Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2018 | 21:57

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Kapitulli V

… TEKSA TRAJNERI ENDE NUK TË NGJALLTE BESIM. Mû këtu, mbas kësaj Renditjeje që të dukej se nuk thoshte asgjë të re, do të niste ajo histori që ne do të vazhdojmë gjatë për ta quajtur “të madhe”. Kishim mbërritur te kjo pamje e varfër grafike, që i përkiste Kupës së Botës 2014:

Kupa e Botës 2014 * Grupi E i Europës
1. Zvicra           24 7 3 0 17-6
2. Islanda         17 5 2 3 17-15
3. Sllovenia      15 5 0 5 14-11
4. Norvegjia     12 3 3 4 10-13
5. Shqipëria     11 3 2 5 9-11
6. Qipro            5 1 2 7 4-15

Siç kam shkruar në tregimin IV, Shqipëria kishte zhvilluar disa ndeshje të bukura, por ne kishim guxuar të përmendnim edhe mundësinë e vendit të parafundit mû në kulmin e euforisë!…Dhe për fat të keq, kjo ndodhi: Shqipëria ishte renditur e parafundit në grup! Trajneri Hans Peter Briegel qëndronte ende mbi italianin Gianni De Biasi. Në Edicionin e Kupës së Botës 2006, gjermani e kishte renditur Shqipërinë në dy parafundit me 13 pikë dhe 4 fitore, epërsi e qartë kjo përballë “vendit të parafundit të Gianni De Biasi me 11 pikë dhe 3 fitore. Ndonëse një përimtim na thoshte se ndryshimi i Shqipërisë së De Biasit me vendin dytë të grupit në grup ishte tejet më i ngushtë (- 6 pikë) sesa ai i Shqipërisë së Briegel-it me vendin dytë (-10 pikë), Sigurisht, askush nuk iu hynte këtyre përimtimeve…

De BIAZI

Të dukej si një duel në largësi midis dy trajnerëve, të cilët në referendumin tim të “trajnerit më rezultativ” zinin dy vendet e para në 50 vjet pjesëmarrje euro-botërore të Shqipërisë. Ende kryesonte gjermani Hans Peter Briegel. Gjithçka kishte një pamje të zbehtë, aspak entuziaste. Si për të shpëtuar prej saj, i hyra përkujtimit të një historie të 50 vjetëve më parë, 1963-64, kur Shqipëria në debutimin e saj të kualifikimeve euro-botërore, në mënyrën më të habitshme kishte hyrë midis 16 skuadrave më të mira të Kampionatit Europian, duke zhvilluar në fushën e blertë vetëm dy ndeshje, 1 fitore dhe 1 humbje. Pra, pa mbetur të hynte në 8 më të mirat e Europës, thjesht për punë golaverazhi. Sot kjo të duket sensacionale për një debutues krejt të vogël me emrin Shqipëri.

31 MARS 1963 -31 MARS 2018: JANË 55 -VJET TË DEBUTIMIT TË SHQIPËRISË NË GARAT EURO-BOTËRORE

Ai ishte një jubile krejt i çuditshëm, një 50 vjetor, po kaq i çuditshëm edhe sot kur është bërë 55 vjetor. Kështu, thjesht ngaqë për herë të parë në një ndeshje euro-botërore, Shqipëria kishte marrë pjesë në Kampionatin e dytë të Europës, atë të vitit 1964. Çka kishte qenë një fillim sensacional, i bujshëm, siç mund të thuhet në shqipet. Një fillim me fitore dhe madje me kualifikim. Kisha zbuluar dokumentin zyrtar të UEFAs, që thoshte saktësisht kështu: “Shqipëria – Greqia 3-0, 31 mars 1963. Stadiumi Qemal Stafa – Tiranë”. Ose me gjuhën e UEFA-s:

“Preliminary Round – 31 March 1963: ALBANIA – GREECE 3-0. “Qemal Stafa – Tirana”.

E sot, pra, në këto dit krejt afër 31 marsit 2018, qenkemi në 55 vjetorin e kësaj “fitoreje” historike! Ndërkaq, kujtoj edhe këtu se ka qenë janar 1962, ditë kur shtypi shqiptar njoftonte se Shqipëria do të mirrte pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian të futbollit. Dhe shorti kapricioz që si “për inat” sendërton çiftin Shqipëria – Greqia! Dhe buja në fjalë tejet lakonike: “Shqipëria kualifikohet për turin e dytë të Kupës së Europës, midis skuadrave kombëtare për shkak të refuzimit të Greqisë për t’u ndeshur me Shqipërinë”!

Kështu, me një fitore tryeze Shqipëria hynte në 16-she të Europës që sot e kësaj dite përbën përfshirjen më të lartë të Kombëtares Shqiptare në kualifikimet e gjithë historisë së saj modeste. Nuk mund të kishte fillim “më të bukur”: të kalosh turin, të jesh një nga 16 skuadrat më të mira të Europës pa luajtur asnjë minutë! Dhe me rezultate “konkret” 3-0, ndonëse jo me futboll të luajtur, por me futboll vendimesh zyrtare. Ajo ishte një “ndeshje” e parë e Shqipërisë për turnetë europiano-botërorë. Dramatike me mosluajtjen e saj në terrenin e blertë. Dramatike me vendimin e UEFA-s. Dramatike për një histori “lufte”. Dramatike në kahun prishës të saj. Një prishje në vazhdimësi.

de biazi

Tirana e 31 marsit 1963 e paluajtur! Po kështu edhe ndeshja e kthimit. Siç kam shkruar me kohë, kishin kaluar dy vjet që Kupa e Europës pushonte e qetë në Moskë dhe ja tek fillonte gara tjetër, tashmâ me plot 28 shtete, ku janë edhe Anglia e Italia. E kërkon të jetë edhe Shqipëria, të cilën shorti kapriçioz e çon në çiftimin me Greqinë. Dhe janë grekët ata që nuk duan të ndeshen me shqiptarët! Ruhet gjendja e luftës qysh më 1940. Ky ishte “suksesi” i parë i Kombëtares së Shqipërisë në Kupën “Henri Delaunay”: në 16 më të mirat e Europës pa luajtur kurrnji minutë!

Në të vërtetë “suksesi” më i madh i deritanishëm për Kombëtaren e Shqipërisë e cila asnjëherë nuk do të mbërrinte më deri në këtë Renditje. Shqipëria nuk kishte asnjë marrëdhënie me Greqinë, e megjithatë tregohet më diplomatike se kurrnjiherë, teksa do të bënte të paditurin, kur mbas hedhjes së shortit në ditët e para të 1962, më saktë më 3 shkurt po 1962, ka “guximin” t’i propozojë Federatës Greke të Futbollit që ndeshjet të luheshin më 21 tetor 1962 në Athinë dhe më 2 dhjetor 1962 në Tiranë. Një propozim disi me prepotencë sepse datat i caktonte UEFA. Dukej qartë se gjithçka ishte një farsë diplomatike. Ndërkaq, kur mbërrin dhjetori ’62 në Tiranë zhvillohet një ndeshje midis Kombëtareve A dhe B. Është e diel e 16 dhjetorit 1962. Ne, studentë të rinj e kur sapo kishim filluar të shkruanim, jemi në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, në një ditë të vranët, midis mijëra shikuesve, nja tri herë më shumë se sa çfarë ka një ndeshje e Kampionatit të sotëm të Shqipërisë, ky 2017-2018. Është 3-2 për Kombëtaren A e cila ka këtë njëmbëdhjetësh, të cilin po e përsëris edhe këtu:

KOMBËTARJA A: Topi, Deliallisi, Frashëri, Halluni, Bukoviku, Shllaku, Kraja, S. Jareci, Bushati, Pano, Ishka. Ndërsa Kombëtarja B ishte kjo:

KOMBËTARJA B: Janku, Kasmi, T. Vaso, Daiu, Lilamani, A. Mema, Vorfi, Zaho, Gogoni, Ibërshimi, A. Verria.

Mandej kur vjen 12 janari 1963 një shkrim me titull “Kush do të dalë në gjysmëfinalet e Kupës së Europës midis kombeve, shtypi (“Sporti popullor”) shpërthen në këto rreshta për “antologjinë” e ideologjisë së nacionalkomunizmit. “Kupën e Evropës midis kombeve, – shkruhet, – po e ndjekin me interesim të madh edhe sportdashësit tonë, Ata, megjithëse nuk patën rastin të shohin ndeshje në turin e parë për shkak të qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare greke ndaj vendit tonë, po presin me ankth shortin e turit të dytë. Kjo jo vetëm sepse do të kenë rastin të shohin përfaqësuesen tonë për herë të parë në një aksion të tillë të madh, por edhe sepse kombëtares sonë do t’i takojë të ndeshet me një nga 15 ekipet më të forta të Evropës.

de biazi agolli

Në të njëjtën kohë ata janë të preokupuar si do të jetë përbërja e kombëtares sonë, si po përgatitet për këtë betejë të madhe, me ç’sistem loje do të hyjë ajo në fushë si dhe shumë probleme të tjera të cilat duhet të preokupojnë seriozisht në radhë të parë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kolegjiumin e trajnerëve pranë saj, të cilëve u është besuar stërvitja e ekipit, dhe vetë futbollistët pretendentë, që duhet të vihen në garë midis tyre për të zënë vend në 11-shin që do të veshi kostumin kuq e zi për të mbrojtur denjësisht ngjyrat e Republikës sonë Popullore”.

Dhe? Ndeshja e parë është 3-0 “në Athinë” më 21 qershor 1962 dhe ndeshje dytë është 3-0 “në Tiranë” më 31 mars 1963. “Bukur”! Me një “të keqe” të madhe: nuk janë luajtur kurrnjiherë! Kështu pra. Shqipëria është midis 16 skuadrave “më të forta” të Europës së bashku me Bullgarinë, Danimarkën, Irlandën, RDGJ-në, Francën, Italinë, Jugosllavinë, Suedinë, Holandën, Irlandën e Veriut, Spanjën, Hungarinë. Duke lënë mbrapa deri superfuqi të tilla, si Anglia apo Çekosllovakia e Belgjika. Me të gjitha këto skuadra më vonë Shqipëria do të ndeshet. Në të gjitha rastet ato do ta eliminonin pa mëshirë atë.

Më 26 mars 1963 në Amsterdam UEFA hedh shortin e 1/8-tave. Në këtë ditë do të lindnin ndeshjet e vërteta Danimarka – Shqipëria 4- 0 dhe 0-1 të 29 qershorit dhe 30 tetorit 1963, ku për çudi në ndeshjen e kthimit Shqipëria fiton 1-0 me gol të Panajot Panos, duke regjistruar fitoren e saj të parë “të vërtetë” në fushën e lojës. Kjo është fitorja e parë shqiptare e luajtur drejtpërsëdrejti në fushë për një Kampionat të Europës dhe të Botës. Po më e rëndësishme është kjo tjetra: që zyrtarisht në pjesëmarrjen e saj për këto gara, Shqipëria me trajnerë Loro Boriçi (dy “fitoret” me Greqinë) dhe Zyber Konçi (një fitore të vërtetë me Danimarkën) në 4 ndeshje, ka pra 3 fitore dhe vetëm 1 humbje!

de biazi

Rekord që nuk besoj se do të thyhet ndonjëherë. Ishte Shqipëria e vitit 1963. Një vit si i pajetë. Një vit thuajse pa ngjarje i një Shqipërie, do të mund të thonim, “zyrtarisht” në vitin e izolimit të saj të dytë, tejet të ashpër, teksa i thoshte lamtumirë edhe marrëdhënieve me pjesën më të përparuar të Europës Komuniste. Do të kishte megjithatë dy ngjarje fundi i vitit 1963: Shqipërinë në 16 skuadrat më të mira të Europës dhe vizitën e kryeministrit të Republikës së Kinës në Tiranë, Çu En Lai. Shqipëria e vogël, izolacioniste, kërkonte të krenohej duke hyrë me futbollin në 16- shen e shteteve të Europës si dhe duke i thënë revizionizmit sovjetik hrushovian se gjeta “mikun” e madh, Kinën Popullore të Mao Ce Dunit. Ai ishte një izolim që do të vazhdonte pa ndalë. Për fat, herë mbas here edhe për futbollin. Më 2014, në prag të ndeshjes së parë për EURO 2016, pata shkruar këtu në “Panorama Sport”, këto fjalë urimi:

“Sot është diçka krejt tjetër, natyrisht. Si gazetar i saj, i uroj gjithçka të mirë e të bukur Shqipërisë sime 2014 në fillimin e ri të saj në Kampionatin e Europës ndaj Portugalisë. Për këtë garë të madhe kontinentale, do të kishte për të qenë fitorja e 15-të jubilare e saj në histori. Duke i kujtuar se në letër apo në fushë, më 1963, ajo ka marrë tri fitore në katër ndeshje. Ironi e fatit?”…

PAPRITMAS, ME PORTUGALINË NIS HISTORIA E MADHE

Kisha uruar, jo parashikuar sepse asesi, mbas 5 ndeshjeve krejt të rëndomta miqë- sore të vitit 2014, pa asnjë sukses të rangut, kurrsesi nuk mund të më shkonte ndër mend se Shqipëria do të fitonte në Portugali. Ajo çka më shkonte ndër mend – dhe jo vetëm mua – ishte që t’i ruhesha kritikave të forta ndaj trajnerit Gianni De Biasi, sepse kushedi çka mund të ndodhte… E pra, çka do të ishte më tej Shqipëria e Gianni De Biasi-t? Kjo ishte një pyetje vërtet enigëm. Sigurisht nëse vërtet ai do të vazhdonte të ishte përsëri trajner i Shqipërisë, teksa shumëkush po thoshte nën zë se ai mund të mos ishte më tej…

de biazi

Dhe kështu, mbas 0-0 të Qipros, ndeshje e fundit për Kupën e Botës 2014, kishim mbërritur në 5 ndeshje miqësore që të dukej se thonin shumë pak: Biellorusia – Shqipëria 0-0, Shqipëria – Malta 2-0, Rumania – Shqipëria 1-0, Hungaria – Shqipëria 1-0, San Marino – Shqipëria 0-3. Në tanësi 2 humbje, 2 fitore me Maltën e San Marinon, përtej më modestëve dhe 1 barazim në Biellorusi. Fundi i tyre ka qenë 3-0 e San Marinos, 8 qershor 2014. Thuajse asgjë e veçantë për t’u shënuar. Ishte hera e parë në historinë time të gazetarit prej gati një gjysmë shekulli, që unë heshtja për bukur 5 ndeshje të Kombëtares. Asnjë rrresht i shkruar, përveç përpilimit të skedave të ndeshjeve për arkivin tim.

As unë dhe askush nuk besonte se mbas tre muajve ishte bërë gati të niste aventura unikale e Kombëtares së Shqipërisë të trajnerit italian Gianni De Biasi Kështu, në këtë ecuri “pa ngjarje”, kishte mbërritur 7 shtatori 2014. Starti i kualifikimeve të Kampionatit Europian, edicioni i vitit 2016. Dhe Portugalia – Shqipëria 0-1! Emblema ime për këte fitore ishin këto fjalë: “Shqipëria: “Catenaccio all’Italiana” – Nota 10″!

Ky ka qenë titulli i shkrimit tim në “Panorama Sport”. Nuk mund të them se ishte një titull entuziast. Madje po kursehesha tejet për një ndeshje të madhe, për një rezultat të bujshëm sa për Shqipërinë po aq dhe për Europën e futbollit. E kujt mund t’i shkonte ndër mend se në atë 7 shtator 2014, në Aveira të Portugalisë, Stadiumi “Municipal” do të ndodhte Portugalia – Shqipëria 0-1? Shqipëria kishte fituar me atë skuadër, e cila mbas nja 20 muajve do të shpallej Kampione e Europës? Portugalia pra!

kombetarja shqiperi izrael

Emri kryeautorit ishte Gianni De Biasi, ai i cili gjatë gjithë ato muaj të verës 2014, kishte qenë thuajse i pabesueshëm, disi edhe i përkëdhelur paksa prej “të detyruarve” në këtë rol. Sidoqoftë, më tepër se kaq ai kishte qenë kundërshtues, mosbesues për shumë njerëz. Mirëpo, papritmas trajneri Gianni De Biasi po shfaqej diku atje lart. Kishte thyer një mit të pakapërcyeshëm duke e çuar Shqipërinë për herë të parë në histori te një fitore spektakolare, atje ku ishin rrënjët ndër më të fortat e futbollit botëror, në gadishullin e famshëm Iberik. Për gati 40 minuta ia ka arritur të ndalte sulmin e papërmbajtshëm portugez, falë një Shqipërie thuajse të re, përmes një leksioni taktik pa shkëlqimin e madh të një teknike apo elegance, por duke treguar se edhe prej popullit më të padisiplinuar të Europës, mund të lindte një skuadër futbolli që mbështetet mû te disiplina. Krejt papritmas Shqipëria e vogël dhe modeste, sapo i kishte treguar Europës së futbollit se prej saj rrezikonte të rilindte “catenaccio”.

E, për çudi mund të rilindte prej ndikimit të një vendi fqinj, që ishte Italia. Ai vend apo shtet i cili për herë të parë në fund të viteve ’20 dhe fillim të viteve ’30, kishte organizuar futbollin në Shqipëri, përmes instruktorëve të saj të fashistizuar si Ratti, Lissoni, Vitali e të tjerë. Kanë një meritë të pamatë, që kurrnjiherë nuk ia vlerësuam. Në mbrëmbjen e “Municipial” të Aveiros së Portugalisë, para vetëm 24.00 shikuesve, Shqipëria kishte korrë një nga fitoret më të bujshme në historinë e saj për garat EuroBotërore duke luajtur në stilin e “catenaccio all’Italiana”. Një mbrojtje heroike (Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli), pesë mesfushorë – mbrojtës të pagabueshëm (Roshi, T. Xhaka, Kukeli, Abrashi, Lenjani) dhe vetëm një sulmues (Bala) mbrenda 52 minutave kishin nënshkruar shkatërrimin e përkohshëm të një prej Kombëtareve më të shquara të historisë së futbollit botëror, Portugalisë së Eusebios, Figos e Cristiano Ronaldos, natyrisht atë ditë, pa qenë asnjeri prej tyre në fushën e lojës.

Pak a shumë Shqipëria kishte luajtur me “metodën” e shpikur nga trajneri austriak Karl Rappan me Zvicrën në Kupën e Botës 1938 dhe i quajtur “verrou” (bllokim, mbyllur në çels), dhe i cili më mbas do të ketë motërzimin (variantin) e trajnerit uruguajan Juan Lopez, falë të cilit ky kishte mposhtur Brazilin në Kupën e Botës 1950. Ndërsa “catenaccio all”Italiana” në stil të gjerë qe përdorë për herë të parë në Itali prej trajnerit të mirënjohur Dr. Alfredo Foni , i cili me këtë mënyrë kishte fituar dy tituj të Kampionit me Interin ’53 dhe ’54. Skuadra e tij kishte luajtur duke vendosur tre mbrojtësa në një vijë, duke mbuluar vetjakisht (individualisht) tre sulmuesit kundërshtarë, mandej një mbrojtës (“libero”) i vendosur mbrapa në ndihmë të treshes (afërsisht si Cana me Portugalinë); e mandej dendësia e mesfushës (si në rastin e Shqipërisë “portugeze”).

E, prej gjithë kësaj mbërrinte “mrekullia” e kundërsulmit të rrallë, por tejet efikas (si në interpretimin për antologji të golit “bohem” (Praga) të 23-vjeçarit Bekim Bala). Kjo ishte mënyra tash “debiasiane”, e Dr. Fonit të cilit si trajner i Zvicrës më 1965, Shqipëria i kishte “falë” biletën për në Kupën e Botës në Angli ’66, falë eliminimit mbas 1-1 ndaj Irlandës së Veriut të George Best-t me golin “tragjik” të të paharrueshmit Medin Zhega. (Do të më duhet t’i rikthehem përsëmbari kësaj ngjarjeje të 24 nëntorit 1965 për të rrëzuar gjithë naivitetet – pse jo, edhe rrênat jo të pakta, të pseudogazetarisë).

E, mbas Dr. Fonit, do të shfaqen dy interpretuesit më të spikatun të “catenaccio all’Italiana”: Nereo Rocco i Milan-it dhe Helenio Herrera i Interit, sidomos ky i fundit, i cili e interpreton gjithçka në një stil edhe më të përkryer në Kupën e Kampioneve 1964: 3-1 ndaj Real Madrid të Di Stefano-s, Pushkashit e Gentos! Ndërkaq, më 1967, trajneri Loro Boriçi – njohësi më i madh shqiptar i “catenaccio all’Italiana” – do të mbërrinte deri te eliminimi i Gjermanisë së Netzerit e Overatit me shokë (në të mirë të Jugosllavisë së Rajko Mitici-t trajnerit jugosllav legjendar – me të cilin si lojtarë kishin kryqëzuar shpatat në ngjarjet e jashtëzakonshme shqiptaro – jugosllave të viteve ’40…

PORTETI I DETYRUESHËM I NJË SHQIPËRIE EUROPIANE

Në të vërtetë, sado që të mundohesha, megjithatë, nuk arrija të gjeja përngjasim taktik më të pagabueshëm për ndeshjen Portugalia – Shqipëria 0-1 se sa atë të Shqipëria – RF Germane 0-0 më 1967. Dihet, “catenaccio” natyrisht evoluoi, dhe jo rrallë ajo gjente interpretim edhe përmes mbrojtjes zonale, për çka vazhdoj të mendoj se të këtillë paraqiti në Aveiro, Shqipëria ndaj Portugalisë. E qysh në kulmin e saj, për shumë kènd “catenaccio all’Italiana” po e shkatërronte futbollin e stilit dëfryes spektakolar. Ndonëse dikush e përcaktonte si “makiavelizmi” i futbollit.

Duhej të vinte fillimi i viteve ’70 që Ajax i Amsterdamit të Stefan Kovacs dhe Rinus Michels, t’i jepte goditjen përfundimtare. Ndoshta, krejt papritmas, në miniaturë, e kishte risjellë Shqipëria në mbrëmjen e 7 shtatorit 2014 në Averio të Portugalisë. Ishte Shqipëria ime dhe juaja të cilën e kisha portretizuar kështu në faqet e “Panorama Sport”: “Qëndresë e rrallë, forcë, psikologji mosdorëzuese. Mbështetje vetëm te kundërsulmi dhe asgjë tjetër. Një kundërsulm i rrallë, tejet i rrallë, në tanësi vetëm tre dhe “majën” e pushtuar që mban emrin e të riut Bekim Bala, prodhimi më i fundit i talenteve të pashtershëm të klasit të Shkodrës. Ndërkaq, trajneri Gianni De Biasi, ishte në rolin e tij të përsosur. Nuk arrij të kuptoj se si kaq shpejt nxori në fushën e lojës Shqipërinë e tij të “catenaccio all’Italiana”. I pagabueshëm! Me 10 lojtarë të cilët luanin për herë të parë një ndeshje të Kampionatit Europian: Berisha, Hysaj, Mavraj, Lenjani, T. Xhaka, Abrashi, Kukeli, Kaçe, Cikalleshi, Bala! Me 5 lojtarë, të cilët nuk kalonin numrin e vetëm 4 ndeshjeve të luajtura me Kombëtaren: Lenjani, T. Xhaka, Kukeli, Cikalleshi, Bala!

Me plot 6 lojtarë nën 23 vjeç: T. Xhaka, Bala, Roshi, Abrashi, Cikalleshi, Kaçe! Kisha me thanë, me vetëm dy “veteranë” të pazëvendësueshëm në fushën e lojës: kapiteni 31 vjeçar Lorik Cana dhe 32-vjeçari Ansi Agolli- të dy stoikë të palëkundshëm. Kjo është një Kombëtare befasuese, e pjekur dhe tejet rinore, intelektuale në mënyrën e lojës, “arrogante” kur nuk kishte rrugë tjetër. Dhe me një portier, për çudi i dalë nga futbolli i sotëm i Kosovës “sonë” të shtrenjtë, Etrit Berisha i Lazio të Romës, vendimtar “par excellence” i ruajtjes së fitores së bujshme në tri pritjet dridhëse të çasteve të fundit. Përjashto këtu shtyllën e tij të tronditur, fati i madh i tij. Shqipëria ka interpretuar kësisoji, në mënyrë të përsosur “catenaccio all’Italiana”, duke pasur për çudi edhe tre lojtarë të Serie A të Italisë (Berisha, Cana, Hysaj). Mû ajo “catenaccio” që futbolli i Shekullit XXI nuk ka logjikë që ta pranojë.

Mirëpo, “fitorja – kapaku i florinit”! Fillim sensacional i Shqipërisë së vogël për FRANCE 2016, me vetëm 4 lojtarë prej të 14- ëve të prodhuar prej futbollit shqiptar, por me plot 7 djem shqiptarë të Kosovës: Berisha, Cana, Mavraj, T. Xhaka, Kukeli, Abrashi, Lenjani! Dhe ndeshje për histori”! Skeda e paharrueshme ishte kjo: 07.09.2014. Aveiro. St. “Municipal”. KE 2016

PORTUGALIA – SHQIPERIA 0-1
Shqipëria: BERISHA E., HYSAJ, CANA, MAVRAJ, AGOLLI, ROSHI, XHAKA T., KUKELI (66′ KAÇE), ABRASHI, LENJANI (75′ LILA A.), BALA (82′ CIKALLESHI. Trajner:
Gianni DE BIASI.
Portugalia: RUI PATRICIO, JOAO, PEPE, RICARDO COSTA (73′ VELOSO), FABIO COENTRAO, JOAO MOUTINHO, W.CARVALHO (56′ HORTA) ANDRE GOMES, VIEIRINHA (46′ CAVALEIRO), EDER,
NANI. Trajner: Paulo BENTO.
GOLAT: Bala 52′.
GJYQTARE: R. Buquet, F. Cano, G. Debart
/ FRA.
SHIKUES: 24.000

Plot 8 prej këtyre portugezëve humbës me Shqipërinë, mbas 20 muajve do të shpalleshin Kampionë të Europës: Rui Patricio, Pepe, Moutinho, Carvalho, Eder, Nani, A.Gomes, Vieirinha! Atë mbrëmje të fitores shqiptare askush nuk i parashikonte të tillë…

Për Shqipërinë ajo kishte qenë pra, fitorja e 15-të jubilare për Kupën e Europës. Qysh të nesërmen e kisha renditur midis 7 fitoreve më të mëdha të Shqipërisë në garat EuroBotërore. Çka për mua deri atë ditë ishin këto: 1971: Shqipëria – Turqia 3-0 (Boriçi); 1984: Shqipëria – Belgjika 2-0 (Rreli); 2000: Shqipëria – Greqia 2-0 (Zhega); 2003: Shqipëria – Rusia 3-1 (Briegel); 2004: Shqipëria – Greqia 2-1 (Briegel); 2013: Norvegjia – Shqipëria 0-1 (De Biasi); 2014: Portugalia – Shqipëria 0- 1 (De Biasi). Cila ishte më e madhja? Mendoja se ishin dy: Shqipëria – Belgjika 2-0 dhe Shqipëria – Rusia 3-1! Autorët ishin trajnerët, Shyqyri Rreli dhe Hans Peter Briegel. E megjithatë, teksa kujtoja ndeshjet me të mëdhenjtë e Europës jashtë fushës sonë, atëherë notën më të lartë ma merrte fitorja në Portugali e mbrëmjes “iberike” të 7 shtatorit 2014! Megjithatë, askush nuk guxonte të ëndërronte më të madhen, atë që për Shqipërinë do të mbërrinte mbas pak muajve…

* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III, IV në “Panorama Sport” të 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator, 10 nëntor 2017

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"