishte rrëmbyer të shndërruar në shqiptarë edhe dy brazilianë!

Është pak të thuash banale, përveçse kundëratdhetare. Ndonëse me folë drejt, edhe sikur Shqipëria të shpallej Kampione e Europës në futbollin e sallës, vështirë të quhej sukses i madh në një disiplinë të futbollit, për të cilën shumëkush në Europë vë buzën në gaz…

Duken kritika të përsëritura këto, por po aq duket se askush nuk tronditet nga këto rezultate. FSHF jo e jo, por as qeveria shqiptare dhe as na shkon ndër mend që të tronditet sadopak vetë shteti, i cili në tanësi ka kohë që nuk merret me sportin kombëtar. Pa për sa i përket Federatës Shqiptare të Futbollit, drejtimi i saj gjithnjë e më fort, po bëhet thuajse vetjak.

Dhe mbërrijmë tash te një bilanc tjetër, ai i basketbollit kombëtar:

Bilanc në kualifikimet e Kampionateve Europiane të vitit 2019:

BASKETBOLL – KE NËN-16:

Meshkuj: 3 fitore, 3 humbje.

BASKETBOLL – KE NËN-18:

Meshkuj: 4 fitore, 2 humbje,

BASKETBOLL – KE NËN-20:

Meshkuj: 2 fitore, 5 humbje.

BASKETBOLL – KE KOMBËTARE TË RRITUR:

Meshkuj: 4 ndeshje, 4 humbje.

BASKETBOLL – KE NËN-16:

Femra: 7 ndeshje 7 humbje.

BASKETBOLL – KE NËN-18:

Femra: 7 ndeshje 7 humbje.

BASKETBOLL – KE KOMBËTARE TË RRITURA:

Femra: 6 ndeshje, 6 humbje

Ky do të thotë se skuadrat e basketbollit për Kampionatet e Europës, gjatë vitit 2019 kanë këte bilanc të përgjithshëm:

 37 ndeshje, 9 fitore, 28 humbje. 

Këtu bilanci nuk arrin as në 25 për qind sukses. Në të vërtetë, aty-këtu në ekipet e moshave erdhën disa fitore modeste, që megjithatë të ngjallin shpresë. Shqetësuese janë dy ekipet Kombëtare të rritura, meshkuj e femra, të cilat i kanë humbur të 10 ndeshjet e tyre.

Madje, meshkujt edhe pse jo përballë skuadrave elitare të Europës. Siç shihet, Shqipëria në dy sporte, futboll e basketboll, ndër më popullorët në vend, gjatë vitit 2019 kanë qenë humbëse shembullore, madje në bilance në rënie. Ky shkrim i yni nuk është një shkrim analitik. Është një shkrim i informacionit të një bilanci. Megjithatë. prej këtu dalim te një konkluzion i madh: Sporti shqiptar ka humbur jo më Nordin, siç thuhet, por edhe Perëndimin, edhe Lindjen, edhe Jugun. Ai nuk ka më peshë në rritje sado të vogël në Europë.

Përjashto Kombëtaren e futbollit, nëse nuk ia harrojmë 2016-ën, ndonëse edhe për të 2019-ta qe një vit humbës, jo “tragjik” sigurisht, çka e kemi përimtuar në një shkrim të mëparshëm me titullin “Rënia paralajmëruese”. E pra, në këte tanësi, kë duhet të bëjmë përgjegjës? Pa dyshim federatat përkatëse, sidomos atë të futbollit, e cila për ekipet kombëtare ka financa të fuqishme.

Mirëpo, ajo nuk ka arritur të nxisë e të sendërtojë financa të fuqishme në futbollin e klubeve, për të cilët nuk kuptohet se për kushedi me çfarë mendjeje nuk iu ofron dhe nuk nxit privatizimin e vërtetë, pengon themelimin po të vërtetë të Ligës kombëtare të pavarun prej saj dhe qëndron kryefortë në një Kampionat Kombëtar të vogël që po përjashton pa mëshirë dhe pa ndalë skuadrat më tradicionale të qyteteve të futbollit shqiptar.

E pra, ky Kampionat veç i saj nuk është. Është i Shqipërisë, është i Atdheut, është i popullit shqiptar! Duke i lënë për një çast mënjanë federatat sportive në tanësi, na duhet të pranojmë se kjo qeveri të duket se është ndër më të disinteresuarat për europianizimin dhe fuqizimin e rezultateve sportive në Shqipëri. Është një paradoks i madh, ndërsa ndërtohen tri stadiume moderne dhe ata mbesin gati bosh. Aq sa të duket se ajo ndërton stadiumet edhe për bujë – dhe mirë që janë ndërtuar megjithatë – por nëse kjo nuk shoqërohet me rritjen dhe fuqizimin e sporteve, atëherë gjithçka është tronditëse për të keq. Sporti shqiptar duhet shpëtuar. Ai ndodhet në një situatë tejet të rënduar.

Këto ditë me të drejtë Federatat Sportive kërkojnë realizimin apo jetësimin e fondeve që qeveria i ka me detyrim shtetëror për t’i dhënë. Ndërkohë, KOKSH është thuajse në një “luftë” të brendshme. Stadiumet e futbollit dhe pallatet (më saktë palestrat) e basketbollit e të volejbollit thuajse janë me tribuna të boshatisura. Populli shqiptar i është larguar tejet sportit kombëtar. Kjo dukuri është përtej çdo trishtimi.

Shqipëria duket se ka një qeveri apo dhe një shtet të cilët për sportin kombëtar pothuajse nuk bëzajnë. Ndonëse është fjala për një pjesë të rëndësishme të jetës së një kombi. Që dihet se janë sporti, kultura fizike, në fund të fundit, edukimi fizik i rinisë, qoftë dhe përmes një kulture që përherë e blatojnë me ndikimin e tyre të fuqishëm rezultatet e larta sportive. E dimë, këto nuk i zgjidhin shkrimet e gazetarëve… I zgjidh dikush tjetër. Mëkat që ky “dikush tjetër” nuk bëzan pra. Me sa duket, prêt që të mbushet kupa, po mandej derdhja prej saj mund të jetë vërtet shkatërruese…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com