Rreth të vërtetave të dramave të futbollit Shqipëri-Hungari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2020 | 21:20

Rreth të vërtetave të dramave të futbollit Shqipëri-Hungari

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

NJË KUJTESË PËR PROFESIONIN TONË…

Sigurisht, edhe në profesionin tonë, ka rregulla. Për shembull, nëse një autor bën një libër, ta zëmë për Lojërat Ballkanike 1946, kushdo tjetër ka të drejtë të shkruajë më mbas për këtë temë, por vetëm nëse zbulon diçka të re. Nëse një autor në muajin dhjetor të vitit që shkoi boton një shkrim të gjatë për historinë e ndeshjes Partizani – Advidaberg 1970 e mandej nëse dikush tjetër merr pendën e shkruan për këtë ngjarje vetëm mbas pak muajve, kjo edhe pse ngjason tejet me plagjiaturë, merr logjikë vetëm nëse ai zbulon diçka të re ose përgënjeshtron ato çka mund të ketë shkruar gabim, autori i parë.

Nëse një autor shkruan, bie fjala, historinë e ndërtimit të stadiumit “Dinamo” të Tiranës, madje deri në një libër të sapobotuar, doemos edhe dikush tjetër ka të drejtë të shkruajë për këtë ngjarje, por vetëm me kushtin që të sjellë diçka tjetër. Nëse një autor i ka qitë fundin, ta zëmë, ndeshjes Shqipëria – Gjermania 0-0 të 1967-tës, madje edhe me libra, prapë kushdo tjetër mund të rishkruajë për këtë ngjarje, por vetëm nëse sjell diçka të panjohur dhe jo duke thënë, për shembull 12 të pavërteta.

Mandej, kur të tjerë më parë e kanë shteruar historinë e treshes së famshme të Vllaznisë Rragami – Zhega – Bizi, edhe çdo kush tjetër ka të drejtë të shkruajë më mbas për ta, por vetëm me kushtin se do të sjellë diçka tjetër rreth tyre. Duke vazhduar më tej, nëse dikush, ta zëmë, shkruan për ndeshjen 17 Nëntori – Ajaks 2-2 të 1970-tës, ndonëse para tij e kanë trajtuar fort mirë të tjerë, deri dhe në libra të kohëve të fundit e me foto, askush nuk ka të drejtë të mërzitet për këtë (qoftë edhe pse boton po të njëjtat foto), por natyrisht vetëm me kushtin se do të sjellë fakte të vërteta e dukuri të tjera.

Po aq, nëse të tjerë më parë, madje edhe kohët e fundit, kanë shkruar deri në hollësi për ndeshjen Partizani – Torino 1-0 të vitit 1968, padyshim që kanë të drejtë të shkruajnë edhe të tjerë më mbas, por prapë nëse vërtet ka diçka të re për të thënë. Ndërkaq, mbasi janë bërë libra e shkrime jo të paktë për ndeshjen e Shqipërisë 0-5 në Londër me Anglinë të vitit 1989, madje nga autorë që kanë qenë atje, edhe dikush tjetër mund të shkruajë për këtë humbje shembullore shqiptare, por vetëm nëse ka zbuluar diçka tjetër. Mirëpo, ja që është tejet naive kur përsëritet me pompozitet, bie fjala, duke mbushë faqe gazetash me një gol të anuluar të Shqipërisë.

Ndërsa zbehet më e rëndësishmja, madje zbehet tejet fakti i madh që na thotë se sensacioni i asaj ndeshjeje qëndronte në atë se atë ditë Shqipëria u bë epiqendër jo për golin e anuluar, por për Blendi Nallbanin, me të cilin anglezët mbushën faqet e gazetave si portieri më i ri që kishte luajtur në Uembli për një kombëtare për të gjitha kohërat. Dhe kur, tash si një kah të kundërt, dikush shkruan e zeza në të bardhë për një sportist të madh se “nuk jeton më”, kur të tjerët e përgënjeshtrojnë këtë, ky “dikushi” duhet të kërkojë falje publike dhe jo të pëshpërisë me mospërfillje arrogantësh.

Dihet ndërkaq, kushdo tjetër mund të shkruajë për Ymer Pampurin në Olimpiadë, por kjo nuk do të thotë se duhet ta bëjë lëmsh historinë e pjesëmarrjes së  parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike deri aty saqë të detyrosh të tjerë të bëjnë shkrime për t’i vendosur gjërat në vend. Shumë keq për edhe më tej, kur ende shkrues të ndryshëm vazhdojnë ta quajnë Pampurin kampion olimpik edhe pse ai është renditur thjesht i 12-ti, por ka thyer rekordin olimpik në një stil.

Çdo autor për së mbari ka të drejtë të shkruajë për futbollin e ngjarjet e tij, por është e dënueshme që një foto, madje jo e vogël, ku është portieri i 17 Nëntorit, Tit Nallbani, duke u përshëndetur me Jani Kaçin para një ndeshjeje, pa pikë ndrojtje, shkruan se ky është Sabah Bizi. Pra shkrues të tillë nuk kanë as minimumin e vëmendjes për të parë as ngjyrën e fanellës së errët si portier të Nallbanit – duke harruar se Bizi është i Vllaznisë dhe jo i 17 Nëntorit, çka do të thotë se foto nuk është nga ndeshja Vllaznia – Skënderbeu, por është nga ndeshja 17 Nëntori – Skënderbeu.

Ndërsa ky me fanellë të zezë është portieri Tit Nallbani i 17 Nëntorit dhe jo mesfushori i Vllaznisë Sabah Bizi. Dikush mund të shkruajë historina – le të jenë qoftë edhe “të stilit” si të një relacioni burokratik – bie fjala, për një gjyqtarin tonë të famshëm, po nuk ka aspak të drejtë që kur personazhi në fjalë e hedh poshtë rrénën, autori në vend që të kërkojë të falur, kërcënon, madje deri dhe politikisht! Të gjitha këto raste – dhe nuk janë vetëm këto – na nënkuptojnë se kjo kategori shkruesish vazhdojnë të mos verifikojnë (dihet që verifikimi don mund të madh).

Dhe kanë dëshirë për të shkruar më tepër për t’u dukë se sa që përmes gazetarisë t’i shërbejnë, në këtë rast historisë së sportit kombëtar. Kështu pra, kushdo me mend në krye, që ka pendë e njohje historike të këtyre punëve, ka të drejtë të shkruajë për tema e ngjarje që kanë shkruar të tjerët më parë.

Mirëpo, në gazetari historike dhe në historinë në përgjithësi, ka një ligj të pamëshirshëm që thotë: mos kopjo, madje mos kopjo keq, mos plagjiato temat e të tjerëve, mos shtrembëro, verifiko, lodhu për këtë. Ndryshe merru me punë të tjera, ndoshta nga ato që kanë të bëjnë me profesionin e detyrën tënde, natyrisht nëse vërtet i zotëron për së mbari edhe këto.

HUNGARIA – SHQIPËRIA NR. 1

KËSHTU PRA HISTORIA SHKRUHET DHE RISHKRUHET.

Zakonisht ajo rishkruhet jo vetëm për të mbërritur gjithnjë te brezat e rinj që sapo vijnë, por ajo rishkruhet edhe sepse zbulohen fakte të reja, sendërtohen trajtime të reja, por rishkruhet edhe për të përgënjeshtruar gabimet apo të pavërtetat e të tjerëve. Kësodore mû për këto që po them me këto tri radhë të mësipërme, për t’i vënë gjërat mirë në vend po detyrohem t’i rikthehem një historie që kam menduar se e pata shterur fort mirë në librat e mi, po aq edhe në shkrime të posaçme. Kësisoj, më duhet t’i rikthehem historisë hungarezo-shqiptare të futbollit.

Dhe duke u mbështetur tek ato çka kam shkruar, jam i detyruar të ripërtërij, të rifreskoj, të shtoj, të saktësoj edhe më tej, qoftë dhe për pasaktësi të miat, e pse jo, edhe të përgënjeshtroj. Sot po guxoj të them se këto ndeshje shqiptare me Hungarinë e rangjeve të ndryshme, në fillimin tonë kombëtares kanë patur ndikimin ndoshta më të madh në fuqizimin e një përvoje europiane të pamatë për futbollin shqiptar. Kjo sepse asokohe futbolli i Hungarisë ishte më i forti në botë. Sa herë që binte biseda me lojtarët tonë të atyre ndeshjeve, ata më tregonin për çuditë që kishin përjetuar dhe për përvojën e jashtëzakonshme që kishin marrë prej tyre.

Premierën e saj “hungareze” Shqipëria e ka pasë më 20 gusht 1947. Në këtë ditë ajo është ndeshur në Budapest me Hungarinë me të cilën ka humbur 0-3. Ishte një ndeshje që u zhvillua vetëm tri ditë mbas ndeshjes Hungaria – Bullgaria, që t’i merrte mendtë me shifrat 9-0 për hungarezët. Ferenc Pushkashi nuk ka luajtur në këtë ndeshje dhe një Ferenc tjetër, Ferenc Deak, një i madh tjetër i futbollit hungarez, i ka shënuar 4 gola Sokolovit të Bullgarisë.

Pesëdhjetë dit para ndeshjes me Bullgarinë, Pushkashi kishte luajtur nën fanellën e Hungarisë së tij në Beograd dhe kishte nënshkruar dy prej tre golave të fitores 3-2 të Hungarisë, ndaj asaj Jugosllavie e cila tetë muaj më parë kishte fituar në Tiranë 3-2 kundër Shqipërisë, por kishte qenë e detyruar t’iu dorëzonte shqiptarëve titullin e Kampionit të Ballkanit. E, për çudi, ishte thuajse po ai 11-sh jugosllav i ndeshjes së Tiranës: Monsider, Brozovic, Horvat, Cajkovski, Atanackovic, Matosic, Bobek, Simonovski… Ajo ishte ndeshja e madhe e dy Ferencave, Ferenc Pushkashit dhe Ferenc Suzës, i cili më 1955 do të mbërrinte në Shqipëri me Dozhën e Budapestit.

Ferenc Pushkashi nuk luan kundër Shqipërisë në ndeshjen e Budapestit më 20 gusht 1947, duke shënuar përsëri një prej tre golave hungarezë, po Ferenc Deak, i papërmbajtshëm, – i cili plotëson unitetin e tre Ferencave të mëdhenj të Hungarisë së asokohe: Deak-Suza-Pushkash. Kujtoj edhe këtu se Ferenc Deak mbeti rekordmen ndër më të mëdhenjtë e botës: 66 gola në kampionatin e Hungarisë më 1946 – i dyti në historinë botërore të shënimit midis kryeshënuesve për një Kampionat Kombëtar.

Resmja logo

Faqja e parë e gazetës “Sporti” e 9 shtatorit 1997 kushtuar lamtumirës së mjeshtrit Refik Resmja, i cili do të jetë një nga personazhet e këtij cikli tonë hungarezo – shqiptar.

I bën shoqëri, shqiptari ynë i madh i futbollit, Refik Resmja, 59 gola në kampionatin e Shqipërisë më 1951 (Shih librin tonë “Historia e Kampionateve të Shqipërisë – 1950-54, vëllimi 4). Dhe Resmja është 1 gol mbi “madhërinë e tij” Pele! Shtatëshja e Botës në këtë tregues që mban edhe firmën e autorit të këtij shkrimi për përfshirjen e shqiptarit në rekordet e IFFHS, ishte kjo:

  1. STARK / SHBA (1924/25) 67 gola
  2. DEÁK / Hungari (1945/46) 66 gola
  3. DEAN / Angli (1927/28) 60 gola
  4. SCOTTA / Argjentina (1975) 60 gola
  5. RESMJA / Shqipëria (19510 59 gola
  6. PELÉ / Brazil (1958) 58 gola

Kanë kaluar mbi 30 vjet, kur si anëtar i IFFHS përmes dyshimesh e zgjatjesh, e binda IFFHS-në për vërtetësinë e 59 golave të Refik Resmes në Kampionatin e Shqipërisë – statistikë që nuk e kam përpiluar unë, por i paharrueshmi Gogo Çomora, një staticien i mirënjohur i futbollit shqiptar. Mirëpo kanë kaluar 30 vjet e mâ. Dhe a ka ndryshuar kjo renditje? Thuajse krejt pak!

Madje në 7 të parët aspak. Kjo edhe ngaqë është diçka e jashtëzakonshme të shënosh 59 gola në një kampionat, aq më tepër të sotëm kur luhet edhe futbolli i mbrojtjeve më hermetike që mund të merret me mend. Deri aty saqë në këtë “panteon” nuk arrijnë të hyjnë as Christiano Ronaldo e as Lionel Messi. E megjithatë, po e rishkruaj këtë histori, tash mbasi gjeta renditjen e derisotme, këtë për deri në sezonin e kampionateve kombëtare të shteteve 2019-2020. Po e botoj duke shënuar pranë çdo kryeshënuesi edhe klubin me të cilin lojtari ka arritur shifrën e madhe të golave.

Dhe me risinë e botimit për herë të parë këtu në “Panorama Sport”, jo vetëm 7 të parët, por të gjithë ata futbollistë të cilët kanë arritur që në një sezon të kampionatit të vendit të tyre, të kenë shënuar mbi 50 gola. E rëndësishme për ne është se Resmja i madh me 59 golat e tij në kampionatin e Shqipërisë të vitit 1951, nuk lëviz nga vendi i pestë.

Ndërkaq, e rëndësishmja tjetër, që ka të bëjë me temën tonë, është se në 50 gola, përveç Deak-ut, mbërrijnë edhe dy lojtarë të tjerë hungarezë, Ferenc Puskas (Pushkash) dhe Guyla Zsengeller të cilët hap mbas hapi do të jenë personazhe të këtij “studimi” tonin. Ja pra dhe 18 lojtarët të cilët kanë arritur të shënojnë 50 gola e lart në një kampionat të vendit të tyre, të kryesuar prej Stark-ut të SHBA me 67 golat e tij thuajse të 100 vjetëve më parë:

67 – STARK Bethlehem Steel (USA) 1924/25

66 – DEÁK Szentlörinci AC (Hungary)

1945/46

60 – DEAN Everton Liverpool (England)

1927/28

60 – SCOTTA San Lorenzo Buenos Aires

(Argentina) 1975

59 – RESMJA Partizani Tirana (Albania) 1951

58 – PELÉ FC Santos (Brazil) 1958

58 – CARDOZO CD Toluca (Mexico) 2002/03

57 – BICAN Slavia Praha (Bohemia & Moravia) 1943/44

56 – ZSENGELLÉR Újpesti Budapest (Hungaty) 1938/39

55 – ROBERTS Glentoran Belfast (Northern Ireland) 1931/32

52 – BROWN New York Giants (USA) 1926/27

52 – FADYEN Motherwell (Sotland)1931/32

50 – BAMBRICKLinfield Belfast (Northern

Ireland)1930/31

50 – McGRORY Celtic Glasgow (Scotland)

1935/36

50 – BICAN Slavia Praha (Bohemia & Moravia) 1939/40

50 – PUSKÁS Bíró Kispest Budapest (Hungary) 1947/48

50 – CHINAGLIA New York Cosmos (USA) 1980

Dhe teksa sheh këtë “panteon” të rrallë, madje botëror, të duket sikur Resmja – legjendar për ne – është si në një lloj gare virtuale edhe me tre hungarezë të mëdhenj (Deak, Zsengeller, Pushkash). Ndërkaq, për përkim, shohim se kemi hyrë në 90-vjetorin e lindjes së Refik Resmes së paharrueshëm. Për një kujtesë, sidomos për brezin e ri të amatorëve të futbollit, por dhe për gazetarët e rinj, po bashkëngjis këtu faqen e parë të gazetës “Sporti” 1997 që drejtoja, botuar kësisoj me rastin e lamtumirës së Mjeshtrit tonë të Madh.

foto

Shqipëria në Stadiumin e Budapestit në ndeshjen 0-3 të 20 gushtit 1947 me Hungarinë. Nga e djathta: Loro BORIÇI, Giacomino POSELLI, Besim FAGU, Sllave LLAMBI, Qamil TELITI, Aristidh PARAPANI, Xhevdet SHAQIRI, Pal MIRASHI, Muhamet DIBRA, Vasif BIÇAKU, Rexhep SPAHIU. (Nuk përjashtohet që ky rreshtim i emrave të ketë ndonjë pasaktësi për shkak të nivelit të kësaj fotoje)

TRI NDESHJET E VITIT 1947 

Jugosllavia – Hungaria 2-3, Hungaria – Bullgaria 9-0 dhe Hungaria – Shqipëria 3-0 janë paralajmërimi i lindjes së Hungarisë legjendare që po mbërrinte. Tash meqë historia shkruhet e rishkruhet pra, sepse dalin fakte të reja, më duhet të ndreq ndonjë pasaktësi, edhe pse të vogël, që kam bërë te “Libri i Kombëtares”. E kam fjalën për skedën e ndeshjes Hungaria – Shqipëria 3-0, që saktësisht është kjo:

HUNGARIA – SHQIPËRIA 3-0

20 gusht 1947, Budapest

GOLAT: Zsolnai 7′, Egresi 25′, Deak 53′.

HUNGARIA: Grosics, Bologh II, Szucs,

Laborcz, Nagymomarosi, Zakarias, Egresi, Hidegkuti, Deak, Zsolnai (Zsengeller 58′), Hegedus. TRAJNER: G.Tibor.

SHQIPËRIA: Poselli, Dibra, Fagu, Spahiu, Shaqiri, Llambi, Parapani, Teliti, Boriçi, Biçaku, Mirashi. TRAJNER: L.Brocic.

Hungaria e ka luajtur këtë ndeshje kundër Shqipërisë vetëm tri ditë mbas asaj të Bullgarisë, duke mos pasë në 11-sh vetëm katër lojtarë të ndeshjes me bullgarët: Toth, Bozsik, Szilagyi, Illovszky – të gjithë emra të njohur fort mirë, natyrisht edhe prej meje, me në krye Bozsik-un e famshëm.

Kjo ka qenë ndeshja e tretë radhazi e trajnerit tonë Ljubisa Brocic, që të paditurit kanë harruar ta “kopjojnë” emrin e tij. Ishte rikthyer për herë të dytë mbas triumfit të Ballkaniadës, ndonëse kësaj here me tri humbje rresht (me Bullgarinë 0-2, me këte Hungari 0-3 dhe me një 2-4 me Jugosllavinë e tij). Ndeshja e Budapestit ka qenë njohja e parë e jona me Hungarinë e cila po niste sundimin e saj spektakolar në futbollin europian që ishte më i forti i botës.

Kjo ishte Hungaria çudibërëse, Kombëtarja e së cilës gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, brenda katër vjetëve, 1940-1943, kishte zhvilluar plot 19 ndeshje mû nën krismat e bombardimeve të Luftës. Por Gjermania hitleriane kishte luajtur plot 29 ndeshje, ndërsa kishte pushtuar gati gjithë Europën. Midis këtyre, 5 ndeshje ishin me Kombëtaren e Hungarisë që gjithashtu nuk e ndalte futbollin. Rezultatet janë 5-1 për Hungarinë, ndërsa dy të tjerat dy herë 2-2. Dhe dy fitoret e bujshme gjermane: 3-5 dhe katastrofa 0-7 në Këln më 6 prill 1941 para 65.000 shikuesve!

Çka do të thotë vetëm 1 fitore hungareze. Në 7-0-n e frikshëm në 11-shin gjerman janë edhe dy emra legjendarë, njeri prej të cilëve, 26 vjet më vonë (1967) do të kishte një ngjarje “tragjike” 0-0, tash si trajner, pikërisht me këtë Shqipëri “të vogël” hungareze të vitit 1947. Quhej Helmuth Schon – autor i dy golave, ndërsa, tjetri quhej Fritz Walter – autor i një goli prej të shtatëve – i cili do të jetë kapiteni legjendar i Gjermanisë kampione e botës 1954 në një tjetër triumf sensacional pikërisht kundër Hungarisë. Po a vërtet ishte “një ndeshje pa histori”, siç guxojnë ta përcaktojnë të paditurit, kjo 0-3 e 1947-tës Hungari – Shqipëri?

E pra ajo është plotësisht një ndeshje me histori, madje me histori tejet të komentuar e të vlerësuar. Për një çast të dukej një mbivlerësim kur sheh shkrimin e gazetës “Sporti” të Tiranës që titullonte pa menduar gjatë, kësisoj në drejtshkrimin e asokohe: “Përfundimi i ndeshjes së Budapestit është një sukses i math për footballit t’onë”. Çka më tej “Sporti” argumenton vlerat e ndeshjes kur po në atë “ortografi”, shkruan:: “…

Ekipi ynë humbi vetëm mbas një loje të bukur, dinamike, duke lënë përshtypje shumë të mira në sportdashësit hungarezë. Të humbasësh vetëm 3-0 në Budapest kundër skuadrës kombëtare të Hungarisë që është një nga skuadrat më të mira të botës, që ka në aktivin e vet më tepër se 300 ndeshje, që ndodhet në një formë të çkëlqyer, është me të vërtet, një sukses i math për footballin t’onë. Pikërisht të dielën e kaluar skuadra kombëtare e Hungarisë mundi jo më pak nga 9-0 skuadrën Kombëtare të Bullgarisë, pak muaj më parë Hungarezët fituan 5-2 kundër skuadrës përfaqësonjëse të Austrisë…”. Ndërkaq, Shqipëria po priste “me padurim” Ferenc Pushkashin.

Ndërsa ai nuk do t’i afrohej, edhe pse rasti është ideal, kur Hungaria do t’i kthente vizitën Shqipërisë, tash për Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore. E mû këtu do të ndodhte çudia e madhe. Hungaria ishte një gjendje të krijonte deri tri Kombëtare dhe ja tek sjellë në Tiranë njërën prej tyre. Do të ishte një ngjarje e bujshme.

Në të vërtetë, pak para saj do t’i printe një ngjarje tjetër e madhe po hungareze – shqiptare. Do ta përimtojmë në kapitullin tjetër, gjithnjë me risi, me fakte të tjera, e për fat “të mirë”, edhe me përgënjeshtrime. Vetëm kështu ruhet vërtetësia e historisë. Sidomos kur ajo shtrembërohet…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"