Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni De Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 21:13

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni De Biasi…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Kapitulli VIII

… Mbasi e kam lënë stadiumin e Elbasanit në një mbrëmbje që nuk po i ikte asesi të nxehtit të padurueshëm i një asisoj qershori, duke iu drejtuar Tiranës, papritmas më lindi pyetja: “Si duhet kuptuar kjo fitore e rrallë e Shqipërisë me Francën…?” Dhe në përgjigje të kësaj pyetjeje, në të vërtetë unë nisa “të shkruaja”, ndërsa po i afroheshim Tiranës tashmâ. Disi pa ndalë më vinte përgjigjja përmes kësaj trajtese, që kur mbërrita, nisi të shfaqej prej tastierës së kompjuterit tim…

TEKNIKISHT: NJË KONFIRMIM I RI

Teknikisht, kjo ndeshje e cila në tanësi mund të cilësohej e një niveli mesatar, mua më dukej një konfirmim i ri i asaj që e kisha trajtuar jo pak në librin tim të fundit “Kupa e Botës dhe Shqipëria”, në faqet 110-114 të tij, teksa merrja për bazë paraqitjen e Shqipërisë në fitoren 1-0 në Oslo me Norvegjinë, më 22 mars 2013. Dhe gjithçka po më dukej e njinjishme me Shqipëri – Francë 1-0 të këtij 13 qershori 2015.

shqiperi france

E, mbas kaq vitesh përpëlitjesh teknike, nëse mund ta përcaktoj kështu, Shqipëria si asnjëherë po ia arrinte ta komandonte teknikisht topin. Shqipëria e vogël po ia arrinte t’iu përngjasonte skuadrave moderne. U pa që edhe kur donte të shkatërronte sulmin francez, ajo këtë kërkonte ta bënte duke ndërtuar. Natyrisht, shumë topa edhe mund t’i merrnin drejtimin e gabuar, por mendimi ishte ndërtimi. Topa të kaluar anash me shpejtësi, mandej vertikalisht, çuditërisht drejt mesit të fushës (jo plotësisht në qendër) ku një mjeshtër 28-vjeçar me emrin Migjen Basha, ishte zoti i fushës, i ndeshjes, i teknikës dhe i mendimit. Mandej, prej tij lindtte gjetja e hapësirave me topa të shpejtë, të shpërndarë nga krahët, po të përçuar përmes labirinteve të drejtpërdrejta në portën e Francës.

Të gjithë të tjerët, madje edhe kapiteni Cana i pagabueshëm, të dukeshin se vareshin prej Bashës. Në të vërtetë, nuk ishte plotësisht kështu. Them se papërjashtim, duke nisur prej portierit Berisha, të gjithë i përfshinte mendimi që komandonte këmbë tejet teknike e “të ditura”. Kësisoji, Basha nuk qe i vetëm. U pa qartë se, sa herë që sulmonte, Franca gjendej përpara një mesfushe të Shqipërisë të kompozuar edhe prej një Lenjani, prej një Kaçi e Roshi, ku mbrojtës të tillë si Cana, Hysaj, Ajeti apo Aliji të dukeshin edhe ata mesfushorë, teksa jo vetëm kombinonin në mënyrë të saktë me njëritjetrin, por ishin në harmoni të plotë me peshën e mesfushës. Për t’u shndërruar në çast të gjithë në sulmues dhe për t’u kthyer në çast po të gjithë aty ku ishin: në mesfushë.

Po a pati një sulm të mirëfilltë Shqipëria? Qofsha i gabuar, por unë mendoja se taktika ishte një 4-5-1, pra me vetëm një sulmues: Cikalleshi. Kështu më dukej se po kthehesha përsëri te ajo që e kisha thënë edhe herë të tjera: te një “catenaccio all’italiana”. Jo, jo! Kësaj here nuk mendoja kështu. Gjithçka ishte një elasticitet i tanë mbrojtje -sulm, ku mund të mbërrinte deri aty sa që të thoja se prej të 11-tëve, ndoshta për herë të parë në histori Shqipëria po dilte në fushën e lojërave të saj me 11t teknikë ë sprovuar. Të cilët madje, mund t’i gjeje jo vetëm te ky 11-ësh, por edhe te një Mavraj, te një Abrashi, te një Kukeli, te një Salihi po e po. E mbi të gjithë, te një Xhaka dhe te një Gashi – plot 6 titullarë po aq teknikë, të cilët nuk kishin luajtur kësaj here, por të cilët jo larg, por vetëm dy muaj më parë, në fitoren me Armeninë për Kupën e Europës kishin qenë tiullarë të dorës së parë. Dhe ia lëshuan vendin e pakta tre debutuesve të ndeshjes së parë: Aliji, 22 vjeç; Fejzullahu, 22 vjeç; Sabien Lilaj, 25 vjeç. E në këtë gjykim të teknikës, natyrisht hynte dhe goli i një elegance të rrallë i Kaçes.

“L’Equipe” i një të diele më parë kishte botuar nga ndeshja vetëm foton e këtij goli, i cili natyrisht ishte më madhështor se vetë ndeshja. Me përcaktimin francez: “Kaçe, përlan!”. Kjo e atyre kohëve të vitit 2015, ishte Shqipëria e vlerave më teknike që kishim pasur ndonjëherë. Kështu e kuptova teknikisht skuadrën e Shqipërisë.

STRATEGJIKISHT: SFIDË FRANCËS

E pra, çka synonte Shqipëria në këtë ndeshje me Francën? Fitoren? Barazimin? Eksperimentin…? Pyetje të vështira. E kisha sidomos tejet të vështirë që të bindesha se në një ndeshje me Francën ajo synoi eksperimentin. Si mund të guxosh të eksperimentosh në një ndeshje, edhe pse miqësore, me një ish- Kampione të Botës si Franca? E kush je ti? Gjermania, Italia, Spanja, Anglia…? Ndërkaq, më thoshte mendja se titullarët e munguar të Shqipërisë do të kenë pasur shkaqe të forta të mungesës së tyre.

Kjo sigurisht i kishte ardhur për shtat trajnerit De Biasi, jo vetëm sepse po të humbtte e gjente te mungesat shfajësimin, por sepse në fund të fundit, prapë ai pa dashur do të mbërrinte tek eksperimenti. Dhe për hir të së vërtetës, mbërriti. Mbërriti deri aty saqë më dukej se me përjashtim të portierit Berisha, të mbrojtësit Cana dhe të mesfushorit Basha, le t’i mungonte kushdo Shqipërisë dhe asgjë e rëndë nuk do t’i ndodhte. Të gjithë mund të zevëndësoheshin. Dhe kjo nuk do të thoshte se ata ishin tepër larg tre të veçuarve. Asesi! Kjo do të thoshte se treshja Berisha – Cana – Basha, fuqi e “genit” të shqiptarësisë së Kosovës, ishte e aftë të mbante mbi supe më fort se të tjerët psikologjinë e moshumbjes. Kurrë nuk mund të mendoja ndërkaq, se Shqipëria “pa bëza” synonte të fitonte me Francën.

Tjetër punë se këtë mund t’ia kishte ânda fort. Më tepër se strategjia e fitores, Shqipëria, më saktë lojtarët e saj, në mënyrë vetjake, do të kenë hyrë në lojë për të treguar veten se mund të sfidojnë edhe një Francë dhe se dinë ta luajnë në mënyrë krejt moderne futbollin e sotëm, pa u trembur prej askujt. Bash këtë ata e treguan. Dhe jo thjesht fitorja, por ky synim gjithashtu tekniko-taktik, qe strategjia e Shqipërisë dhe lojtarëve të saj në ndeshjen me Francën. Ndërkaq, duke u munduar të gjeja se cila mund të ketë qenë strategjia e trajnerit të Shqipërisë Gianni De Biasi, isha i bindur se mendja e tij ishte pushtuar prej retorikës së idesë: “Ah sikur të fitoj me Francën!”. Dhe fitoi.

Tash, qysh nga kjo ditë e 13 qershorit 2015, ky trajner italian, i cili kishte nxjerrë në fushën e lojës plot 6 djem prej Kampionateve të Italisë, të cilin Shqipëria e gjeti analist të futbollit dhe për çudi e thirri për Kombëtaren e saj, do të përcaktohej kështu: “Ky është Gianni De Biasi, ai i cili me Shqipërinë ka mundur edhe Francën!” “Përfitoi” shumë falë Kombëtares së Shqipërisë ky Gianni De Biasi, “njeriu, ky i panjohur”, siç thotë Dekarti. Le ta lëmë filozofinë. M’u duk se strategjia e Shqipërisë ka qenë të mos humbasë me Francën, të konfirmojë rritjen edhe në këtë miqësore të rangut. Në fund të fundit, t’i bëjë edhe një herë t’iu dridhen paksa këmbët kundërshtarëve të afërt për EURO 2016: Danimarkës, Portugalisë, Serbisë… Vërtet…?

Dhe strategjia e strategjisë: të konfirmonte edhe lojtarë të tjerë për këtë Kombëtare. Si të donte t’i bënte trajnerët e skuadrave kundërshtare, që të mos ishin në gjendje të kuptonin se cili mund të ishte 11-shi bazë i Shqipërisë. E kësisoj, t’iu ngatërroheshin informacionet për lojtarët e Shqipërisë. Ndonëse, me folë drejt, nuk isha fort i bindur se pa një 11- sh bazë të sigurt e të qëndrueshëm, mund të arrinte qëllime të mëdha një Kombëtare… Kujtoni se çka ndodhi në fund. Nga minutat 64, Shqipëria, “e pamëshirshme” dhe “dinake” si kurrnjiherë, vërshoi me ndërrime pa ia nda: Sadiku, S.Lilaj, Bala, Fejzullahu. Dhe interesant: loja nuk u shpërbë dhe e ruajti fort mirë strategjinë më të fundit që lindi gjatë ndeshjes: atë të fitores, qoftë edhe kundër Francës – Kampione e hershme e Europës dhe e Botës. Ndonëse këta të katër që hynë, nuk ishin më shumë se 22-25- vjeçarë. Vërtet, kjo mund të ishte një Shqipëri fitimtare. Të paktën, mua kështu m’u pat dukur. Natyrisht, nëse nuk ia merrte Zoti mendtë…

PUBLIKISHT: “VETËPUBLICITET” I GABUAR

Natyrisht, një Kombëtare, e cila në 7 ndeshje rresht ka 4 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje me një Kampione të Botës, siç ishte Italia, vetvetiu ajo i bënte një publicitet të madh vetes së saj. Shqipëria e viteve 2014 e 2015 do të ndodhej në majën e publicitetit të saj. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë. Ajo që papritmas të dukej se mungonte ishte përmendja “Shqipëri”. Këte emër që, “me sa dimë”, është emri i vendit tonë, i trojeve tona, i shtetit tonë, edhe asaj here nuk u pa kund në stadiumin e Elbasanit. Madje, edhe tabela e rezultateve nuk e kishte “Shqipëri”, por “Albania” – emërtimi i dytë, ai ndërkombëtar i Shqipërisë. Mëkat! Dihet, në një stadium reklamat duhet të zënë vende kryesore. Mirëpo, Kombëtarja jonë është Shqipëria.

Nuk është as Federata Shqiptare e Futbollit e aq më pak emri i televizioneve që transmetojnë ndeshjen. Ndonëse transmetuesin e parë, atë publik TVSH, që transmetonte pa pagesë, nuk e pata pa diku të shënuar. Po a ka një shtet, i cili ndeshjet e Kombëtares së tij (sidomos ato miqësore) i transmeton me pagesë! Do të duhej të ishte shkruar diku “Shqipëria”! Ende, deri më sot, po rrezikojmë të denatyrohemi për hir të “privatizmit” të publicitetit të Kombëtares së Shqipërisë, që kurrsesi nuk mund të “privatizohet” prej askujt. Kështu po vazhdojmë pra, edhe sot më 2018. Kombëtarja është e Shqipërisë, madje e Flamurit Kombëtar, e Himnit Kombëtar (ndaj dhe ky ekzekutohet e këndohet para ndeshjes). Dhe që nuk mund ta mbysë asnjë lloj kënge e rastit. Keni pa në sa e sa vende sesi publiku vazhdon të këndojë Himnin Kombëtar gjatë gjithë ndeshjeve të mëdha.

Të tjerat janë artificialitete, që natyrisht koha do t’i rrëzojë. A nuk e kujtoni se brenda atyre pak ditëve me një lloj “dhune muzikore” të komandimit disi vetjak të mjedisit të stadiumit, u rrëzua përparësia e këngës “Xhamadani vija-vija”?… Që drejt me e thënë, e kishte fituar qytetarinë e vet. Dhe për këte kishte dhe ka vetëm një përgjegjës: e ashtuquajtura kryesi e Federatës Shqipëtare të Futbollit. Pa mbetur jashtë as Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Se përveç të tjerave, e gjitha kjo është çështje kulture, madje çështje kulture kombëtare. E vërteta ishte se Kombëtarja e Shqipërisë po përjetonte kulmin e vetëpublicitetit të saj. Dhe ky kulm vinte prej ndeshjeve të saj të bukura, prej rezultateve të saj në rritje, prej futbollit të saj gjithnjë e më tërheqës. Ndodheshim kështu, përpara një vetëpubliciteti disi universal të saj. Kudo në Europë po flitej për një Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, që mbështetej kryesisht te djem nga Kosova, të cilët kishin lindur e ishin formuar në shtete të tjera të Europës.

Nga të 17 lojtarët e Shqipërisë në atë ndeshje me Francën, plot 11 nuk i përkisnin futbollit të brendshëm shqiptar (madje prej 11-shit të parë, plot 8 ishin “jo të Shqipërisë” londineze). Shqipëria po bëhej e vetmja skuadër në Europë që kishte një Kombëtare me shumicë të dukshme lojtarësh, të cilët nuk i kishte formuar ajo, por shtetet e tjera. Edhe ky më dukej një publicitet “sui generis”, që mbetej i vetëm (unikal) në historinë e Europës. E këtu më dukej se ishte pika kritike e gjithë këtij vetëpubliciteti: Shqipëria, përderisa nuk formon lojtarë në shumicë për Kombëtaren e saj, kjo po tregonte se ajo kishte një nivel të ulët të futbollit në tokën e vet.

Ndryshe, kjo tregonte se ajo kishte një Kampionat Kombëtar të futbollit po aq në nivel të ulët. Edhe më e rëndë bëhej kjo kur shihje se edhe të gjitha ekipet e tjera Kombëtare të saj “NEN21”, “NEN19”, “NEN17” në shumicë ishin të përbërë me lojtarë të formuar jashtë Shqipërisë! Po sot në vitin 2018, a nuk jemi po në atë situatë…? Besoj i patë listat e grumbullimeve të Kombëtares për ndeshjen me Skocinë si dhe atë të 21- vjeçarëve. Nga lista e 51 lojtarëve të botuar këto ditë në “Panorama Sport” për të dy përzgjedhjet, të tokës së Republikës së Shqipërisë ishin vetëm 10! Kjo vazhdon të mbetet pjesa tejet e gabuar e vetëpublicitetit të Kombëtares së Shqipërisë

HISTORIKISHT: NJË FITORE “MAJESTUEUX”

Fitorja me Francën ishte pak t’i thoja se m’u duk historike. Ajo m’u duk madhështore, (“majestueux” ose “imposant”, siç i thonë në frëngjisht). Dhe nuk kishte rëndësi nëse ishte ndeshje miqësore, që dihet kurrë nuk e kanë rëndësinë si të tjerat. Po nga ana tjetër, nuk duhej harruar se Franca e kishte një ndeshje tejet të rëndësishme. E kishte të rëndësishme për të thënë se barazimi 1-1 me këtë Shqipëri që kishte ndodhur para pak kohëve, kishte qenë rastësor. Ndërkohë që do t’i duhej të tregonte se ajo po ndërtohej bukur e mirë drejt Europianit, që do të luhej në stadiumet e saj. Nuk ia arriti. As ndaj një Shqipërie që ende hynte në të “vegjlit”. Dhe kjo Francë i lejoi asaj një fitore madhështore. Edhe një herë m’u pat dukur se Shqipëria kishte nisur të shkruante një histori tjetër.

Historinë e një Kombëtareje me lojtarë të jashtë Shqipërisë, një Kombëtare që luan një futboll modern, një Kombëtare që synon kualifikime, një Kombëtare që mund të arrijë herë mbas here edhe fitore përmes ndeshjeve madhështore si ajo e Francës. Historikisht, Shqipëria për herë të parë mposhti një më parë Kampione të Botës, sepse Kampione të Europës ka mposhtur (Rusia 2003, Greqia 2004). Me fitoren ndaj Francës ajo regjistroi një tjetër ndeshje madhështore. Duke më dhënë mundësinë që në vështrimin e historianit të këtyre punëve, të përmblidhja edhe një herë 10 ndeshjet madhështore të Kombëtares së Shqipërisë deri në atë ditë të 13 qershorit 2015. Duke u nisur edhe nga parimi që asnjë prej këtyre ndeshjeve të mos ketë qenë humbje. Tek janë:

I.
1946
Shqipëria – Rumania 1-0
Trajner: Ljubisa Brocic
II
1948
Jugosllavia – Shqipëria 0-0
Trajner:Adem Karapici
III
1967
Shqipëria – RF Gjemane 0-0
Trajner: Loro Boriçi
IV.
1984
Polonia – Shqipëria 2-2
Trajner; Shyqyri Rreli
V.
1984
Shqipëria – Belgjika 2-0
Trajner: Shyqyri Rreli
VI.
2003
Shqipëria – Rusia 3-1
Trajner: Hans Peter Briegel
VII.
2004
Shqipëria – Greqia 2-1
Trajner: Hans Peter Briegel
VIII.
2013
Norvegjia – Shqipëria 0-1
Trajner: Gianni De Biasi
IX.
2014
Portugalia – Shqipëria 0-1
Trajner: Gianni De Biasi
X.
2015
Shqipëria – Franca 1-0
Trajner: Gianni De Biasi

Dhe me nga një përcaktim lakonik për secilën: Rumania 1946 – Shqipëria Kampione e Ballkanit; Jugosllavia 1948 – Nënkampione olimpike; Polonia 1984 – e treta botës në fuqi; Belgjika – e famshmja e Scifo me shokë; Rusia 2003 – superfuqi e futbollit; Greqia 2004 – e saposhpallur Kampione e Europës; Norvegjia 2013, Portugalia 2014 – fitore të para të jashtëfushës me perëndimorë të sprovuar; Franca 2015 – Kampione e Botës, Kampione Olimpike, Kampione e Europës – organizatore e EURO 2016. A mund të kishim përsëri ndeshje kësisoj madhështore…?

NDAJ 6 KAMPIONEVE TË BOTËS 2018…

“Franca ende nuk është kualifikuar për EURO!” Kështu titulloi “France Football’ mbas humbjes së Francës së tij në Elbasanin e Shqipërisë. Ironi e tanë! Në të vërtetë, si organizatore, Franca ishte kualifikuar pa marrë pjesë në grupet kualifikuese. Ajo luante në Grupin I ku ishte dhe Shqipëria, rregullisht simbas kalendarit, por ndeshjet e saj konsideroheshin miqësore. Mirëpo, shtypi francez e vështronte gjithçka me një seriozitet profesional të plotë. Dhe “France Football” po “dëfrehej” duke shkruar kështu: “…Po të mos ishte vend organizator, Franca ende nuk do ta kishte siguruar kualifikimin drejtpërsëdrejti për në EURO. Duket qartë se Blutë do të ishin ende të pasigurt. Gjashtë ndeshje të luajtura, tri fitore, dy barazime, një humbje. A priori, kjo baraspeshë nuk duket fort keq kur synon të marrësh biletën për një ngjarje siç është EURO 2016, sepse dy të parat e çdo grupi dhe e treta më e mirë, kualifikohen drejtpërsëdrejti. Por duke vlerësuar kështu, skuadra e Francës në këte rast, nuk do t’i kishte vënë djemtë e Didier Deschamps në një situatë fort të përshtatshme. Para Shqipërisë vetëm për ndryshim golash! Në të vërtetë, sot, po të merreshin në konsideratë këto rezultate, Blutë do të ndodheshin në vendin e dytë, me 11 pikë sa dhe Shqipëria (për shkak të +5 golave)…!” Dhe bënte këte që e quante “Renditja fiktive”:

1. Portugalia 12 pikë (+2 gola)

2. Franca 11 pikë (+ 5 gola)

3. Shqipëria 11 pikë (+ 0 gola)

4. Danimarka 10 pikë (+ 2gola)

5. Serbia 2 pikë (- 2 gola)

6.Armenia 1 pikë (- 7 gola)

Kjo “Renditje fiktive” për kualifikimet e EURO 2016 për Shqipërinë ishte një nder i madh. edhe pse e sendërtuar mbas një ndeshjeje “miqësore”. Ndërkaq, fitoren 1-0 ndaj Francës, unë për vete e konsideroj pra, si një ndër më historiket për Kombëtaren e Shqipërisë. Për fat, ajo shumë shpejt është harruar, kështu ngaqë kujtesa jonë është përherë tejet e shkurtër. E pra, Shqipëria kishte mbërritur vërtet larg, deri aty saqë gazeta “L’Equipe” – ndër më aurtoritaret në botë, i kishte kushtuar gjithë faqen e saj të parë kësaj fitoreje të madhe shqiptare, me titullin e madh: “E tani çfarë të bëjmë?”. Dhe: “Frikë për një dështim të madh!”. Autorja e kësaj mëdyshjeje franceze , në atë ditë të paharrueshme të Elbasanit, datuar 13 qershor 2015, kishte vetëm një emër: Kombëtarja e Shqipërisë!

E cila nuk do të ndalte këtu, teksa ëndërrimet do t’i ktheheshin në realitet: Shqipëria do të shkonte në finalet e EURO 2016. E sot, më duhet të them se atë ditë Shqipëria kishte fituar me atë skuadër, e cila tre vjet më më vonë do të bëhej për herë të dytë Kampionia e Botës, tash në RUSSIA 2018. A vërtet dikush ka parashikuar pra, se kjo Francë “e Elbasanit” që ishte mposhtur prej Shqipërisë “së vogël” kishte paraqitur, e pakta nja 6 Kampionë të ardhshëm të botës? Ishin Loris, Varane, Pogba, Griezmann, Giroud, Fekir… Edhe kjo retorikë, do të mjaftonte tejet për të nxitur një shkallë më lart ambicien për fitoren ndaj Skocisë në këtë 17 nëntor 2018…

* Për vazhdimësi, shih Kapitujt I, II, III, IV, V, VI, VII në “Panorama Sport” të 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator, 10 nëntor 2017 dhe 23 mars, 1 qershor, 5 shtator 2018.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"