Rendi dhe vërtetësia e vlerave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2018 | 19:12

Rendi dhe vërtetësia e vlerave

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

KUJTESA E PRISHUR E MERITAVE

Një heshtje shembullore pat mbështjellë mendimin futbollistik që do të duhej të shpërthente, sidomos prej kancelerive të drejtimit të futbollit shqiptar, vitin e shkuar kur skuadra më e suksesshme në historinë e Shqipërisë – Sportklub Tirana – zbriti nga Kampionati Kombëtar. Po kështu, një heshtje shembullore sapo ka mbështjellë mendimin futbollistik, që do të duhej të shpërthente – gjithnjë sidomos prej kancelerive të drejtimit të futbollit shqiptar – teksa këtë vit skuadra më e vjetër dhe më historike e Shqipërisë, Vllaznia e Shkodrës, sapo ra nga Kampionati Kombëtar.

gazeta sporti popullor

Nuk e dinë se çka janë Sportklub Tirana dhe Vllaznia e Shkodrës për Shqipërinë. Mëkat që ne i lëmë këto punë në duart e kësaj kategorie drejtuesish ose të atyre që me një guxim për t’u studiuar, të thonë: “E pastaj, a nuk ka rënë edhe Juventusi!”. Kjo retorikë e tyre është sa dinake, po aq dhe jo fort e ndershme, teksa harrojnë me qëllim se Seria B, superprofesioniste e Italisë, është vite drite larg Kategorisë së Dytë të Shqipërisë – niveli i së cilës është për t’u qa me lot. Dhe që me folë me fanatizmin e një ndenjeje kombëtare, është një turp transmetimi televiziv herë mbas here i ndeshjeve të tyre, përveç të tjerave me pamje stadiumesh më keq se të ndeshjeve të dikurshme të Spartakiadës së Kooperativave Bujqësore. Shqipëria sportive ka kohë që e ka humbë “Nordin” e radhëve të meritave e të vërtetësisë së vlerave.

Kohë më parë, kam shkëmbyer nja dy tri fjalë të shpejta me futbollistin e shquar të Skënderbeut të Korçës, Aleko Pilika. Sigurisht kam shkruar për të. Pilika është një nga futbollistët qendërsulmues ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Ndërkohë që ka qenë kandidat i Kombëtares. Më vonë, në vitet ’70, ai u shfaq si një nga trajnerët më të mirë të futbollit shqiptar, duke kulmuar me “titullin” e Nënkampiones së Shqipërisë me Skënderbeun 1977, përballë një Dinamoje të shkëlqyeshme, por edhe jo pak të mbrojtur prej regjimit të asokohe. Nuk e zgjata fort për të kuptuar statusin e sotëm të Aleko Pilikës. Por prej një miku timin kuptova se statusi i tij i sotëm nuk është në vëmendje të Shqipërisë së tij, çka nuk ndodh vetëm me të. Një gjë duhet thënë: sportistët e vjetër në Shqipëri thuajse janë të harruar, të lënë jo pak jashtë nderimeve, e pse jo, edhe të përfitimeve që iu takojnë.

Them se edhe një lloj “dinakërie” e gazetarisë së sotme, për dikë e vetëdijshme, e për dikë tjetër, e pavetëdijshme, i ka errësuar këta figura. Ndonëse, të dielave shqiptare të atyre kohëve të vështira, ata kanë mbajtur gjallë një lloj optimizmi shpirtëror dhe estetik te shqiptarët. Një prej të cilëve është edhe Aleko Pilika e me të edhe shumë shokë të tij po aq gati të harruar. Kështu, krejt papritmas dal te dëshira apo detyra edhe e profesionit tonë për një afirmim të drejtë rendi e meritash të tyre. Ndërkaq, shfletoj “Sportin Shqiptar” të vitit 1938, dhe si në një asosacion me Pilikën e sotëm, gjithë faqen e parë të një numri të asaj gazete, që daton 9 prill 1938, e gjej të mbushur me një shkrim të Anton Mazrrekut, kushtuar yllit të futbollit shqiptar të asokohe Teli Samsuri po të Skënderbeut.

Njeriu, i cili më mbas ra dëshmor i Luftës së Dytë Botërore e për të cilin me kohë pata propozuar që stadiumi i Korçës të mbante emrin e tij. E në këtë çast më thërret gazetaria, teksa ndaloj te mjeshtëria e Mazrrekut që aq bukur del fort në pah edhe në këtë shkrim të 80 vjetëve më parë. Shkruan Mazrreku: “…1926. Korçë. Posa kisha ardhur nga Shkodra. Vizita e parë Lyceut. E dyta fushës sportive… Lëvizja sportive atëherë posa kishte nisur t’agonte… Një djalë i vogël, i dobët po simpatik, loste në qendër, e shpërndante mirë topin dhe i jipte portës shute mjaft të matur. Emri i tij ishte Aristotel Samsuri. Por një varg rrokjesh do të rëndonte shumë mbi supet e tij të njoma. Prandaj shokët e tij e thërrisnin ‘Telka’. Telka e quajti dhe e brohoriti gjithmonë populli korçar… Samsuri ka qenë ndoshta qendërsulmonjësi më i mirë që ka pasur Shqipëria. Ka qenë një udhëheqës i vërtetë i vijës së parë…”.

Duke lexuar këtë shkrim të 30-vjeçarit Anton Mazrreku për Samsurin, t’i arrin të kuptosh deri se si ka luajtur Samsuri, madje deri në teknikë e stil, deri në karakter e mjeshtri. Ndërsa sot, çuditërisht e ke të vështirë të kuptosh, madje edhe se çfarë sportistësh kemi. Më vjen shumë keq se si ka shkuar puna që gazetaria, sidomos ajo televizive, të ndikohet kaq fort prej gazetarisë tjetër shqiptare, asaj të politikës, ndonëse nuk di nëse vërtet mund të ketë një “gazetari të politikës”, kur dihet se ka vetëm një gazetari që është GAZETARIA! Me germa kapitale në universalizmin e saj.

RADHA E PRISHUR E MERITAVE

Ne merremi, bie fjala, deri në zgjatje për një incidenti, doemos krejt të pakëndshëm që ndodhi para pak kohe në ndeshjen e basketbollit Shqipëri – Kosovë me protagonist Dardan Berishën e Kosovës. Mirëpo, thuajse askush në Shqipëri nuk e di mirë se cili është basketbollisti Dardan Berisha. E kam fjalën për portretizimin e tij sportiv si një nga basketbollistët më të mëdhenj të kombësisë shqiptare për të gjitha kohërat. Kemi përfunduar kështu ngaqë që pakkush përshkruan, pakkush tregon, pakkush portretizon simbas rendit të vlerave dhe meritave. Vështroni tash se cili po bëhet fjalori sundues, qoftë edhe i kësaj vere që sapo mbërriti: “U shit!” “U ble!”, “Merkato!”, “U shkarkua trajneri!”, “Falimentim!”, “Bashkia!” Deri dhe “ultimatum” e “goditje”. Jo goditje topi natyrisht. “Goditje tregu!”, “Mospagesa!”, “Paratë!” “Eurot e UEFA-!”, “1 milion euro!”, “700.000 euro!”, “Buxheti!”… Një fjalor që nuk ndal assesi!

Dhe çudia më e madhe është se ky fjalor po sundon deri emisionet qendrore të lajmeve televizive. Ose ajo që përjetova gjatë një emisioni televiziv sportiv të para pak kohëve, kur drejtuesi i emisionit iu drejtua një trajneri të njohur shqiptar, fjalë për fjalë kështu: “…Kam një lajm të mirë për ju si tifoz juventin që jeni: ‘Juventusi sapo ka shënuar gol’”. Ky rast duhet të hyjë në analet studimore të antigazetarisë. Interesant vërtet! Nga ekrane televizive pata dëgjuar, madje të përsëritur tash e parë, se “Skënderbeu” ka eliminuar një skuadër me buxhet disa herë më të madh!

Askush nuk përshkroi cilësitë dhe vlerat e skuadrës kundërshtare që eliminoi Skënderbeu, por vetëm buxhetin e saj! Po a nuk e dimë se kur ka eliminuar Partizanin e Beogradit me gjithë atë buxhet (sepse kishte vite që nuk ishte më skuadër e Ushtrisë Jugosllave) Flamurtari i Vlorës nuk kishte thuajse aspak buxhet? E po pa buxhet mirëfilli ka qenë ai edhe kur ka fituar ndaj Barcelonës. Pa buxhet po mirëfilli ka qenë edhe Partizani ynë kur ka barazuar me Kampionen e Gjermanisë, Koln, e kur ka fituar me Torinon apo Celtic-un e Gllaskout të Britanisë. Pa buxhet mirëfilli kanë qenë edhe 17 Nëntori kur ka barazuar me Ajax-in apo kur ka eliminuar Dinamon e Bukureshtit si dhe Vllaznia kur ka fituar me Austria të Vjenës!…

Assesi nuk është kësisoj “buxheti” terminologji e sportit. Kështu, ne rrezikojmë të harrojmë të përshkruajmë, të bëjmë kronikën cilësore të ngjarjes, të përsiatim figurën e një sportisti, të stilizojmë në mikrofon a ekran një stil loje, një vlerë teknike apo karakteriale të një sportisti, të një skuadre. Dhe deri aty sa të harrojmë se sporti apo loja e futbollit përmban edhe misterin e magjishëm të saj që mund të triumfojë edhe mbi “buxhete” e pasurina të jashtë qenies fizike, shpirtërore e krijuese të futbollit e të krejt sportit. Shkruan Anton Mazrreku për Teli Samsurin më 1938: “… Samsuri nuk ishte nga ata centërfora që rrinë midis dy mbrojtësve dhe presin pasin e shokëve të tyre për t’u drejtuar me forcë në portën kundërshtare. Samsuri ishte një tjetër tip qendërsulmonjësi. Ay ishte ‘pater familias’ i vijës së parë, ishte frymëzonjësi i çdo sulmi, ishte manovronjësi usta i tërë një aparati ofensiv”… Është vërtet e çuditshme, bie fjala, se sa me fort gëzim flasin, bie fjala, për shitjen e një futbollisti si Guri i KF Kukësit apo më parë i Vllaznisë, duke e quajtur madje këtë shitje si tregues i rritjes së nivelit të Kampionatit (çfarë absurditeti!)! Në vend që të flasin pa pushuar (po, po pa pushuar!) për shkatërrimin e Vllaznisë së Shkodrës. Aq më tepër që për këtë shkatërrim ata janë përgjegjës të dorës së parë. Pa marrë mundimin mandej për të problemizuar për të mos u shitur kaq shpejt e me siguri lirë kjo vlerë e futbollit tonë. E pra, a ka futbollistë të rinj të talentuar Shqipëria, e cila assesi nuk ua përshkruan futbollin e tyre, nuk ua tregon mënyrën e tyre të të luajturit dhe vlerat e futbollit të tyre, sidomos përmes ekranit të vogël, ku e ashtuquajtura bisedë midis palëve në studio, ta merr frymën? Përse gazetarët, “analistët”, “komentatorët” e ekraneve përpiqen ta përshkruajnë me aq pasion e “kompetencë” absolute Messi-n a Ronaldo-n, e thuajse nuk iu del një herë nga goja pak fjalë tregimi për se si luan një i ri i Kampionatit të Shqipërisë? Më gjeni një rast, një rast të vetëm që një televizion zbërthen, portretizon, “vizaton” mënyrën e lojës, stilin e një futbollisti të talentuar shqiptar. Pashë para pak ditëve që një njeri i sporteve në televizionin shqiptar doli në ekran për të dhënë një lajm që në të vërtetë nuk qe lajm: se sa “bukur”, me “bujë”, “krenari” e emra “personalitetesh” do të pasqyrohej Kampionati Botëror “RUSSIA 2018” në ekranin e TVSH. Për fat, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me prishje të radhëve të meritave. Në këtë rast kemi të bëjmë me sulm prej meritave që nuk ekzistojnë. Shqipëria ka pasë dy futbollistë të kalibrit europian qysh Paraluftës. Janë Riza Lushta e Naim Kryeziu. Kam vite që kërkoj të shoh një pamje filmike të futbollit të tyre. Nuk ia kam arritur. Duhet fort mund për këtë. Më e pakta duhet shkuar tek arkivi i Luce-s në Itali. Them se është e pamundur që e famshmja Luce të mos ketë filmuar, për shembull, finalen e Kupës së Italisë Juventus – Milan 4-1 të vitit 1942, ku Lushta ka shënuar tre nga katër golat juventinë. Mirëpo, kam lexuar shkrimet e shumta të Anton Mazrrekut për Lushtën, pa shkuar te jo pak te shkrime të shtypit italian të kohës. I kam lexuar me shumë vëmendje, madje i kam stërlexuar. Dhe sot e kam gati krejt të qartë se si kanë luajtur ata, ndonëse nuk i kam pa asnjëherë duke luajtur pra. Kjo ishte forca e pendës kur nuk ka pasur televizion! E edhe për shkak të gjithë këtyre që shkruam, bindesh se ne nuk kemi rregulla dhe as radhë vlerash. Tri herë është shkruar për një futbollist të famshëm të Shqipërisë. E pra, përse shkruhet për herë të katërt për të pa dhënë asgjë të re? Dhe të tjerët i harron, i zhduk, i injoron! Me sa duket, ngaqë vetë ata ose dikush ndërhyn për të shkruar njëqind herë për ta dhe asnjëherë për shokët e tyre po aq të mëdhenj e ndoshta edhe më të mëdhenj. Ua ka ânda fort vazhdimësinë e lavdisë. Faji është i të vetëquajturit autor. Ose ngaqë ne bëjmë autorë ata që nuk kanë të bëjnë assesi jo vetëm me gazetarinë e vërtetë e as me njohuritë e historisë së vërtetë, në këtë rast të sportit shqiptar. Cili qenka pra ky lloj “autori sui generis”, i cili si në “tregti meritash” marrka përsipër shkrime e portrete të futbollistëve e sportistëve të shquar pa asnjë kriter, pa asnjë radhë meritash? Madje, duke i denatyruar meritat deri tek aty ku assesi ato nuk gjenden. Plot 12 herë e kam gjetur emrin si një meritë, të një ushtaraku të lartë te një shkrim për një futbollist të shquar. Në një kohë që ushtaraku as ka qenë futbollist, as drejtues i sporteve a futbollit, thjesht një tifoz i madh, pavarësisht ndikimit të tij falë politikës së kohës në një klub të caktuar. Më tha këto dit një sportist i famshëm i Shqipërisë në modestinë e tij: “Po për mua a ka mbetur diku një gjysmë faqe gazete”? Mandej vuri buzën në gaz dhe më përqafoi. Ka qenë ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Shkon rrugës, ulet në kafe, bisedon, kalon kohën me shokë dhe kalimtarët aty pranë as nuk e njohin. Aq më tepër që në këtë masë “kalimtarësh” sundon brezi i ri i sotëm. Dhe mû për këtë brez të ri, që nuk e njeh aspak të shkuarën, për çudi jo pak edhe të sotmen kombëtare, ia vlen të shkruash me kriter, me radhë meritash, me dituri e aftësi. E një ditë tjetër, portieri i mirënjohur i 17 Nëntorit, Tit Nallbani, edhe ai me buzën në gaz, po vinte gishtin te një foto e botuar, duke u shkruar aty se ishte Sabah Bizi dhe jo i vërteti, ai vetë pra, Tit Nallbani. Merre me mend ku mbërrin padija, vetëkënaqësia, nxitimi i atij që shkruan, ndoshta edhe për të përfituar sa më shpejt honorarin, “autor” i cili ka marrë pendën në dorë, mikrofonin apo është ulur në studion televizive e nuk njeh në foto as portretin ndër më të njohurit të sportit shqiptar, atë të Sabah Bizit!

MENDIMI I PRISHUR I MERITAVE

Po e ndiej si detyrim të përmend këtu një letër që më 2006-ën kam marrë prej një futbollisti të shquar dhe ndër më të talentuarit e Vllaznisë së Shkodrës së viteve ’50, siç ka qenë i paharrueshmi Ali Tepelia – përveç të tjerave, një qytetar nobël. Mbasi kishte lexuar librin 4 “Historia e Kampionateve të Shqipërisë – vitet ‘50-54″, midis të tjerave, ai më shkruante se papritmas “tani na njohin të gjithë; bile edhe fëmijët tonë, të cilët deri te ky libër thuajse nuk dinin asgjë se ç’gjurmë kishin lënë prindërit e tyre”.

Nuk di që dikush tjetër të më ketë dhënë sadisfaksion më të madh sesa ato çka aq sinqerisht e me mirësi mbresëlënëse më shkruante Ali Tepelia i pashlyeshëm. Qofsha i gabuar, por nëse dështoi kohët e fundit në kandidimin e tij për në krye të KOKSH, një nga figurat më të shquara të basketbollit shqiptar, Ilir Trebicka, them se kjo ka të bëjë edhe me atë, se prej vitesh ai dhe basketbolli i tij është i harruar nuk është treguar, nuk është përshkruar.

Ndonëse për fat, rasti i tij, kohët e fundit ka dhe të kundërtën, që është vërtet e bukur dhe kuptimplotë. Partizani i famshëm i basketbollit, me sa duket, kërkon të “rithemelohet”, duke zgjedhur në krye të tij figurën madhështore të basketbollit shqiptar, Agim Fagun. Jam çuditë! Jam çuditë ngaqë shoh se shumica e sportistëve të vjetër, sot thuajse janë jashtë loje, të papërmendur, të patreguar, të panderuar, mospjesëmarrës në jetën publike sportive.

Ata i errëson “mercato”, presidentët e klubeve të futbollit, Federatat apo presidentët e saj, “analistët”, “komentatorët” – vëzhgues të ndeshjeve, emisarë të FSHF-së të cilët sundojnë vetëm në tregimin e justifikimin e gabimeve të arbitrave, ose që mbërrijnë të sundojnë edhe në portretizimet (shpesh si relacione biografike) pa asnjë radhë e dituri të figurave të sportit shqiptar. Mëkat. Madje mëkate! I kthehem prapë shkrimit për Teli Samsurin të vitit 1938: “…Samsuri me të brendshmit e vet kombinonte me pase të shkurtër dhe shumë të hijshëm. Krahët dinte t’i niste për mrekulli, me kalime topi në thellësi dhe në gjysmënaltësi. Nuk e tepronte kurrë në driblinget dhe gjithmonë dinte të çmarkohej.

Kishte një zotnim topi për t’u pasur zili. Eleganca e lojës së tij i magjepste dhe i entuziazmonte turmat e sportdashësve”… Themeluesi. Anton Mazrreku ka qenë një gazetar race, një talent i madh, një themelues i pashlyeshëm, një kronikan si pakkush, i cili tregimin e historisë nuk e ka lënë për nesër, por e ka treguar aty për aty. Ndërkaq, sot, ne krejt pak mbajmë rend për vlerat e vërteta. Dhe pa arritur të kuptojmë se si po ndodh që po na sundojnë programet televizive dyorëshe a më tej, vetëm për futbollin, ku mbi figurën e ngjarjes sportive dalin personazhet e studios, plot nja gjashtë, duke ia ndërprerë pa prâ (pa ndalë) fjalën njeri tjetrit, pa treguar diçka të veçantë, jo rrallë madje me një inkompetencë shembullore.

Sigurisht, nuk mund të them se ndodh gjithmonë dhe te të gjithë kështu. Më pat ardhur shumë mirë para do kohe që TVSH qenka marrë me suksesin e atletit “të panjohur” shqiptar David Nikolli, i cili u shpall Kampion i Ballkanit në 3000 metra. Mirëpo, ky është një rast krejt i rrallë, i veçantë gëzimi, objektiviteti e ndjekje radhe për vlerat. Ndoshta dikush ka kuptuar më në fund se Kampion i Ballkanit në atletikën e lehtë është diçka krejt e rrallë për sportin shqiptar. Tash mbi 90 vjet që zhvillohet ky Kampionat i pari ndër shtetesh në Europë, Shqipëria ka mundur të mbërrijë vetëm në 10 të tillë. Kësisoj, ndoshta diçka do të ndryshojë për mirë, çka kurrsesi nuk mund të bëhet sidomos pa vendosmërinë e kryeredaktorëve, shefave të redaksive, drejtorëve të mediave, të cilëve iu takon të mos jenë kurrë dorëlëshuar ndaj cilësisë së lartë të gazetarisë. Ndërkaq, po bashkëngjis këtu një frontespic të gazetës “Sporti Popullor” të viteve ’80 (paçka se është ribotuar më 1990) që kam drejtuar.

Si një shembull për të treguar se çka mund të bëjë gazetaria serioze. Në foto të të paharrueshmit Besnik Vrapi, fotografi i gazetës në fjalë, janë dy njerëz emrat e të cilëve sot kanë hyrë për të mbetur në majat e sportit botëror: Pirro Dhima dhe Luan Shabani. Gazetaria jonë e asokohe e një Shqipërie të mbyllur deri në skaj ka meritën se i zbuloi qysh fëmijë (foto lart) dhe i afirmoi si botërorë të ardhshëm qysh adoleshentë (foto më poshtë). Nuk na i kishte marrë mendtë as Juventusi e as Milani – asokohe Kampione e Europës në fuqi. Ndonëse qemë të parët që i dhamë hapësirë jo të vogël futbollit të shteteve të tjera. Para pak kohësh gazeta “Panorama Sport” botoi një Dossier për një nga atletët më të mëdhenj të Shqipërisë: Vangjo Afezolli.

Jam i çuditur se sa mirë u prit ky shkrim. Jo pak lexues kanë shprehë kënaqësinë e tyre për tregimin për këtë figurë të madhe të atletikës e sportit kombëtar. Dhe papritmas mû në këtë rast më lind çudia. Asnjë prej atyre që më folën me respekt për Vangjo Afezollin nuk ishte i ri! Ky është një problem i madh! Nuk ua tregojmë historinë shqiptarëve të rinj. Ose më qartë: krejt padrejtësisht e kemi ndarë në dysh historinë e sportit shqiptar. E kjo nuk sjell as zhvillim as përparim. Për fat të keq, Shqipëria e sotme sportive nuk njeh as rend dhe as meritë vlerash. Duket se ka mbetur te konkluzioni i tmerrshëm i mbledhjes së famshme të 3 shtatorit 1945 të Federatës Shqiptare Sportive, siç quhej, e cila pat deklaruar fjalë për fjalë: “Të fshihet njëherë e përgjithmonë faqja e zezë e lëvizjes sportive të së kaluarës”. E, ç’të them më tej! Për radhë meritash e të vërtetash kërkohet punë e madhe, madje shkencore, jo punë amatorësh. Dhe ndershmëri profesionale. Me sa duket, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse “të gëzohemi” edhe ne “për lajmin e mirë” se ka shënuar gol Juventusi!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"