Londër, 1989. Në ecurinë e dy ndeshjeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2020 | 23:01

Londër, 1989. Në ecurinë e dy ndeshjeve

NGA BESNIK DIZDARI 

Dizdari2

Qëndrimi prej 100 orësh në vendin e futbollit për 180 minuta lojë të ndeshjeve të Kupës së Botës e të Evropës, me densitetin apo intensitetin emocional e sportiv që ato mbartin, kurrsesi nuk mund ta ngushtojnë mjedisin vetëm brenda kufijve që ato tribuna stadiumesh ngushtojnë.

Me pikësynimin për një stërvitje të ekipit tonë kombëtar në stadiumin e vogël “Hendon” të një prej 2000 klubeve të futbollit në Londër, vetvetiu do të përshkohesh përmes një udhëtimi të shpejtë, duke shkelur edhe në gjurmë të historisë. Kalimi pranë Muzeut Britanik në bibliotekën e të cilit Karl Marksi shkroi “Kapitalin”, si dhe ndalimi për disa çaste pranë varrit të tij në varrezat e vjetra të Londrës, qenë pa dyshim çaste krejt kuptimplote për ne.

Nga ndërtesa e Akademisë ku Çarls Darvini shpalli teorinë e tij të evolucionit, te rruga e vjetër e teatrove londineze, nga Sheshi i Trafalgarit ku ngrihet monumenti i lartë i fitimtarit, gjeneralit Nelson, te shtëpia ku ka banuar Çarls Dikensi; nga Monumenti i Zjarrit, përkujtues i djegies së 5/6 të Londrës më 1666, po që çuditërisht nuk shkaktoi vdekjen e asnjë njeriu, tek ura e famshme “Tauer Brixh”; nga lagjja “Sadhëk” ku ka jetuar Shekspiri, deri te teatri “Globe” ku tragjediani i botës ka interpretuar si aktor; nga kështjella e Londrës e shekullit 11-12 e Rikardit dhe Uiliam Pushtuesit, te Muzeu i Mjekësisë ku më 1760, pra 50 vjet para anestezisë, doktor Xhon Hanter krijoi i pari kirurgjinë moderne; dhe së fundi, nga “Frimason Tavern” ku 125 vjet përpara u vendosën rregullat e para të futbollit e deri te stadiumi “Wembley” mbase disi “ekscentrik” ngaqë krahas evenimenteve të futbollit botëror dhe Lojërave Olimpike të 1948-ës, sot pret edhe garat e vrapimit të qenve (?), janë gjithsesi një mbushje, ai pasurim a lidhje me dy mbrëmje të mirëfillta sportive që japin plotmërinë e atij densiteti që mbartin këto 100 orë…

NGA LONDRA NË IPSUIÇ…

… Madje, dhe rruga nga Londra për në Ipsuiç, për ndeshjen e “Shpresave” si vetvetiu kalon në qytetin e Kembrixhit të Universietit 750 vjeçar që dha një Njuton e një Darvin, një Bajron e një Faradej. Më pas Ipsuiçi sportiv me stadiumin e tij 35 mijë vendesh. Një qytet me 125 mijë banorë, skuadrën e të cilit një trajner, brenda 4-5 vitesh, nga Liga e Tretë (1957) e ngjiti në kampione të Ligës së Dytë (1961) dhe vetëm pas 12 muajve (1962), ai e bëri atë kampione të Anglisë. Ky trajner quhej Alf Ramsej. Katër vjet më vonë, më 1966, ai e bënte Anglinë kampione të botës. Sot ky qytetar i Ipsuiçit preferon të mos shkojë më në stadium, por ta ndjekë futbollin nga shtëpia e tij në këtë qytet ku dhe banon. Për t’ia lënë vendin e tij një trajneri tjetër po të Ipsuiçit, i cili më 1981 i dha kësaj skuadre Kupën e UEFA-s, ndërsa tani kërkon ta çojë Anglinë në finalet e Italisë. Ky trajner quhet Bobi Robson dhe ndërsa jemi në stadiumin e Ipsuiçit, ai na afrohet dhe buzagaz na takon duke ruajtur kujtimet më të bukura nga vizitat e tij në Tiranë. Pak më tej na pret presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, F.Milliçip, i cili i thekson fort kryetarit të Federatës sonë të Futbollit, Nimet Cani: “Pritje aq të mirë si në Shqipëri, nuk kemi gjetur askund”. Ngjitëm kështu tribunën kryesore të stadiumit, ndërsa anekënd tij dëgjohen tingujt e melodive të këngëve popullore shqiptare që transmetohen nga qendra e zërit…

Disa çaste më vonë portieri ynë Kela ndien zhurmimin karakteristik të goditjeve të forta të topave që përplasen anëve të shtyllave të portës së tij. Gradualisht furtuna angleze sikur vjen e zbehet falë forcës së Kelës i cili ndien para tij saktësinë e një barriere që për minuta të tëra u duk e pakapërcyeshme. Atë e përbëjnë Xhumba e Vata, të cilët shtatlartë, të fuqishëm e të qetë, dinë të ndalin sulme e gjuajtje, vërshime e variacione të shumëllojshme të Shpresës angleze – ndoshta një nga formacionet më të plota me të cilën mund të jenë ndeshur ndonjëherë deri më sot 21-vjeçarët tanë. Rezistenca e tyre megjithatë duket e ka fundin në minutën e 34-t, pikërisht në çaste kur tashmë dukej se po shkonim në pushim me 0-0. Por Çetëll e fut kokën aty ku nuk ka vend as për këmbën: gjysmë metër mbi tokë: 5- 6 metra para Kelës ai “vjedh” me një zotësi të rrallë një top të ardhur nga e djathta, të cilit mbrojtësit tanë të shtangur ia lehtësojnë edhe më rrugën.

Mund të ishte mënjanuar ky gol, veç mund të ishte pësuar ndonjë tjetër. Kaq e sinkronizuar është ritmika e lojës angleze. Një lëvizje e pandërprerë e 11 vetëve. Një shpejtësi loje e pandalshme. Një teknikë pasimesh në shpejtësi, thuajse e pagabueshme në vijë nga krahët, pikërisht tipike angleze. Prodhim i tyre është edhe goli i dytë në të 61-ën minutë, mjaft i bukur i Stiv Bellit (paçka se ai e merr topin duke shtyrë me sa mundet), që i vetëm 6 metra larg mposht Kelën.

Edhe pse ky prej minutash kish përveshur mëngët në një duel të tmerrshëm, me topa shigjetë të Rajpllej dhe të Brektuellit, të Sidllejt e gjithmonë të Stiv Bejllit. Ky lojtar i ligës së tretë, i cili që nga gushti ka shënuar 46 gola, vetëm në pjesën e dytë jep 8 goditje të pamëshirshme, duke i dhënë mundësinë portierit Kela të tregojë talent e madje më se një herë të korrë edhe duartrokitjet e 6000 shikuesve të Ipsuiçit.

2-0 fiksohet kësisoj qysh 30 minuta para mbarimit, ndonëse loja ruan dramaticitetin e saj falë ritmit të lartë të vendasve dhe atij organizimi mjaft solid, do të thoshim, të lojës në mbrojtje të shqiptarëve. Ata arritën t’ia mbyllin atij krahët e të ngushtojnë qendrën e ortekut të sulmeve të anglezëve, të cilët të drejtuar nga “motori” Tomas i Arsenalit, e çojnë lojën në një lartësi thuajse të paparë.

Çka i mungoi futbollit të Shpresës sonë?
Sulmi. Sulmuesit. Goli. Rezultati. Gjuajtja. E pra nuk janë pak. Dhe nuk u arritën asnjë nga këta, edhe sepse skuadra punoi mjaft. Aq sa nuk pati ndonjë lojtar që nuk djersiu, që nuk punoi plot pasion gjatë 90 minutave. Atëherë, përse? Në radhë të parë sepse pati përpara një11-sh anglez që me siguri do të bëjë histori. Po dhe që etja, dëshira, synimi për sulmin qe tepër i largët për skuadrën tonë, ku përveç të tjerave i mungoi goli, ai që thuajse mungon përherë në futbollin shqiptar: njeriu që di të bëjë gola…

…Ndërsa trajneri Zhega lë stadiumin “Ipsuiç” me meditim, skuadra jonë tek përshëndet me dorë, duartrokitet nga publiku për atë lojë aq korrekte, trajneri Bobi Robson nënvizon para syve tanë emrat e futbollistëve Lejk të Mançster Sitit, Berrou të Liverpulit, Sedllej të Koventrit, Bellit të Vullverhempton e mbi të gjithë të kapitenit Tomas të Arsenalit. Si ta kuptojmë këtë nënvizim? “Ata do të jenë kombëtarja e ardhshme e Anglisë”, shton trajneri Robson. Qe një lojë e gjallë dhe gabimi i shqiptarëve ishte vetëm një: “Mungesa e sulmit”.”

“E zotëruam shumë mirë topin, – thekson trajneri i Shpresës angleze, Dejv Sekstën, – dhe nuk bëmë asnjë gabim. Shqiptarët kanë një teknikë të mirë, por ata duhet të jenë më ambiciozë, e përsëris, më ambiciozë, jo të qëndrojnë në pritje. Por kjo ishte një nga lojërat më të mira që 21-vjeçarët tanë kanë luajtur”.
(Dhe ishte një skuadër me 5 lojtarë të ligës së dytë dhe të tretë të Anglisë).

… Kështu e lëmë stadiumin e Ipsuiçit, duke medituar për “Uemblin” dhe në mbrëmje vonë marrim rrugën për në Londër…

…NGA IPSUIÇI NË LONDËR

Ja dhe e mërkura e 26 prillit. Pas tri ditëve të ftohta, të një qielli gjithnjë të vranët e herëherë me një shi të akullt, rrezet e diellit, ndonëse jo shumë të fuqishme, ndriçojnë më së fundi peizazhin londinez. Por, ende është ftohtë.

E tashmë subjekti i ndeshjes Angli-Shqipëri bëhet më i afërt. Gazetat sot i kushtojnë asaj tituj kryesorë. Dhe në të spikat një emër: Blendi Nallbani me foton e tij:
NALLBANI (1)
LONDËR, 25 PRILL 1989. Në qendër të shtypit anglez, lirshmëria e jashtëzakonshme e 17-vjeçarit Blendi Nallbani në një vend kapitalist
“Robsoni kërkon një dënim të ashpër për Nallbanin e ri”, nënvizon “Tajmsi”. “Lineker dhe Bërdslej do të vënë në provë këtë djalosh mbi 10-vjeçar”, (“Dhë Gardian”). “Anglia nuk do të ketë mëshirë” (“Dejli Ekspres”). “Një shkollar hidhet kundër Anglisë” (“Indipendent”). “Provimi i Anglisë për këtë shkollar”, (“Tu Dej”).

Brenda anës sensacionale sidoqoftë, ka një të vërtetë: Blendi Nallbani 17-18-vjeçar është portieri më i ri që luan në “Uembli”, e pakta 53 vjetët e fundit, qysh kur më 1936 Norman Kaleger i Irlandës – 17-vjeçar mbrojti portën e skuadrës së vendit të tij përballë Anglisë.

Me këtë episod “të ditës” skuadrat zbresin në tapetin e blertë të “Uemblit”, këtij stadiumi mitik, siç e kanë quajtur. I ndërtuar më 1923 me rastin e Ekspozitës Britanike, edhe për qëllime kulturore e artistike, për futbollin ai i çeli dyert më 1924 dhe në këto 65 vjet ai ka bërë një histori të madhe sportive, duke mbetur krejt origjinal dhe duke i dhënë spektakleve të futbollit, gjithnjë një pamje sa origjinale aq dhe madhështore.
gaskonj (1)
Nga revista speciale angleze e parandeshjes Anglia – Shqipëria e 26 prillit 1989. Por, fotoja i përket pragndeshjes së marsit në Tiranë. Pak humor anglez para ndeshjes në qendër të Tiranës. Futbollistët anglezë, i famshmi Gascoigne dhe Cotlle kanë “arrestuar” një ushtar të popullit – simbol të mbrojtjes së Shqipërisë 1989

Çka do të ishte kjo ndeshje e së mërkurës së 26 prillit 1989?
Skuadrat priten me duartrokitje. Ato mbajnë 2 minuta heshtje për të nderuar viktimat e tragjedisë së stadiumit të Shefildit të disa ditëve më parë. Ekzekutohen himnet kombëtare. Autoritetet e futbollit anglez me në krye presidentin e federatës së tij Milliçip, zbresin në fushë dhe përshëndesin të dyja skuadrat.

Disa çaste më vonë, i riu 17-vjeçar Blendi Nallbani do të ndiejë forcën e goditjeve të papërmbajtshme të sulmit anglez. Dy prej tyre thuajse lëmojnë shtyllën dhe të 60 mijë të pranishmit e ndezin stadiumin, që shpërthen si një vullkan. Është një fillim që përcakton ecurinë e takimit i cili për nga shifrat që do të provonte, për nga ecuria e episodeve, e pse jo, edhe për nga diskutimet që do të ngjallte, gjithsesi sikur nuk do të sinkronizohej në atë fund shifrash të pamëshirshme që do të fiksonte. Skuadra mike është e tronditur dhe në minutën e 5-të Lineker, aty para portës, shkruan shifrën e parë të takimit: 1-0!

Stadiumi tashmë nuk përmbahet, sepse vetë sulmi anglez nuk përmbahet. E çuditshme! Vetëm një njeri kërkon të ruajë qetësinë. Ky është Blendi, i cili për 8-9 minuta kërkon të thotë se një gol i pësuar nuk është gjithçka. Por ja, minuta e 18-të dhe 2-0 nga Bërdslej, i cili me një teknikë të rrallë përfundon një sulm të krahut të djathtë, të cilin shokët e tij e ndërtuan me aq vrull e mjeshtëri, me aq teknikë dhe zgjuarsi.

Skuadra shqiptare, e cila asnjëherë deri më sot nuk është ndeshur përpara një auditori të tillë prej 60 mijë vetësh, i është nënshtruar fatit të lojës qysh në 18 minutat e para. Ajo nuk përballon dot këtë zjarr, këtë inkandeshencë të një stadiumi, që nuk pushon për asnjë çast në një kor aq të organizuar të turmës së tribunave të tij.

shqiperi angli (1)
Nga revista speciale angleze e parandeshjes Anglia – Shqipëria e 26 prillit 1989. Nga e majta fotoportrete të Mersinit, Lekbellos, S.Gegës, Demollarit dhe Mingës.
Por papritmas Demollari nis një zbritje që jep dy goditje këndi për Shqipërinë. Ja dhe Shehu që më në fund shfaqet përpara portës dhe papritmas ndeshja qetësohet, ndërron kurs, baraspeshohet. Nallbani pret dy topa të shkëlqyer të Robsonit dhe minutat 35-45 janë një interpretim po aq i shkëlqyer i futbollit shqiptar. Zbritjet vijnë valë-valë, me elegancë e teknikë, me një sulm plot horizont mendimi. Nga minuta 35 deri tek ajo e 40-të, goli i shqiptarëve ravijëzohet.

Kombinacionet Millo-Demollari-Shehu, Millo-Zmijani-Demollari kanë të tyren minutën e 40-të kur Demollari pasi ka shkëmbyer me shokët, tund rrjetën pas një gjuajtjeje sa tronditëse aq të befasishme lart në kënd. Një gol që duartrokitet. Një gol që fiksohet në tabelën elektronike të stadiumit. Një gol për të cilin na përgëzon në çast sekretari i Federatës Angleze të Futbollit aty në tribunë. Një gol, dhe kjo është më e rëndësishmja, i cili megjithatë nuk është i tillë për gjyqtarin norvegjez Halle. Që nga ky çast “Wembley” njohës i mirë i futbollit, hesht.

Ai nuk do të dëgjohej më për sa e sa minuta. Rrallë një gol i paquajtur si ky, trondit një skuadër. Shqipëria zotëron tashmë gjithçka. Zotërim që thellohet me fillimin e pjesës së dytë. Përsëri duartrokitjet janë për te. Por vetëm deri në minutën e 18-të, kur Bërdslej, ky futbollist i shkëlqyer e mjaft popullor, në Angli i jep kthesë lojës…
11111111111111111 (1)
“Uembli” i Londrës, 26 prill 1989. Lineker i Barcelonës hap serinë e golave
…5-0. Shifra që më të mëdha se kaq, “Uembli” në historinë e tij të pasur, i ka fiksuar edhe ndaj skuadrave më të forta se Shqipëria. Megjithatë, janë shifra që në ashpërsinë e tyre nuk durojnë asnjë koment, asnjë justifikim. Ndonëse ka një minutë, atë të 40-të, kur në të vërtetë, rezultati u bë 2-1.

“Ka qenë një gol i shkëlqyer, – thotë presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Milliçip, – anulimi i të cilit nuk ka shpjegim, pavarësisht se ju patët fatin e keq të luanit përpara një Anglie që prej kohësh nuk kishte bërë një ndeshje kaq të madhe. Më besoni, në përgjithësi ishte një ndeshje e bukur”.

“Ka qenë një gol i madh”, – pranon vëzhguesi i FIFA-s nga Danimarka.

“Ne punuam shumë sepse e dinim që fitorja nuk do të na jepej kaq lehtë. Ne kemi luajtur shumë mirë me topin, por pavarësisht nga rezultati, edhe skuadra juaj ka luajtur mirë. Dhe unë besoj se ajo do të rritet edhe më në ndeshjet me Suedinë dhe Poloninë. Shqipërisë i është anuluar një gol i madh, që po të më ndodhte mua, nuk e di se ç’do të bëja. Në 2-1 do të kishim një ndeshje krejt tjetër dhe shumë të vështirë. Unë i pëlqej shumë Shehun, Millon, Demollarin e Lekbellon. Portieri i ri Nallbani ka bërë një lojë të shkëlqyer. Sa i qetë! Ai ka një të ardhme”, thotë trajneri i Anglisë, Bobi Robson.

Në darkën tradicionale të kombëtares angleze në “Uembli”, nuk është pa domethënie, që në prani të mbi 300 të ftuarve, kryetari i Federatës Angleze të Futbollit, Milliçip, dhe trajneri i mirënjohur i Anglisë dhe i FIFA-s, Uinterbotom, kërkojnë të takojnë e të përshëndesin portierin Nallbani.

Kërkojmë të gjejmë kështu, të mirat tona në këtë ndeshje edhe pse ato kanë qenë dukshëm më të pakta se të metat. Përsërisim, jo për të justifikuar, se në këto shifra ai do të ishte naiv, po thjesht që tek të mirat, të gjejmë mundësi, që nuk po dimë t’i shfrytëzojmë shpesh tashmë kohët e fundit. E në këtë kontekst edhe disa nënvizime të gazetave të djeshme të Londrës, pohojnë:

“”Dhë Gardian”:
“Anglia kishte një prestigj që nuk është parë që prej 17 muajve më parë kur mundi 4-1 Jugosllavinë… Patjetër Nallbani nuk e kish aspak përgatitjen e portierit më të ri që është shfaqur në një ndeshje ndërkombëtare të plotë në “Wembley”. Shpëtimi i portës nga ana e tij me krahë, pozicioni i tij i shëndoshë dhe mënyra autoritare, lanë përshtypjen e një pjekurije përtej viteve të tij”.

“Tajms”:
“Demollari me një gjuajtje spektakolare, në kthesë, goditi ndeshjen e 105-të të Shiltonit, po përpjekja e tij u dërmua pa u bindur publiku për ofsajt”.

“Dhë San”:
“Gol spektakolar i Demollarit nga 25 jard larg”.

“Dejli Telegraf”:
“Po, për një flamur anësor, çdo gjë mund të shkonte ndryshe…”

“Dejli Meill”:
“Shiltoni nxitoi t’i ofronte Nallbanit një shtrëngim dore si një urim për të ardhmen”.
E për t’u shndërruar në të ardhmen e sigurt, do të shtonim ne, portierit tonë të ri do t’i duhet ende shumë punë, shumë djersë, shumë modesti. Të duket se kjo është emblema e ecurisë së këtyre ndeshjeve, që dhanë disa shkëndija ndryshimesh po që shifrat e rënda që prodhuan thonë: “Për të hyrë në futbollin e madh duhet më shumë punë, më shumë djersë, më shumë modesti, modesti pune”.

“Sporti popullor”, 28 prill 1989

* Të gjitha fotot botohen për herë të parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"