Përsëri për Moviolën dhe (sh)përdorimin rreth saj në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 22:42

Përsëri për Moviolën dhe (sh)përdorimin rreth saj në Shqipëri

BESNIK DIZDARI

Sa herë kam shkruar për Moviolën? Nuk mbahen në mend. Vetëm në dy-tri vitet e fundit nja tri a katër herë. M’u dukën tepër, çka pa shkuar te vitet e tjera, ky bilanc do të thoshte të botosh mesatarisht më shumë se 1 shkrim në vit për Moviolën. Absurde! Sepse Moviola nuk është as ndeshje, as rezultat, as kampionat, as garë. Mirëpo, ja që për fatin e keq, më duhet të shkruaj prapë për Moviolën.

Besnik-Dizdari

Edhe ngaqë zakonisht shkrues të varfër në tematikë (jo gazetarë profesionistë, natyrisht); ose prej atyre që bëjnë të jashtmin, edhe gazetarin, edhe arbitrin, edhe delegatin e ndeshjeve, bëjnë edhe moviolistin, e kërkojnë ta shndërrojë Moviolën në mit televiziv shqiptar. Në të vërtetë, në këtë 2018, ajo u shndërrua në mit prej vetë FIFA-s, e cila e zyrtarizoi në Kupën e Botës “Rusi 2018”, duke u thënë gjithë Moviolave të botës se tash e mbrapa FIFA do të jetë, me sa duket, pronarja e vetme e Moviolës që përcakton drejtësinë e një rezultati, goli, gabimi, vendimi.

Kështu që, me kalimin e kohës, e drejta për të shitë mend me Moviolën, siç ndodh në disa televizione të Shqipërisë, që nuk është një tru njerëzor, por një vegël, me “Rusi 2018”, kjo “e drejtë” po merr fund. Ngaqë Moviola do ta japë verdiktin e saj në çast, në anë të fushës, brenda vetë ndeshjes.

Nuk do të ketë më nevojë për moviolistë rubrikash televizive. Edhe pse ndoshta në ndonjë vend si i yni, gazetarinë duan ta bëjnë edhe ish-arbitrat apo vëzhguesit e delegatët e ndeshjeve të një prej kampionateve me nivelin më të ultë në Europë, siç është ky i Shqipërisë. Sepse ata që kanë kampionate të nivelit të lartë, prej vitesh nuk denjojnë të merrem me Moviolën. Por, jo vetëm “moviolistët”.

dokumenti

“Faj” për përdorimin primitiv komentues të Moviolës në Shqipëri kanë gazetarët që drejtojnë emisionet a rubrikat e futbollit – e emisione sportive (të sporteve të tjerë) pothuajse nuk ka më në Shqipëri – drejtues euforikë pra, me një botë gazetarie të ngushtë tematike e larmie (shembujt për një herë tjetër), të cilët pa dashur cenojnë tejet profesionizmin e gazetarisë duke i shndërruar në mit interpretimet movioliste.

Madje, deri në përcaktime absurde si “dinasti unike moviolistësh”! Gjyqtarë, vëzhgues a delegatë, e jo rrallë deri punonjës të FSHF-së apo dhe të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve, merren me këtë “punë”, që nuk është punë. Kjo, ngaqë mungon autoriteti federalist a ministror për t’ua ndaluar e për t’i tronditur paksa këta njerëz, duke iu thënë, që më së pari bëni detyrat e punonjësit me rrogë, e mandej shkruani e dilni në TV për Moviolën.

Pra, më parë shpalosni për publikun problematikën e detyrave të shtetit e mos u merrni me gjëra të dorës së fundit, si puna e Moviolës. Aq më tepër që kjo nuk ka të bëjë aspak me zhvillimin cilësor të sporteve e të futbollit në Shqipëri. Ndërsa punonjësi i FSHF-së, vëzhguesi apo delegati në fjalë, i cili sapo mbaron ndeshja ku ai ka qenë i ngarkuar për këtë rol, guxon e vrapon për në studio televizive për të bërë moviolistin, atëherë, ai apo ata, ose duhet të lënë punën në FSHF apo detyrën e vëzhguesit a të delegatit, ose duhet të lënë moviolistin.

Sepse kjo është një shkelje e jashtëzakonshme e etikës, pa shkuar te konflikti i interesit krejt të palejueshëm. Madje, po kaq konflikt interesi është edhe kur duke qenë njeri i zyrave të FSHF-së, del në studio televizive e mbron FSHFnë edhe aty ku ajo nuk mund të mbrohet, teksa nuk guxon të bësh një kritikë të vetme ndaj drejtimeve të gabuara të saj.

Kemi mbërritur deri aty, saqë në të shumtën, kritika ndaj drejtimit të futbollit po mbetet vetëm në faqet e kësaj gazete, që është “Panorama Sport”. Kështu pra, edhe në këtë shkrim që vjen prej të hershmëve më duhet të përsëris se vazhdon një përdorim thuajse përtej historisë i Moviolës në Shqipëri. Edhe pse në Europë roli i saj pothuajse nuk është më pjesë e gazetarisë televizive. Pra, në një kohë kur Europa sportive, veçan ajo e futbollit, e ka braktisë atë, teksa nuk e përdorin anglezët, që janë shpikësit e futbollit, nuk e përdorin as gjermanët kur ka e pakta tre vjet që Moviolën e braktisi edhe RAI e Italisë, përdoruesja më e madhe dhe themeluesja televizive e saj.

2. Dhe prapë, për shkak të shumë të pavërtetave të kuptimit historik dhe “fizik” të Moviolës, më duhet të ripërcaktoj se Moviola është përkufizuar si një aparat montazhi kinematografik që të lejon ta ndalosh e ta kthesh shiritin e filmit në çdo çast para e mbrapa dhe me shpejtësi të ndryshme për të parë dhe riparë filmimet. Fjala rrjedh prej anglishtes, “movie”, film, por dhe duke nënkuptuar shiritin e regjistrimit, të xhiruarit të filmit. Po kështu, kur vijmë te Moviola televizive, prapë ajo nënkupton një aparat që të lejon të ndalosh ose të ngadalësosh imazhet e një regjistrimi për t’i riparë ata dhe për t’i përimtuar (analizuar), sidomos çastet apo episodet e filmimeve sportive.

Dhe për të hedhur poshtë gënjeshtrat e qëllimshme, apo të pa qëllimshme, apo imitimet naive të të vërtetave rreth saj, kujtojmë se Moviola është shpikur saktësisht më 1924 prej inxhinierit amerikan nga Pasadena, Iwan Serrurier. Menjëherë mbas shpikjes, Moviola nisi të përdorej së tepërmi në studio të tilla prodhimi si Universal Studios, Warner Brothers, Charles Chaplin Studios, Buster Keaton Productions, Mary Pickford, Mack Sennett e Metro Goldwin Meyer. Me shpikjen e filmit me zë, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, tregu i Moviolës u rrit tejet.

I biri i Iwan Serrurier, Mark Serrurier, i cili zotëroi për 20 vjet (1946-1966) shoqërinë e patentës së Moviolës, e shiti atë te Magnasync Corporation për tre milionë dollarë. Më 1984, Moviola iu shit shoqërisë J&R Film Co. Inc., e cila sot e kësaj dite ka lidhje të pashkëputshme me Hollywood-in. Më 1979, Mark Serrurier fitoi një çmim të posaçëm “Oscar” që iu dha si të atit ashtu dhe atij vetë. Në vitet ’60, në kinematë e Tiranës kemi parë dy filma sportivë të paharrueshëm. Në fillim ka qenë ai për Olimpiadën e Romës (1960), ku ndonjë përsëritje krejt e shkurtër e episodeve të garave, sidomos atyre të atletikës së lehtë, na e merrte mendjen ne të rinjve të asokohe. Por përsëritja nuk është Moviola.

Mandej, siç kam shkruar ditë më parë këtu në “Panorama Sport”, në ciklin për Kupën e Botës “Rusi 2018”, kur erdhi filmi legjendar për sytë tonë, “Goal!” i Kampionatit Botëror të Anglisë (1966) me autor edhe Abedin Dinon e Çamërisë, nipin e Abedin Pashë Dinos – ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane – shtangëm duke pa në ekran sesi fiksohej e përsëritej rasti historik i golit të Hurst të Anglisë në ndeshjen fundore (finale) kundër Gjermanisë. Ishte minuta e 100-të: topi që bie në tra, rënie e tij vertikalisht mbi ose përtej vijës së bardhë të ashtuquajturës “fatale”, i fiksuar edhe me “stop kamera”.

Kaq. Nuk ishte një Moviolë. Ishte thjesht një përsëritje dhe ngurtësim i episodit. Ose një pararendëse e Moviolës. Ende vazhdohet të diskutohet sot ky rast: ishte apo nuk ishte gol? Ndonëse gjyqtari Goetfridd Dienst e quajti gol mbasi u këshillua me vijërojtësin azerbajxhanas, asokohe sovjetik: Teufik Bahramov! Emrin e të cilit për këtë histori të jashtëzakonshme të tij, azerbajxhanasit ia kanë vënë stadiumit kryesor të tyre në Baku.

var2

Saktësisht: “Tofik Bahramov Stadium”. Duhet të jetë stadiumi i vetëm në botë që mban emrin e një gjyqtari të futbollit. Ndërsa Shqipëria vazhdon me “Elbasan Arena”, “Arena Kuqezi”, e kushedi se si, kur emrat e stadiumeve, me pak përjashtime, i kemi pa përfaqësim historie, madje edhe pa emra! Ndërkaq, prapë më duhet të kujtoj për shkaqe shtrembërimesh se më 23 tetor 1967, ditë e hënë, rubrika e RAI-t “Telesport” bën objekt të saj një gol të Gianni Riveras të minutës 78 në derbin MilanInter që përfundon 1-1, një gol pak a shumë i ngjashëm me atë të Hurst në fundoren e Botërorit të “Wembley”-t. Carlo Sassi, i vetmi gazetar sportiv i RAI-t, i cili kishte hyrë në televizion duke fituar konkursin për telekronist, së bashku me teknikun Heron Vitaletti, bënë montazhin e episodit zâmadh dhe me filmim të ngadalshëm duket se si nga vija e portës ku kishte rënë topi mbas goditjes së traut, ku siç e kam treguar me kohë, çohet përpjetë një tym i pluhurit të vijës së bardhë “fatale”, pa kaluar përtej saj, ndërkohë që gjyqtari i ndeshjes D’Agostini gabon duke e dhënë gol.

Gjithçka shihej vetëm përmes pak fotogramave dhe pamja e ngadalshme befasuese trondit gjithë Italinë sportive, duke shkaktuar diskutime të pafundme. Moviola sportive mirëfilli televizive kishte lindur në këtë ditë të 23 tetorit 1967. Mandej, më 1983 gazetari i mirënjohur Aldo Biscardi shpërthen në RAI 3 me emisionin e tij që u bë shembullor (emblematik): “Processo del lunedi”. Biscardi e shndërroi në mit Moviolën. Çka e bëri të famshëm deri aty, saqë kur u bë atentati kundër Papa Wojtila-s prej Ali Agca, ishte Aldo Biscardi, njeriu i cili krijoi atë që u njoh si “Moviolone”.

Siç e ka treguar vetë Biscardi, disa çaste mbas atentatit, drejtori i TG1, Franco Colombo i telefonon për t’i kërkuar nëse mund t’ia arrinte që aparati i tij të mund ta ndihmonte për të ngadalësuar deri në imtësi duke zmadhuar figurën në përsëritje e sipër, për të vënë në spikatje të jashtëzakonshme mënyrën sesi dhe prej ku Ali Agca qëlloi kundër Papës. “Më sill filmimin, të cilin duhet ta shndërroj në ‘moviolone’, tha Aldo.

Dhe realizoi gjithçka, duke mahnitur teleshikuesit, teksa përmes “Moviolonës”, me përsëritje të ngadalshme deri në një vërtetësi çmeritëse, Papa pësonte goditjet e pamëshirshme të Ali Agça-s! Aldo Biscardi (1930-2017), i ndarë nga jeta tetorin që shkoi, është pa dyshim ndër të parët i cili qysh prej nja 15 vitesh pati propozuar përdorimin e Moviolës në fushën e lojës. I dha të drejtë FIFA para dy muajsh kur e vuri atë në anë të fushës së blertë të “Rusi 2018”, madje duke “u urdhëruar” prej saj deri për të dhënë 11-metërshin fatal që vulosi Francën – Kampione të Botës 2018.

var2

Në Italinë e Biscardi-t, Moviola bëri ligjin deri në gusht të vitit 2010, kur njoftimi befasues dhe i pamëshirshëm i drejtimit të RAI-t ia lëkundi themelet duke kthyer historinë mbrapa, me këtë vendim që thotë: “I jepet fund serisë së pambarim të përsëritjeve dhe diskutimeve maratonë që i shndërron në llafologji dhe polemika të panevojshme episodet e një ndeshjeje futbolli. Gjithçka tash e mbrapa do të përqendrohet në përdorimin e imazheve vetëm për një qëllim didaktik, për të sqaruar vetëm dy apo tri raste të ditës me ndihmën e një eksperti”.

3.Tash po rikaloj te një rast nga përvoja ime si gazetar i “Bashkimit”. Ka qenë 26 dhjetor 1976. Në Tiranë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ndoshta para nja 18.000 shikuesve, luhej një ndeshje vendimtare e Kupës së Shqipërisë, Dinamo – Vllaznia. Fitoi Dinamo 2-1, mbas një goli të Çeços në minutën e 115-të. Me një gol mû për Moviolë. Një harkim topi para portës së Vllaznisë, dhe ndërsa portieri shkodran Cemi kërcen për të pritur topin, Sejdini i Dinamos, e kap portierin mik dhe Çeço krejt i lirë shënon golin që i jep kualifikimin Dinamos.

E pashë qartë gjithçka. Duhej kritikuar rëndë. Doja të bindesha, megjithatë. U përpoqa të shkoj në studiot e televizionit për ta pa disa herë episodin. U realizua. Shkova dhe e pashë disa herë. Të nesërmen kritika në “Bashkimi” ishte e pa mëdyshje, madje e pamëshirshme, duke u përshkruar episodi thuajse si një Moviolë e fjalës së shkruar, nëse mund të krahasoja kësisoj. Kritika bëri bujë të madhe, sidomos në qarqet e egra të tifozëve me spaletat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dinamase. Duhet të hysh në asokohe për të kuptuar se çka ishte një kritikë kësisoj për skuadrat e Pushtetit. Duke iu kthyer tregimit tonë, në njëfarë mënyre mua më kishte ndihmuar tejet kjo “Moviolë”. Më pëlqen që ta quaj këtë rast si krejt të pazakontë për kohën e gazetarisë së Regjimit, ndër të parat në historinë e Televizionit Shqiptar, prej së cilës një gazetë “anuloi” një gol që kualifikonte skuadrën e pamerituar fituese.

Dhe? “… Është e qartë se shoku Besnik Dizdari, me shkrimet e tij, jo vetëm nuk e ndihmon futbollin tonë, por me dashje apo pa dashje bën një punë negative, gjë që nuk i shërben aspak zhvillimit të futbollit tonë socialist”, siç shkruhej fjalë për fjalë e germë për germë, në një letër zyrtarësh të asokohe të futbollit, dërguar organizatës së Partisë së gazetës “Bashkimi”. Por e cila për fat, me në krye kryeredaktorin largpamës Prof. Hamit Boriçin, e sekretarin e organizatës Adriatik Kanani – gazetarë të shquar pra, përbëhej nga njerëz të ndershëm e tejet profesionistë për t’u ndikuar prej kësisoj kërcënimesh politike.

E pra, a mund të guxoj, që këtë lloj “Moviole” të 26 dhjetorit 1976, unë ta fiksoj si datë të “aplikimit” të Moviolës në Shqipëri? Kurrsesi! Do të ishte një naivitet i madh. Sepse Moviolë, pra gazetarie, është Moviola publike që demonstrohet, përdoret për publikun në një emision a rubrikë sportive – çka në Shqipëri do të duheshin edhe shumë vite për t’u përdorur. Dhe kur mandej guxohet e shkruhet se Moviola në Shqipëri u “aplikua” për herë të parë në… basketboll”, natyrisht kjo është një nga gënjeshtrat e radhës.

Nëse dikush paska shkuar në TV për të pa një kosh të shënuar në sekondat e fundit të një ndeshjeje në Televizionin Shqiptar të para 50 vjetëve, është vërtet guxim shembullor (ekzemplar) të shkruash se “Moviola në Shqipëri u ‘aplikua’ për herë të parë në basketboll”. Nëse verifikohet që TVSH paska hapur studiot për basketbollistë të 17 Nëntorit apo drejtues të këtij klubi për të pa një kosh basketbolli, e pra ajo ndeshje basketbolli për të cilin asokohe kam botuar një korrespondencë të posaçme, na paska përuruar për herë të parë Moviolën në Shqipëri; dhe nëse mbas 6 vjetëve më është hapë edhe mua (në të vërtetë gazetës “Bashkimi”) studio e RTSH-së për golin e Dinamos, kuptohet qartë se assesi nuk mund të rrêjmë duke thënë se në ato vite censure të shfrenuar qenka “aplikuar” Moviola, për më tepër në basketboll! Kurrsesi! E po aq as edhe në futbollin e ndeshjes Dinamo-Vllaznia në Shqipëri.

Aq më tepër që nuk duhet të harrojmë ndërkaq se gjatë Regjimit, assesi nuk mund të lejohej polemikë televizive rreth gabimeve të ashtuquajtura arbitrale. Puna më me mend që mund të bëjmë, është t’i lutemi gazetarit Vladimir Grillo, që të hulumtojë se kur e ka përdorur ai apo dikush tjetër Moviolën, publikisht, drejtpërdrejt në rubrikën sportive të vetme televizive ndër ne. Për të përcaktuar kështu të vërtetën historike dhe jo rrênat apo shtrembërimet e rastit, që për fat të keq nuk po ndalin në Shqipërinë tonë deri dhe në libra sportivë!…

Kjo duhet bërë për hir të ndershmërisë së historisë e të gazetarisë sportive në Shqipëri. Çka sigurisht nuk është e lehtë. Ndonëse për një gjë jemi të sigurt: që nuk ka pasë as Moviolë dhe as moviolistë në emisionet sportive televizive shqiptare në vitet ’80. Ajo i përket mbasviteve ’90. Madje, për të qenë më të saktë, Moviola dhe moviolisti shqiptar, mirëfilli apo përsëmbari, janë themeluar vetëm në vitet ‘2000. Përsëritje golash, episodesh e aksionesh sigurisht ka pasë. Po kjo është diçka tjetër. Tash Shqipëria e FSHF-së, po qe e zonja, le të vendosë edhe ajo VAR-n në fushë.

moviola

Ndryshe, të paktën ajo të mos bëhet nxitje e vazhdimësisë së Moviolës në TV-të me njerëzit e saj, të cilët me prepotencë e konflikt interesi të palejueshëm, nuk ndalin. Ndonëse për të qenë më të drejtë, këtë iu takon ta ndalin vetë televizionet që mbushin një hark të tanë kohor me Moviolën në emisionet e tyre. Që të mos ndodhë si Kampionatin që shkoi, kur në vetëm dy emisione (rubrika) televizive të brenda 24 orëve, plot 27 herë u përdor moviolizimi i episodeve “gabimesh” e “jo gabimesh”! “Do ta shohim te Moviola e…” Kështu buçasin prej kohësh drejtuesit e emisioneve e rubrikave televizive shqiptare. Ndonëse në këtë fillim kampionati ende nuk ua dëgjuam fort zërin.

Çka të bën të shpresosh se ndoshta do të binden se Moviola nuk është as ndeshja, as humbja, as fitorja, as niveli i lojës, as teknika, as taktika, as gjakimi (pasioni) sportiv, as shpirti futbollistik, as etika, as mjeshtëria, e aq më pak harmonia e qetësia shpirtërore që të krijon sporti ynë nobël që quhet futboll. A do të vazhdojmë kështu? Dhe po më pëlqen ta mbyll me një pohim respektues: më vjen mirë që një nga kanalet e një eminenti televiziv që mban peshën kryesore të transmetimeve të futbollit në Shqipëri, që është “SuperSporti”, e ka mënjanuar tejet Moviolën dhe moviolistin. Bukur! Do të ishte mirë ta ndjekin edhe të tjerë…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"