Mendësia e formimit të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2021 | 14:28

Mendësia e formimit të Kombëtares

besnik dizdari

Patjetër që edhe shkrimet tona për Kombëtaren janë bërë disi monotone. Monotoni rezultatesh. Monotoni humbjesh. Monotoni dukurish. Dhe… …Përsëri humbje. Pa fitore tash gati 5 vjet! Në një kohë që ky 5-vjeçar në vështrimin e përgjithshëm ka paraqitur një zhvillim mjaft të mirë të futbollit shqiptar veçanërisht në ecurinë e klubeve tona, gjithnjë në ngjitje, madje me rezultate edhe në kupat e Europës. Këtë nuk e themi vetëm ne, po edhe Evropa futbollistike. Megjithatë, një skuadër nuk ka ecur me këtë ritëm: Kombëtarja! Natyrisht, kur ajo është vetëm një skuadër, kjo nuk ka dhe aq rëndësi. Por kur kjo skuadër është Kombëtarja, ajo është më shumë se një skuadër… Nuk po hyjmë në imtësitë e ndeshjes së pardjeshme. Dhe nuk duam thjesht të kritikojmë për humbjen që është e treta e radhës në këtë Kampionat Botëror. Aq më tepër që u pësua përballë skuadrës së fortë të shpikësve të futbollit, të cilët në historinë e tyre të pasur, 2-0 e më shumë se kaq kanë fituar thuajse në çdo vend të botës ku kanë luajtur. Pra, jo vetëm në Shqipëri. Po sidoqoftë, teknikët tanë të futbollit nuk kanë përse të fshihen pas një thënieje që kërkon të bëhet proverbiale nën retorikën: “Pse! Me Anglinë duhet të fitojmë?” Ashtu siç kemi dëgjuar më parë të thuhet: “Përse! Me Suedinë duhet të fitojmë?” E kështu, retorika mund të vazhdojë: “Pse të fitosh me Poloninë? Me Spanjën, me Rumaninë, me Austrinë? Edhe një herë me Rumaninë, sërish me Spanjën, prapë me Austrinë, me Poloninë apo me Greqinë?” Që në ndeshjet kampionale të Kombëtares përfaqësojnë jo pak, por plot 11 humbje që nga 1984-a, të ndërprera vetëm me një barazim të harruar me Greqinë më 1985! Bilancet me ftohtësinë e tyre matematike shpesh janë të pamëshirshme dhe tronditin çdo mendësi justifikuese. E pra, edhe në edicionin e ardhshëm të Kampionatit Botëror apo Evropian, duan apo nuk duan specialistët tanë, prapë me kësi ekipesh të përvojës së madhe do të na takojë të ndeshemi. Si t’ia bëjmë pra, që edhe pse do të ndeshemi gjithmonë me ekipe të forta, Kombëtarja jonë të ecë më ritmikisht në cilësinë e lojërave të saj? Gjë që natyrisht nuk do të matet përherë vetëm me humbjet apo fitoret, por edhe me vetë rritjen e skuadrës (Siç flet fakti që asnjë e metë e ndeshjes me Suedinë nuk qe riparuar).

6

1989. SHQIPËRIA – ANGLIA 0-2. Barns duke shënuar golin e parë në portën shqiptare

Do të thoshim se kjo është çështje mendësie. Mendësi që kërkohet të jetë më e përparuar në gjithë punën për përgatitjen fizike, e cila u takon trajnerëve e mjekësisë sportive ta realizojnë konform kërkesave të kohës. Se edhe në këtë tregues bilancet janë të pamëshirshme. Ja: Viti 1985 – Greqi-Shqipëri 1-1! Gol i pësuar në minutën e 84-t! 1986 – Austri-Shqipëri 3-0. Gola në minutat 65 e 76! Shqipëri-Spanjë 1-2. Golat në minutat 66 e 84! 1987 – Rumani-Shqipëri 5-1. Golat në minutat 47, 54 e 69!! Shqipëri-Rumani 0- 1. Gol në minutën 61! Spanjë-Shqipëri 1-0. Gola në minutat 67 e 75! Rumani-Shqipëri 3-0. Gol në minutën 82! 1988 – Poloni-Shqipëri 1-0! Gol në minutën 78! Suedi-Shqipëri 2-1. Golat në minutat 68 e 71! 1989 – Shqipëri-Greqi 1-1. Gol në minutën 55! Shqipëri-Angli 0-2. Gol në minutën 63! Komentet janë të tepërta. Përherë në pjesët e dyta! Vallë, si bie gjithçka vetëm në pjesët e dyta, të cilat shkatërrojnë iluzionet e trajnerëve tanë? Mendësi që kërkohet të jetë e përparuar në vetë punën për formimin, zgjedhjen e 11 vetëve që veshin kostumin e kuq sportiv. Po këtu shijet e trajnerëve tanë janë nga më të ndryshmet. Fetish i plotë i disa emrave pa asnjë argument. Vetëm aureolë rreth emrit. Edhe sepse ai mund të mos ketë më forcë. Edhe pse ai mund të mos ketë më ritëm. Edhe pse ai nuk po luan mirë me skuadrën e tij. Edhe pse ai luan në tjetër rol me ekipin e tij, tjetër me Kombëtaren (Natyrisht të gjitha këto jo vetëm çështje të trajnerëve të Kombëtares). Dhe prapë na sqaron i pamëshirshmi bilanc. Ja: Në 17 ndeshjet e fundit zyrtare e miqësore të Kombëtares, nga 26 zëvendësime lojtarësh që janë bërë gjatë zhvillimit të tyre, 25 herë lojtarët janë futur në pjesën e dytë dhe vetëm 1 herë është zëvendësuar një në pjesën e parë! Në një kohë që më shumë se gjysma e këtyre lojtarëve të zëvendësuar kanë hyrë në fushë në 20 minutat e fundit, kur loja tashmë ishte shuar (afërsisht kështu ka ngjarë edhe me ndeshjet e “Shpresave”). Majacit të talentuar pasi ia arriti më në fund të luajë në 27 vjeç me Kombëtaren, i jepen vetëm 13 minuta lojë, madje në çastin kur loja ka rënë e tëra. Të gjitha skuadrat e futbollit modern me preokupim kërkojnë të shkojnë drejt përtëritjes.

7

Skeda e ndeshjes Shqipëria – Anglia 0-2

Skuadra jonë në këtë drejtim po ecën më ngadalë se ato. Imagjino! Edhe me “Shpresat” e të rinjtë trajnerëve tanë u është kthyer në mani që të fusin lojtarë në kufirin e fundit të moshës. Sigurisht kjo nuk është mendësi e përparuar. Përkundrazi, mendësi e mosbesimit te të rinjtë. Merrini dhe hidhini një sy historisë së rezultateve më të mira të Kombëtares sonë dhe do të shihni se gjithnjë freskinë ia kanë dhënë të rinjtë, madje edhe ata 19-21-vjeçarë. Ndërsa sot mezi gjen një 18-19-vjeçar që të luajë me përfaqësuesen tonë të 21-vjeçarëe apo një 16-17-vjeçar që të luajë me përfaqësuesen e 18- vjeçarëve! Dhe e treta dhe e fundit: kërkohet mendësi e përparuar në punën për t’i çuar më tej disa veçori të futbollit kombëtar. Sepse, siç ka thënë një specialist i huaj, “futbolli është si puna e muzikës, për të gjithë notat janë 7, por secili ka muzikën e tij kombëtare”. Yni si njihet? Pa dyshim si futboll luftarak. Futboll pasionant. Futboll i sakrificës. Futboll i stilit sulmues.

8

1989. Shqipëria – Anglia 0-2 për Kupën e Botës. Kombëtarja e Anglisë para ndeshjes në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Lart nga e majta: Butcher, Pearse, Web, Rocastle, Lineker, Shilton. Ulur nga e majta: Wolker, Waddle, Robson, Stevens, Barns

Por nga shënuesit më të mirë të kampionatit tonë të tanishëm, asnjëri nuk luajti në dy ndeshjet me anglezët! Rastësi apo mendësi e gabuar? Dhe përsëri ai, elokuenti, kuptimploti bilanc: në 16 ndeshjet e fundit të Kombëtares, ajo ka shënuar vetëm 5 gola, që do të thotë një çerek goli për ndeshje! Në 11 ndeshjet e fundit të “Shpresës” në këta 4 vjet, edhe kjo ka shënuar vetëm 5 gola, që do të thotë më pak se një gjysmë foli për ndeshje! Mbase mbi gjithçka te specialistët tanë duhet ndërruar ajo që e patëm lajtmotiv të këtij shkrimi: mendësia e formimit të ekipeve kombëtare.

SPECIALE NGA/ BESNIK DIZDARI

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"