Shqipëria e Volejbollit Europian 1955

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 23:05

Shqipëria e Volejbollit Europian 1955

 BESNIK DIZDARI

65 vjet më mbas

Nga PETRIT MURZAKU 65 vjet më parë

 

pjimage

Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të vinte një ditë që, duke “spe kuluar” me emrin e madh të Petrit Murzakut, të sendërtoja një shkrim historik kësisoji, ndoshta më origjinal se asnjë tjetër nga çka kam shkruar deri më sot. Gjithçka duket vërtet e çuditshme në këtë dyshe e një autorësie po aq origjinale saqë nuk besoj se e njeh as historia, të paktën kontinentale e gazetarisë sportive. Në të vërtetë, Murzaku nuk ka bashkëpunuar për këtë shkrim me mua. Jam unë që në largësi po bashkëpunoj me të. Ose më saktë: jam unë që po bëj “plagjiaturën” më të veçantë që mund të ekzistojë për të cilën assesi nuk mund të qortohem.

MURZAKU
Kapiteni i Shqipërisë Petrit Murzaku (djathtas) dhe ai i Bashkimit Sovjetik, Konstantin Reva, duke shkëmbyer flamujt para ndeshjes Bashkimi Sovjetik – Shqipëria

Petrit Murzaku i ka lënë historisë së sportit dhe volejbollit shqiptar një dokumentim të rrallë për volejbollin. 65 vjet më parë, si kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, kur ekipi është kthyer nga Kampionati Europian i Bukureshtit, ai ka marrë pendën – ose i kanë thënë të marrë pendën – dhe ka shkruar mbresat e tij sot tejet të çmuara nga ky kampionat.

Sot po i marr këto shkrime të tij nga gazeta “Sporti Popullor” e vitit 1955, po ribotoj këtu pjesët e tyre, ndërsa nga ana ime po përpiqem të gjykoj apo të përimtoj historikisht se çka qe kjo pjesëmarrje europiane e Shqipërisë datuar 15-26 qershor 1955 në Bukuresht të Rumanisë. Kjo pra, është dhe bashkautorësia origjinale e këtij Dossier-i historik, që po hapet për herë të parë në këtë verë 2020 të shekullit të tashëm, që është ky XXI.

Ndërkaq, si për të dashtë për të aktualizuar sadopak, siç veproj shpesh me shkrimet historike, nuk mund të bindem që Federata Shqiptare e Volejbollit, e cila edhe për çka aq shumë ka mbërritur ky sport në krejt historinë tonë kombëtare, t’i nënshtrohet Ministrisë së Shëndetësisë e të mos e përfundojë kampionatin 2020-2021 për shkak të pandemisë së virusit në fjalë. Nuk ka përse ta dëgjojë burokracinë “fanatike” të kësaj ministrie. Jo thjesht sepse Federata Shqiptare e Volejbollit nuk varet nga Ministria e Shëndetësisë, por mbi të gjitha, përderisa po zhvillohen kampionatet kombëtare të futbollit të të gjitha rangjeve, aq më pak nuk ka arsye të mos përfundojnë kampionatet kombëtare të volejbollit apo të basketbollit. (Pashë këto ditë në televizionet e Kosovës telekronika kuptimplotë të zhvillimit të kampionatit të Kosovës në volejboll për femra. Natyrisht pa spektatorë, por me një garë tejet serioze. Them se nuk është turp edhe nëse mund të marrësh përvojë prej organizimeve të volejbollit kosovar, ndonëse është fjala për Shqipërinë e një sporti që qysh 65 vjet më parë është ngjitur në rangje europiane).

Kështu pra, në 1955-ën, me vetëm nja 9 a 10 vjet organizim i këtij sporti në Shqipëri, ky vend i vogël do të guxojë e do të shkojë në Kampionatin e Europës dhe madje të renditet midis 10 shteteve më të mira. Është 15-26 qershor 1955.  Është sensacionale! Madje deri aty saqë unë për vete e kam të vështirë të përimtoj se si me vetëm 10 vjet volejboll të organizuar, Shqipëria ka mundur të mbërrinte në këtë lartësi kontinentale. Është ky vit 1955, kjo pjesëmarrje, kjo paraqitje e bujshme e Shqipërisë së vogël edhe në sport, që do të fiksonte këtë ngjarje të jashtëzakonshme ku do të viheshin themelet e një volejbolli shqiptar gjithnjë të nivelit europian në gjithë vitet që pasojnë. Sa me Kombëtaren e Shqipërisë, por sidomos me klubet me në krye Dinamon e meshkujve dhe të femrave, deri në treshe apo katërshe të Europës. Sot, për fat të keq, një histori e zhdukur si në pabesi, madje deri aty saqë mbërriti deri në mosekzistencën më të dy Dinamove europiane të Shqipërisë.

Por jemi në 1955-ën. Kështu, nën kryesimin e Nexhmi Kadiut – inspektor drejtues i shquar në drejtorinë e kulturës fizike e të sportit, siç njihej në emërtim, skuadra është nisur për në Bukuresht më 8 qershor 1955. Ajo ka në përbërje volejbollistët Petrit Murzaku, Fatmir Meka, Napoleon Llalla, Vangjel Koja, Jorgji Kona, Egon Gjadri, Qemal Gjinali, Andon Kona, Shevqet Kau. Njëri më i mirë se tjetri. Madje, në vitet që do të vijnë, shumica e tyre do të përbëjë elitën drejtuese të trajnerëve të skuadrave të volejbollit shqiptar. Të gjithë ishin djem të rinj, të cilët nuk i kalonin më shumë se 21-23 vjetët. Me siguri kjo Shqipëri do të ketë qenë skuadra më e re e këtij Kampionati Europian.

Le të udhëtojmë tash së bashku me Petrit Murzakun e shokët e tij në këtë Europian volejbolli të Bukureshtit të vitit 1955. “Me volejbollistët tanë në turne”.

Ky është titulli i katër shkrimeve me vijim të gazetës “Sporti Popullor” të vitit 1955 me autor kapitenin Petrit Murzaku të kësaj Kombëtareje. Është një titull, çka në të vërtetë mund të ishte thjesht një nëntitull, si të thuash, thjesht njoftues. Titull që për çudi nuk spikat me asnjë afirmim të arritjes befasuese shqiptare. Kjo gazetari ka qenë. E në këtë vështrim, pjesët e shkrimeve të Murzakut këtu po i botojmë pa asnjë ndryshim, germë për germë, presje për presje, siç është botuar asokohe. Teksa shohim se bartin sadopak edhe stilin e politikës së kohës. Ndonëse ajo që sundon është përshkrimi dhe gjykimi sportiv i ndeshjeve, madje shpesh edhe një gjykim teknik.

EKIPI KOMBETAR
Ekipi i volejbollit të Shqipërisë që mori pjesë për herë të parë në Kampionatin e Europës në volejboll. Nga e djathta: Petrit MURZAKU, Andon KONA, Jorgji KONA, Napoleon LLALLA, Shevqet KAU, Fatmir MEKA, Egon GJADRI, Qemal GJINALI, Vangjel KOJA.

                                                                           X X X
                                                         SHKRUAN PETRIT MURZAKU:
                                              ME VOLEJBOLLISTËT TANË NË TURNE
“Nuk mund të përshkruhet gëzimi me të cilin pritëm lajmin se skuadra jonë e volejbollit do të përfaqësojë vendin tonë në kampionatin Europian në Bukuresht dhe në lojnat e dyta sportive ndërkombëtare të rinisë në Varshavë. Ky fakt ishte një provë e kujdesit shumë të madh që tregon Partia dhe qeveria e republikës sonë popullore për lëvizjen fiskulturale dhe ngritjen e kualitetit të saj.

Detyra jonë ishte ta përfundonim me sukses këte mision, që të përfaqësonim denjësisht rezultatet e sportit tonë të ri popullor dhe të luftonim me të gjitha forcat për nderin sportiv të atdheut.

Eshtë për këte që mbas grumbullimit, ne filluam me njëherë nga afër stërvitjet. Volejbollistët e e grumbulluar ishin të gjithë të rinj. Praktikat e zhvilluara nën drejtimin e trajneres sovjetike Zoja Korjak na paisën me njohuritë e nevojshme teknike e taktike dhe me pregatitjen e duhur fizike.

… Çasti i nisjes erdhi. Të përcjellë nga përfaqësonjës të Drejtorisë së kulturës fizike e sportit dhe nga t’afërmit tonë ne u nisëm për në R.P. të Rumanisë. Gjatë gjithë udhtimit anëtarët e ekipit ishin të gëzuar dhe plot entusiazëm. Tema e diskutimit ishin ndeshjet e ardhshme. Duke qenë se merrnim pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë ndërkombëtar, ne i paraftyronim kundërshtarët tanë të gjatë, të fuqishëm, shutonjës të zot e pritës të mirë. Emocioni që na kishte përfshirë të gjithëve, na u largua kur mbërritëm në Bukuresht.

Ekipet ishin grumbulluar në hotelin “Atene Palas”. Pritja e përzemërt që na u rezervua nga shokët rumunë ishte një shprehje e lartë e miqësisë që lidh dy popujt dhe sportistët tanë në luftën dhe përpjekjet e tyre për ndërtimuin e jetës së re e të begatshme. Drejtonjësit e komitetit të K.F.Sp.. të R.P. Rumanisë vunë në dispozicionin tonë, përveç të tjerash edhe një trajner shteti, shokun Nikollai Terkila.

Më 15 qershor u zhvillua ceremonia e çeljes solemne të kampionatit evropian. Shorti na hodhi në grupin ku bënte pjesë skuadra përfaqësonjëse e Bashkimit Sovjetik, Francës dhe Finlandës. Ndeshjen tonë të parë ne do ta zhvillonim me përfaqësonjësen e Bashkimit Sovjetik, kampione evropiane e vitit të kaluar.

Ndeshja u zhvillua në terren të mbyllur në sallën e madhe të palestrës “Floriaka”. Taktika që ndoqi skuadra jonë gjatë kësaj loje ishte e thjeshtë dhe parashikonte brënda mundësive futjen e lojtarit të katërt në vijën e parë. Në fillim skuadra jonë udhëhoqi me sukses për shumë minuta me rezultatin 6-3. Nga ana e kundërshtarit u vu re një farë nënvleftësimi dhe vetëm mbas pushimit që ata morën në setin e parë, u mobilizuan dhe duke e zhvilluar lojën në një nivel të lartë teknik, i fituan të tre setet 3-0 (15-8, 15-8, 15-6).

Në këte ndeshje skuadrës sonë i mungoi barikada e mirë si dhe deri diku shutimet e dublimet. Por gjatë kësaj ndeshje skuadra jonë fitoi besimin në vehten e saj, në mundësitë që kishte për të zhvilluar lojna më të mira, të një kalibri të madh.

Në analizën e zhvilluar, trajneri ynë, rumuni Nikollai Terkila theksoi se mungesa e skuadrës sonë ishin dublimi i lojtarit të mesit dhe pozicioni i pritjes së topit nga kundërshtari kur ay bën shërbimin ose gjuajtjen” .

                                                                                 XXX
                                                           “NJË REZULTAT I MADH”!
Kështu guxoj ta përcaktoj sot, mbas 65 vjetëve, këtë humbje 3-0 në debutimin shqiptar me një prej skuadrave më të mëdha të botës, siç ishte kjo e Bashkimit Sovjetik: “Një rezultat i madh”! 8 pikë në setin e parë, 8 pikë në setin e dytë, edhe pse 6 pikë në setin e tretë. Është më se dinjitoze. Nuk mund të harrojmë. Kjo Shqipëri debutuese – përballë një Bashkimi Sovjetik Kampion i Europës në fuqi- me shifrat e përgjithshme të pikëve 45-22, ishte vërtet befasuese..

Ndërkaq, nuk duhet harruar; se përveçse kampion i Europës, Bashkimi Sovjetik ishte edhe kampion i botës në fuqi (1952). Praktikisht, së bashku me Çekosllovakinë, asokohe të dyja këto shtete ishin më të mirat e botës në volejboll. Duke u veçuar Bashkimi Sovjetik, i cili në të vërtetë ishte dy herë rresht (1949 dhe 1952) kampion i botës.

Duke gjykuar sot mbas 65 vjetëve, Shqipëria debutuese po bënte një befasi të madhe. Një gjë është: përgatitja e saj kishte qenë më se serioze. Skuadra mbasi ishte përzgjedhur, qysh nga 18 janari 1955, ajo ishte stërvitur në Tiranë dy herë në javë, afërsisht 5 muaj pa ia nda, nën drejtimin e trajneres sovjetike Zoja Korjak. Ishin stërvitjet spartane të sportit sovjetik, që tashmâ, gjithnjë e më fort do të sundonte botën. Po “eksperimentonte” pa mëshirë edhe në Shqipërinë e vogël.

Madje këtu deri me një befasi të rrallë: me një trajnere femër, sovjetikja Zoja Korjak!

E rëndësishme ishte se stili sovjetik i volejbollit sapo kishte hyrë edhe në Shqipëri me të gjithë forcën e tij. Dhe është ky stil, ishin këto metoda sovjetike që menjëherë mbas prishjes me Jugosllavinë (1948), do të sundonin gjithë sportin shqiptar, prej futbollit e deri te volejbolli apo atletika e lehtë e të tjera. Nuk mund të themi ndërkaq, nëse ky stil ishte përçuar, bie fjala, sa duhet te sporti i basketbollit, por te volejbolli e gjitha kjo, tashmâ ishte punë e kryer. Nuk di a mund të pranojmë sot, që nëse vërtet, shkolla botërore sovjetike e volejbollit kishte zbuluar te rinia sportive shqiptare një prirje apo vokacion më të veçantë volejbollistik. Ndoshta ka “zbuluar” shkathtësinë, por më saktë intuitën apo mënyrën bashkëpunuese të gjashtë lojtarëve në një gjysmë fushë aq të vogël, mbi të gjitha temperamentin dhe guximin – cilësi këto që volejbolli shqiptar do t’i përforconte tejet në vitet që vinin.

E vërteta ishte se shtetet e Lindjes komuniste zotëronin majat e volejbollit botëror. Dhe nuk është një rastësi që në këtë kampionat nuk marrin pjesë disa shtete të Perëndimit kapitalist me përjashtim të Francës, Italisë, Finlandës, Belgjikës dhe Austrisë. Ishte ende herët për të ardhur shtete të tilla si RF e Gjermanisë apo Spanja, ndërkohë që Lufta e Ftohtë, në acarimet e vazhdueshme Perëndim – Lindje, ende nuk mund të “lejonte” shpërthimin e Republikës Demokratike të Gjermanisë që mbas pak do të bëhej një superfuqi volejbolli edhe ajo.

Historia na thotë se edhe deri sot e kësaj dite Lindja, natyrisht tashmâ jokomuniste, në bilanc, është po në krye të cilësisë më të lartë ndërkombëtare të sportit të volejbollit. Mjafton të kujtosh se në 19 edicionet e deritashme të Kampionatit Botëror, në plot 12 prej tyre kanë fituar vendet e Lindjes. Sigurisht pa harruar se në kohët e tashme do të dilnin në krye SHBA, Brazili, Spanja, Italia, të cilët ndërruan plot forcë kahet e fitoreve në volejboll. Por në thelb, elita Lindore e asokohe e volejbollit europian ishte pjesëmarrëse dhe sunduese e plotë në këtë kampionat të vitit 1955. Shkolla çekosllovako-sovjetike do të triumfonte kahdo që ta marrësh. Kjo shkollë do të ndërhynte kështu bukur e mirë edhe në volejbollin shqiptar. Dhe jo thjesht me një trajnere femër, të shquarën Zoja Korjak e mbas saj me një trajner rumun me emrin Nikollai Terkila, por me vetë ekipin e meshkujve të Shqipërisë. Do të ishte më shumë se kaq.

Po çka do të ndodhte më tej me Shqipërinë e Bukureshtit 1955?

Më tej këtë do të na e tregojnë shkrimet në vazhdim të kapitenit Petrit Murzaku të 65 vjetëve më parë si dhe gjykimi ynë i mbas 65 vjetëve…

SHËNIM: Me kërkesën e autorit, saktësojmë se ky shkrim ka ardhur në redaksi të shtunën më 4 korrik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"