Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2018 | 21:58

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

BESNIK DIZDARI

BESNIK-DIZDARI

KAPITULLI VII

NJË BARAZIM ZÂMËDH (FRANCA 1-1) DHE NJË HUMBJE DINJITOZE (ITALIA 0-1)

Sigurisht, këto dy ndeshje me dy Kampionë të ndritshëm të Botës hynë në atë vit 2014, çuditërisht, si në modesti pa shumë bujë e zhurmë. Ndoshta ngaqë qenë miqësore. Ndoshta ngaqë përballë diskutimeve dhe pritshmërisë së pafund të asaj çka kishte ndodhur në Beograd në Serbi–Shqipëri, gjithçka tjetër të dukej e vogël. Sot, mbas katër vjetëve, të dyja këto ndeshje them se hyjnë në histori me të gjithë “madhështinë” e tyre, e po deshe hiqi edhe thonjëzat. 1-1 në Shqipëria në Francë! 0-1 Shqipëria në Itali me një gol të minutës 82, edhe pse një Itali disi eksperimentale. Po vlerësimet për Shqipërinë ishin thuajse të rralla:

Kombetarja feste Euro

Për Franca – Shqipëria 1-1:

Trajneri i Francës, Deschamp:

“Ishte parashikuar që, duke njohur karakteristikat e skuadrës së Shqipërisë, ajo do të ishte e organizuar mirë, sidomos duke u mbrojtur mirë. Kështu që nuk qe e lehtë. U desh një mobilizim më i madh në pjesën e dytë kur dhe krijuam disa situata të përshtatshme. Rezultati nuk ishte ai që pritej, por në fund të fundit nuk duhet të harrojmë se kishim përballë një skuadër të fortë. Megjithatë, nuk duhej të humbisnim, ndonëse për pak kjo mund të na ndodhte. Nuk duhet të na sundojë frika e humbjes, por dëshira për të fituar”.

Karim Benzema :

“Ishte një ndeshje e vështirë kundër një skuadre të mirë, të një mbrojtjeje të mirë që ia ka arritur të na bllokojë. Nuk ka më skuadra të vogla. Sidoqoftë, ne ia arritëm të barazojmë”.

André-Pierre Gignac:

“Jam munduar fort, por skuadra shqiptare na befasoi me mbrojtjen e saj nga krahët. Ishte një ndeshje e vështirë, por megjithatë ia arritëm të ruajmë ritmin tonë të mirë. Ruaj respekt për Shqipërinë, por nëse në fushë do të ishte një Francë 100 për qind në mundësitë e saj, do të kishim pasur një rezultat më të mirë”.

Vahid Halilohodzic; kombëtaras i Jugosllavisë, futbollist i kampionatit të Francës – Nantes, Paris SG; trajneri i mirënjohur i Velez të Mostarit, Dinamo të Zagrebit, Bregut të Fildishtë, Algjerisë, Trobzonspor:

“Ishte një befasi e madhe të shohësh shqiptarët në këtë nivel. Shqiptarët e kanë sunduar topin me shumë lehtësi. Ata ishin të organizuar shumë mirë në çdo aks të fushës”.

Për Italia – Shqipëria 1-0:

Antonio Conte:

“Në 6 ndeshje kemi fituar 5 dhe kemi barazuar 1. Kush do me fol, le të flasë. Ne mbetemi të qetë dhe punojmë. Mua më ka pëlqyer mënyra sesi u paraqitën lojtarët në fushë. Dhe nuk duhet të harrojmë se Shqipëria kishte barazuar me Francën dhe kishte fituar me Portugalinë. Duhet të kemi durim”.

de biazi

“La Gazzetta dello Sport”:

“Të mundësh Shqipërinë, nuk do të kishte qenë diçka e lehtë edhe sikur të kishim 11-shin e gjithë titullarëve. Djemtë e De Biasi-t vinin mbas dy fitoreve (San Marino e Portugalia) dhe dy barazimeve (Danimarka dhe Franca) dhe vetëm me një humbje në tryezë 3-0 me Serbinë. Në fund të fundit, ia kanë arritur të luajnë plot siguri në lëvizjet, duke përvetësuar dy sistemet e tyre rezultateve: 4-3-3 dhe 4-5-1, duke u organizuar mjaft mirë në mbrojtje, por dhe në sulmin e drejtuar prej organizatorit Kukeli dhe të përmbyllur nga qendërsulmuesi shpërthyes Cikalleshi. E gjitha kjo ua vështirësoi fort punët të kaltërve. … Nëse një klub italian kërkon një sulmues, mund të ndalet paksa edhe te ky…

Megjithatë, shqiptarët duhet të falënderojnë ‘Shën’ Berishën, i cili ka bërë mrekullira dhe nuk ka lejuar një fitore të më të thellë… Te Shqipëria shihet dora e trajnerit De Biasi. Rregull dhe organizim. Të gjithë dinë se çka duhet të bëjnë dhe si ta bëjnë. Coverciano mbetet një prej ‘universiteteve’ më të mira futbollistike”. Ai ishte futbolli i një skeme të njohur 1- 4-5-1, ndonëse përballë një tjetre më guximtare 1-4-3-3 të Francës. Çka prapë na e çonte mendjen tek ajo që kisha përcaktuar para disa kohëve: një “catenaccio all’italiana”. Veçse krejt moderne, mbi të gjitha, ashtu si dhe të tjerë, kisha shijuar një lojë të menduar në 90 minuta të tana. Një kalim elastik nga mbrojtja në sulm. Dhe të gjithë lojtarë ndërtues. Çdo top nisej për aty ku duhej. Tashmâ mund të thosha se edhe Shqipëria po e përvetësonte futbollin e kalimeve (pasimeve) vertikale mbi ato horizontale, ndonëse ndonjëherë edhe këta vlejnë.

Ndërkaq, u pa se qe i rrufeshëm kalimi në sulm, teksa dukej gati e përkryer loja nga krahët. Dhe papritmas: shumë lojtarë në mbrojtje dhe menjëherë po shumë në sulm. Dhe një mbrojtës, Mavraj i Këlnit të Gjermanisë, i cili shënon me krye një gol të stilit anglez! Ishte mû ai, i cili së bashku me portjerin Berisha dhe Canën përbënin shtyllën “qendrore” të mbrojtjes shqiptare. Ajo ishte një Kombëtare universale, saqë e kisha të vështirë të përcaktoja se cili qe truri i vetëm (unik) i saj, ai që i thonë “mesfushori – regjisor”. Jo, jo! Them se gjithçka ishte një vepër kolektive, ku rolet janë aty, doemos, po ku secili ka aftësinë që, për çastin, të marrë rolin e tjetrit. Kujtoj shpërthimet e Agollit në sulmin nga krahët apo dhe të Lilës, duke ia lehtësuar jo pak Cikalleshit apo dhe Memushajt “frikësimin” e kundërshtarit përmes episodeve të sulmit.

Ma kishte ânda të mbetesha te dy emra, te dyshja Lenjani – Kukeli, e për një çast më dukeshin këta të dy organizatorët. Mirëpo, prapë isha “i rreptë” teksa me vete thosha pa ndalë: “Jo, jo! Ishte një Shqipëri kolektive. Dhe e tillë ajo ishte në gjithë këto ndeshje të saj të javëve të fundit…”. A vërtet e kishim kaq të mirë këtë Kombëtare, teksa vëreja se u guxua sa s’ka ku shkonte më? Trajneri De Biasi kishte lëshuar në fushë dy debutues: 21-vjeçarin Ajeti të Baselit të Zvicrës dhe 22-vjeçarin Shala të Odds-it të Norvegjisë. Kur në tanësi në skuadër kishim jo pak, por 7 lojtarë, të cilët nuk kishin zhvilluar më shumë se 8 ndeshje me Kombëtaren. Dhe befas, këtu zbulohej larmia e pleksjes me përvojën e rekordmenit Lorik Cana, në ditën e ndeshjes së tij të 80-të me Kombëtaren.

FITORET QË “NDIHMOJNË” POPUJT: SHQIPËRIA – ARMENIA 2-1!

Franca do të mbeste mbrapa, megjithatë. Madje edhe Italia. Përpara asaj Shqipërie 2014, shfaqej një “i vogël”, emri i të cilit ishte Armeni: Elbasan, 29 mars 2015. Mendja të thoshte se kjo ishte ndeshja që do të duhej t’i vinte vulën përgjigjes së çdo ekuivoku. Këtu po. Kërkohej fitorja, vetëm fitorja. Vetëm atë ditë do të mund të flisnim ndryshe e ndoshta do të mund ta prishnin baraspeshën e mendimit të tyre me këmbë në tokë, edhe trajneri De Biasi dhe kryetari Duka. “…Njerëzit jetonin keq, oh sa keq! Por gjaku i tyre i vjetër, i mësuar me fatkeqësi të vazhdueshme, reagonte me shpresën e një përmirësimi të afërt.

Ndërkaq, sporti i ndihmonte për të përballuar sakrifica të patregueshme dhe të ekzaltuar ata gjenin forcën për të tejkaluar – ose besonin se tejkalonin – çdo vështirësi të mundshme”. Këtë thënie emblematike (shembullore) nuk e kisha thënë unë. E kishte thënë Gianni Brera, shkrimtar, por dhe gazetari më i madh sportiv i Italisë. E kam vënë në hyrjen e librit “Kupa e Botës dhe Shqipëria”, gjysma e të cilit i kushtohet Kombëtares së Shqipërisë. Vazhdoj të mendoj se kjo thënie e hershme e Brera-s së një fame ndërkombëtare i përshtatet jo pak Shqipërisë sime. Për dje dhe për sot. Sigurisht që kam qenë në Elbasan. Dhe ashtu si mijëra të tjerë kam përjetuar një ditë të bukur sportive, një gjallëri të pamatë të një qyteti dhe në fund kam përjetuar një nga fitoret më tërheqëse dhe ndër më të rëndësishmet e Kombëtares së Shqipërisë.

E ndërkaq, teksa më vinte në mend një gjykim i shpejtë teknik i ndeshjes, ai më fliste për pjekuri taktike të skuadrës, asaj here ndoshta një lloj 4-3-2-1, i cili nuk funksionoi në pjesën e parë, por shpërtheu në të dytën, me shtylla e gola, me përmbysje e kombinacione, me teknikë dhe, mbi të gjitha, me një këmbëngulje të pashoqe për të fituar. Ky qe “shpirti luftarak”, jo ai politik shqiptar i dikurshëm që mëkonte aq fort Partia e asokohe, por ai i një stili europian që e kanë skuadra të sprovuara.

Dhe dy gola spektakolarë për kah pagabueshmëria e pasimeve (kalimeve), plot mend e kolektivitet, plot zgjuarsi e goditje befasuese, qoftë Mavraj, qoftë Gashi. Gola të rreptë që nuk lënë mëdyshje për shtjellime të zgjatura, rrjeta që tunden, shtylla që tronditen (Cikalleshi), gëzime të pashoqe, pjekuri, mbajtje e sigurt e topit, ndërrime të studiuara, forcë fizike, besim deri në fund. Dhe Shqipëria – Armenia 2-1! Ose ndryshe: mëtuesja më e re e Kampionatit Europian me emrin Shqipëri dhe një ishsovjetike, e cila në futboll konsiderohet modeste, me emrin Armeni. Atë ditë të 29 marsit 2015 ishte një Armeni, e 61-ta e FIFA-s midis 209 shteteve, dhe një Shqipëri e 79-ta. Jo dhe aq larg njëra-tjetrës, megjithatë. Por me një ndryshim historik.

Shqipëria dihej se vinte vetëm nga Shqipëria. Ndërsa Armenia vinte edhe prej Ararat të Erevanit, i cili më 1973 pati tronditur Bashkimin Sovjetik, teksa i drejtuar prej armenit mitik, Nikita Simonian, i cili nën fanellën e Spartakut të Moskës ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola kundër klubeve të Shqipërisë, ai Ararat i Erevanit pra, qe shpallë Kampion i Vendit të Sovjetëve! Duke fituar madje dhe Kupën, e duke shtangur gjithë dikasterialët e mëdhenj të Moskës, CSKA e Dinamo. Pa shkuar te sporti në tanësi, ku pa e zgjatur po veçoj vetëm pak emra të hershëm të përmasave botërore: kampionët olimpik Faina Melnik në shtizë për femra, boksierin Vladimir Enigbarian, peshëngritësit Junik Vardanyan e Oksen Mirzoioan, por dhe basketbollistin Armenak Alachachan, i cili një herë mbeti i çuditur prej artit të Renato Radojës.

Janë kolosë të sportit botëror. Pa shkuar mandej tek e tashmja “e tashme”, siç ishin tri medaljet armene të Olimpiadës së Londrës 2012 apo katër të tjera të Olimpiadës së Rio De Janieros 2016. Ndërsa Shqipëria ende asnjë! Kishim mposhtur kështu Kombëtaren e futbollit të një shteti të vogël, si dhe i yni, të vogël, por tejet sportiv, jo rrallë në përmasa botërore. Në tanësinë e kulturës sportive fitorja armene, që më pëlqente ta quaja të madhe për kah vlerat renditëse, hynte te “revolucioni” që po bënte Kombëtarja e Shqipërisë. Kur me “revolucion” nënkuptojmë përmbysje me forcë të një rendi politiko–shoqëror, që synon ndryshimin radikal të qeverisjes, të institucioneve, të marrëdhënieve ekonomiko– shoqërore, një lloj procesi radikal modernizimi, përtëritje kulturore, shkencore, artistike e natyrisht edhe sportive.

“IDEOLOGJIA” E NJË REVOLUCIONI TRIUMFUES.

Vetvetiu, në këtë nënkapitull, po më pëlqen të merrem paksa me atë që po e quaj “ideologjia” e një revolucioni triumfues. Më dukej se vërtet kishim të bënim me “revolucionin” e Kombëtares modeste të Shqipërisë, e cila po i nënshtrohej një “qeverie” tjetër futbolli, e një përjetimi ekonomiko-financiar të papamë deri atë ditë. (Bie fjala, shpejt e shpejt 100.000 euro bonus për Armeninë), të një rendi tjetër “federal” (FSHF e kohës), drejt një modernizimi ose më mirë me thënë, drejt një europianizimi. Do të ishte fatale, që mbas kësaj “tirade” të politikës së futbollit, të guxoj e të them se Kombëtarja dhe “revolucioni” i saj ndodheshin në një udhëkryq. Do të ishte e tepërt. Ndonëse prapë guxoja e shkruaja se ajo mund të ndodhej në një udhëkryq.

Çka nënkuptonte që, ose “revolucioni” do të ndalte me përmbysjen e bukur, ose skuadra do të shkonte prapë në identitetin (njipërnjisimin) e saj të vendeve të fundit apo të parafundit në grupet e kualifikuese. Situata, kur në gjysmë të rrugës Shqipëria ishte vetëm 2 pikë larg vendit të parë (kaq e vogël largësia nuk kishte qenë asnjëherë), të bënte të besoje se ndoshta kësaj here rënia asisoj nuk kishte për të ndodhë. Ndonëse kujtoja se edhe dy herë të tjera kishte qenë pothuajse kështu. Mbas gjysmës së ndeshjeve në Botërorin 1986 pat qenë kështu: Belgjika 5 pikë, Polonia 3, Greqia 3, Shqipëria 3! Mbas më shumë se gjysmës së ndeshjeve në Botërorin 2014: Zvicra 14 pikë, Shqipëria 10, Islanda 9, Norvegjia 8, Sllovenia 6, Qipro 4! Dhe në përfundim – Shqipëria e parafundit në grup!…

Kështu pra, ia kisha frikën kësaj Kombëtare, siç kisha vënë një titull shumë vite më parë. Ndërsa tash, po e quanin mëtuese të fortë, deri aty saqë askush nuk do t’ia falte rënien. Ajo kishte fatin “e mirë” se deri kah shtatori 2015 mund të ndihej “euforike” e pandreqshme, teksa “revolucioni” dukej të ishte “permanent”. Dhe të paktën për pesë muaj ajo do të ndjehej rrëmbyese jo e një “pallati të dimrit”, por e shpirtit dhe e zemrës së shqiptarëve, njerëzve “të cilët jetonin keq, (oh sa keq!), por të cilët sporti i ndihmonte për të përballuar sakrificat”, siç thoshte Brera. Në të vërtetë “revolucioni” ishte aty, në dukje më i fuqishëm se kurrë. Madje drastik.

Në Elbasan 8 djem ishin shqiptarë të Kosovës dhe vetëm 4 djem prej të 14-ve ishin prodhim i tokës së 28.000 kilometrave katrorë dhe i Kampionatit të Republikës së Shqipërisë. I cili në mënyrë galoponte, përditë e më fort, po i shkëputej Kombëtares. Ishte një “revolucion” mbarëshqiptar që kishte përmbysur përfaqësimin tonë republikan. “Revolucioni” ishte aty sepse të fitoje në Portugali, mbasi para do kohe ke fituar edhe në Norvegji, e mandej të barazosh edhe në Francë një miqësore të rangut, vërtet që këta ishin shenjat e qarta të largimit njëherë e mirë të Kombëtares së Shqipërisë prej amatorizmit të saj, që ia kishte zënë frymën për vite të tana, ndonëse talentet e saj, të cilët nuk shteruan kurrë, herë mbas here shpalosnin ndeshje tejet më të mëdha se kjo e Armenisë.

“Revolucioni” ishte aty, edhe pse në atë kulm të tij, ai ishte shpalosur në stadiumin e parë modern që Shqipëria kishte pasur ndonjëherë, teksa papritmas po bëhej gati tjetri: Stadiumi Kombëtar “Loro Boriçi”, për të cilin kisha shkruar se askush nuk do të mund të guxonte t’ia ndërronte emrin e tij legjendë. “Revolucioni” ishte aty sepse për herë të parë në histori Shqipëria kishte një trajner “pozitiv” në bilanc: 29 ndeshje, 11 fitore, 7 humbje, 11 humbje dhe golat 30-26! Ishte Gianni de Biasi nga Italia! Në fund të fundit, “revolucioni” dukej të ishte pranë triumfit, sepse ai kishte me vete gjithë shqiptarët kudo që ata ishin. Ndonëse, si të gjithë “revolucionet”, edhe ai e kishte një armik. Kishte pseudoatdhetarinë, që shpesh është më e fuqishme se vetë atdhetaria. Ky mund të ishte dhe rreziku i Kombëtares Shqiptare.

Për fat, jo rrallë e marramendun edhe prej këngëve fluturake, përskuqje gjigante të flamujve, euforisë së vetë Federatës Shqiptare të Futbollit, por me tepër se asaj, mbështetësve të saj të pakritikë edhe brenda shtypit apo medias në tanësi. Kësisoj, ajo Kombëtare kishte ende shumë për të bërë për ta ruajtur triumfin e “revolucionit” të saj modern. Do t’i duhej të qetësohej, të ndalte euforinë dhe sidomos të ishte televizive në masën e duhur. Do t’i duhej kështu të qetësohej e flamurin kombëtar ta konsideronte thjesht flamur kombëtar e jo të mbështillte deri gojën me të. E mandej të bindej se askush nuk do të mund të zëvendësonte në mjedise stadiumesh apo fusha të blerta emrin e saj etnik Shqipëria apo Albania, që për çudi gjithnjë e më rrallë po e shohim edhe tash.

Dhe të mos pranonte përvetësimin e famës së saj prej ndonjë grupi të vogël njerëzish, të cilët gati-gati, po thoshin e për fat të keq vazhdojnë të thonë se “ndeshja u fitua ngaqë e transmetojmë, e flasim apo e komentojmë ne”, siç ka “Teksa më vinte në mend një gjykim i shpejtë teknik i ndeshjes, ai më fliste për pjekuri taktike të skuadrës, asaj here ndoshta një lloj 4-3-2-1, i cili nuk funksionoi në pjesën e parë, por shpërtheu në të dytën, me shtylla e gola, me përmbysje e kombinacione, me teknikë dhe, mbi të gjitha, me një këmbëngulje të pashoqe për të fituar. Ky qe “shpirti luftarak”, jo ai politik shqiptar i dikurshëm që mëkonte aq fort Partia e asokohe, por ai i një stili europian që e kanë skuadra të sprovuara. Dhe dy gola spektakolarë për kah pagabueshmëria e pasimeve (kalimeve), plot mend e kolektivitet, plot zgjuarsi e goditje befasuese, qoftë Mavraj, qoftë Gashi”. përkufizuar një kritik i mirënjohur i protagonizmit në gazetari.

Kombëtares së Shqipërisë, datuar 2015, do t’i duhej t’i largohej një orë e më parë pseudoatdhetarisë dhe të vazhdonte të mbante fort pranë vetes atdhetarinë. Pa harruar se në fund të fundit, fjala ishte për sport, për futboll, i cili dihet që ndihmon fort për të qetësuar shpirtra e zemra, pra. Dhe vetëm kaq. Pa harruar atë që me nënkuptimin e tij universal, e ka thënë Bertold Brecht: “Lum ata popuj, të cilët nuk kanë nevojë për futbollin”. Kjo ishte përsiatje ime i “ideologjisë së triumfit të një revolucioni”, në fund të fundit, thjesht futbollistik për Shqipërinë e vogël që drejtohej prej një njeriu që vinte nga Italia e madhe, me emrin jo fort të njohur për shqiptarët: Gianni De Biasi! Ashtu si një tjetër, por i sotëm, po italian me emrin Christian Panucci?…

* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III, IV, V, VI në “Panorama Sport” të 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator, 10 nëntor 2017 dhe 23 mars, 1 qershor 2018.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"