Shkrimet që për çudi harrohen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2019 | 21:45

Shkrimet që për çudi harrohen…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Kështu më erdhi ta titulloj këtë përzgjedhje të radhës për rubrikën tonë të re “Shkolla e Gazetarisë”: “Shkrimet që për çudi harrohen…”. Edhe pse në të vërtetë, në Shqipërinë e sotme nuk harrohen vetëm shkrimet kësisoji të gazetarëve. Në Shqipërinë e sotme harrohet, vetëm harrohet. Sa kohë janë bërë që nuk kemi dëgjuar që në mjedisin e gazetarëve, të të gjitha llojeve të gazetarive në Shqipëri, nuk është organizuar një seminar, një shkëmbim mendimesh e përvojash, një takim kritik a përimtues. E pse jo, një kujtesë për një rrugë, për një histori gazetarie, një kujtesë sidomos për personazhe të dikurshme, të cilët kanë dhënë jo pak për gazetarinë në tanësi, e pra edhe për gazetarinë sportive.

kombetarja e italise logo

Ndoshta kjo rubrikë mund të nxisë diçka. Sidoqoftë, po guxoj të them se jemi në udhëkryq të zhvillimit të gazetarisë shqiptare. Në një kohë që nuk flitet për gjë tjetër veçse për internet, për “Twiter”, për portale. për fat, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta kryesisht në Shqipëri.

E megjithatë, fjala e shkruar dhe e shtypur në letër gazete nuk ka për të vdekur kurrë. Edhe pse prej vitesh duket sikur e ka humbur luftën, sidomos luftën me televizionin. Sot Shqipëria ka vetëm një gazetë sportive, që është “Panorama Sport’, por ka një numër të pafundmë “gazetash televizive”, nëse mund t’i quajmë kështu, rubrikat e pambarim, vetëm për futbollin, që sidomos të dielave apo të hënave mposhtin disi me prepotencë gazetarinë tjetër. Sigurisht tek ato nuk ka stil të formuar plotësisht. Ka më tepër bashkëbisedim, shpesh për fat të keq, pa shumë vlerë, ose me vlera të pakta. Deri aty saqë të duket se fjala e të ftuarit në studio apo e atij që drejton, arrin të mbysë deri dhe figurën televizive të kronikës së ndeshjes, çka për ekranin e vogël, dihet, ka përparësi absolute.

Ky shkrim i Ahmet Shqarrit është botuar para pak vitesh brenda një Dossier-i këtu në “Panorama Sport”, duke “u fshehur” pra, brenda atij Dossier-i që i kushtohej jetës së basketbollistes së Kombëtares së Italisë, Imelda Prennushi nga Shkodra. Sot e shoh se shkrimi disi “kishte humbur” në “asimilimin” e Dossierit në fjalë. Edhe kjo është një arsye më tepër që po e veçoj dhe po e botoj këtu, tash si në një lloj pushteti sundues të mjeshtërisë së gazetarit. I kisha folur kolegut Ahmet Shqarri për Imeldën e ai pa pasur mundësi për të bërë diçka, çuditej e kënaqej. Dhe pa i shkuar kurrë në mend se në mënyrën më të bujshme e krejt të rastësishme, do të ishte ai gazetari i parë që do të njihej sy më sy me Imelda Prennushin.

E pra, ku qëndron e veçanta e këtij shkrimi? Mbi të gjitha te befasia, si të thuash, e “regjistrimit” të ngjarjes që e ka befasuar vetë autorin-gazetar. Por që në të vërtetë nuk e befason kurrnjiherë gazetarin profesionist. Kësisoji edhe një Ahmet Shqarri. Qoftë edhe në një ditë relaksi të tij, jashtë ushtrimit të profesionit, kur dukej se ai e kishte lënë profesionin krejt mbas, në Shqipëri. Mirëpo, dihet, raca e vërtetë e gazetarit, pjesë e të cilëve është edhe Shqarri, sido që të vijë puna, kurrë nuk shkëputet prej profesionit, qoftë dhe atëherë kur duket se është shkëputur. Kjo do të thotë se gazetari i vërtetë profesionist është gjithnjë në punë. Kështu, edhe si në rastin në fjalë, teksa vetvetiu ai nuk mendon as forcën e çuditshme të një rastësie.

E, në këtë herë është mû rastësia që e çon gazetarin te një takim befasues, te një njohje e madhe, te një histori po e bujshme italo-shqiptare që mua si kërkues i hershëm i historisë së jashtëzakonshme të Imelda Prennushit, ma pasuroi aq fort atë Dossier.

Duke iu kthyer edhe një herë stilit, do të shihni se ai ka rrjedhshmërinë e profesionistit, ka narrativën jo të një letërsie, por të një racionaliteti disi origjinal, të rrallë që e përdor letraren për të pasqyruar tregimin befasues, njerëzoren, mirësinë, e pse jo, edhe atdhetarinë. Shkrimi nuk ka fjalë të mëdha, nuk ka fjalë të huaja që na mbyten. Nuk ka as “supersfidën” as “supergolin”. Ka thjeshtësinë kuptimplote të një qytetarie të vërtetë.

Dhe gjithçka e shprehur jo thjesht me një realizëm disi lirik, por me forcën përshkruese – aspak të një emfaze – të informacionit, çka shpesh po e humb ndër ne qytetarinë e tij.

Ahmet Shqarri ka do kohë që nuk shkruan. Them se nuk është punë moshe. Aq më tepër kur dekada të tana në Radio Tirana, me në krye emisionin e themeluar prej tij “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, ai ka shumë për të treguar… Kur mendon se Palok Nika guxoi të nxirrte gazetë sportive qysh në 1925- ën, siç qe “Gazeta e Sportit”, nuk është diçka e re, dukuria që brezi i ri i gazetarisë në sundimin e pranueshëm të tij, vetvetiu ka një shkëputje me dekadat e shkuara që themeluan gazetarinë sportive shqiptare.

Dhe mû në këtë çast, fjalët e mia të mëtejshme po më duken të tepërta. Po ia lë vendin tregimit befasues të Ahmet Shqarrit – gazetarit të vjetër e të shquar të Radio Tiranës e të shtypit të shkruar. Ja tek është këtu tregimi i tij.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"