Rreth të vërtetave të dramave të futbollit Shqipëri-Hungari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2020 | 19:34

Rreth të vërtetave të dramave të futbollit Shqipëri-Hungari

BESNIK DIZDARI

Pjesa e dytë

HUNGARIA – SHQIPËRIA Nr. 2

TIRANA – BUDAPESTI 3-1 DHE NDERIM PROF. ADEM KARRAPICIT.
Besnik-Dizdari

Do të mbërrihej te rasti më unikal në gjithë historinë e Kombëtareve të të gjitha shteteve të botës: Hungaria brenda një dite të vetme do të luante dy ndeshje zyrtare në rang Kombëtareje: 2-1 Çekosllovakisë në Budapest dhe 0-0 me Shqipërinë në Tiranë! Ka ndodhur në të njëjtën mbasdite të 23 majit 1948! Do të mbërrijmë megjithate, pak më vonë te kjo ngjarje, që sot e kësaj dite mbetet e vetme në historinë e futbollit europian, ku për fat, njëri prej tre protagonistëve është Shqipëria.
fotoo
23 maj 1948, Tiranë. St.Kombëtar “Qemal Stafa”. Shqipëria – Hungaria 0-0. Episod i vështirë për portierin Toth

Kështu, para se të mbërrijmë te 0-0 historik i ndeshjes Shqipëria – Hungaria, do të ndalemi te një ngjarje tjetër, po aq e jashtëzakonshme, e në një vështrim tjetër, ndoshta më tepër se e para. Në Tiranë mbrrin pra, skuadra Përfaqësuese e Budapestit, çka duket pak e çuditshme kur tashmâ në mjedisin e futbollit europian sapo ishte lajmëruar shpërthimi i Hungarisë së madhe. Eshtë fjala për dy ndeshje tipike të miqësisë socialiste. Ndonëse nën zë u tha se Budapesti vinte në Tiranë për të kuptuar pak a shumë se çka ishin lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë, të cilët mbas një muaji do të luanin me Hungarinë. Me një fjalë, këto dy ndeshje ishin një lloj hetimi futbollistik për kundërshtarët e mbas pak javëve për Hungarinë. Kombëtarja e Shqipërisë ishte bërë e rëndësishme.

Budapesti fiton 2-1 kundër Përfaqësueses së Tiranës ndeshjen e parë, por në të dytën më 11 prill 1948, djemtë e Adem Karrapicit janë të papërmbajtshëm. Fitorja e këtij seleksioni kombëtar shqiptar nën emrin Përfaqësuesja e Tiranës është përtej çdo parashikimi: 3-1 kundër Budapestit! Karrapici kësaj radhe ka të gjithë protagonistët e Ballkaniadës: Poselli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Fakja, Parapani, Kavaja, Boriçi, Biçaku, Mirashi. Është vërtet e çuditshme se si ia arrin t’i kombinojë kësisoj, me një saktësi të habitshme të gjithë këta 11 heronj të 46-ës dhe të mposhtë Csiskos, Laborsz, Buzanszky, Horvath – të katërt të Kombëtares së Hungarisë – baza e një 11-sheje të shkëlqyer kjo, e përbërë nga yje të Ujpeshtit, MTK, Ferencvarosh, Vashash – në të vërtetë një lloj Kombëtareje e dytë apo e tretë e Hungarisë legjendare. Ajo mbetet një nga ndeshjet më të mëdha të të gjithë historisë së futbollit shqiptar, e m? për këte ia vlen të botojmë skedën e plotë saktësuar vonë të kësaj ndeshjeje të rrallë, të gjykuar prej një embleme të arbitrimit shqiptar, siç mbetet i pashlyeshmi Ramazan Kuka.

PERFAQËSUESJA E TIRANES – PERFAQËSUESJA E BUDAPESTIT
3-1 13 prill 1948. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”.
GOLAT: Fagu 7′ (11-m), L. Boriçi 53′, Hratski 72′, L.Boriçi 72′.
PERFAQESUESJA E TIRANES: Poselli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Fakja, Parapani, Kavaja, L.Boriçi, Biçaku, Mirashi. PERFAQESUESJA E BUDAPESTIT: Csikos, Laborsz, Buzanszky, Szepfoedly, Dobos, Nagy, Suhay, Bihari, Varga, Hratski, Horvath (Hrotko).
GJYQTAR: Ramazan Kuka.

Dhe protagonisti i cili ka një emër të vetëm: Loro Boriçi – autor i dy golave të pandalshëm, madje edhe i një shtylle. E përcakton Anton Mazrreku me një brilant të gazetarisë sonë. Shkruan Mazrreku:

“Lojtar i ndritshëm, teknik i përsosur në përdorimin dhe në pasimin e topit shokëve. Kalime të matura deri në centimetër. E shkrojtur letra e golit, e ai vë vetëm nënshkrimin. Në 45 minutat e dyta të ndeshjes së 13 prillit Boriçi ka marrë vendim të shutojë. Gjuan: dy topa puthin rrjetin, një tjetër i rrufeshëm tund shtyllën pingule”.

Hungarezët e Budapestit kishin shtangur! Shqipëria e vogël me vetëm dy vjet Kombëtare të ndeshjeve ndërkombëtare, kishte treguar një futboll të rangut europian, siç po e thonin vetë hungarezët. A sillej gjithçka rreth Loro Boriçit dhe Sllave Llambit të cilët vetëm pesë vjet më parë kishin përshkuar edhe stadiumet e Kampionateve të Italisë – Kampione e Botës? Ndoshta…
KARAPICI
Trajneri i Shqipërisë 1948 prof.Adem Karrapici

Po trajneri, cili ishte vallë? Ishte Profesori ynë i paharrueshëm Adem Karrapici. Siç e kam treguar te “Libri i Kombëtares”, Adem Karrapici ka ardhur kur ka ikur trajneri jugosllav Ljubisa Brocic. Ishte 35 vjeç. Profesor i edukimit fizik, i diplomuar në ISEF-in e famshëm të Romës, pedagog i Gjimnazit të Tiranës së bashku me të paharrueshmin Gaqo Gogo. Duke qenë, përveç të tjerave, edhe gjyqtar i thuajse të gjitha sporteve, qysh prej basketbollit e deri te futbolli, ku sidomos në vitet ’40 mban peshën kryesore të gjykimeve të ndeshjeve të kampionatit kombëtar, Karrapici ishte një figurë tejet popullore e kryeqytetit. I përkiste një familjeje nobël të Tiranës, i qeshur, pasionant i madh, ndër të paktët që luajtën të gjithë kampionatet kombëtare të Paraluftës, ai nuk duhej të kishte rival për postin e trajnerit të Kombëtares. E kishte veshur fanellën e Shqipërisë në ndeshjen e 1936-ës në 11-shin historik themelues, ndërsa u ishte kushtuar sa sporteve aq dhe edukimit fizik të brezit të ri. Kishte qenë një nga ndihmësit e Brocic-it në titullin e Kampionit të Ballkanit të fituar prej një Shqipërie që kishte çuditur Europën.

Fitorja e këtij seleksioni kombëtar shqiptar nën emrin Përfaqësuesja e Tiranës është përtej çdo parashikimi: 3-1 kundër Budapestit – epiqendër e futbollit botëror të asokohe.

Mû prej këtu është shkuar te 2 maji 1948, te ndeshja e rrallë e Bukureshtit, kur nis një kampionat i çuditshëm për nga emri që do të quhej Kampionati Ballkanik dhe i Europës Qendrore. Në të vërtetë është një Kampionat midis vendeve komuniste, të cilët nën udhëheqjen e Stalinit “të madh”, në një farë mënyre, po sundonin Europën, sa politike, po aq dhe sociale e sportive. Do të luanin Rumania dhe Shqipëria, ndeshje prej së cilës do të lindte fitorja e parë dhe e vetme për 43 vjet radhazi jashtë fushe e Shqipërisë, Çka me vitet ajo rritej e rritej deri në legjendë. Është vërtet e rrallë. Karrapici nuk ndryshon asgjë, kaq besim ka te kjo 11-she e fitores me Budapestin dhe përsëri vetëm një ndërrim në pjesën e dytë: Dibra me Shaqirin. Duket si punë supersticioni prej të cilëve shpesh nuk shpëtonte as Karrapici.

Plot 30.000 shikues rumunë do të “shijonin” humbjen e skuadrës së tyre. Trajneri shqiptar është racional. “Lejini të sulmojnë” , – u thotë të tijve, duke ndërtuar një kundërsulm të pagabueshëm gjatë gjithë 90 minutave. Kështu mbrrihet te goli – simbol i katër dekadave të futbollit shqiptar – shënuar në të 65′ prej Pal Mirashit, një gol i ndërtuar prej treshes Biçaku-Kavaja-Boriçi, pasimi i fundit prej Boriçit, vërshimi i Mirashit në 16-tëshe dhe 1-0!

“Skentea” e Bukureshtit shkruante: “Mbrojtja shqiptare mundi skuadrën kombëtare të Rumanisë.” Gazeta tjetër “Rumania e lirë” theksonte: “Skuadra shqiptare ka një fizik dhe mbrojtje të hekurt”. Gazeta “Libertea” vë vulen kur thotë: “Shqipëria – një shtet i vogël me një sport madhështor”.

Na duhet të kthehehemi te 70 vjet e mâ, për të kuptuar rëndësinë e këtyre ndeshjeve, kur ende nuk kishte lindur Kampionati Europian dhe kur ende nuk kishte rifilluar as Kampionati Botëror. Ishte një fitore që merrte rëndësi europiane sepse në fund të fundit, mbrrihej kundër Rumanisë së një përvoje të përbotëshme çka i kishte dhënë vendin e 9-të në Kupën e fundit të Botës. Ishte një fitore e rrallë e një vendi i cili kishte vetëm 2 vjet që kishte nxjerrë në fushën e lojës Kombëtaren e tij përballë atyre të shteteve të tjera!

Përsëris edhe këtu: Adem Karrapici ishte padyshim protagonisti i jashtëzakonshëm i jashtëfushës. E ka shndrruar në lojtar – kyç, Sllave Llambin, të vetmin me të cilin kishte luajtur në kampionatet e viteve ’30 kur së bashku kishin fituar titullin e vitit 1937, dhe i ka dhënë hapësirë Boriçit.

A është nderuar sot e kësaj dite vepra tanësore e Prof. Adem Karrapicit sa në futboll dhe po aq a mos më shumë, vepra tjetër e tij në edukimin fizik të rinisë shqiptare të kohës?…

23 MAJ 1948: SHQIPËRIA – HUNGARIA 0-0! Shqipëria priste Ferenc Pushkashin. Ndërsa ai nuk do t’i afrohej, edhe pse rasti është ideal, kur Hungaria do t’i kthente vizitën Shqipërisë për Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore. Mû këtu ndodh çudia e madhe. Hungaria ishte në gjendje të krijonte deri tri Kombëtare dhe ja tek sjell në Tiranë njërën prej tyre. Ka qenë 23 maj 1948. Ditë e rastit më unikal në gjithë historinë e Kombëtareve të të gjithë shteteve të botës: Hungaria mbrenda një dite të vetme luan dy ndeshje zyrtare në rang Kombëtareje: 2-1 ndaj Çekosllovakisë në Budapest dhe 0-0 me Shqipërinë në Tiranë. Në të njëjtën mbasdite të 23 majit 1948!

E kam thënë me kohë, madje edhe këtu në “PanoramaSport”, dhe e përsëris: këte 0-0 të drejtuar nga trajneri Karrapici, ndeshje që na shndërroi në mëtues të Kampionatit në fjalë, ne e konsiderojmë një nga më të mëdhatë në historinë tonë. Edhe pse në të vërtetë ajo nuk qe 11-shja ideale e Hungarisë. Por emrat hungarezë të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” ishin po të mëdhenj dhe shtatë prej tyre e kishin veshur edhe më parë fanellën e Hungarisë së parë: Toth, Kispeter, Konya, Zakariash, Illovszky, Szilagyi, Kesztheyi. Ndërkohë që veçon rasti i të tetit, Vladislav Kubalës, njeriu i vetëm në historinë e futbollit botëror që do të luajë me tri Kombëtare të ndryshme: 6 ndeshje me Çekollovakinë, 3 ndeshje me Hungarinë dhe 19 ndeshje me Spanjën. Vetëm pak javë më parë kishte luajtur ndeshjen e fundit si pjesë e 11-shes së Kombëtares së Çekosllovakisë. Midis gjithë këtyre kaheve, mbas pak ai do të jetë edhe në 11-shen e një skuadre emigrantësh të arratisurish në Itali së bashku me Haki Korçën e Sportklub Tiranës, siç e kam shtjelluar me kohë, edhe te “Libri i Kombëtares”, përmes intervistës më origjinale që kam pas fatin të marr ndonjëherë, siç ishte ajo e aeroportit të Torontos së Kanadasë. Dhe me episodin ndër më të çmueshmit: Haki Korça do të më dhuronte foton e ndeshjes së themelimit të Kombëtares së Shqipërisë më 1936 – pjesë e së cilës kishte qenë edhe ai: Dovana, F.Janku, Malushi, Pizha, Karrapici, Xërxa, Kryeziu, Lushta, Korça, M.Gurashi, H.Begeja.

E edhe këtu me një reminishencë po hungareze, nëse mund ta quaj kështu, teksa shënojmë për të kushedisatën herë se trajneri ishte një hungarez: Samo Singer. E, më tej zotni Hakiu do të më dhuronte edhe foton e skuadrës së emigrantëve të luajtur në Itali ku së bashku me te në 11-ëshe janë dhe dy hungarezë të famës botërore: Vladislao Kubala dhe Gyula Zsengellér …

Dhe shkojmë te Hungaria 0-0 e Tiranës që vinte mbas fitores së bujshme 1-0 në Bukuresht të djemve të Karrapicit. Tashmâ Shqipëria kishte kulmin e saj, i pambërritur ende deri vetëm para nja katër vitesh (2016) nga pikëpamja historike. Ndeshja e Tiranës thuhet se luhej para 40.000 shikuesve të ngjeshur njeri përmbi tjetrin, se ndryshe nuk mund të merret me mend, shifër që e japin po kaq të gjitha gazetat e Tiranës, ndërsa arkivi hungarez e jep 35.000. Në tribunë janë edhe udhëheqësi i vendit Enver Hoxha e Dr. Omer Nishani si dhe Koçi Xoxe në daljen e tij të fundit në një veprimtari publike, sepse mbas pak do të arrestohet dhe do të vritet.

Nga ana historike ndeshja është kjo e skedës së mëposhtme, duke ndrequr gabimet e pseudohistorianëve, të cilët zhdukin 16 minuta lojë të Zihni Gjinalit të Shqipërisë dhe nja 40 minuta të Szabo-s së Hungarisë. Pa shkuar te tjetra; që e shkruajnë duke e shtyrë rrêjshëm në dy vjet më vonë, shkruar e zeza në të bardhë se ndeshja i përkiska, jo vitit të vërtetë 1948, por vitit 1950! Eshtë e vërtetë, nuk ka shkrime pa gabime dhe askush prej nesh nuk mund të krekoset duke thënë se “nuk gaboj”. Mirëpo, por kur “48”-ta shndërrohet në “50” dhe kur shtrembërimet historike në një shkrim të vetëm janë aq të shpeshta, atëherë kemi plotësisht të drejtë të themi se kjo ndodh jo vetëm prej padijes së autorit, por edhe prej mungesës së ndërgjegjes e të vetëkontrollit për çka shkruan. Ja dhe saktësia:
borici me hungarine
Nga ndeshja e 23 majit 1948, Shqipëria – Hungaria 0-0. Kapitenët Gyula Szilagyi dhe Loro Boriç

SHQIPËRIA – HUNGARIA 0-0
23 maj 1948. Tiranë. St. Kombëtar “Qemal Stafa”.
SHQIPERIA: Poselli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Vathi, Parapani (Z.Gjinali 74′), Kavaja, L.Boriçi, Biçaku, Mirashi. TRAJNER: Adem Karapici.

HUNGARIA: Toth; Kovacs, Kispeter, Konya; Horvath, Zakarias; Illovszky, Kubala, Szilagyi, Keszthelyi, Pinter (Szabo 50′).
TRAJNER: Gallowich Tibor (delegon në Tiranë trajnerin Kiraj).
GJYQTAR: Leo Lemesic (Jugosllavi). SHIKUES: 40.000.

Është një skedë që hyn fuqishëm në historinë e futbollit botëror, jo thjesht se Shqipëria barazon 0-0 me një variant disi tjetër të Hungarisë – edhe kjo 11-she hungareze po e madhe – por sepse kjo e Tiranës ishte njëra nga dy ndeshjet të cilat një kombëtare e një shteti të vetëm kishte luajtur mbrenda një dite kundër dy shteteve të ndryshme. Sot e kësaj dite ky është pra, rasti i vetëm në historinë e njerëzimit që një shtet pranon të luajë futboll me dy shtete të ndryshme mbrenda një dite të vetme, Shqipëri dhe Çekosllovaki, Tiranë dhe Budapest! 23 maj 1948!

Ja tani edhe skeda tjetër, ajo e ndeshjes tjetër të Hungarisë, asaj me Çekosllovakinë, po më 23 maj, por në Budapest, që vlen për të kuptuar se cilat kanë qenë këto dy superskuadra hungareze , lojtarët e të cilave mbas vetëm mbas pak kohe do të trondisnin gjithë rruzullin e futbollit:

HUNGARIA – ÇEKOSLLOVAKIA 2-1
23 maj 1948. Budapest.
HUNGARIA: Heni; Rudas, Nagy II, Balogh II; Kovacs, Kéri (Nagymarosi 34′); Egresi, Szusza, Deak, Puskas, Toth III. TRAJNER: Gallowich Tibor.
ÇEKOSLLOVAKIA: Havlicek; Senecky, Marko, Vedral; Pokorny, Karel; Kokstejn, Rygr, Malatinsky, Subert, Klimek. GOLAT: Egresi 16′, Deak 73′, Subert 81′.
GJYQTAR: Marijan Matancic (Jugosllavia).
SHIKUES: 37.000.

Interesant është se të dy këto ndeshje i gjykojnë dy gjyqtarë të mirënjohur jugosllavë. Madje ate Hungaria – Çekosllovakia e gjykon Marijan Matancic, njeriu i cili dy vjet më parë, më 1946, kishte gjykuar ndeshjen vendimtare Shqipëria – Rumania 1-0 që i dha Kombëtares shqiptare titullin e Kampiones së Ballkanit. (Shih librin tonë “Ballkaniada 1946”).

Midis këtyre dy ndeshjeve të një dite, nëse Europa e quan diçka të natyrshme fitoren 2- 1 të hungarezve ndaj çekosllovakëve, 0-0 i Tiranës përbën një ngjarje të papame për botën e futbollit.

Është një rezultat mbarëeuropian për kah rëndësia.

Dhe vetëm 35 ditë më vonë Karrapici ka kulmin tjetër me skuadrën e tij: Beograd, Jugosllavia – Shqipëria 0-0. Ajo Jugosllavi e cila një muaj e gjysmë më vonë do të fitojë medaljet e argjenta në Olimpiadën e Helsinkit me plot 8 lojtarë të 11-shes së 0-0 me Shqipërinë: Franjo Sostaric, Miroslav Brozovic, Miodrag Jovanovic, Zlatan Cajkovski, Rajko Mitic, Stjepan Bobek, Bernard Vukas, Prvslav Mihajlovic. Çka do të thotë tri ndeshje të mëdha me asnjë gol të pësuar. Trajneri hungarez Kiraj guxon e thotë se “mbrenda tri vjetëve Shqipëria do të jetë ndër konkurueset më të mira në botë”! Kjo nuk ishte dëgjuar asnjëherë dhe s’ka për t’u dëgjuar kurrë më mbas kësaj Shqipërie 1948, që pa dyshim e kishte tejkaluar Ballkaniadën 1946. Mbas barazimit me Hungarinë, Shqipëria kryeson renditjen dhe mbas barazimit me Jugosllavinë, renditja e Kampionatit Ballkanik dhe të Europës Qendrore në ate ditë të 23 majit 1948, kur Hungaria luan dy ndeshje, saktësisht është kjo:

polonia grupi

Ishte një renditje e përkohshme, që kryesohet jo nga Shqipëria, siç shkruhet me nxitim e pasaktësi, por nga Polonia për golavarazh, mbas së cilës po me nga 3 pikë vijnë Hungaria dhe Shqipëria. Kjo është treshja “e madhe” për çastin, sepse gara vazhdon…

Do të vazhdojë për t’u ndërprerë përsëri. Ose e thënë më qartë, për t’u ndërprerë dhe për të mos përfunduar kurrë më. Këtë do ta vendosë pa mëshirë Informbyroja e Stalinit që për shkak të “tradhtisë” së kampit komunist prej Jugosllavisë së Titos, urdhëron mosluajtjen më tej të këtij kampionati origjinal midis shteteve komuniste.

Kështu, kur më 7 nëntor 1948, Bullgaria fiton bujshëm 1-0 me Hungarinë në Sofje, gjithçka ndërpritet dhe në histori mbetet në fuqi kjo renditje e pandryeshme deri më sot, historike për Shqipërinë:

europa qendrore dhe ballkani
Shihet që Hungaria kryesuese është botë tjetër. Sidoqoftë, është një ndër kujtimet më të çmueshme që historia sado modeste e futbollit shqiptar, ruan. Shqipëria është vetëm 1 pikë larg tri të dytave. Por po të merrej mesatarja e pikëve për ndeshje, ajo është e treta mbas Hungarisë dhe Jugosllavisë. Dhe çka është më interesantja: do të duhej të luheshin edhe pesë ndeshje: Jugosllavia – Hungaria, Jugosllavia – Bullgaria dhe tri ndeshje të Shqipërisë në fushën e saj: Shqipëria – Bullgaria, Shqipëria – Polonia dhe Shqipëria – Çekosllovakia. Çfarë mund të ndodhte me Shqipërinë e tri ndeshjeve të paluajtura – më shumë se asnjë skuadër tjetër, në një kalendar kësisoj tejet të çuditshëm në sendërtimin e tij? Enigmë! Historia ishte ndërprerë…

Do të vazhdojmë me risi të tjera, dramatike sigurisht, dhe prapë me përgënjeshtrime. Në të vërtetë, e gjitha kjo, është jo pak e mundimshme, por sidoqoftë është dhe e bukur e tërheqëse të merresh me te. Ndërkohë që, nuk ka rrugë tjetër derisa të ndalohet liria e shfrenuar në të shkruar, ndalim çka në tanësi i shërben edhe luftës kundër pandërgjegjshmërisë në profesionin e gazetarisë.

* Për vazhdimësi shih pjesën e parë të këtij Dossier-i në “Panorana Sport” të 3 tetorit 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"