Speciale nga Besnik Dizdari: Skënderbeu thërret!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2017 | 22:15

Speciale nga Besnik Dizdari: Skënderbeu thërret!

Nga BESNIK DIZDARI

Skënderbeu thërret. Ose më qartë: kualifikimi i Skënder beut thërret. Ndërkaq, më vjen fort mirë që gjithçka që ndodhi, doli në Besnik-Dizdarisinkron me ato çfarë shkrova në editorialin e “Panorama Sport” të 23 gushtit. Pra: “Jo Skënderbeu ‘gjenial’, por Skënderbeu fitimtar”. Ashtu siç dhe u jetësua.

E vërteta është se nuk janë gazetarët parashikues të mëdhenj të ndodhive sportive. Ata janë përimtues (analizues), komentues, kronikanë, tregimtarë të ndodhive sportive. Dhe në tërësinë e këtij universalizmi të profesionit, prej tyre lindin mandej edhe parashikimet shpresuese. E ashtu siç shkrova, nuk kishte asnjë arsye që Skënderbeu ta merrte ndeshjen me zagrebasit me emocione e dridhje këmbësh.

Mbi të gjitha sepse Dinamo e Zagrebit, edhe pse e Kroacisë së famshme të futbollit, nuk ishte ajo e një kohe. Skuadra korçare qe e shkëlqyeshme. Me intuitën e profesionizmit të vërtetë, nuk ngulmoi te marramendja e lojës së bukur, as tek arti i madh i futbollit, as tek estetika e lojës dhe dëshira për t’u dukur. Luajti për t’u kualifikuar dhe vetëm kaq. Më dukej se ishte në planet e saj që të kalohej madje, një pjesë e parë gati “e mërzitshme”, por prej së cilës, në fund të fundit, u shfaq një Dinamo që assesi nuk i duhej frikësuar.

Natyrisht, që merrej me mend se pjesa e dytë do të ishte diçka tjetër. U pa që Skënderbeu dhe trajneri i saj, Ilir Daja, si të thuash, ia gjetën çelësin tjetërsimit të pjesës së dytë: sulm dëshpërues i Dinamos, mbrojtje burrash e Skënderbeut. Dhe pa e zgjatur 0-0! Dhe kualifikimi i Skënderbeut të Korçës, skuadrës së Kampionatit të Shqipërisë, të cilin UEFA e rendit ndër të dorës së dytë, andej nga vendet 37-40.

skenderbeu

 

Nuk është punë Kampionati pra. Është punë ose vepër e veçuar skënderbejane, sa në modestinë e përmbajtjes së futbollit, po aq dhe në vlerat social-kulturore të këtij kualifikimi për futbollin modest shqiptar. Vlera social-kulturore që nxisin një shpirt tjetër estetik për futbollin te mijëra shqiptarë, të cilët edhe pse kilometra të tërë larg Korçës e mbushën stadiumin e qytetit të Elbasanit që e ka skuadrën e tij në Kategorinë e Tretë.

E ndoshta edhe ky është një rekord europian i llojit: që në stadiumin e skuadrës së Kategorisë së Tretë, të një shteti të Europës, luhet për një kualifikim të rëndësishëm europian!… Doemos për këtë Skënderbeu nuk thërret. Po thërret autori i këtij shkrimi: “Kur do ta ketë Skënderbeu stadiumin e tij europian”?

E më tej, këtu po më pëlqen të merrem paksa edhe me “rekordet” e Skënderbeut që u firmosën prej këtij kualifikimi ndaj Dinamos së Zagrebit, dikur Kampione e Europës, kualifikim që shumëkush po e quan “historik”. Ndërsa unë do ta quaja “thirrës”. Pra, një kualifikim që thërret, një Skënderbe që thërret.

Po a është ky çasti për të thirrur? Jo me thirrjen më origjinale që dëgjova nga një ekran televiziv që në mënyrën thuajse cinike “harpagoniane” u shfaq sapo mbaroi ndeshja si një britmë goli: “3.5 milionë euro”! Ishte pikërisht thirrja për të cilën nuk mund të kishte vend assesi. Dihet se sa rëndësi kanë paratë edhe për futbollin. Po a vërtet kujtoni se tifozi e ka mendjen te paratë që fiton skuadra, bash në çastin kur ajo ka triumfuar me futbollin e saj fitimtar, me spektaklin e saj plot hijeshi që krijon ndjenja të rralla emocionuese?

skenderbeu

Për fat, kemi gazetarë që e kanë bërë terminologji sportive “euron”, që për ditë flasin për shitje e blerje, për miliona të humbura e të fituara, për baste sportive. Mëkat! Kemi gazetarë që fjalët shqipe “fitore”, “barazim” apo “humbje” i kanë shndërruar në shifrat “1”, “X” dhe “2”! Kemi gazetarë që e kanë mendjen te “premiot” e te “mercato”-ja dhe jo te bukuria estetike, shpirtërore, humane, çlodhëse, spektakolare e futbollit.

Po rrezikojmë që kryesisht të kemi gazetar që nuk tregon, që nuk përshkruan, që nuk informon. Ndërkohë, që mund të kemi gazetar që, bie fjala, mbas pesëdhjetë vjetëve, don t’ia mbushë mendjen naivëve se një ministër i Brendshëm i Regjimit paska pasë forcë për të hequr prej pjesëmarrjes së Kupës Ballkanike një skuadër që nuk donte të dilte Kampione e Shqipërisë, por nënkampione. Kujtojnë se edhe sot nuk ka njerëz që mund të marrin lapsin e të të tregojnë me fakte se si ishin organizuar kompetencat e ministrive të asokohe, madje qysh nga e Arsimit dhe e Kulturës e deri tek ajo e Brendshme apo e Industrisë! Më vjen vërtet keq që përsëris.

Skenderbeu-Dinamo

Po disa shkrues, spekulojnë me faktin se shumica e redaksive të gazetave të sotme shqiptare drejtohet prej brezit të ri të gazetarëve, duke kujtuar se këta të fundit nuk dijnë asgjë. Dhe pa pikë ndrojtjeje arrijnë të zënë faqe gazetash me pseudosensacione të sajuara.

Ndërkaq, nuk besoj se keni harruar kaq shpejt se si këta shërbë- torë të FSHF-së, vërshuan me pendë në dorë për t’ia vënë fajin presidentëve të klubeve mosthemelimin e Ligës Kombëtare të Futbollit. Natyrisht, për të shpëtuar FSHF-në. Kur dihet se ky themelim, që është edhe një detyrim që vjen edhe prej statusit të anëtarësisë në UEFA të çdo shteti – është thjesht ekskluzivitet shtytës organizativ që duhet të drejtohet nga Federata e Futbollit.

Përveçse edhe detyrë shtetërore. Nuk dihet pra, se sa thërret edhe për këtë gazetaria e vërtetë, jo ajo servile ndaj FSHF-së, herë me gazetarë të vërtetë, e herë me jogazetarë, të cilët siç poetizonte te “Babatasi” Fishta 95 vjet më parë: “Përlâ kan penden në dorë / E t’kanë nisë kinse me shkrue… / Se besa – m’ndigjo mue / Nuk i kanë shkrimet zanat / S’janë për pendë, por janë për shàt”…

Kur çasti është pra, për të thirrur për të drejtën edhe gazetari. Madje për të thirrur në kupë të qiellit. Jo thjesht kundër rrênave të shkruesve të pandershëm e konfuzë, përveç të tjerave. Ia vlen të thërrasësh edhe për atë që askush nuk e kujton më, historinë e re që kërkon ta mbysë pseudohistoria e vjetër. Atë që na thotë se 8 vjet më parë, stina 2008- ’09, Skënderbeu i sotëm europian i Korçës ishte skuadër e Kategorisë së Dytë.

Skenderbeu

Dhe kur më 2009 vjen në Kategorinë e Parë (atë që me megalomani “federaliste” quhet Superligë), ky Skënderbe i sapoardhur renditet pra thjesht i 10-ti në këtë kampionat Superligë me 12 skuadra. Pati fat që ishin 12, se po të ishin 10, do të flakej tej si legjendarja jonë Sportklub Tirana e vitit 2017. Dhe jo larg, por vetëm 12 muaj më vonë, më 2011, nga vendi i 10-të drejt e Kampion i Shqipërisë për herë të parë mbas 78 vjetëve.

Pakkush thirri. Ndoshta vetëm ne, këtu në “Panorama Sport”. Jo për punë tifozllëku, por për hir të tronditjes së historisë. Dhe çudia: vetëm 6 lojtarë të tij, të cilët ishin renditur në vendin e 10-të, u bënë Kampionë të Shqipërisë. Emrat e paktë të këtyre “pionierëve – autoktonë” të titullit të shkëlqyeshëm të Skënderbeut të Korçës ishin Lako, Shkëmbi, K.Asllani, Markoviç, Çipi, Llapanji. Ka qenë dita e 16 majit 2011 dhe m’û këtu nis për të mos ndalë, revolucioni korçar: 6 vjet me radhë kampione.

Një kampione e ekonomisë së tregut, për fatin tim “të keq” me vetëm 7 futbollistë korçarë: Lako, Shkëmbi, Llapanji, Tahirllari, Vangjeli, T.Osmani, Lulaj. E kush? Ajo Korçë, e cila më 1933 qe shpallur Kampione e Shqipërisë me të gjithë lojtarët korçarë. Mirëpo, ishim më 2011 dhe Shqipërisë i kishte lindur Skënderbeu modern i ekonomisë së tregut. Financa, menaxhim, blerje pa mëshirë, trajtim, pasion, dashuri për qytetin.

Me sa po shihej, qysh nga ajo ditë, nga Agim Zeqo tek Ardian Takaj, rruga do të përshkohej përmes një kalimi mjeshtëror financiar apo ekonomik. Dhe qysh nga ajo ditë rruga tjetër, ajo teknike e drejtimit, që do të përshkohej nga trajnerët Shkëlqim Muça, Shpëtim Duro, Stanislav Levy e deri tek i papërmbajtshmi Mirel Josa – drejtuesi i katër titujve rresht. Dhe me një kulm: Skënderbeu në grupet e Ligës së Europës 2015-’16.

Këtu dukej se mbyllej një histori krejt befasuese, teksa një vit më vonë vjen një ndalin pjesëmarrjeje përtej çdo befasie. Të dukej se po këtu mbaronte historia euro-korçare. Për fat, nuk do të ishte kështu. Mbërrin 2017-ta dhe Skënderbeu – skuadra jo kampione, por skuadra e tretë e Kampionatit të Shqipërisë – humbëse “elektrizuese” e titullit të shtatë rresht të saj – përmes trajningut të “europianit” debutues më të fundit me emrin Ilir Daja, arrin madje të tejkalojë edhe vitin europian 2015. E në gjithë këtë shpërthim të dytë, historia e radhës është gjithashtu krejt e rrëmbyeshme.

Tifozet e Skenderbeu

Titujt nuk ka burrë nëne që ia ndalë Skënderbeut për 6 vjet me radhë. E përjashtojnë nga Europa më 2016. Është i treti më 2017 dhe duket si “i mbaruar” për punë të mëdha.

Mirëpo, ja tek vendos rekordin shqiptar në Europë. I vetmi rast në historinë e futbollit shqiptar që një klub kalon brenda një edicioni 4 ture, duke ia shkurtuar befasisht jetën rekordit të bukur kuksian të 3 tureve të tij datuar 2013.

Është hera e parë që një skuadër shqiptare, që nuk ka fituar titullin e Kampiones, që nuk ka fituar Kupën e vendit të saj, që nuk është as nënkampione, por thjesht e treta e Kampionatit të shtetit të saj, kalon katër ture të një Kupe të Europës. Këto janë rekordet e Skënderbeut.

2.

…Shehi, Vangjeli, Radas, T.Osmani, Latifi, Jashanica, S.Lilaj, Nimaga, Mici, Gavazaj, Taku, James, Plaku, Shkodra, Muzaka, Vujovic, Dita, Soëe… Vetëm 18 lojtarë për 8 ndeshje – të gatshëm për 6 të tjera. Qëndrueshmëri shembullore taktike e strategjie bashkë – vepër e një trajneri të quajtur Ilir Daja, të cilin edhe pse humbi Kampionatin, madje u rendit i treti – nuk e shkarkuan. Kësisoj, duke iu shmangur presidenti Ardian Takaj stilit shkatërrues të drejtimit teknik të skuadrave shqiptare: 24 trajnerë për vetëm 10 skuadra të ndërruar vetëm në stinën 2016-17!

Për Skënderbeun e Korçës në Europë gjithçka kishte nisur më 2011: humbje radhazi: 0-2, 0-4, 0-3… Eliminime që në turin e parë. Mandej krejt papritmas eliminim i Neftchi të Bakusë më 2013, por dorë- zues i pafjalë ndaj dy skuadrave të tjera ish-sovjetike: Shakhtar i Karagandës, por dhe Chornomorets. 2013-ta ishte viti “sovjetik” i Skënderbeut të Shqipërisë, i cili iu dorëzohet pa bëza tre republikave ish-sovjetike. Viti i tij do të ishte një tjetër, 2015-ta.

Dy kualifikime, dorëzim nënshtrues te Dinamo e Zagrebit dhe për herë të parë në grupet e Ligës së Europës. Papritmas duket si fundi i historisë së rangut: 5 humbje, vetëm 1 fitore, e madhe natyrisht, 3-0 Sportingut të Lisbonës. Dhe mandej gjithçka e zhvleftësuar prej UEFA-s së pamëshirshme.

Dyshime, mosnjohje dhe përjashtim pjesëmarrjeje më 2016. Dhe Federata Shqiptare Futbollit – e bindura e nënshtruar e UEFA-s – pa i hyrë verifikimeve për së mbari, që kërkon t’ia heqë titullin e vitit 2016!… Vendim që do të na çojë te historitë juridike që nuk do të mbyllen kurrë… Ju i dini të gjitha këto.

Ajo që ma do mendja se nuk mund të dinit ju, e së bashku me ju edhe unë e plot të tjerë, është se nuk mund të dinit që do të vinte viti 2017 dhe që Skënderbeu do të bëhej skuadra e parë shqiptare në 55 vjet pjesëmarrje të Shqipërisë në Kupat e Europës, e cila do të kualifikohej në katër ture të Kupës së Europës. San Julia, Kairat e Alma Atas, Mlada Boleslav, Dinamo e Zagrebit.

Një amatore “fëminore” nga Andora, një kazakistanase e pasur, një skuadër e Republikës Çeke dhe Dinamo e Kroacisë. Gjithçka në rritje nga hapi në hap. Katër eliminime të pandalshme dhe për herë të dytë në grupet e Ligës së Europës. M’û në këtë çast them se Skënderbeu thërret.

Skenderbeu

Papritmas i afrohet rekordit të Sportklub Tiranës, e cila është sunduese e vetme e kualifikimeve shqiptare: plot 11 përballë 7 të Skënderbeut. I ka arritur në gati 50 vjet pjesëmarrje. Skënderbeu në vetëm 6 vjet pjesë- marrje. Natyrisht, nuk m’i merr zoti mendët në vlerësim, kur kujtoj se SK Tirana ka eliminuar edhe Dinamon e Bukureshtit apo Dinamon e Tbilisit, Vartekstin e Kroacisë apo Zalaegerszegun e Hungarisë – shtete të fuqishme futbollistike. Por jo. Ajo ka qenë një Europë tjetër, kohë e vetëm 32 shteteve pjesëmarrëse dhe për vendet e vogla si Shqipëria kualifikimet ishin tejet të vështira. Ndaj dhe kualifikimet e SK Tiranës janë në krye të vendit.

Dhe bash këtu më duhet të bëj ndarjen. I kualifikuari ynë i sotëm në tërësi me plot 7 përballë 11 të SK Tiranës, i përket një Europe tjetër. I përket Europës së masivizimit “të paarsyeshëm” të Kupave të Europës, të gati rreth 200 skuadrave pjesëmarrëse. Të njohura e të panjohura, të vogla e të mëdha, me emra të vështirë e me emra të lehtë, skuadra qytetesh të mëdha a të një mizëri të vegjlish, qytete, por dhe qyteza. Ndeshje të pafund deri në absurdin e rastit të Skënderbeut kur edhe pse ka kaluar 4 ture, në fund të fundit nuk ka shkuar më larg se midis shifrës gjigande të 48 skuadrave të 12 grupeve.

Kësisoj, kur kujton se Besa e Kavajës – e kualifikuara e parë shqiptare e turit të parë të një Kupe të Europës më 1972; e mbas saj SK Tirana 4 herë, Vllaznia e Shkodrës dhe Flamurtari i Vlorës nga 1 herë kanë arritur në 16-she të Europës mbas kualifikimeve të tyre, krahasimet në dy kohë nuk kanë assesi vend. Madje jemi të detyruar të ndahemi me to me një vijë të qartë demarkacioni gjeopolitikash krejt të ndryshme. Sot është Europa tjetër. Është Europa e futbollit të “snobëve”, siç po më pëlqen t’i quaj skuadrat e mëdha për të cilat UEFA komerciale e Shekullit XXI ka vendosur të mos i lejojë të luajnë me skuadrat “e vogla”.

Kjo do të thotë që nëse dikur në Shqipëri ka ardhur Koln, Torino, Ajax, Austria, Celtic, Aberdin, Bayern, O.Marseille, Feyenoord, Barcelona, Parma, Gallatasaray, Fenerbahçe, Benfika, sot këto vetëm shko e ndiqi në TV, se nuk janë më “të tuajt”. Edhe pse me to ti ke disa kujtime legjendare: Partizani – Këln 0- 0, Partizani – Torino 1-0, 17 Nëntori (SK Tirana) – Ajaks 2-2, Partizani – Advidaberg 2-0 e 1-1, Vllaznia – Austria 2-0, Partizani – Sëlltik 1-0, 17 Nëntori (SK Tirana) – Dinamo e Bukureshtit 1-0 e 2-1. Për ta mbyllur me Flamurtarin 1-1, 0-0 e 1-0 me Barcelonën apo 2-0 me Partizanin e Beogradit.

Të gjitha këto ngjarje sot janë të zhytura thellë në nëntokën e historisë. Vlejnë fort vetëm sa për të të kujtuar se qysh herët futbolli i vogël shqiptar ka nxjerrë talente të një stili europian edhe brenda mureve të Shqipërisë së vogël. E edhe për këtë mund të them se Skënderbeu thërret.

Madje thërret edhe si në një lloj akuze jo të drejtpërdrejt, teksa ka dhënë shembullin se si brenda pesë vjetëve mund të formohet një klub gati i pavarur i ekonomisë së tregut edhe në Shqipëri. Kësisoj, vetvetiu ai thërret plot forcë: “Ku janë të tjerët”? E mandej përmes thirrjeve të tij shpërthen thirrja jonë: “Përse nuk ua jep lirinë klubeve shqiptare, por i mban në autokracinë tënde tashmë të padurueshme? Përse pengon themelimin urgjent të Ligës Kombëtare të Futbollit që të çon menjëherë te liria dhe pavarësia e plotë e klubeve”?

E mandej, përveçse te Federata, duke shkuar te qeveria, ministria a shteti: “Përse nuk bëni dhe zbatoni ligjin për privatizimin e klubeve të futbollit në Shqipëri, e madje edhe për të ndërruar disi edhe statuset e stadiumeve për te klubet”? Skënderbeu, apo “rasti Skënderbeu” thërret fuqishëm: 27 vjet mbas rënies së regjimit unik totalitar komunist, si ka mundësi që klubet e futbollit, madje edhe ata të sporteve të tjerë janë lënë ende në mëshirën e fatit, fat “shtetëror”, “qeveritar” apo “bashkiak”, “privato-joprivat”, spontanë dhe të paorganizuar?

Skënderbeu thërret. Çuditërisht një thirrje e “pa bëza”. Si mundet që vetëm brenda 6 vjetëve nga Kategoria e Dytë në 6 tituj të kampionit dhe në 32 ndeshje europiane të 5 pjesë- marrjeve, të 12 fitoreve e 6 barazimeve, të 7 kualifikimeve dhe prapë ti FSHF, ti qeveri, ti ministri, ti shtet, nuk do të besosh se Kampionatit Kombëtar i Shqipërisë prej ku del futbolli i klubeve kombëtare duhet përmbysur i tëri, madje qysh në këtë vit 2017?

Por e mban të ngurtësuar në 10 skuadra (edhe Kosova i ka 12), mbasi ke përjashtuar pa mëshirë prej tij gjysmën e qyteteve tradicionale futbollistike: me Elbasan e Kavajë, me Berat e Fier, me Dinamo e tash së fundi deri dhe me një Tiranë për ne legjendë? Kështu Skënderbeu thërret. “Pa bëza”.

Ose thërrasim ne duke shfrytëzuar me ndjenjë atdhetare rastin e tij. Ashtu siç triumfoi Skënderbeu në katër ture europiane duke luajtur me mend e me këmbë në tokë, po kështu edhe kjo thirrje e jona apo qoftë skënderbejane, lind po prej një bazamenti që qëndron fort me këmbë në tokë. Shqipëria e futbollit duhet të ndryshojë. Madje rrënjësisht. M’û për këtë thërret Skënderbeu me rastin e tij që shkëlqeu rrufeshëm brenda vetëm 6 vjetëve.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"