Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 19:08

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

KAPITULLI XIII

ME GJYKIMIN E “SHKENCËS” SË STATISTIKËS.

Do të përpiqem të flas me gjuhën e statistikës, gjuhë e cila shpesh ndodh që të jetë tejet e idhët. Dhe kujtoni për një çast: më 13 qershor 2015 Shqipëria ka arritur një nga fitoret më të bujshme në historinë e saj: ka fituar me të madhen Francë 1- 0 në Elbasan miqësoren e eliminatoreve të Kupës së Europës (Kampionati Europian). E quaj “miqësore të Kupës së Europës”, sepse është fjala për ndeshje brenda grupit të Shqipërisë, të cilat Franca i luante si të ishin për kualifikim. Vështroni tash se ç’ka ka ndodhë mbas kësaj fitoreje në ndeshjet kualifikuese eurobotërore të Shqipërisë në fushën e saj:

7 shtator 2015: Shqipëria – Portugalia 0-1

8 tetor 2015: Shqipëria – Serbia 0-2

6 shtator 2016: Shqipëria – Maqeonia 2-1

9 tetor 2016: Shqipëria – Spanja 0-2

12 nëntor 2016: Shqipëria – Izraeli 0-3

Në 5 ndeshje të kualifikimeve eurobotërore në fushën e vet, Shqipëria kishte fituar vetëm 1, këtë me Maqedoninë dhe kishte humbur plot 4 herë. Madje edhe në 2 ndeshjet miqësore të fushës së vet, Shqippëria nuk kishte fituar (2-2 me Gjeorgjinë dhe 0-0 me Marokun). Kjo do të thoshte se përmbi 1 vit e 6 muaj Shqipëria në tokën e vet kishte vetëm 1 fitore, atë me Maqedoninë 2-1!

xhani de biazi

Ndërkaq, duke vazhduar më tej me gjuhën e pamëshirshme të statistikës historike të futbollit, ja se çka dilte: Në plot 18 ndeshjet e fundit radhazi, pra kualifikuese dhe miqësore, brenda dhe jashtë vendit, asokohe Shqipëria kishte fituar vetëm 5 ndeshje: 3-0 me Armeninë, 3-1 me Katarin, 1-0 me Rumaninë, 2-1 me Maqedoninë dhe 2-0 me Lietensteinin! Kishte barazuar po 4 dhe kishte humbur plot 9 ndeshje ndër 18.

Çka do të thoshte se përcaktimi që mund t’i bëhej Shqipërisë edhe në këte rast, në tanësi, mund të thuhej se ajo ishte një skuadër më tepër humbëse, ose fitimtare vetëm afër nja 60 për qind, ku pesha e fitoreve rritej më tepër falë atyre miqësore, shumica krejt modeste.

Dhe paradoksi i paradokseve: me këtë bilanc humbës të gati 1 vit e gjysmë ndeshjesh, Shqipëria ia kishte arritur të shkonte deri në finalet e Kupës së Europës – arritja më e madhe në historinë e saj. Atje ajo kishte humbur 2 prej 3 ndeshjeve, kishte fituar njërën, atë me Rumaninë dhe për mënyrën e futbollit të saj plot dinjitet, kishte marrë respektin e Europës si një debutuese tejet tërheqëse. Kështu, na del se statistika nuk na ndihmon edhe aq fort për të zbehë atë Shqipëri të 9 humbjeve e vetëm 4 fitoreve. Unë qëndroja te 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit në fushën tonë.

de biazi

Çka do të thoshte se Shqipëria ishte shndërruar në një skuadër tejet dorëlëshuar në stadiumet e saj! Deri aty saqë mbas humbjes 0-3 me Izraelin, thuajse po na bënte që të harronim se ajo ishte në 18 skuadrat e para të 24- shes së Kupës së Europës FRANCE 2016! A ishte pra kjo, rënia e saj? Ose: a ishte e gjitha kjo fillimi i rënies së saj në kualifikimet e Kupës së Botës “RUSSIA 2018”? Dhe prapë historia statistikore edhe paradoksale: 4 ndeshje, 2 fitore, 2 humbje. Krejt normale, sidomos për një skuadër përfaqësuese e një futbolli modest, por në rritje.

Mirëpo, kur mendoje se prej këtyre 4 ndeshjeve, 3 ishin luajtur në fushën e Shqipërisë dhe vetëm 1 jashtë, atëherë gjithçka nuk të dukej fort normale. Aq më tepër kur të dilte se në katër ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë, përjashto atë me Lietensteinin – e vetmja brenda – do të përbënin për të një kalendar thuajse dërrmues:

24 mars 2017 Italia – Shqipëria

11 qershor 2017 Izraeli – Shqipëria

2 shtator 2017 Shqipëria – Lietensteini

5 shtator 2017 Maqedonia – Shqipëria

Tri ndeshje jashtë dhe vetëm 1 në Shqipëri. Pa shkuar ndërkaq, te dy ndeshjet e fundit, ato me dy të mëdhejtë Spanjë e Itali, para zhvillimit të të cilave mendja të thoshte se do të përcaktoheshin shumë gjëra… E pra, mbas këtij premtimi që statistika ta bën krejt të pamshirshëm, Shqipëria kishte rënë? Kështu apo ndryshe, merrej me mend se katër ndeshjet e ardhëshme do të ishin sa dramatike, po aq dhe enigmatike, të paparashikueshme madje. Tri prej tyre nuk luheshin në Shqipëri, por jashtë saj, çka do të thoshte se tri prej tyre nuk luheshin në fushën humbëse të Shqipërisë, kjo e sendërtuar pa ia dâ në gjithë ata 18 muaj paradoksalë!…

albania-debiasi-prega-470x268

KUR TE DUKEJ SE PO MBËRRINTE RËNIA.

Tri prej tyre do të luheshin jashtë Shqipërisë, por të asaj Shqipërie e cila jashtë fushës së saj, për shembull, kishte arritur të fitonte me Rumaninë, të fitonte madje 3-0 ndeshjen vendimtare me Armeninë, të barazonte në Danimarkë – çka në thelb qe eliminimi i danezëve – të barazonte në Francë, të fitonte në Portugali, të fitonte në Norvegji!… Janë “kryevepra” të vogla e të mëdha, gjykoji si të duash, që mund t’ia marrin disi mendtë edhe trajnerit të sotëm të Kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja. Aq më tepër që ai nuk ka assesi kohë për t’i studiuar ato. Studim i cili ndoshta nuk e ndihmon aspak për të sendërtuar edhe ai një histori tjetër “italiane” për Shqipërinë. Nuk besoj se i keni harruar kaq shpejt këto ndeshje të mëdha për ne, teksa humbja e papranueshme 0-3 me Izraelin gati u konsiderua si fundi i botës! Si të ishte Shqipëria maja e botës! Edhe pse mund të ndodhte që kjo humbje 0-3 me Izraelin të ishte fillimi i fundit të një rënieje!

De BIAZI

Vërtet?… Ndoshta duhej të mendonim për një çast se Shqipëria, më shumë se një skuadër e fushës së saj, ishte një skuadër e jashtë fushës së saj… Mëdyshje që sot ta dridh paksa shtatin kur jemi në prag të dy ndeshjeve të jashtëfushës tejet përcaktuese për një fat ndoshta dramatik: 11 tetor 2019 Turqia – Shqipëria dhe 14 tetor 2019 Moldavia – Shqipëria! Në vitet e mia si gazetar dhe pak a shumë si një lloj historiani i sporteve apo i futbollit, qysh tash këto dy ndeshje guxoj t’i përcaktoj jo vetëm ndër më interesantet në histori, por dhe ndër më të rëndësishmet për të na bindur nëse në gjithë këto vite “debiasiane” apo qoftë paksa edhe “edyrejane”, Kombëtarja e Shqipërisë është konsoliduar tashmë si një profesioniste e vërtetë sa në cilësinë e lojërave të saj, po aq dhe në strategjinë e synimeve të saj.

E gjitha kjo retorikë apo përsiatje kundërshtuese e paradoksale pra, e kaheve po kundërshtuese, sikur të fton që megjithatë, të ruajmë një baraspeshë mendimi e gjykimi. Ndonëse paksa na duhej të pranonim se për atë çast, Shqipëria kishte rënë. Arsyet duhet të ishin të shumta. Për çastin ajo kishte rënë edhe sepse për të niste një periudhë tjetër. Niste periudha që e pata quajtur periudha e “MbasKosovës”. E mësuar tash disa vjet duke mos e hedhur gati aspak vështrimin te lojtarët “vendës” – e me “vendës” kuptohen ata që i lind dhe që i formon futbolli i Republikës së Shqipërisë, dhe jo i Konfederatës së Zvicrës – teksa ndërkaq djemtë europianë të Kosovës nisën largimet e tyre drejt Dardanisë së tyre, kjo natyrisht që të fuste në mendime.

xhaka de biazi

Në të vërtetë, Kombëtarja ende nuk e kishte humbur shpirtin shqiptar të Kosovës, mirëpo, na duhej të pranonim se ajo sapo kishte humbur forcën e publikut shqiptar të Kosovës. U pa që stadiumet shqiptare nuk ushtuan si paradokohe. Madje në Elbasan tribunat qenë deri dhe të përgjysmuara, çka nuk kishte ndodhur prej disa vjetësh në ndeshjet e Kombëtares. Kuptohet që në ndeshjen e Elbasanit do të ndikonte disi atmosfera e frikës së terrorizmit që mpaku interesin, që çarmatosi deri diku nxitjen e një shpirti luftarak aq të nevojshëm që kërkon një ndeshje kësisoji. Mirëpo, në raste të tilla të kësaj kohe kur terrorizmi ia ka mbërritur të pushtojë deri dhe sheshet publike franceze, gjermane apo angleze, aq më tepër ishte i detyruar të merrte masat e rrepta një shtet i brishtë si Shqipëria, ku vetëm muajt e fundit kishin ndodhur episode terrori midis të vetve madje. (Si këto ditë në ndeshjen e kampionatit, këtë SK Tirana – Partizani).

Tjetër mandej që shtypi e televizioni i fryni deri sa s’ka ku shkon më asaj frike. Thuajse çdo orë dëgjoje veç polici, veç armatosje, veç kontrolle, veç masa sigurie, veç rrethime, dhe shumë pak futboll. Kur dihet se shteti apo qeveria do të bënte punën e vet, ndërsa mbinformacioni i papushueshëm “luftarak”, nuk kishte pse të shfaqej si diçka parësore, ndërsa njerëzit kërkonin të shkonin te paqja e një ndeshjeje futbolli.

Doemos, e gjithë kjo atmosferë mund të ketë ndikuar në zbehjen e rëndesës sportive të ndeshjes. E megjithatë, ky ishte një ndikim, madje jo vendimtar, vetëm për një ndeshje, atë me Izraelin datuar më 12 nëntor 2016. Mirëpo, nuk ishte fjala për një ndeshje, por për 4, prej të cilave 3 të zhvilluara në tokën e Shqipërisë, ndeshje të cilat për çastin e kishin rrëshqitur Shqipërinë në vendin e katërt në grup çka prej do kohësh të mira e kishim harruar… Kjo me sa dukej, është ajo që e pata quajtur si ravijëzimi i rënies. Ndërkaq, duke shkuar te vetëm një gjykim paksa teknik, kujtoj se prej 23 lojtarëve të këtyre katër ndeshjeve të reja, plot 16 kishin qenë pjesëmarrës të turneut francez.

de biazi

Por kur nga ana tjetër, ndryshimet jo të pakta në 11-sh nga njëra ndeshje në tjetrën (kujto ndeshjen për te Lientenstein me 6 emra të tjerë) mund t’ia kishin cenuar harmoninë taktike skuadrës. Për të shkuar qoftë dhe tek ajo me Spanjën me 5 emra të tjerë; e po me 5 të tjerë edhe në ndeshjen me Izraelin. Më e pakta këto katër 11-sha jo pak të ndryshëm, e kishin cenuar harmoninë për lojën. Aq më tepër kur nuk mund të harronim se të katërta ndeshjet ishin zhvilluar në një hark kohor të ngushtë, prej rreth vetëm nja 55 ditësh. Nuk jam në gjendje të gjej as edhe sot, kur, si të thuash po rishkruhet historia, nëse në këto katër formacione u lëviz nga roli i tij më i domosdoshmi – lideri i skuadrës, lidcri, si të thuash organizues, lideri regjisor, lideri kapiten i drejtimit sa psikologjik aq dhe taktik.

Po a vërtet e kishim një të tillë?… Madje, a vërtet e kemi një të tillë edhe sot në 2019?… Dukej qartë, megjithatëë! Shqipëria për çastin kishte rënë. E kjo nuk do të thoshte se ajo nuk mund të ngrihej. Në fund të fundit, ndoshta ajo rënie “e çastit” kishte ardhur në kohën e duhur. Ose disi kur rruga për te fundi i një rënieje të plotë të mundshme ende dukej e gjatë, teksa ishin për t’u luajtur edhe 6 ndeshje të tjera. Më shumë se gjysma. Në thelb nuk na takonte të harronim kaq shpejt ndeshjet e bukura dhe arritjen e madhe të Shqipërisë në Europianin që sapo kishte hyrë në histori, ndonëse festa për të kishte zgjatur pak si tepër. Po edhe pse një skuadër qoftë dhe Kombëtare, nuk mund të braktiset menjëherë, qoftë dhe kur duket se për çastin ka rënë; ose kur duket se mund të bjerë…

DHE SHQIPERIA – IZRAELI 3-0!

E vërteta ishte se për Kombëtaren e Shqipërisë së vogël edhe në futboll, po fillonte diçka tjetër, një rrugëtim tjetër, madje shumplanësh e tejet i pasur në një tematikë sa “gjeopolitike”, po aq në synimet e “çlirimit” të saj prej kësaj rënieje befasuese. Ndoshta jo dhe aq befasuese, megjithatë, teksa rrugëtimi ri i saj niste duke filluar nga gjetja e forcës së futbollit të mbrendshëm kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Forcë që ende nuk e kemi gjetur aq më tepër sot në 2019-ën dhe me sa duket as nuk kemi – në të vërtetë nuk kanë – forcë për ta gjetur…

izrael shqiperi

Në atë mbrëmbje të 12 nëntorit 2016, më pat mbetë në mendje një dukuri izraelite. Nga të 14 lojtarët e Izraelit, plot 9 luanin në kampionatin e Izraelit. Nga të 14 lojtarët e Shqipërisë vetëm 3 vinin prej lindjes dhe formimit të fubollit të tokës së Shqipërisë:Agolli, Roshi, Balaj ose 4 duke shtuar 35 minutat e portierit Hoxha mbas përjashtimit të Berishës. Ky ishte një problem edhe më i madh se vetë humbja 0-3 me Izraelin.

Kjo ishte rënia më bindëse e Kombëtares së Shqipërisë dhe qëllimit kombëtar të saj! Mbas të cilit mbërrinte një problem ndoshta “i frikshëm”, ai i dukurisë tjetër: që kësisoj, thuajse pa futbollistë të tokës së Republikës së Shqipërisë, ishin dhe ende janë formuar edhe Kombëtaret NËN-21, NËN-19, NËN-17, edhe pse nuk ia arrijnë të kalojnë asnjë tur kualifikues. (Kujto humbjen e këtyre ditëve 4-0 të 21-vjeçarëve me Austrinë)! Vetëm në edicionet e tyre të fundit ato kishin humbur 9 prej 16 ndeshjeve të tyre dhe kishin fituar vetëm 4, ku 3 prej të cilave ishin me “vogëlushët” Lientenstein dhe Gibraltar!

Jo rastësisht Shqipëria sapo kishte humbur po me Izraelin edhe një ndeshje tjetër, edhe më thellë madje: 4-0 me 21-vjeçarët e po këtij Izraeli të vogël në futboll, i cili edhe këtu i kishte të gjithë lojtarët e vet të dalë prej futbollit të tokës së tij “të premtuar”! Qysh atë mbrëmje të 12 nëntorit 2016, që fiksoi humbjen 0-3 me Izraelin në Elbasan, ia vlente të niste një rrugëtim i ri për të gjitha rangjet e skuadrave kombëtare të Shqipërisë. Çka ende nuk mund të them se ai ka nisur edhe sot…

DUHEJ TË FILLONTE DIÇKA TJETËR.

Do të bëheshin tri humbje rresht, dy prej të cilave me dy skuadra ndër më të famshmet e botës, që ishin Spanja e Italia, midis të cilave hynte ajo e mësipërmja, katastrofale, ajo 0-3 me Izraelin që në futboll ishte më i vogël se Shqipëria. Historia na thoshte se tri herë rresht Shqipëria kishte humbur kushedi sa herë. Madje për herë të fundit jo shumë larg, por në 2016-ën (Ukraina – Shqipëria 3-1, Zvicra – Shqipëria 1-0, Franca – Shqipëria 2-0). Interesantja e statistikës ndërkaq, ishte kjo tjetra: që në 13 ndeshjet e fundit, miqësore e kualifikuese, që i përkisnin gjithë vitit 2016 dhe atij 2017, Shqipëria kishte fituar vetëm 4 ndeshje, kishte barazuar 1 dhe kishte humbur bukur 8 herë!

shqiperia festa e golit izrael kombetarja

Një bilanc i pakëndshëm natyrisht. Interesantja tjetër ishte se mbrenda këtij bilanci, i bujshëm madje, hynte edhe vetë viti 2016 edhe pse Shqipëria kishte qenë midis 24 finalistëve të Kupës së Europës! Kjo është gjuha shpesh e pamëshirshme e bilanceve. Në 13 ndeshjet e fundit Shqipëria kishte 8 humbje dhe 4 fitore krejt modeste. Dhe 4 fitoret ishin me Katarin, Lietenstejnin, Maqedoninë dhe Rumaninë.Çka do të thoshte se vetëm kjo me Rumaninë kishte vlera të vërteta të futbollit modern. Kësisoj, statistikisht, në 15 muaj rresht, Shqipëria ishte një humbëse thuajse “e përsosur”.

Tri ndeshjet e fundit për Kupën e Botës tregonin se Kombëtarja kishte humbur duke luajtur keq. Kishte humbur duke luajtur pa një bosht loje. Kishte humbur pa patur një organizim mirëfilli, qoftë dhe të frymëzuar prej një regjisori të vetëm. Kishte humbur duke mos qenë e zonja assesi t’i jipte sadopak kthesë një loje. Duke përjashtuar tri ndeshjet dinjitoze të “FRANCA 2016” – edhe pse dy ishin humbje – në të tjerat ajo kishte humbur pa treguar diçka të veçantë. Dhe e keqja më e madhe ishte se mbas Francës, ajo ishte përkeqësuar tejet.

Duke u ndalur te ndeshja me Italinë, mbas një fillimi shpresëdhënës, një rast i humbur, u pa një futboll i vaktë, i ngadalshëm, pa ide, madje edhe pa vrullin karakteristik shqiptar, siç na e kanë përcaktuar për shumë kohë. Madje edhe pa harmoni taktike. Kështu, Shqipëria e Palermos ishte pothuajse edhe “e vjetër”. 5 lojtarë mbi 30-vjeçarë, madje nga 31 deri 35 vjeç! Nuk mund të harronim, sigurisht.

de biazi

Kombëtarja modeste e Shqipërisë, vitet e fundit në 50 ndeshjet e drejtimit të trajnerit Gianni De Biasi kishte mbërritur vërtet disa rezultate fort të bukura madje. Ku hynin sidomos 10 fitoret në 26 ndeshjet kualifikuese eurobotërore, duke mbërritur edhe 24-shen e Europës – qoftë dhe falë 3-0 që na e kishte “dhuruar” Serbia në tabaka. Kujtojeni mirë: në 26 ndeshje eurobotërore, Giani De Biasi kishte mbërritur pra 10 fitore, çka do të thotë gati 50 për qind sukses (janë 12 humbje). Asnjë trajner shqiptar as që e ka ëndërruar këtë bilanc.

Meritë e madhe, historike e një Gianni De Biasi, doemos edhe e vetë drejtimit të FSHF. Por nuk mund të harronim ato 13 ndeshje të fundit me 8 humbje tejet të rënda! Atëherë? A nuk duhej të fillonte diçka tjetër?… Do të mundohem t’i përgjigjem herën tjetër kësaj pyetjeje. Po ndërkohë kushedi se çfarë meditimesh do të na blatojnë përfundimet e këtyre dy ndeshjeve të tetorit 2019 me Turqinë dhe Moldavinë…

—————————

* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III, IV, V, VI, VII, VIII, IX, X, XI në “Panorama Sport” të 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator, 10 nëntor 2017 dhe 23 mars, 1 qershor, 5 shtator, 16 nëntor, 12 dhjetor 2018, 19 mars, 5 qershor, 3 shtator 2019.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"