Shqipëria 1961 dhe sporti e futbolli i saj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 20:24

Shqipëria 1961 dhe sporti e futbolli i saj

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

PJESA E DYTË

PASURIA E MADHE E 20-VJEÇARËVE…

Dhe le të vazhdojmë më tej:

Kësisoj, dukja e jashtme, në gjithçka paraqet një kampionat disi të qetë, pa menduar askush se ai do të kishte një mbyllje të bujshme, madje me një risi që do ta vinte Shqipërinë midis shpikësve të parë në Europë të atij që gjysmëshekulli më vonë do të lindte si i ashtuquajturi “golden goal”. Ende ishim larg nga kjo…

Dhe ja ku mbërrin java 3 dhe Skënderbeu i Korçës fikson një 1-1 dramatik ndaj Dinamos (Bespalla 30′, Lara 41′), ndeshje së cilës shtypi mezi i kushton nja pesë rreshta.Ajo që sundon në komentet është fitorja e thellë 3-0 e 17 Nëndorit ndaj Tomorit të Beratit. Por, javës i mungon Partizani për shkak të debutimit të tij në Brashovë të Bullgarisë për Kupën Ballkanike me Steagul Roshu, humbje 0-1. Sapo kthehet, pa e ndalë frymën ai fiton 3-0 me Vllazninë duke pas 9 prej lojtarëve të Brashovës. Ka përpara një Vllazni me nja pesë djem 19-20-vjeçarë si Z.Dani, S.Dani, Rakiqi, Çapaliku me në krye 17-vjeçarin Ramazan Rragami, pa menduar askush se mbas pak viteve ky Rragam do të ishte shtyllë e po e këtij Partizani. Vllaznia e re nuk mund të kalojë pa i lënë mbresa profesorit të paharrueshëm Skënder Begeja në rolin e gazetarit, teksa shkruan, duke parashikuar një të ardhme: “…Lojtarët shkodranë, megjithëse luajtën dobët, kanë në gjirin e tyre elementë teknikë mjaft të mirë, të cilët për të ardhmen, japin shpresa të mira…”.

Për historinë skuadrat janë këto:

 15.03.1961. Java 3. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

PARTIZANI – VLLAZNIA 3-0

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu,

Ndini, Shllaku, Kraja, Bukoviku, Pano, Resmja, Jashari (S.Deda).

VLLAZNIA: Z.Dani (Hoxha), Çapaliku, S.Zmijani, Hasa,

Rragami, B.Cungu, Alibali, Rakiqi, S.Dani, Medja, Çefa.

GOLAT: Pano 18′, 24′, Kraja 47′.

GJYQTARË: B.Hamdiu, H.Cenoymeri, H.Arbana

Kur mbërrin java 4, epiqendra bëhet ndeshja Dinamo – 17 Nëndori e cila me ashpërsinë e saj deri në gjeste të papranueshme, megjithatë duket se i jep jetë kampionatit. Ndonëse ndeshja mbërrin deri aty saqë nuk ia kursen kritikën e rreptë njërit prej gjyqtarëve më të mirë të Shqipërisë, Ramazan Kuka. Kryeepisodi i ndeshjes është veprimi i 17 Nëntorit që, me në krye kapitenin Enver Shehu, kërkon të braktisë fushën. E edhe pse nga minuta 70 me largimin e mbrojtësit Llalla për shkak traume, edhe pse me 10 lojtarë, Dinamo arrin të shënojë edhe golin e dytë me Bespallën. Është fitore e saj 2-0, çka nuk don ta pranojë 17 Nëntori. Pamja është kjo skedë për ne sot krejt e jashtëzakonshme që na “dhuron” 5 djem të 17 Nëntorit të cilët nuk e kalojnë moshën 20-vjeçare: Frashëri, Kasmi, O.Mema, Xhaçka, Ishka. Do të bëheshin ndër më të famshmit e futbollit shqiptar:

19.03.1961. Java 4. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

DINAMO – 17 NËNDORI 2-0

DINAMO: Beliu, Llalla, S.Halili, Halluni, H.Verria,

N.Çaushi, Vorfi, Jareci, Bespalla, Lubonja, Duro (E.Caslli).

17 NËNDORI: Metani, Frashëri, Stërmasi, Kasmi, Baçi,

O.Mema, Xhaçka, Bylyku, F.Ruço (Fishekati), E.Shehu, Ishka.

GOLAT: Duro 26′, Bespalla 83′.

GJYQTARË: R.Kuka, M.Dalipi, B.Dibra.

Mandej mbërrin java tronditëse nr. 6. Kështu mund ta përcaktoj. Rezultatet e saj ishin këto: Vllaznia – 17 Nëndori 2-0, Skënderbeu – Traktori 2-2, Dinamo – Flamurtari 1-2, Tomori – Partizani 1-6, Labinoti – Besa 2-0. Midis tyre veçohen dy: fitorja e Vllaznisë ndaj 17 Nëndorit dhe sidomos ajo 2-1 e Flamurtarit me Dinamon brenda në Tiranë. Të gjitha ndeshjet luhen në një ditë, 2 prill 1961. Ne, spektatorët e stadiumit “Dinamo” të pranishëm, na duhej të dilnim prej stadiumit, t’i afroheshim postës së Tiranës që ndodhej në qendër përballë Kishës Ortodokse të sotme dhe në një letër të vockël të varun te muri i territorit të saj, të mësonim rezultatet e tjera. Kështu ka qenë. Ishte viti 1961 kur në radio transmetohej vetëm 1 ndeshje nga Tirana. Të tjerat ishin në mëshirën e kapriçove të linjave të telefonave krejt të paktë që kishte Shqipëria e asokohe, rezultatet e të cilave mësoheshin në një letër të varun te muri i postë-telefonave. Në dy ndeshjet që veçojmë, nuk përmbahet sulmuesi i Vllaznisë Zija Halluni me dy golat e tij ndaj 17 Nëndorit që çon peshë një qytet të tanë të Shkodrës, në vite kur skuadra shkodrane, ndonëse e përtërirë prej talentesh, megjithatë vazhdonte të vuante. Por, epiqendra do të bëhet ndeshja Dinamo – Flamurtari e cila merr hapësirën e komenteve. Është 2-1 për Flamurtarin brenda në Tiranë. Skuadrat drejtohen nga dy “teorikë” të futbollit, siç përcaktoheshin dy trajnerët Zyber Konçi i Dinamos dhe Isuf Pelinku i Flamurtarit – diplomantë të kulturës fizike e të futbollit në Pragë e Budapest.

21

Nga faqet e “Sportit Popullor” 1961. Partizani – Levski 2-0 për Kupën Ballkanike. Goli i jashtëzakonshëm i Kolec Krajës drejtpërdrejt nga goditja e këndit. (Foto PROKOP KORETA)

Dhe ndonëse përjetohej një lloj paqëndrueshmërie e përvetësimeve taktike moderne të skuadrave shqiptare, u mbërrit deri aty sa të përcaktohej se Dinamo kishte përdorur skemën 1-3-2-4-1, ndërsa Flamurtari atë 1-3-2-2-3, të denja për skuadra të mëdha. Askush nuk e mendonte fitoren e vlonjatëve. Aq më tepër që Dinamo kryeson me golin e Jarecit në minutën 1. Mirëpo, ja që një ish-dinamas i shquar, Dhimitër Gjyli, i sapo kthyer në Vlorën e tij, bëhet protagonist. Ai barazon vetëm 6 minuta më vonë dhe i dhuron topin e çmuar Opingarit, vetëm pesë minuta para mbarimit (85′) që vulos 2-1 për Flamurtarin. Atje tej, në Berat, replika e Partizanit është ndërkaq, krejt e pamëshirshme. Ai fiton thellësisht, plot 6-1 ndaj Tomorit (Bukoviku 2, Ndini, G.Merja, Seferi, Jashari) dhe e sheh veten 3 pikë mbi Dinamon, duke menduar para kohe se me këtë largësi dhe humbje, mund të niste kriza e kampionëve. Krizë që java e 7-të, çka do ta tregojmë pak më poshtë, sikur do t’i vinte vulën. Por para se të shkojmë atje le të tregojmë një ngjarje të rangut ndërkombëtar që i ndërhyn kampionatit si një margaritar i vogël për historinë e futbollit shqiptar.

PARTIZANI – LEVSKI I SOFJES 2-0 DHE ESEJA E PROFESOR BEDRI DEDJES

Ajo ishte ndeshja e dytë e Partizanit për Kupën Ballkanike, mbas humbjes 0-1 në Brashovë me Steagul Roshu. Sigurisht jam spektator i ndeshjes në tribunën karshi, shtrënguar tejet midis ndoshta nja 15.000 a 20.000 shikuesve, kur normalisht kapaciteti i tij ishte vetëm 10.000! Ka qenë një nga ndeshjet më të bukura në historinë ndërkombëtare të klubeve shqiptare. Dhe ishte përballë nënkampiones së Bullgarisë – Levski – një nga skuadrat më popullore të Bullgarisë. Nga jashtë të dukej se ndeshja ishte edhe një duel i bukur trajnerësh të famshëm të të dyja vendeve, Rexhep Spahiut të Shqipërisë dhe Vasili Spasov të Bullgarisë, të cilët 15 vjet më parë, më 1946, kishin kryqëzuar shpatat në Tiranë, në ndeshjen Shqipëria – Bullgaria 3-1, që i kishte dhënë skuadrës shqiptare titullin e kampiones së Ballkanit. Ajo është një ndeshje po aq e rrallë edhe përmes episodeve të golave. Partizani, i drejtuar pra, plot largpamësi prej trajnerit të paharrueshëm Rexhep Spahiu, siguron 2-0 qysh në pjesën e parë.

2

Është goli i Kolec Krajës në të 15′, i shënuar prej tij drejtpërdrejt nga goditja e këndit – çka sot e kësaj dite mbetet episodi i të vetmit gol ndërkombëtar shqiptar i shënuar drejtpërdrejt nga “kornia”. Dhe pa kaluar shumë, në të 23′ vjen goli i dytë edhe ky krejt origjinal në teknikën e realizimit. I papërmbajtshmi Panajot Pano, mbasi me driblimet e tij mposht krejt mbrojtjen bullgare, harkon për në portë për të shënuar ai vetë. Mirëpo, portieri Dervenski arrin ta prekë topin, që shmanget për te Jashari. Berti është me shpinë nga porta dhe mendja i thotë që të përdorë thembrën e këmbës. Kështu vepron dhe 2-0! Në pjesën e dytë Partizani luan edhe më mirë, por nuk shkon përtej një “bombe” të Ndinit që trondit shtyllën e portës bullgare. Është 2-0 përfundimtar. Autori i reportazhit të ndeshjes, Anton Mazrreku, përcakton se “Partizani manifestoi karakteristikat e ndritshme të futbollit tonë”, një përcaktim ky, që për shumë asokohe, do t’ia merrte frymën stilit përshkrues të futbollit shqiptar. Tek është dhe pamja skeduese e ndeshjes:

29.03.1961. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”.

Për Kupën Ballkanike

PARTIZANI – LEVSKI I SOFJES 2-0

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu;

Ndini, Shllaku; Kraja, Bukoviku (G.Merja), Pano, Resmja, Jashari. TRAJNER: R.Spahiu.

LEVSKI: Dervenski; Vasiliev, Filipov, Donçev; Prodanov,

Vucov (Pejev); Abaxhiev, Sokollov, Jordanov, Georgiev, Gajdarov. TRAJNER: V.Spasov

GOLAT: Kraja 15′, Jashari 23′.

GJYQTARË: Krucescu, Toth, Mihailescu (Rumani).

SHIKUES: 15.000

Mirëpo, ja që ndodh që ndryshe nga Anton Mazrreku ynë i madh, kjo ndeshje do të nxisë penën e shkrimtarit të mirënjohur, pedagogut të shquar prof. Bedri Dedjes. E, për fat, ai kishte qenë nxënës i babës tim Gani Dizdari, në Shkodër, të cilin në librin e tij të kujtimeve e ka nderuar duke lënë një përcaktim të rrallë. Ndërsa unë, student i profesor Bedriut. Ky njeri i shquar i letërsisë, pedagogjisë, psikologjisë e i arsimit kombëtar, e përdor këtë fitore për të shkruar një ese të rrallë për futbollin shqiptar, për vlerat e tij sa sportive, po aq dhe sociale e psikologjike, por edhe të edukimit qytetar të rinisë. Nën okelion “Mendime të një simpatizanti” – çka nënkupton modestinë e rrallë që e karakterizonte këtë dijetar të paharrueshëm të pedagogjisë e psikologjisë shqiptare, shkrimin ai e titullon “Ju drejtohemi juve, shokë futbollistë”. Ia vlen që për pasqyrim të mendësisë së një kohe, të ribotojmë këtu këtë fragment: “…Mundohuni ta krahasoni futbollin, lojën tuaj, me çdo veprimtari tjetër! Artisti i mirë kur del në skenë mendon, në rradhë të parë, për publikun e sallës që ta kënaqë sa më shumë. Pedagogu, kur shkon në klasë, mendon në rradhë të parë për nxënësit dhe studentët që t’i kënaqë, që t’ua spjegojë mirë mësimin dhe ata ta kuptojnë…

Dhe për artistin, pedagogun, ashtu si dhe për çdo njeri tjetër, nuk duhet të ketë kënaqësi më të madhe, se sa kur spektatorët ose nxënësit dalin nga salla e çfaqjes apo klasa të kënaqur, me humor të ngritur dhe me ndjenjën e mirënjohjes për mësuesin ose artin e egzekutuesit! Futbolli, megjithëse nuk është dhe nuk duhet të jetë profesion, ka një privilegj, të cilin mund t’ia kenë zili shumë lloje të tjera veprimtarie. Në stadium vijnë njëherësh 15-20 mijë spektatorë që kanë respekt dhe dashuri për futbollin. Asnjë klasë shkolle nuk ka kaq nxënës, as salla më e madhe e koncerteve në botë nuk besoj të marrë më shumë spektatorë, se sa stadiumi më i vogël i botës. Asnjë shkrimtar në vendin tonë nuk mund të shpresojë që romanin e tij të fillojnë e ta lexojnë 20 mijë vetë që në ditën e parë të daljes së tij në qarkullim. Spektatorët e futbollit pra, janë më të shumtë. Ata vijnë sepse ju respektojnë juve, shokë futbollistë, ose kanë dëshirë të shohin mjeshtrinë tuaj! Pra mos vallë nuk është i denjë ky publik që të respektohet njëqind herë më shumë nga ana juaj nëpërmjet lojës së bukur, të shkathët, korrekte e mbi të gjitha të ndershme? A nuk është një faj i rëndë sa mali për ndërgjegjen e futbollistit që ky publik i mrekullueshëm të “gostitet” me lojë të shëmtuar, kapriçio dhe tendenca lufte të pandershme sportive nga disa prej shokëve tuaj? Shembulli është i freskët për mundësitë që keni ju dhe gjyqtarët tuaj! Ndeshja për Kupën Ballkanike midis Partizanit dhe Levskit! Ja, një barometër i luftës burrërore sportive, i lojës korrekte e dinamike, që me të drejtë shkaktoi një det emocionesh dhe entusiazmi tek publiku! Ja, një shembull i gjykimit perfekt prej mjeshtrash i gjyqtarëve rumunë! Skuadrat tona mund të bëjnë më shumë ndeshje, si ajo e Partizanit. Kjo lloj loje, mendoj, duhet të jetë një nga piksynimet ose objektivat, që ju duhet të arrini, shokë trajnerë dhe futbollistë!…”

Vitet do të kalonin. Kur isha kryeredaktor i “Sportit Popullor” (“Sporti Shqiptar”), do ta ftoja profesorin tim të paharrueshëm për të shkruar, çka ai me plot mirësi do ta realizonte aq bukur!… Po a ka sot ndonjë shkrimtar shqiptar që shkruan dy rreshta për futbollin e botën e tij? Dhe po shkoj edhe më tej: A ka ndonjë shkrimtar të sotëm shqiptar që lexon në të rrallë ndonjë shkrim sportiv? Vështirë, tejet vështirë!… Morali i fabulës: mjedisit të futbollit të sotëm shqiptar i janë larguar si asnjëherë intelektualët!..

NIS RRUGA DREJT EPILOGUT DRAMATIK

Dhe kështu, kampionati do të shkonte drejt përfundimit të periudhës (fazës) së parë të tij, që do të rifillonte me ndeshjen zâmadhe Partizani – Dinamo. Ishte ndeshja që për shumë e shumë vite përcaktonte fatet e kampionateve, për sa kohë skuadrat e tjera me lojtarët që u “grabiteshin” këtyre dy klubeve dikasteriale, nuk mund të çonin krye. Aq më tepër kur dy më të vjetrat, Vllaznia dhe 17 Nëndori, ishin tejet larg për t’i mposhtur. Edhe pse kjo nuk mund të thuhej për skuadrën kryeqytetase e cila mbas kësaj jave nr. 7, ngjitet në vendin e dytë falë fitores 2-0 në Lushnjë me dy gola të një 18-vjeçari të talentuar me emrin Niko Xhaçka, ndërsa Vllaznia qëndronte gjithnjë e parafundit në renditje. Është 9 mars 1961.

Partizani Dinamo 3-1! Gjithçka fillon me golin e pamungueshëm të Nikolla Bespallës, durrsakut të pandalshëm, deri para pak i Partizanit. Për çastin duket se asgjë nuk mund ta ndalte fitoren e Dinamos. Mirëpo, në të 40′ është 1-1 falë golit të të mirënjohurit Pavllo Bukoviku, universal në futbollin e tij. Gjithçka është iniciativë e Panajot Panos, më të mirit në fushë, i cili po kështu i mundëson Refik Resmes për golin e dytë partizanas në minutën 69. Këtu, duket qartë se Dinamo merr fund, çka konfirmohet përfundimisht me golin e tretë të Partizanit, atë të minutës 81. Ajo çka vlen për të veçuar paksa është dukja mbas kaq vitesh e një lojtari tjetër nga Shkodra te Partizani. Është portieri Jonuz Teli që zëvendëson Maliqatin në pjesën e dytë. Do të kthehej shpejt te Shkodra e tij… Megjithatë, gjithçka në këtë ndeshje mbeti larg bukurisë së futbollit. Partizani është plot 5 pikë mbi Dinamon dhe 4 mbi 17 Nëndorin – çka të duket se titulli merr fund qysh në këtë çast në të mirë të tij. Nuk do të ishte plotësisht kështu, teksa shpejt do të mbërrinin ditët e vështira edhe për ushtarakët, siç quheshin tash e parë lojtarët e Partizanit – skuadër e Ushtrisë Popullore. Pamja e ndeshjes ishte kjo:

09.04.1961. Java 7. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”.

PARTIZANI – DINAMO 3-1

PARTIZANI: Maliqati (Teli), Deliallisi, M.Papadhopulli,

Dingu, Ndini, Shllaku, Jashari, Bukoviku, Pano, Resmja, Deda

(G.Merja).

DINAMO: Beliu (Qoshja), Rreli (N.Jareci), Halili, Halluni,

H.Verria, N.Çaushi, Tallushi, S.Jareci, Bespalla, Bushati, Lubonja.

GOLAT: Bespalla 25′, Bukoviku 40′, Resmja 69′, Jashari 81′.

GJYQTARË: B.Hamdiu, A.Lika, H.Cenoymeri.

Dhe ja pra, tek mbërrinin ditët e vështira edhe për Partizanin. Është 23 prill. Java 9, kur ai do të barazojë 2-2 me 17 Nëndorin në 11-shin e së cilës ishin plot 5 djem jo më shumë se 18- 19-vjeçarë: Saraçi, Frashëri, Kasmi, Ishka, Xhaçka! Ky ishte një sensacion i vërtetë, sepse nuk ishte fjala për kampionatin e të rinjve, por atë të të rriturve. Ndeshja është përmbysëse në të dyja kahet. 1-0 për 17 Nëndorin (Shehu 58′), por 2-1 për Partizanin (Kraja (11-m), Shllaku 88′) punë e kryer! Nuk do të ndodhë kështu, sepse mû në çastin kur gjyqtari i mirënjohur Sami Kotherja po bëhej gati të vërshëllente për mbarimin, Enver Rada, mjeshtri i goditjeve të këndit, interpreton plot elegancë nga këndi dhe ndonëse dikush tha se topi preku flokët e një lojtari para syve të Maliqatit, goli i mbeti Radës si i shënuar drejtpërdrejt prej tij nga goditja e këndit. Është 2-2.

23.04.1961. Java 9. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

PARTIZANI – 17 NENDORI 2-2

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu,

Ndini, Shllaku, Kraja, G.Merja, Pano, Resmja, Jashari.

17 NËNDORI: Metani, Saraçi, Frashëri, Kasmi, O.Mema,

Baçi, Rada, E.Shehu, Bylyku, Ishka, Xhaçka.

GOLAT: E.Shehu 58′, Kraja (11-m), Shllaku 88′, Rada 90′.

GJYQTARË: S.Kotherja, Sh.Gruda, E.Qyrfyçja.

Kështu mbyllej pjesa e parë e kampionatit nën këtë renditje:

  1. Partizani 17 8 1 0 23-6
  2. Dinamo 13 6 1 2 13-7
  3. 17 Nëndori 12 6 1 2 14-9
  4. Flamurtari 10 4 2 3 11-10
  5. Labinoti 8 3 2 4 9-11
  6. Besa 7 3 1 5 9-10
  7. Skënderbeu 7 2 3 4 9-11
  8. Tomori 6 2 2 5 5-11
  9. Vllaznia 6 2 2 5 5-11

10.Traktori 4 1 2 6 5-14

17 Nëndori zbret në vendin e tretë, ndërsa Dinamo ngjitet në të dytin. Janë 4 e 5 pikë larg Partizanit, i cili ende nuk shqetësohet assesi. Duhet të mbërrihej te java 14, që Partizani të merrte goditjen e fortë, ndonëse për të mbërritur deri këtu fitoret e treshes duket se nuk ndalin. Pamjes së fitoreve të tyre, por edhe të ndeshjeve të të tjerëve, ndonëse me mangësi, i jep sadopak vlera edhe arkivi i historisë sonë statistikore me morinë e emrave futbollistësh të nderuar, të cilët deri sot padrejtësisht nuk kujtohen. Në këtë ecuri po botojmë këtu skedat e atyre ndeshjeve që janë të plota, duke mos iu larguar kështu një prej synimeve kryesore të këtij dossier-i: të risjellim “në skenë” ata djem të mrekullueshëm që i dhanë dritë e hijeshi futbollit të vitit 1961.

Java 11 * 07.05.1961

06.05.1961. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

DINAMO – VLLAZNIA 3-0

DINAMO: Qosja, Rreli, Halili, Halluni, Verria, N.Jareci, Vorfi,

Bespalla, Bushati, S.Jareci, Duro (Tallushi).

VLLAZNIA: H.Hoxha, Haliti, S.Zmijani, Hasa, R.Rragami,

H.Kraja, Quku, Z.Halluni, Rakiqi, Medja, Çefa (Alibali).

GOLAT: Bespalla 14′, 19′, S.Jareci 85′

GJYQTARË: B.Hamdiu, M.Tiko, A.Papadhopulli.

07.05.1961. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

17 NËNDORI – LABINOTI 3-1

17 NENTORI: Metani, Saraçi, Frashëri, Kasmi, A.Mema, Baçi,

Rada, E.Shehu, Bylyku, Ishka, Xhaçka.

LABINOTI: Dylgjeri, Stringa, Kallajxhiu, Halilaj, Krati,

Shëngjergji, F.Ibërshimi, Kovaçi, Shkalla, Guzi, E.Ibërshimi.

GOLAT: Bylyku 29′, E.Shehu 50′, Rudi 69′, Frashëri 80′ (11-

m).

GJYQTARË: A.Dodi, B.Hamdiu, Ll.Minga.

07.05.1961. Vlorë. Fusha Sportive e Qytetit:

FLAMURTARI – PARTIZANI 1-2

FLAMURTARI: Mina, Ibrahimi, Elmazi, Dupi, Jakupi, Thomai, Saraçi, Gjyli, Ferko, Opingari, M.Shehu.

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, O.Mema,

Ndini, Shllaku, Kraja, Bukoviku, Pano, G.Merja, Jashari.

GOLAT: Jashari 14′ // Pano (11-m), Ferko 70′ (11-m).

Java 12 * 14.05.1961

14.05.1961. Shkodër. Stadiumi “Vojo Kushi”:

VLLAZNIA – PARTIZANI 0-2

VLLAZNIA: H.Hoxha, Koçobashi, S.Zmijani, Hasa,

R.Rragami, H.Kraja, Alibali, Rakiqi, Z.Halluni, Preza, Çefa

(B.Cungu). TRAJNER: Xh.Juka

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, O.Mema,

Ndini, Shllaku, Kraja, Bukoviku, Pano, G.Merja, Jashari (Seferi).

GOLAT: G.Merja 62′, Pano ?.

GJYQTARË: M.Tiko, A.Lika, I.Doraci.

Java 13 * 21.05.1961

21.05.1961. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

17 NËNDORI – DINAMO 0-1

17 NENDORI: Metani, Saraçi, Frashëri, Kasmi, A.Mema,

Baçi, Rada, E.Shehu, Bylyku, Ishka, Xhaçka.

DINAMO: Qoshja, Rreli, Halili, Halluni, H.Verria, N,Jareci,

Vorfi, Bespalla, Bushati (S.Jareci), Lubonja, Duro.

GOLAT: Bespalla 80′.

GJYQTARË: R.Pregja, A.Lika, I.Doraci.

SHIKUES: 15.000.

21.05.1961. Lushnje. Fusha Sportive e Qytetit:

TRAKTORI – TOMORI 3-1

TRAKTORI: Th.Mitrushi, Ll.Mitrushi, S.Gjoci, Turku,

H.Sherifi, Jemini, Xhoxhi, Ll.Shandro, Gogoni, H.Haxhiu,

G.Sherifi.

TOMORI: Karaj, Zinxhiria, Behri, N.Mile, Goxhomani, Esqiu, Alabaku, Zaho, Buzi, Mestani, N.Hoxha.

GOLAT: Jemini 36′, Gogoni 51′, G.Sherifi 62′, Mestani 75′.

GJYQTARË: Sh.Gruda, R.Kuka, H.Hysenaj.

SHIKUES: 2500.

21.05.1961. Vlorë. Fusha Sportive e Qytetit:

FLAMURTARI – LABINOTI 2-1

FLAMURTARI: Mina, Ibrahimi, Elmazi, Dupi, Sallata, Tomai, Llupa, Opingari, Gjyli, Ferko, Shehu.

LABINOTI: Dylgjeri, A.Stringa, Kallajxhi, Halilaj,

Shëngjergji, Krati, Rudi, Guzi, Shkalla, Kovaçi, Ibërshimi.

GOLAT: Gjyli 38′, Llupa 67′, A.Stringa 84′.

GJYQTARË: B.Hamdiu, Cenoymeri, Xhahysa.

3

Nga faqet e “Sportit Popullor” 1961. Dinamo – 17 Nëndori 2-0. Skënder Jareci (Dinamo) përballë portierit Met Metani (17 Nëndorit) (Foto PETRIT KUMI)

Për fatin tonë të bukur, e po aq të rëndësishëm, e shihni se mundi i këtushëm nuk më ka shkuar dëm, teksa përmbledh edhe në këtë rast, një mori emrash futbollistësh – kontribuues të mëdhenj të zhvillimit të futbollit të Shqipërisë. Në këto javë 11, 12, 13, duket se përveç barazimit të papritur 1-1 të 17 Nëndorit në Berat me Tomorin, nuk ngjet asgjë e veçantë në rrugën për te titulli. Tashmë, 17 Nëndori, me 6 pikë larg Partizanit, duket se del jashtë garës së madhe. Do të kemi të bëjmë vetëm me duelin Partizani – Dinamo, ndonëse 4 pikët largësi të kryesuesve partizanas nuk lëvizin. Vulën kësaj situate duket se ia jep fitorja e ngushtë 1-0 e javës 13 e Dinamos ndaj 17 Nëndorit, gjithnjë falë golit të Bespallës në minutën 80, kësaj radhe nën një shi të dendur mbi të cilin triumfon përgatitja fizike e dinamasve. Ndeshja ka, megjithatë, një nivel të mirë duke qenë se të dyja skuadrat paraqesin një futboll cilësor dhe etje për fitore. Çudia është se Dinamo merr forcë kur në pjesën e dytë futet një “veteran”, Skënder Jareci 30-vjeçar – një nga më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar.

Goli lind prej aksionit dhe pasimit të tij drejt Bespallës – çka tërheq admirimin e plot 15.000 shikuesve! Do të mbërrinim kështu te java 14, kur ndodh dhe befasia e befasive. Elbasan. 28 maj 1961. Labinoti – Partizani 1-0! Në të vërtetë jo vetëm kjo. Është edhe Dinamo – Traktori i Lushnjës 0- 0 brenda në Tiranë, një qëndresë e rrallë e miqve të udhëhequr nga Mimi Xhoxhi e Kristaq Gogoni – lojtarë të denjë edhe për skuadrat më të mira të Shqipërisë. Ndeshja është pa gola, por kritika thekson se gjyqtari i mirënjohur, ndër më të mirët e asokohe, Mihallaq Tiko, kishte anuluar me pa të drejtë dy gola të rregullt për secilën palë. Dhe ec e provoja sot vërtetësinë e kësaj kritike. Ndërkaq, ngjarja e Elbasanit sundohet prej golit fitimtar të vendësve, i shënuar qysh në minutën 15 nga Guzi. Partizani kërkon barazimin, godet një shtyllë me Seferajn, por një treshe elbasanase Xhani – Kallajxhiu – Krati është frymëzuesja më e spikatun e kësaj fitoreje, që është humbja e parë e Partizanit. Kështu e përcakton autori i kronikës, i cili ka një emër të madh: Ruzhdi Bizhuta, futbollisti dhe pedagogu i shquar i edukimit fizik, emrin e të cilit përmbi tre dhjetëvjetësha të tanë, deri andej nga viti 2015-’16, do të mbajë stadiumi i qytetit të Elbasanit. Për t’ia hequr pa mëshirë mosnjohësit e historisë së sportit shqiptar, duke ia shndërruar në “Elbasan Arena” – krejt të papërshtatshëm. Janë të pamëshirshëm. Dhe kthehemi te skeda e ndeshjes:

28.05.1961. Java 14. Elbasan. Fusha sportive e qytetit:

LABINOTI – PARTIZANI 1-0

LABINOTI: Xhani, A.Stringa, Kallajxhiu, Halilaj,

Shëngjergji, Krati, Rudi, Guzi, Shkalla, Kovaçi, Ibërshimi.

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu,

Ndini, Shllaku, Kraja, Bukoviku, Pano, G.Merja, Jashari.

GOLAT: Guzi 15′,

GJYQTARË: Sh.Gruda

Humbja e Partizanit përballë barazimit të Dinamos ngushton në 3 pikë, çka nuk do të rezistojë më shumë se dy javë, ndërsa java 15 duket sikur i krijon një qetësi Partizanit. Ndërkohë që qysh nga kjo javë do të niste rrokullisja e Vllaznisë së Shkodrës për në Kategorinë e Dytë mbas bukur vetëm 5 vjetëve… * Për vazhdimësi shih pjesën e parë në “Panorama Sport”, 6 nëntor 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"