Shqipëria e bukur e të sprovuarit Edy Reja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 20:25

Shqipëria e bukur e të sprovuarit Edy Reja

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

“…Io, per me, sarei sodisfattissimo di poter aiutare qualquno che non sappia a veder meglio e aspiegarsi con sempre maggiore agio una partita. Il calcio è il gioco piu bello del mondo per tutti quelli che amano il calcio. Purtroppo, o per fortuna, non sempre amare il calcio significa capirlo. Può anche succedera (dio ne guardi!), che conoscendolo sempre meglio si apprezzi sempre un po’ meno: è però certo che, se resta bello e buono anche agli occhi di chi lo capisce, allora non esiste gioco al mo che valga il calcio. Io così la penso da almeno ciquant’anni…”

GIANNI BRERA, 8 marzo 1978

(“…Unë për vete, do të isha shumë i kënaqur që të mund të ndihmoja dikë që nuk di të shohë më mirë dhe të shpjegojë përherë me lehtësi gjithnjë e më të madhe një ndeshje. Futbolli është loja më e bukur në botë për të gjithë ata që e duan futbollin. Fatkeqësisht, ose për fat, jo gjithmonë ta dashurosh futbollin do të thotë që edhe arrin ta kuptosh atë. Mund të ndodhë gjithashtu (Zoti na ruajt !), që duke e njohur atë përherë e më mirë, ta vlerësosh përherë e më pak: megjithatë, kuptohet që nëse ai mbetet i bukur dhe i mirë edhe në sytë e atyre që e kuptojnë, atëherë nuk ka lojë në botë që ia vlen më shumë se futbolli. Unë kështu kam menduar për të paktën tash pesëdhjetë vjet… “)

GIANNI BRERA, 8 mars 1978

Ndërsa unë e bashkova bukurinë e futbollit me rezultatin. E, kështu, po tregoj paksa se çka më ndodhi 24 orë para ndeshjes Shqipëria – Hungaria e 5 shtatorit që sapo shkoi. Po kuptoja se mbas humbjes së thellë 1-4 me Poloninë në Varshavë, gati-gati po e “mbysnin” Kombëtaren. Dhe më lindi ideja për një shkrim që ta mbroja atë dhe të ndikoja sadopak për një nxitje për fitore në ndeshjen e radhës, atë me Hungarinë.

U lidha me kryeredaktorin e “Panorama Sport”, Jetmir Halilajn, kur duheshin afërsisht edhe nja 10 orë që të mbyllej numri i së nesërmes, 4 shtator. I thashë që po përfundoja një shkrim disi të shpejtë që ka vlerë vetëm po të botohej të nesërmen, pra 24 orë para ndeshjes me Hungarinë. Ai më kuptoi fort mirë dhe unë nisa shkrimin me titullin “Cili shqiptar do t’ia shënojë nesër golin e parë Hungarisë?”

Broja

Dhe jo vetëm kisha guxuar të parashikoja fitoren 1-0, por edhe e mbyllja me këto dy fraza thirrëse: “Nesër pra do të mësojmë se cili shqiptar ‘do t’ia shënojë’ golin e parë Hungarisë, golin e fitores së parë të Shqipërisë ndaj saj. Do të jetë më i rëndësishmi në kët’ histori, sepse përveç të tjerave, do të jetë gol i Kupës së Botës. Forca pra!…”.

Dhe mandej, të nesërmen “parashikimi” u realizua. Shqipëria fitoi për herë të parë me Hungarinë, ashtu si kisha parashkruar, pra 1-0, duke i shënuar golin e parë në histori.

Të nesërmen e fitores disi papritmas kam marrë përgëzime për këtë “parashikim” që doli krejt i saktë. Prej Enver Memishajt e Çelik Petritit, prej Amanet Bushatit e Nderim Gocit e disa të tjerë. E pra, përveç kënaqësisë që ashtu doli, nuk ndjeva ndonjë krenari. Kësisoj, sepse mund të mos më dilte parashikimi kur kujton e sa tradhtuese është “loja e topit të rrumbullakët”, për më tepër që nuk luhet me dorë, por me këmbë. Më kishte thirrur “kushtrimi i të parëve” të profesionit të gazetarit, që të kërkon përherë të jesh sa i rreptë po aq edhe i matur, sa paramendues po aq edhe paranjohës i asaj që mund të ngjasë, çka do të thotë që të përpiqesh ta njohësh futbollin, e po ashtu, kur e njeh, të mos t’i marrë Zoti mendtë e të nënvleftësosh pikërisht këtë njohje, siç shkruan Brera në radhët nëntitulluese në krye të këtij shkrimi, të vëna në origjinalin italisht e të përkthyera në shqip.

1. Thënia e mësipërme e këtij të madhi të gazetarisë vetvetiu po më çon te bukuria. Dhe, si për çudi, dua të guxoj për herë të dytë e të them se një nga ndeshjet më të bukura të historisë së Kombëtares së Shqipërisë ka qenë kjo 5-0 me San Marinon e një futbolli të vogël e modest, natyrisht. Duket si paradoksal ky vlerësim, mirëpo dihet ndërkaq se të gjitha ndeshjet e futbollit kanë një “fotografi” të vetme: të gjitha luhen 90 minuta; në të gjitha janë 11 njerëz kundër 11 njerëzve; në të gjitha mund të ketë fitore, barazime e humbje; në të gjitha ka 1 pikë për barazimin e 3 për fitoren. Të gjitha këto e bëjnë të barabartë në vlerë çdo ndeshje futbolli, pavarësisht nga ndryshimi i forcave midis dy skuadrave. Dhe merreni me mend: nëse papritmas Shqipëria nuk do të kishte fituar me San Marinon, ajo kurrsesi nuk do të renditej në gjysmë të rrugës për herë të parë në histori në vendin e dytë të grupit të saj në kualifikimet e Kupës së Botës.

E pra, ku qëndronte bukuria e ndeshjes me San Marinon? Pse jo, në të vërtetë, bukuria e saj ishte e dyllojshme: “bukuri dramatike”, ngaqë Shqipërisë iu deshën 32 minuta që të niste fitoren dhe “bukuri spektakolare” në 60 minutat e tjera. Këto qenë minutat e një shfaqjeje që rrallë e kemi parë në këtë elegancë, kolektivitet, harmoni, teknikë e aftësi shënuese, çka përveç të tjerave, dha fitoren më të thellë në të 246 ndeshjet që Shqipëria ka zhvilluar për Kampionatet e Europës, të Botës dhe Ligës së Kombeve.

Nuk ishte fort e lehtë për t’ia arritur kësaj, qoftë edhe përballë një kundërshtari vërtet modest, por i cili kishte vendosur të shndërrohej në një lloj kështjelle të moslejimit të pësimit të golave. Mirëpo, larmia e lojës së djemve të Shqipërisë prej Mihajt, Kumbullës e sidomos Gjimshitit; prej Hysajt, Bajramit, Bares e Trashit; prej Laçit, Uzunit e Manajt; e deri te Doka, Roshi, Ramadani e Çokaj ishte kaq e pasur, saqë ndeshja ta mbante frymën. Mbas golit të parë që vonoi, u shënuan edhe katër gola të tjerë, por edhe më mund të shënoheshin. Ndeshjes duket se nuk i mungoi asgjë. Nuk mendoj se sulmi i përkiste një taktike mirëfilli në planifikim.

Në thelb ishte një lloj futbolli thuajse total, ku të gjithë synonin vetëm portën kundërshtare. Sapo i merrej topi sanmarinezëve, pasimet, lëvizjet e shpeshta të vendeve, qarkullimi thuajse i rrufeshëm i topit të përcillnin ose te gjuajtjet, ose te goditjet e shumta të këndit e në fund të fundit te golat. Mandej gëzimi e bashkimi në përqafime të llojit shqiptaro-europian. Megjithatë, për çudi, ndeshjes i mungoi diçka.

Të duket sikur i mungoi portieri ynë i talentuar Thomas Strakosha i shndërruar në spektator. Nuk gaboj kur them se ky është rasti i vetëm në të 353 ndeshjeve të Kombëtares ku portieri i saj thuajse “nuk ka marrë pjesë”, ndonëse ai aty ishte. Dhe jo për fajin e tij, por për meritë të shokëve të tij që i dhanë leje pushimi të papame në një ndeshje kësisoji të historisë sonë sado modeste qoftë ajo. Ndonëse dihet, ka do kohë të mira që modeste ajo nuk është mâ. E në këtë vështrim të qetë nga përballë, Strakosha, po të merrte penën, ndoshta do ta përshkruante ndeshjen më mirë se çdo gazetar i tribunës së shtypit apo i ekranit të vogël si puna e autorit të këtij shkrimi…

Dhe ja tek po kthehem tri ditë mbrapa, te ndeshja që për kah historia guxoj ta quaj të madhe, ajo me Hungarinë, dikur e legjendarit Ferenc Pushkash. Nuk i ngjason për kah rezultati San Marinos. I ngjason tejet në mënyrën e lojës që si pa dashur të përsëris, them se është e njëjtë për kah stili sulmues, për kah kolektiviteti e sulmi frontal, nga e majta më të djathtë. Madje, edhe nga mesi në zhdërvjelltësinë hyrëse, jo thjesht nga krahët, por edhe aty ku është më e vështira: ballë përballë, mû në labirintet e qendrës së mbrojtjes hungareze.

Një volum i tanë, i cili prodhimin e tij fatlum e kishte lënë për minutën gati të fundit, atë të 87-të kur 20-vjeçari “britanik” nga Shkodra, Armando Broja, tundi rrjetën! Ndryshimi i ndeshjes me Hungarinë me atë të San Marinos ishte vetëm në dramaticitet. Kjo me hungarezët ishte e tana dramë, në të gjitha 90 minutat. E dyta në vetëm 30 minutat e para. Ndërsa në golat ato ndryshojnë dukshëm nga njëra te tjetra.

Mirëpo dihet, vlera është krejt e njëjtë: 3 pikë për secilën. E po kthehem në tri ditë të tjera mbrapa. Po shkoj për t’u ndalur paksa te humbja “katastrofale” 1-4 me Poloninë. “Katastrofale” në thonjëza, sepse në përmbajtje ajo nuk ishte e tillë. Trajneri Edy Reja me kryefortësi i mbrojti vlerat e asaj ndeshjeje.

Ai tha se skuadra luajti mirë, por gabimet në episode shkaktuan humbjen asisoj, pa harruar mosdhënien e një 11-metërshi të qartë, kurrsesi si vetë shifrat 4-1 që u sendërtuan më mbas në “paqartësinë” e tyre. M’u kujtua kësisoj një ndeshje po e këtij rezultati, ajo e humbur në 2002, po 4-1, në Vollgograd me Rusinë. Pata shkruar kështu: “Përjetuam humbjen e thellë, të një loje në tanësi. Trajneri Dossena përjeton ndryshe nga ne: ‘Ne humbëm për shkak të gabimeve të individëve, – thotë ai, – jo të mënyrës së lojës në tanësi’. Dhe vetëm kaq?”… Ngjashmëria “stalingradase” datuar 2002, me humbjen e Polonisë, çuditërisht më duket e pagabueshme. Ky është futbolli!…

2. Tash mbërrijmë te vlerësimi tjetër, ai historik. E, këtu ka plot risi, madje befasuese. Ndodhi që për herë të parë në histori, në gjysmë të rrugës së saj kualifikuese për një Kampionat Botëror, Shqipëria të ndodhet në vendin e dytë! Një vend i dytë që mund të rezistojë e po aq mund të shndërrohet në vend të tretë e madje edhe në vend të katërt. Them kështu kur kujtoj se cilat janë ndeshjet e ardhshme dhe sidomos kur shoh se ndryshimi në pikë midis treshes Shqipëri-Poloni-Hungari është milimetrike: vetëm 1-2 pikë.

Pavarësisht nga kjo, Shqipëria e këtyre tri ndeshjeve ka qenë vërtet e bukur. Jo bukuri e një romantizmi të futbollit, por një bukuri moderne, racionale, në fund të fundit, praktike, rezultative. Bukuri e një maratone të rrallë futbolli të tri ndeshjeve në vetëm 7 ditë. Masakruese! Çka, kjo Shqipëri e bukur e trajnerit të sprovuar Edy Reja e ka përballuar me plot dije të futbollit falë jo pak, por plot të 23 lojtarëve.

Edi Reja

Thuajse me dy Shqipëri. Nga Polonia te Hungaria trajneri ka shkuar me 4 lojtarë të tjerë. Nga Hungaria te San Marino ka shkuar me plot 7 lojtarë të tjerë. Ky është guximi i një trajneri të sprovuar. Shqipëria duket që është tejet e barabartë midis vlerave të lojtarëve.

Ndoshta si asnjëherë tjetër. Edhe për këtë tregues ajo është krejt afër rekordit të ri rezultativ për Kupën e Botës. Jo thjesht ngaqë synon vendin e dytë, çka në këtë garë nuk e ka mbërritur asnjëherë, por sepse është vetëm 1 pikë larg rekordit të mbajtur prej trajnerëve De Biasi & Panucci – 6 ndeshje të të parit e 4 të të dytit – që i përket grupit të edicionit të Kupës së Botës 2018, kur Shqipëria mori 13 pikë; e paksa edhe të atij të trajnerit Briegel, i cili në edicionin e Kupës së Botës 2006 mori po 13 pikë, por në një grup jo me 6, por me 7 skuadra.

Duket qartë se rekordi i tyre do të thyhet. E rëndësishme nga pikëpamja historike është se trajneri Edy Reja papritmas ka hyrë në një duel të këndshëm me trajnerin tonë më rezultativ, që është Gianni de Biasi. Kësaj here ndodhi që në referendumin e periodikut tim “Futbolli Shqiptar” Mg”:

“Trajneri më rezultativ i Kombëtares në Kampionatet Botërore, Europiane dhe Ligën e Europës”, Reja u barazua me De Biasin në renditjen e suksesit: të dy me të njëjtin koeficient (15) të shkallës së cilësisë. Ky është një referendum sa objektiv, por paksae dhe subjektiv, që konceptohet duke pasur për bazë këta 7 tregues: I.

Përqindja e suksesit në renditjet në turnetë kualifikues; II. Ndeshjet e rralla; III. Përqindja e suksesit për të gjitha ndeshjet; IV. Mesatarja e pikëve për ndeshje;

V. Numri i fitoreve të arritura; VI. Golavarazhi më i mirë: VII. Rezistenca si trajner. Renditja, kam përshtypjen, se mund të paraqesë edhe këtu interes për lexuesin, sepse në njëfarë mënyre, përmes saj, kujtohet historia rezultative e 21 trajnerëve të Kombëtares në ndeshjet kualifikuese euro-botërore. Është kjo:

de-biasi-reja-770x433 (1)

RENDITJA E PËRGJITHSHME E “TRAJNERIT MË REZULTATIV”:

1. Gianni DE BIASI 15

1. Edoardo REJA 15

3. Hans Peter BRIEGEL 41

4. Otto BARIC 43

5. Ervin BULKU 51

6. Josip KUŽE 60

7. Neptun BAJKO 61

8. Arie HAAN 64

9. Loro BORIÇI 67

9. Ilia SHUKE 67

11.Christian PANUCCI 68

12.Astrit HAFIZI 71

13.Giuseppe DOSSENA 79

13.Dzemal MUSTEDANAGIC 79

15.Zyber KONÇI 82

16. Shyqyri RRELI 86

17.Bejkush BIRÇE 94

18.Medin ZHEGA 95

19.Sulejman DEMOLLARI 110

20.Agron SULAJ 111

21.Myslym ALLA 112

Për një çast duket se po fetishizoj rolin e trajnerit. Kjo, sepse në fund të fundit ata që i kanë në dorë gjithë këto lloj referendumesh, historish, synimesh, arritjesh, në të vërtetë nuk mund të jenë trajnerët. Kështu, sepse gjithçka e kanë në dorë ata që luajnë me topin në fushën e lojës.

Pra, lojtarët. Trajneri është në pankinën e drejtimit, një personazh i jashtëlojës, pa harruar atë që të gjithë e dimë fort mirë: që trajneri është, si të thuash ideatori, po aq edhe “piktori” i tablosë, çka skuadra do të kompozojë dhe realizojë konkretisht në fushën e lojës. Natyrisht, duke ndërhyrë jo drejtpërdrejt në lojën e 11-shit të tij. Para do kohe Shqipëria e këtij trajneri arriti që për herë të parë në historinë e saj të zërë vendin e parë në një grup kualifikues, siç ishte ai i Grupit C/4 të Ligës së Kombeve, ndonëse dihet, kjo “Ligë” nuk është e rangut të Kupës së Botës dhe të Europës. Tash të duket se jemi gozhduar tek ëndrra e vendit të dytë në grup për kualifikimet e Kupës së Botës.

Nuk mund ta kalojmë aq lehtë e vend për eufori nuk ka. Ajo çka do vlerësuar fort, është përtëritja e skuadrës, teksa veçon këtu një treshe 19-20-vjeçarësh, madje mirëfilli titullarë, si Kumbulla, Bajrami e Broja. Pa harruar Çokajn, ndërsa nuk mund të qëndrosh indiferent kur pranë hyrjes për së mbari në fushën e lojës janë befasisht edhe dy 18- vjeçarë: Ramën Çepele e Mario Mitaj, çka qysh me rastin e Iljaz Çeços nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër në historinë e Kombëtares. Befasia tjetër është se trajneri Reja ka pakësuar ardhjen e lojtarëve shqiptarë nga Kosova.

Merret me mend kjo, ngaqë Kosova tash ka Kombëtaren e saj. Po ndodh ajo që e kam thënë qysh prej nja katër a pesë vjetëve më parë. Ishin pak ata që ma besonin. Të shumtë ata që më kundërshtonin… Dhe risia më e fundit. Ndër më shprehëset nga pikëpamja historike. Është risia që na thotë se mbas këtyre dy fitoreve, trajneri Edy Reja u bë trajneri i parë i Shqipërisë – me mbi 2 ndeshje të drejtuara – i cili ka një bilanc pozitiv në kualifikimet e Kupës së Botës, të Europës dhe Ligës së Kombeve: 20 ndeshje, 10 fitore, 3 barazime, 6 humbje me golat 31-26! Dhe janë 20 ndeshje.

E ka jubile. Kjo deri më sot nuk ka ngjarë me asnjë trajner të Kombëtares. Atëherë, a do të përjetojmë mendësinë e fitores apo të suksesit në vazhdimësi me këta futbollistë dhe me këtë trajner? E më tej: Mos po nisim një histori të re “triumfi” të futbollit të Kombëtares së Shqipërisë edhe nën drejtimin e trajnerit të sprovuar Edy Reja? Do ta dëshironim fort. E, megjithatë, unë për vete, këtu hesht. Ende më duket retorikë.

Nuk kam guxim të parashikoj e të marr me mend se çka do të ndodhë. Uroj vetëm që të mos harrojmë mësimin e madh të një kolosi të gazetarisë botërore, siç është Gianni Brera i cili thotë: “…Se resta bello e buono anche agli occhi di chi lo capisce, allora non esiste gioco al mo che valga il calcio” (“…Nëse ai mbetet i bukur dhe i mirë edhe në sytë e atyre që e kuptojnë, atëherë nuk ka lojë në botë që ia vlen më shumë se futbolli”). E atëbotë, Shqipëria e trajnerit të sprovuar Edy Reja mund të mbetet edhe ajo kësisoj e bukur.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panoramasport.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"