Përmes kujtimit të protagonistëve 1929…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 26, 2020 | 22:58


Përmes kujtimit të protagonistëve 1929…

BESNIK DIZDARI 

* Këtë cikël shkrimesh të rivështruara, me modesti e respekt, ua kushtoj personazheve historike të atletikës shqiptare, të afërmve të mi: themeluesve epokalë të viteve ’20 e përtej: profesorëve FEHTI DIZDARI e IBRAHIM DIZDARI si dhe dr. BAHRI KOPLIKUT. Ua kushtoj të paharrueshmëve SADETIN HOTI e VALBONA TELI. Ia kushtoj shokut të rinisë: kampionit të paharrueshëm RASIM KRAJA. Ua kushtoj SYRRI HOTIT e SKËNDER FUSHËS (BUSHATI) – dy mbi 80-vjeçarë stoikë, të cilët vazhdojnë të jenë tejet të afërt në ndjekjen e atletikës së sotme shqiptare.
Besnik-Dizdari
KAPITULLI IV PROTAGONISTË – SPORTISTË INTELEKTUALË
Historia shqiptare e atletikës së lehtë, përveç të tjerave, është madje më tragjikja ndër të gjitha sportet. Partia e asokohe ka vrarë pa pikë mëshire më e pakta dy rekordmenë të shquar: Sefedin Biçakun dhe Abdyl Këllezin. Janë dy atletët e parë shqiptarë të cilët përfaqësuan me dinjitet Shqipërinë në pjesëmarrjen e saj të parë për të gjitha sportet në një Kampionat Europian: Paris 1938 – Kampionati Europian i Atletikës së Lehtë. Më vonë do t’ia kushtoj shkrimin e herës së parë kësaj ngjarjeje unikale të historisë së sportit shqiptar.

Pa shkuar tek atletë të tjerë të burgosur, të internuar, të nëpërkëmbur, të izoluar, të papërmendur kurrnjiherë. Për vite të tana historia shqiptare nuk ka dashur të dijë për kësisoj tragjedish. I ka fshehur me vetëdije. Por, ajo ka fshehur, madje ka zhdukur edhe të gjallët: të gjithë emrat e kampionëve të parë atletikës, të cilët janë themelues të kampionatit të parë kombëtar për një sport në Shqipëri: që është ky kampionat kombëtar i atletikës së lehtë i vitit 1929.

Dhe po rirreshtoj gjithë këta emra të tjerë, të cilët janë atletë themelues pjesëmarrës në kampionatin e parë kombëtar të atletikës së lehtë 1929. Janë:
ibrahim kodra
Llazar Miha, Ragip Lohja, Sabit Çoku, prof. Peter Andoni, Mehmet Gjakova, Vasil Alarupi, Simon Todoshi, Jorgji Koja, prof. Taho Shkreli, Qamil Abazi, Irfan Gjinali, Ferid Beshiri, Vladimir Shuteriqi, Hysen Kusi, prof. Behxhet Jolldashi, Qazim Dervishi, dr. Bahri Kopliku, Ahmet Taibi, Zeqir Sulejmani, dr.Isuf Dashi, Andrea Çani, Shaban Ahmeti, dr. Naim Vreto, Qazim Keçiçi, prof. Xhevdet Skilja, dr. Ndoc Gera, Qamil Abazi, Mehmet Gjakova, Aleko Turtulli, Ahmet Duhanxhiu, Koço Kaftani, Azbi Tepelena, Fetah Fara, Aleko Turtulli, Rexhep Shpendi, Andon Terova, Petraq Leka, Ndoc Paci, Muharrem Toptani, Shuk Radoja, Kapllan Dervishi, av.Sandër Kraja, Shadan Toptani, prof. Elez Mahja, Isa Meta, Kristo Isak, prof. Alush Lleshanaku, Muharrem Musa…

Shumica sportistë, intelektualë të të ardhmes së Shqipërisë. Sigurisht, vështirë t’i njihni. Por edhe mund të njihni prej tregimeve të prindërve tuaj. Bie fjala, ndoshta mund të keni dëgjuar emrin e prof. Alush Leshanakut si “armik” i madh që ishte, jo si një kampion e pedagog i paharrueshëm i edukatës fizike që ka qenë. Është normale që nuk i njihni. Kaq të fshehtë kemi qenë dhe për çudi, vazhdojmë të jemi për historinë! Por le të vazhdojmë ne me këtë kapitullin IV të kësaj historie tonë sportive, “të lehtë”, por të vërtetë, edhe pse “historianët” nuk duan ta bëjnë pjesë të historisë…

KAMPIONAT JUNIORËSH DHE DUELE TË PASHLYESHME
E, na duhet të kujtojmë edhe faktin e paprecedentë që së bashku me kampionatin kombëtar u zhvillua edhe kampionati i parë kombëtar i Shqipërisë për juniorët, siç përcaktohet, çka i jep këtij themelimi një pamje më se të guximshme për kohën. Interesante është përzgjedhja gati e përkryer e këtyre atletëve të rinj. Midis tyre do të gjejmë plot emra kampionësh e nënkampionësh të pesë kampionateve të tjera kombëtare të paraluftës (sepse janë zhvilluar plot 6 kampionate kombëtare të atletikës nën Mbretëri), prej një Adem Karapici e deri te një Ibrahim Dizdari. Prej një Simon Todoshi nga Korça – kampion në tri gara: 800, 1500 dhe 3000 metra, figurë e mirënjohur e sportit korçar. Todoshi i paharrueshëm, më 1929 fiton titullin e kampionit në 800 metra ndaj Ferid Beshirit të Tiranës, ndërsa në 1500 metra ai ka një duel të vetëm: Shkodër – Korçë, teksa triumfon ndaj dy shkodranëve, Zeqir Sulejmani dhe Tahir Shkreli. E ndërkaq, në 3000 metra Todoshi mposht Jorgji Kojën e Tiranës.

Ky është çasti kur shfaqet emri i Jorgji Kojës së Tiranës, kampioni dhe rekordmeni i cili paralajmëron se dy garat e gjata, ato të 5000 dhe 8000 metrave do të ishin të tijat. Në të parën tiranasi i mirënjohur mposht nënkampionin Tahir (Taho) Shkreli të sipërpërmendur, emri i të cilit befason, sidomos ne, gjimnazistë të Shkodrës, që e patëm mësuesin tonë të paharrueshëm të astronomisë. I një humori të jashtëzakonshëm përveç të tjerave, kur pa u shqetësuar aspak, shembujt eksperimentues e zbulues të astronomisë, na i jepte prej qendrave gjeoastronomike të Italisë, ndonëse libri ynë zyrtar me autor sovjetik, të mbyste me Moskë e Leningrad. Tepër i ndjeshëm ndaj sportit, ku gjithmonë gjente të na çlodhte me një intermexo sportive, del se prof. Taho Shkreli paska qenë nënkampion apo medalist i kampionatit të parë atletik së Shqipërisë në tri gara: 1500, 3000 dhe 5000 metra!

Kishte rivalizuar kështu edhe me kampionin dhe rekordmenin Jorgji Koja, me një atlet pionier të themelimit të garave të 5000, 8000 apo 10.000 metrave. Katër herë kampion kombëtar i paraluftës, Jorgji Koja, më mbas si trajner ai shfaq një tjetër vepër të madhe sportive të tij. Kjo do të ndodhte mbas luftës kur do t’i rriste dhe do t’i formonte Shqipërisë një nga atletët më të mëdhenj të saj, djalin e tij, mjeshtrin tonë të mirënjohur të atletikës shqiptare, fitimtarin e vazhdueshëm Albert Koja. Madje, fenomenal për historinë tonë: 5 herë kampion i Shqipërisë në 400 metra, 10 herë në 800 metra, 8 herë në 1500 metra që së bashku do të thotë 23 herë kampion i Shqipërisë në tri disiplina të vrapimeve. Dhe natyrisht rekordmen në të tri këto gara. Tjetër punë, mandej, kur kjo kujtesë na çon te djali i axhës së tij, emri i të cilit është Vangjel Koja – i famshmi i volejbollit shqiptar, duke u përmbledhur kësisoj “epoka” e fisit Koja në sportin shqiptar, që nis më 1929 me Jorgji Kojën.

Kështu, zbulojmë radhazi emrat e kampionëve. Mbërrijmë te dr. Isuf Dashi – kampion në 110 m/p me shifrat antike 19.8, më mbas, më 1930, 1931, 1932 – tri herë kampioni i Shqipërisë me sportklub Tiranën në futboll. Fatmirësisht dikujt i ka shkuar ndër mend t’i japë një rruge tiranase emrin e tij. Një vit më vonë, më 1931, ai do të jetë përsëri kampion në këtë garë, por dhe i futbollit brenda të njëjtit vit. Ndërkaq, në trehapësh një tjetër firmë e madhe e sportit shqiptar, Irfan Gjinali – i pari i Gjinalëve që do të vërshonin pa ndalë në sportin shqiptar, Zihni Gjinali, Frederik Gjinali e deri një Gjinal i shquar i Kosovës, Skënder Gjinali i sportklub Tiranës, Besës së Kavajës e Vllaznisë së Shkodrës – të gjithë futbollistë. Përjashtimi është kampioni ynë i trehapëshit Irfan Gjinali me shifrat që për kohën të bëjnë të mendosh disi më gjatë: 12.10 metra, natyrisht edhe rekord kombëtar. Është 90 vjet më parë! Mandej, mû ky Irfan Gjinal është dy herë rresht kampion kombëtar në futboll me aportklub Tiranën më 1930 dhe 1931.

Dhe mbërrijmë te garat e hedhjeve.

Tre emra: Ymer Sharra i Vlorës – kampion kombëtar në gjyle dhe disk, Zeqir Sulejmani i Shkodrës – kampion në shtizë dhe Behxhet Jolldashi – kampion në hedhjen e topit me vjegë (dorezë) një garë olimpike e kohës, binjake me çekiçin. Ky titull i prof. Behxhet Jolldashit për Elbasanin e vitit 1929 në të vërtetë është paraprirës i hedhjes së çekiçit, ku më mbas do të shkëlqejë as më pak e as më shumë por mû Ibrahim Kodra, piktori i madh, dy herë kampion më 1933, po edhe rekordmen i garës së topit me vjegë, ndër më të mirët e Shqipërisë edhe në gjyle e disk, ku për nostalgji ka pozuar në Itali duke u realizuar një fotoportret i denjë për konkurs botëror, që shoqëron këtë shkrim të sotëm. Ka përfaqësuar shoqërinë sportive Kosova të Kukësit, klubin, emrin e të cilit për histori themeluese i takon ta ketë sot KF Kukësi. Ibrahim Kodra mbetet rekordmen deri sot e kësaj dite me shifrat 40.56, sepse mbas luftës kjo garë u hoq në të gjitha shtetet e botës. Kësisoj, rekordi ynë i Kodrës ka mbetur i pathyer për sot e kësaj dite.

Teksa i kthehemi Jolldashit, vërejmë se një vit më vonë, ai do të tregojë “mësimin” e tij të një stili të shkolluar kur do të shpallet kampion dhe rekordmen i Shqipërisë në hedhjen e shtizës me 41.99 metra. Ndonëse si fillim, në këtë 1929, shtiza bëhet pronë e atletit ushtarak nga Shkodra, Zeqir Sulejmani, me shifrat që prapë të bëjnë të mendosh disi gjatë: 40.03 metra, duke i lënë mbi 12 metra larg kundërshtarët e tij. Dhe themi “ushtarak”, sepse Shkodra jo vetëm ka të tillë, por ndër drejtuesit kryesorë të ekipit të saj janë dhe ushtarakët italianë, kapiten Napoletano dhe major Zanichi.

Këto ishin themelet e shkollës “modeste” të shtizës shqiptare prej së cilës rreth 70 vjet më vonë ka për të dalë dy herë kampionia e botës, Mirela Manjani nga Durrësi, nën fanellën e Greqisë! Por më parë nënkampione e Europës për të reja nën fanellën e Shqipërisë. Edhe këtë fakt të rangut botëror me zanafillë tokën sportive shqiptare natyrisht që e kemi harruar…

Kur mbërrijmë mandej tek emri i Ymer Sharrës së Vlorës – kampion kombëtar në gjyle dhe disk, historia jonë merr tone dramatike, tragjike madje, të historisë në tanësi. Shifrat e Sharrës mund të jenë modeste, por ky kampion “i panjohur” i zbuluar vetëm para nja 10 vjetëve, është plot 5 herë kampion i Shqipërisë! Ai fiton edhe më 1930 e 1931. Ndërsa në këtë 1929 ai ka një duel të vërtetë me të njëjtin kundërshtar, si në gjyle ashtu dhe në disk: Mehmet Gjakova i Tiranës.

Ymer Sharra do të jetë një nga të dënuarit pa mëshirë të regjimit që do të vinte. Siç mësoi, ai është vëllai i ing. Abdyl Sharrës, inxhinieri i paharrueshëm i tharjes së kënetës së Maliqit, që do të shpërblehej me dënimin me vdekje. Dhe më parë se te toga e pushkatimit, edhe Abdyl Sharra do të ishte një atlet i kampionatit tjetër, atij të vitit 1930 dhe madje më 1931 në gjyle dhe në disk ai do të ketë duelin mû me Sharrën e parë, Ymerin, gara tejet tërheqëse për kohën
kellezi
“LA GAZZETTA DEL MEZZOGIORNO” KONFIRMON
Kjo është atletika shqiptare e paraluftës, me kampionë të zhdukur nga arkivi, por edhe të zhdukur duke iu rrëmbyer jetën. Nga një Sefedin Biçaku i përmendur në fillim të këtij dossier-i e deri te një Abdyl Sharra, për të kulmuar tek e vona me një tjetër rekordmen pra, si zëvendëskryeministri ynë i mbasluftës, Abdyl Këllezi. Regjimi natyrisht nuk do të pyeste për historitë e tyre sportive, edhe pse themeluese të sportit shqiptar për të ndjerë të paktën një mëshirë më tepër.

Edhe në këto episode të zhdukjes së kampionëve të atletikës do ta gjejmë vetë zhdukjen e historisë së këtij kampionati të parë, që e tregojmë. Në këtë rast vështirë të të ngushëllojë sentenca që thotë “më mirë vonë se kurrë”, sepse jemi, vonë, vonë, shumë vonë, njëqind herë vonë.

Kampionati i parë kombëtar i atletikës së lehtë ka përfunduar plot 90 vjet më parë, më 6 shtator 1929. Ai ka përfunduar me fitoren e skuadrës atletike të Prefekturës së Tiranës, mbas një dueli të fortë me Elbasanin, Korçën dhe Shkodrën. Tirana mori thuajse të gjitha Kupat e vëna: atë të Çmimit Mbretëror, atë të Princeshës Myzejen, të Entit Kombëtar “Djelmënia Shqiptare” dhe të Kryeministrisë. Kampionati ka një mbylljes spektakolare ceremoniali, gjithnjë me praninë e patroneshës së tij Princeshës Myzejen. Himni kombëtar, pjesë orkestrale, entuziazëm dhe manifestim i ekipeve atletike rrugëve të kryeqytetit, ndërsa mbi të po binte mbrëmja…

Shqipëria kishte themeluar nën Mbretëri kampionatin e saj të parë për sportet. Jo rastësisht i themelonte me “Mbretëreshën e Sporteve” , atletika e lehtë.

Tash, për të treguar pak se si e gjykonin të huajt këtë kampionat të parë shqiptar për të gjitha sportet, po risjell një fragment prej shkrimit të “La Gazzetta del Mezzogiorno” me titullin “I Campionati Nazionali di atletica leggera” (“Kampionatet kombëtare të atletikës së lehtë”, në shumës, sepse së bashku me atë të juniorëve ishin dy kampionate së bashku).

“Kampionatet kombëtare të atletikës së lehtë, – shkruan “La Gazzetta”, – nën drejtimin e Entit Kombëtar për Rininë të zhvilluara nën kujdesin e lartë të Lartësisë së saj Mbretërore, Princeshës Myzejen, përfunduan me një bilanc elokuent, sepse garat e zhvilluara, dhanë rezultate që më tepër se një dëfrim, përfaqësojnë një siguri për zhvillimet e ardhshme të edukatës fizike në Shqipëri… Rezultatet kanë qenë shumë të kënaqshme, e për këtë duhen përgëzuar fort organizatorët dhe atletët pjesëmarrës, të cilët u treguan mjaft të zot… Ndërmarrja e Entit Kombëtar të Rinisë meriton lavdërimet më të larta. E gjithë Shqipëria u shndërrua kështu në një vatër atletësh dhe kampionatet realizuan synimin për të nxjerrë në dritë elementët më të mirë, të cilët me stërvitje në të ardhmen do të mund të arrijnë rezultate teknike shumë të larta. Mbështetës i madh i këtij zhvillimi ishte publiku i shumtë i cili mbushi këto dit Fushën e Shallvares, gjithnjë plot entuziazëm, duke i nxitur atletët gjatë garës dhe duke duartrokitur fort episodet e bukura. Bukuria dhe eleganca e trofeve që u dorëzuan, midis të cilëve ato të Princeshës Myzejen, qenë tejet tërheqës për t’i fituar… Prej këtyre kampionateve u morën të gjitha mësimet e nevojshme, ndërkohë që tash fillon një punë përzgjedhëse për veçimin e kampionëve, të cilët në një të ardhme të shpejtë do të mund të përfaqësojnë me dinjitet në garat ndërkombëtare, ngjyrat kombëtare. Në pllakatin e kampionatit është paraqitur një atlet i ri në çastin e hedhjes së shtizës, figurë kjo kuptimplotë, në një kohë kur të gjithë të rinjtë shqiptarë po përgatiten intensivisht për t’u barazuar me kombet e tjera. Shtiza do të fluturojë dhe do të qëllojë në shéj”.

Siç dihet, 20 vjet më parë, i joshur edhe nga ky pllakat që ka si emblemë stilin e shtizës, jam bërë promotor i emetimit të një pulle postare kushtuar 70-vjetorit të themelimit të këtij kampionati të atletikës, meritë e Postës Shqiptare, natyrisht. Për fat, deri më sot vetëm kaq…! Jam bashkautor me të paharrueshmin e filatelisë shqiptare, Niko Xharo.

POST SCRIPTUM…

Në kapitullin V të gjithë pjesëmarrësit, të gjitha rezultatet e kampionatit 1929

Ky cikël do të ketë edhe një kapitull të fundit. Them se është më origjinali. Ai do të flasë me gjuhën e historisë statistikore. Hulumtimet e lodhshme më kanë çuar te zbulimi i të gjithë pjesëmarrësve të kampionatit të parë me të gjitha rezultatet e tyre, madje garë për në garë. Botimi i tyre absolutisht për herë të parë në historinë e Shqipërisë në “Panorama Sport” nënkupton se ku qëndrojnë themelet e sportit shqiptar dhe se cilët janë themeluesit e tij që do të na befasojnë fort. Janë nxënës, studentë, profesorë, inxhinierë, protagonistë të kulturës fizike, po dhe asaj në tanësi, njerëz të politikës, dëshmorë dhe viktima të komunizmit shqiptar, atdhetarë dhe funksionarë shteti, intelektualë dhe qytetarë të klasit të parë, më mbas trajnerë dhe organizatorë të mëdhenj të sportit shqiptar. Dhe gati të gjithë të zhdukur nga historia deri sot e kësaj dite.

* Për vazhdimësi shih shkrimet e “Panorama Sport” të 1 korrik 2019, 22 janar 2020, 14 maj 2020.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com