Naim Kryeziu – Kampioni i madh i Romës së Italisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 22:04

Naim Kryeziu – Kampioni i madh i Romës së Italisë

SPECIALE NGA BESNIK DIZDARI
NAIM KRYEZIU I GJAKOVËS, SHKODRËS, ELBASANIT, TIRANËS…
Kështu pra! Vërtet që do të ishte një nderim i veçantë përkujtues nëse disa spektatorë shqiptarë me ndjenjë të fortë atdhetarie, sa të Tiranës, po aq dhe të Gjakovës, të pranishëm në finalen e Kupës së Europës, Conference League, këtë Roma – Feyennord, të shpalosnin në tribunat e tyre një foto gjigante (poster) të Naim Kryeziut.

NAIM KRYEZIU Kampioni i Italisë nën fanellën e Romës kampione 1942.

NAIM KRYEZIU
Kampioni i Italisë nën fanellën e Romës kampione 1942.

Kësisoj, ngaqë përkimi është krejt kuptimplotë. Mbërrin Roma në Tiranë. Mbërrin klubi me të cilin 80 vjet më parë (1942-2022) po për herë të parë në histori, ajo u shpall kampione e Italisë, duke pasur në 11-shin e saj një shqiptar, Naim Kryeziun. Jo duke pasur një shqiptar me origjinë, siç janë futbollistët e sotëm të Kombëtares shqiptare të lindur, të rritur e të formuar në shtete të tjera të Europës. Naim Kryeziu është diçka krejt tjetër. Ai është një shqiptar të cilin e ka lindur, rritur e formuar Kosova e Shqipëria. E futbollin e madh kompetitiv ia ka mëkuar sportklub Tirana me të cilën ai është shpallur edhe kampion i Shqipërisë.

Ndonëse, siç ka shkruar personaliteti i madh dhe udhëheqësi i Kosovës dhe RFS të Jugosllavisë, Fadil Hoxha, në kujtimet e tij, Naim Kryeziu e ka nisur futbollin në Shkodër, në konviktin “Malet tona”. Ndërsa kampionatin e Shqipërisë e ka nisur 16 vjeç djalë në Elbasan me skuadrën e këtij qyteti, Bashkimi Elbanas. Një nisje me një humbje të thellë (0-5) prej sportklub Tiranës me të cilën do të fitonte kampionatin e vitit 1939, duke qenë dhe kryeshënuesi i tij me 7 gola, i ndjekur nga 17-vjeçari Loro Boriçi i Vllaznisë me 6 gola. Dhe mbas 10 muajve të dy do të kryqëzonin shpatat në kampionatin e Italisë – kampione e botës në fuqi: Naimi me Romën, Loro me Lazion, e tjetër epope Lushta me Juventusin. Natyrisht ashtu si dhe Lushta, nuk do të mungonte në asnjë ndeshje ndërkombëtare të viteve ‘30. Duke kulmuar madje në të qenit te 11-shja e parë me Kombëtaren shqiptare në ditën e themelimit të saj në Shallvare: 5 maj 1936.

Dhe përkimi ynë që vazhdon. Jemi në 80- vjetorin e titullit të parë kampion të Romës për Serinë A të Italisë (1942), çka do të thotë se jemi në 80-vjetorin e kampionit të parë shqiptar me një shtet të huaj për të gjitha sportet. Në këtë rast në sportin e futbollit të Italisë në atë 1942 ende kampione e botës në fuqi.

Autori i këtushëm, në të vërtetë, e ka kryer detyrën e tij si gazetar me ndenja atdhetare.

Më vjen mirë që jam bërë interpret që seria e parë e pullave të postës në historinë e Shqipërisë për “Figura të shquara të sportit shqiptar”, të nisë me Riza Lushtën dhe Naim Kryeziun. Portretet e të cilëve me aq shije, art e ndjenjë kombëtare i realizoi piktori ynë i madh, i paharrueshmi Hysen Devolli, gjithashtu me prejardhje nga Kosova. Albaposta themelonte kështu, për herë të parë në histori, pra me dy sportistët e mëdhenj të sportklub Tiranës, shqiptarët e Kosovës, Naim Kryeziu dhe Riza Lushta emisionin e pullës kombëtare kushtuar dy të mëdhenjve, çka për sportin kombëtar përbën një eveniment të rrallë.

Sigurisht kam shkruar shpesh dhe gjatë për Lushtën dhe Kryeziun. Tash është 80- vjetori i arritjes së tyre të madhe, sepse po më 1942 edhe Lushta fitoi Kupën e Italisë me Juventusin. Po kësaj radhe protagonisti ynë është Naim Kryeziu.

E, Naim Kryeziu e Riza Lushta janë pra sportistët e parë shqiptarë të përmasave europiane. Ata janë të parët, të cilët jashtë kufijve të Shqipërisë treguan se kjo tokë lind dhe rrit talente të mëdha sportive dhe përmes shpalosjes së artit të tyre futbollistik ata janë po të parët që i dhanë emër Shqipërisë në Europë.

Në qershorin e vitit 1942, Riza Lushta dhe Naim Kryeziu bëhen fitues të Kupës së Italisë dhe Kampionë të saj, me Juventusin dhe Romën; e çka është më e rëndësishmja, duke qenë protagonistë të spikatur përkrah kampionëve të shquar të botës. Nuk do të përsëris thjesht ato çka kam shkruar. Do të tregoj se çka ngjau me Naim Kryeziun, shì 80 vjet më parë, kur më 14 qershor 1942, Naim Kryeziu vuri në gjoksin e tij kurorën e kampionit të Italisë, shtetit kampion i botës në fuqi, ku luhej futbolli më i fortë i botës.

14 QERSHOR 1942: KAMPIONI NAIM KRYEZIU I ROMËS…
Kampionati i Italisë i stinës 1941-‘42 po i afrohej fundit në një mënyrë që sa vinte e bëhej edhe më dramatik. Roma që stërvitej nga i mirënjohuri Eraldo Monzeglio, megjithatë kalon në duart e hungarezit Alfred Schaeffer. Monzeglio stërviste në tenis Musolinin dhe vetvetiu ai e dorëzon Romën. Ndërkaq, skuadra e Romës kishte arritur që për herë të parë të shfaqej në krye të renditjes qysh në javën e dytë teksa fitonte 2-1 me Bolonjën falë golit të Naim Kryeziut në minutën e 83-të. Një javë më vonë, Roma fiton 2-0 me Juventusin dhe Kryeziu e Lushta janë përballë njëri-tjetrit e Kryeziu shënon golin e parë. Pas një jave Roma bie, por në javën 6 fiton 2-0 me Milanin dhe përsëri e sheh veten në krye, duke qëndruar e palëkundur deri në javën 9 kur barazon 0-0 me Triestinën. Në javën 10 Roma, Triestina dhe Venezia kanë nga 13 pikë secila dhe shkëputja bëhet në javën e 13-të, më 18 janar 1942 kur Roma fiton në Milano 2-0 me Ambrosiana-Inter. Naim Kryeziu ka ndeshjen e tij të shkëlqyer duke qenë autori i të dy golave. Kronika thotë se Coscia ia kalon topin Amadeit, Capellini, Kryeziu dhe 1-0. Është minuta e 45-të. Kur vjen minuta e 85-të, Kryeziu shfrytëzon një goditje këndi prej së cilës pasi rrëmben topin e kthyer nga portieri i milanezëve Caimo, shënon pranë shtyllës. Është 2-0 e gjitha një kryevepër e Naim Kryeziut.

ROMA - KAMPIONE E ITALISË 1941-‘42. Lart nga e majta në këmbë: KRYEZIU, CAPPELLINI, MASETTI, COSCIA, DONATI, BONOMI, MORNESE. Ulur nga e majta: BRUNELLA, ANDREOLI, AMADEI, PANTO.

ROMA – KAMPIONE E ITALISË 1941-‘42.
Lart nga e majta në këmbë: KRYEZIU, CAPPELLINI, MASETTI, COSCIA, DONATI, BONOMI, MORNESE. Ulur nga e majta: BRUNELLA, ANDREOLI, AMADEI, PANTO.

Qysh nga kjo ditë e deri në javën 19, Roma është e palëkundshme. Fiton radhazi 4-0 me Livornon, 1-0 me Bolonjën, por humbet me Juventusin në Torino për shkak të Riza Lushtës, i cili është ndër më të mirët para 33.000 shikuesve, madje Lushtës i anulohet edhe një gol. Nuk mjafton kjo dhe mbas një jave, ndonëse Kryeziu shënon të vetmin gol, Roma humbet nga Genoa dhe zbret në vendin e tretë mbas Venezia-s e Torinos. Është një krizë e papritur, por skuadra gjen forca për të rifilluar fitoret. 1-0 kundër Fiorentinës, po prapë humbje kur nuk pritej, 2-4 në Milano nga Milani, edhe pse përsëri gol i Kryeziut. Një javë më vonë Roma rifillon të fitojë: 2-0 me Atalantën, 1-0 në Venezia, 7-0 kundër Ligurias ditë kur Lazio i Silvio Piola-s me shqiptarin tjetër në 11-tësh, 20-vjeçarin Loro Boriçi, fiton 2-1 në Genoa duke i hequr çdo mundësi skuadrës xhenoane që të afrohej në majë të renditjes. Mbërrijmë kështu te java 26, 17 maj 1942 dhe Roma kryeson së bashku me Torinon, të dyja me nga 35 pikë. Dhe fati i kampionatit që vendoset me ndeshjen historike të 31 majit 1942 kur Roma shkatërron 6-0 Ambrosiana–Interin, ndonëse për çudi mungon Kryeziu.

Kampionati mbërrin ndërkaq te 90 minutat e fundit dhe Roma ka 40 pikë përballë 39 të Torinos dhe 38 të Venezia-s. Është 14 qershor 1942, dita kur Roma proklamohet për herë të parë kampione e Italisë. Mjafton 2-0 kundër Modenas në Romë, humbje e Torinos 0-2 në Firence dhe e Venezia-s po kaq nga Lazio. Kryeziu ka probleme fizike dhe përsëri nuk është në 11-shin e kampiones së re. Ka luajtur 23 nga të 30 ndeshjet – titullar i padiskutueshëm – e çka është më me vlerë, ka shënuar 6 gola tejet të rëndësishëm, gola kthese në ecurinë e kampionatit, ndër më të fortët në historinë e Italisë.

Është 80 vjet më parë…

NAIM KRYEZIU DHE ROMA – KAMPIONE E ITALISË 1942…
Simbas Bruno Roghi-t, drejtor i “La Gazzetta dello Sport” të asokohe, Kryeziu “është një realizues magjistral”. Në të vërtetë, Naimi është një pikë referimi. Siç përcakton historiani Francesco Valitutti, “fundi i këtij kampionati rezervoi të reja të rëndësishme që ndikuan thellësisht për të ardhmen e romanistëve: luajnë me sukses Amadeo Amadei që vinte prej një përvoje atalantine dhe sulmuesi i shpejtë i krahut, shqiptari Kryeziu”.

WhatsApp Image 2022-05-26 at 9.38.32 PM (1)

Ja si e përshkruan këtë Romë Vittorio Pozzo, trajneri legjendar i Italisë – kampione e botës ‘34 dhe ‘38, njëkohësisht edhe një nga kritikët më të shquar të penës për futbollin italian:

“Stili i Romës është garibaldin, dhe shpesh madje i papërballueshëm. Të 11-ët e saj janë të një karakteri të fortë. Është një skuadër bindëse kjo Romë që ka arritur një sukses të qartë, që prodhon dhe ruan një shpirt luftues, një skuadër të cilën ke kënaqësi ta ndjekësh gjatë kampionatit”.

Kampionati 1941-‘42 ishte ndër më të fortët në histori, çka e tregon vetë rrethi i gjatë i pretendentëve për titullin: Roma, Torino, Venezia, Lazio, Genoa… Por dhe baraspesha e renditjes:

asaSASAS

E po kështu dhe kryeshënuesit: 22 gola BOFFI / Milan, 18 GEI / Fiorentina, PIOLA / Lazio, AMADEI / Roma, 17 ISPIRO / Genoa, 16 GABETTO / Torino, 15 LUSHTA / Juventus.

11-shi tip i Romës ka mandej emra të famshëm, ku posti i krahut të djathtë të sulmit roman mbetet gjithnjë pronë e Naim Kryeziut: Masetti, Brunella, Andreoli, Donati, Mornese, Bonomi, Kryeziu, Cappellini, Amadei, Coscia, Panto. Dhe mbi ta trajneri hungarez Alfred Schaeffer.

Siç shihet, në atë 14 qershor 1942, Naim Kryeziu, bir i fisit të shquar të Gjakovës, kampioni i madh i SK Tiranës, është pra titullar i palëkundshëm i një 11-shi të famshëm duke qëndruar pranë emrave të tillë si Masetti, Amadei, Bonomi – protagonistë të vetë kombëtares së Italisë.

Në rubrikën “I Magnifici” të klubit Roma, deri para pak vjetëve të kohëve të fundit, Naimi është aty, pjesëtar i panteonit të 40 lojtarëve më të mëdhenj romanë së bashku me emra të famës botërore, si: Amadei, Ancelotti, Angelillo, Benardini, Cerezo, Conti, De Sisti, Falcao, Giggia, Serantoni, Voeller…

Një botim përmbledhës i kohëve të fundit në Itali e përshkruan kështu Kryeziun:

“Vinte nga Kosova e Shqipërisë, i lindur në Gjakovë, praktikisht qysh i vogël lojtar i sportklub Tiranës ku kishte debutuar qysh 15 vjeç. Ishte 21 vjeç kur erdhi në Itali për të studiuar në ISEF, periudhë kur federohet me Romën. Ishte viti 1939 dhe gradualisht, tifozët e Romës nisën ta çmonin tejet këtë sulmues të krahut të djathtë (“ala destra”) të shpërthimeve befasuese dhe të një vazhdueshmërie të lartë niveli në ndeshjet. Në vitin e fitimit të titullit kampion prej Romës, ai luajti 23 ndeshje dhe shënoi 6 gola, që të gjithë përcaktues për fitimin e titullit. Vazhdoi me fanellën e verdhekuqve deri në vitet e Mbasluftës. Si trajner Kryeziu u kthye në Romë dhe qe i dytë i saj nga 1962 deri më 1965…”.

Ndërsa unë në argumentin tim për miratimin e pullës së postës kushtuar atij, kam shkruar:

VITI 2002. Pulla postare kushtuar Naim Kryeziut

VITI 2002. Pulla postare kushtuar Naim Kryeziut

“NAIM KRYEZIU (1918) Lindur në Gjakovë (Kosovë).

Futbollist i SK Tiranës, Romës, Napolit. Fitues i Kupës së parë të Shqipërisë më 1938-‘39. Kampion me SK Tiranën më 1939, madje golashënuesi më i mirë i këtij kampionati ende të paomologuar, me 7 gola. Mbas Lushtës, i dyti talent i madh i futbollit shqiptar të Paraluftës. Sulmues i krahut i një force, teknike dhe shpejtësie të rrallë dhe me një karrierë të shkëlqyer edhe në Itali. Lojtar i përmasave europiane. Kampion titullar i Italisë me Romën më 1942. Deri më sot i pari dhe i vetmi shqiptar që fiton një titull të kampionit me një fuqi botërore të futbollit. Luajti si titullar në 10 kampionate të Serisë A, 2 në B, 1 në D nga 1940 deri më 1954. Luajti 312 ndeshje dhe shënoi 66 gola. Universitar i edukimit fizik për nga diploma, ai arriti të ishte deri trajner i dytë i skuadrës së Romës në periudhën 1962-‘65. Madje trajner i parë për rreth 6 muaj në stinën 1963-‘64, duke zëvendësuar pikërisht trajnerin e shquar të kombëtares së Italisë dhe të Zvicrës, ish-kampionin e botës dr. Alfredo Foni. Është themelues dhe lojtar kryesor i Kombëtares së Shqipërisë kur ajo doli për herë të parë në fushën e lojës më 1936. Jeton gjithnjë në Romë”.

Viti 1942 është, kësisoj, viti i madh i Lushtës dhe i Kryeziut. E, vetëm dy javë mbasi Naim Kryeziu ishte kurorëzuar kampion i Italisë, mbërrin Riza Lushta me finalen e tij të paharrueshme. Kishte qenë ndër më të mirët e Serisë A edhe në kampionatin e sapopërfunduar të fituar nga Roma e shokut të tij Naim Kryeziu dhe me 15 golat e tij ishte midis golashënuesve më të mirë të kampionatit. Do të shkëlqejë edhe më fort në Kupë, madje loja e tij është vendimtare në fitimin e saj nga ana e Juventusit. Do ta ripërshkruaj më vonë edhe këtë aventurë të Lushtës…

Kësaj here përjetimi i këtij 80-vjetori që vetvetiu hyn i paharrueshëm në historinë e sportit tonë, të Kosovës e të Shqipërisë, përmblidhet me Naim Kryeziun. I kushtohet atij. Kampionit të parë shqiptar me skuadrën e një shteti të huaj. Në këtë rast Romës në titullin e saj të parë 80 vjet më parë. E nëse do të ndodhë që Roma do ta festojë 80-vjetorin e titullit të saj të parë duke fituar Kupën e Europës Conference League mu në Tiranë, e cila ia dhuroi Naim Kryeziun e saj, që aq fort kontribuoi për titullin e saj të parë, sa kuptim që do të kishte!

Kam shkruar me kohë që emrat e Lushtës e të Kryeziut të skaliten edhe në stadiume shqiptare të Tiranës. Sa vlerë kuptimore që do të kishte sikur në finalen e 25 majit 2022 të UEFA Europa Conference League të thoshim se ajo do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Lushta & Kryeziu”. Nuk është utopi. Është detyrim i ndjenjës atdhetare. Dhe është pak madje kur mendon se çka bëjnë shtetet e tjera për sportistët e futbollistët e tyre historikë.

E marre me mend se propozimi i sotëm është fort modest: një poster i tribunës së shqiptarëve me portretin e pashlyeshëm të kampionit të parë të Romës, shqiptarit Naim Kryeziu të Shqipërisë e të Kosovës.

Nuk do të ishte pak, megjithatë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"