Kuptimi “kritik” i 50 vjetëve të kualifikimit të parë: Partizani-Atvidaberg i Suedisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 23:41


Kuptimi “kritik” i 50 vjetëve të kualifikimit të parë: Partizani-Atvidaberg i Suedisë

BESNIK DIZDARI

BESNIK-DIZDARI

1.

Kështu pra, sapo kemi hyrë në 50-vjetorin e kualifikim it të parë të një klubi shqiptar në Kupat e Europës: 1970, Atvidaberg i Suedisë – Partizani 1-1 e 0-2 për Kupën e Kupave të Europës. Nuk di nëse dikush, në radhë të parë klubi Partizani, por sidomos FSHF, do ta përkujtojnë këtë ngjarje, apo jo. Ndonëse nuk kam asnjë shpresë për këtë. Historia e sportit shqiptar rrezikon të marrë fund. Ajo po shtresohet në harresa të thella nëntokësore, si dhe në shumë shtrembërime të së vërtetës, deri aty sa s’ka ku shkon më.

partizani 1970

Partizani 1970 që i dha Shqipërisë kualifikimin e parë në Kupat e Europës. Lart nga e majta: Suv.Seferi, Cani, Shllaku, trajneri L.Boriçi, Muhedini, Berisha, Çako. Ulur nga e majta: Ziu, Balluku, Thaka, A.Janku, Bizi, Pano.

Shqipëria, KOKSH në radhë të parë, ministritë e Arsimit e të Sporteve apo dhe të Kulturës të të gjithë këtyre 20 e më vjetëve të fundit, as që kanë dashur t’ia dinë për këto harresa. Sigurisht nuk janë vetëm ata fajtorët. Nuk mund të shpëtojë Universiteti i Kulturës Fizike, për të cilin nuk e di nëse ka një katedër të historisë së sporteve. Nuk mund të shpëtojë as KOKSH, sepse përveç të tjerave, dihet se kurrë problematika aktuale sportive nuk mund të merret e shkëputur nga historia sportive e olimpike, madje, e një kombi. Kësisoji, edhe pse kjo çështje duket si diçka e vjetër e viteve të shkuara, përimtimet, studimet historike të sporteve kanë të bëjnë pikërisht me zhvillimet aktuale të tyre.

Më ka bërë përshtypje të mirë pak kohë më parë, një takim i shkurtër, i rastësishëm me zëvendësministrin e Arsimit dhe të Sporteve, Kostandin Shkurti – përveç të tjerave, një basketbollist i paharrueshëm i 17 Nëntorit dhe Shqipërisë – tek i cili kuptova ndjeshmërinë apo shqetësimin e tij për përmirësimin e jetës sportive në Shqipëri.

Dhe dihet që ministria përkatëse luan një nga rolet parësore të një zhvillimi kësisoji, mbi të gjitha të një politike të ecurisë së këtij zhvillimi. Po këtë kurrë nuk mund ta bëjë një zëvendësministër i vetëm. I duhen krahë të fortë, çka nuk di nëse i ka apo jo, siç lashë të kuptohej paksa në atë takim të shkurtër…

Ndërkaq, duke iu kthyer kësaj eseje historike të sotme, teksa Kampionati Kombëtar i Futbollit ndodhet gjithnjë në rënie e sipër, më lind pyetja: A e dinë se mjerimi i kualifikimeve të klubeve shqiptare të futbollit në Kupat e Europës na thotë se kualifikimi i fundit shqiptar ndaj një klubi elitar të Europës u përket 32 vjetëve më parë?

Ka qenë eliminimi i Partizanit të Beogradit prej Flamurtarit të Vlorës më 1987, çka do të thotë se jemi 32 vjet mbrapa! Dhe kujtoj se në dy edicionet e fundit të kësaj pjesëmarrjeje shqiptare klubesh (2018-’19 dhe 2019-’20) kemi vetëm dy kualifikime krejt modeste të KF Kukësit me La Valletta të Maltës dhe të Laçit me Anorthosis të Qipros. Ndërsa në edicionin që sapo kaloi, ky 2019-’20, asnjë kualifikim, edhe pse kundërshtarët qenë më se modestë!…

ramazan rragami

Partizani – Atvidaberg i Sudisë 2-0. Ramazan Rragami sapo ka shënuar golin e tij.

Kështu, gjykimi i vërtetë kritik i sotëm na vërteton se asnjë prej kualifikimeve të klubeve shqiptare, tejet modeste, të mbas atij viti të famshëm 1987 nuk mund t’i afrohen sado pak atij të Flamurtarit 1987. I përshkuar madje në tri ture të Kupës së Europës që kulmon deri me fitoren 1-0 me Barcelonën legjendare të Spanjës.

Mos harroni: Është fjala për Flamurtarin e Vlorës, për ne të famshëm, ai që falë organizimeve naive dhe prepotente të Kampionatit të sotëm Kombëtar të Futbollit prej FSHF-së, rrezikon të zbresë në Kategorinë e Dytë, pra të degdiset jashtë Kampionatit të parë Kombëtar të Shqipërisë! Kësisoji, na duhet të pranojmë se Shqipëria e futbollit të klubeve, për fat të keq, ka përmbyllur historinë e saj dinjitoze në Europë qysh 32 vjet më parë. Mjerim!

E filluar më 26 gusht 1962 në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshjen IFK Norrköping – Partizani 2-0 për Kupën e Kampioneve të Europës, këto gjashtë dekada, futbollit të klubeve shqiptare në Europë do t’i duheshin plot 8 vjet për të mbërritur te kualifikimi i parë, ky i Atvidaberg të Suedisë. Po më parë le të kujtojmë këtu dy ndeshjet e para, të rralla, të paharrueshme në krejt përmbajtjen e tyre befasuese për një vend të vogël si Shqipëria – e vetmja e cila kishte munguar të shfaqej në Europë në shtatë vitet e para të Kupave të Europës (1955-1962). Për fatin e tyre të mirë, tek i kanë gati plagjiatorët të cilët në Shqipëri nuk mungojnë kurrë. Janë këto:

Norrköping, 26.08.1962, st. “Idrottsparken”

IFK NORRKÖPING – PARTIZANI 2-0

IFK NORRKÖPING: Nyholm – Lind, Rosander – Ohlsson, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Björklund, Martinsson, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.

PARTIZANI: Maliqati, – Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, Shllaku – Ndini, Merja, – Kraja, Pano, Resmja, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.

GOLAT: Bild 55′, Rosander 74′.

GJYQTAR: L.Gulliksen / NOR.

SHIKUES: 12.271.

Tiranë, 12.09.1962, st. kombëtar “Q.Stafa”

PARTIZANI – IFK NORRKÖPING 1-1

PARTIZANI: Janku – Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, Ndini – Shllaku, Gjoka, Kraja, Jashari, Pano, Resmja. TRAJNER: L.Boriçi.

IFK NORRKÖPING: Nyholm – Lind, Rosander – Björklund, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Martinsson, Kindvall, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.

GOLAT: Kindvall 6′, Kraja 48′.

GJYQTAR: V.Korelus / CZE.

SHIKUES: 18.000.

Këtu ka nisur aventura jonë. Protagonisti ka qenë Partizani i Loro Boriçit, i cili kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken” të Norrköping-ut, kur ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, kishte befasuar Europën e futbollit. Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyhol, Bild dhe Johansson, shto këtu dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare.

partizani atvidaberg

Partizani – Atvidaberg i Suedisë 2-0. Shënon Panajot Pano

Nuk ka asnjë dyshim se jo vetëm në të dhënat e shifrave, por sidomos 1-1 i Tiranës (gol i të paharrueshmit Kolec Kraja) për ne që kemi qenë të pranishëm në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, pra nuk e kemi me të treguar apo informacion të vjedhur diku, përbën një nga mrekullitë e futbollit shqiptar. Ka ngjarë plot 57 vjet më parë!

2.

Një herë, vite më parë, pata guxuar të pyesja: Mos kemi shkuar 43 vjet mbrapa në ndeshjet me klubet në Europë? Sot po saktësoj: E pakta jemi 32 vjet mbrapa. E them këtë kur kujtoj Flamurtarin 1987, e pse jo, kur kujtoj nismëtarin tonë të pashlyeshëm me emrin Partizan: në Atvidaberg – Partizani 1970 të pesë dekadave më parë Një vit më vonë, më 1963, Partizani fiton 1-0 në Tiranë me kampionen e Bullgarisë, Spartak Plovdiv, përsëri me golin e pamungueshëm të Kolec Krajës, sulmues i krahut të djathtë, i shpejtë, teknik, goditës i shkëlqyer. Dhe humbje 1-3 në Plovdiv.

Një vit tjetër më vonë, më 1964, vjen kampionia e parë e Bundesligës, Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e kombëtares së Gjermanisë, kampionin e botës (1954) Schafer dhe kampionin e ardhshëm të botës, Owerath, po dhe dy nënkampionët e ardhshëm të botës, Weber e Löhr. Dhe Partizani – Köln 0- 0 para 25.000 shikuesve të shtrënguar në tribunat e gurta të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, sot të zhdukur prej arrogancës së njerëzve kundërhistorikë.

Ka qenë një 0-0 përtej historisë. Absolutisht një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar, një 0-0 të cilin për 90 minuta të tana Partizani e kërkoi ta shndërronte të paktën në 1-0 për të. Lin Shllaku ndoshta qe lojtari më i mirë dhe këtë nuk e them për episodin e paprecedent të fundit të ndeshjes kur kapiteni Schafer, i ndalur në mesin e fushës, e kërkoi me sy ku ishte Lini i paharrueshëm dhe nxitoi të shkonte t’i shtrëngonte dorën. E kam parë me sytë e mi këtë episod të rrallë të nderimit të një futbollisti shqiptar prej një kapiteni të madh të Gjermanisë.

Ndërkaq, le t’i paraqesim këto dy skeda të një rëndësie të paparë historike për futbollin tonë, ku shifra e 26.483 spektatorëve të duelit të Tiranës tregon se dikush ka arritur të mësojë numrin e imtë të biletave të shitura të ndeshjes së “Qemal Stafës”. Por në Köln do të ishin plot 45.236 spektatorë.

Tiranë. 09.09.1964, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”

PARTIZANI – KÖLN 0-0

PARTIZANI: Janku – Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema – Shllaku, Kraja – Bespalla, Ndini, P.Pano, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.

KÖLN: A.Schumacher – Pott, Regh – Weber, Wilden, Sturm – Thielen, Schafer, C.Müller, Overath, Hemmersbach. TRAJNER: G.Knöpfle.

GJYQTAR: S.Varazdinec / YUG.

SHIKUES: 26.483.

Köln. 23.09.1964, st. “Murngersdorfer Stadiun” 

KÖLN – PARTIZANI 2-0 

KÖLN: A.Schumacher – Rumor, Regh – Benthauz, Weber, Sturm – Thielen, Schafer, C.Müller, Overath, Löhr. TRAJNER: G.Knöpfle.

PARTIZANI: Janku – Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema – Shllaku, F.Andoni – P.Pano, Ndini, Jashari, T.Shehu. TRAJNER: L.Boriçi.

GOLAT: Sturm 80′, Overath 90′.

GJYQTAR: D.Huber / SUI.

SHIKUES: 45.236.

Janë skeda që flasin vetëm për madhështinë e këtyre ndeshjeve. Vështroni! Të dy golat e kampiones së Gjermanisë u përkasin minutave 80 dhe 90! S’ka nevojë për koment. Loro Boriçi me këto dy ndeshje, përveç ato të IFK Norrköping-ut suedez, ka dy kryevepra të tjera të tij paharrueshme. Po ku ishte Atvidabergu i Suedisë?…

3.

Shqipëria ka vonuar tejet për të marrë kualifikimin e saj të parë në Kupat e Europës, por kur ky do të mbërrinte, pa dashur t’ia zvogëlojmë vlerat për ndonjë qëllim, nuk mund të krahasohej për nga vlerat dhe buja me fillimin sensacional të ndeshjeve të mëdha me IFK Norrköping-un dhe 1 FC Köln-in.

Ndërkohë, në stinën 1965-’66 Shqipëria paraqitet për herë të parë në Kupën e Kampioneve me 17 Nëntorin e Tiranës (SK Tirana) – Kampionia e re që ndërroi rrjedhën epokale të Partizan Dinamos në kreun e Kampionatit Shqiptar, dhe vetëm 1 gol e ndan atë nga Kilmarnock e Skocisë: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Kilmarnock, dy ndeshje të forta, por pa shkëlqimin e atyre të Partizanit. 17 Nëntori i rikthehet Kupës së Kampioneve në stinën 1969-’70 përballë kampiones së Belgjikës, me një skuadër mbretërore belge Standard i Liezhit me emrin kuptimplotë origjinal “Royal Standard Club Liegeois”, dhe 1-1 i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa’ – një përfundim më se i pranueshëm, kur mendon se në 11-shin belg kishte firma të mëdha si Piot, Thissen apo dhe dy kombëtarasit e mëdhenj të Jugosllavisë, Galic dhe Takac.

Para kësaj pjesëmarrjeje Shqipëria kishte bërë veprimin e saj të parë të tërheqjes nga Kupat e Europës, kur më 1967, ajo nuk kishte pranuar të luante me kampionen e Gjermanisë, Eintracht i Braunschweig-ut, çka sot e kësaj dite mbetet një mister i vërtetë.

Ngjarja, të cilën deri më sot nuk e kemi përmendur asnjëherë, ka të bëjë me Dinamon e Tiranës, kampionen artificiale të vitit 1967, e cila u shpall e tillë pa pikë merite, por vetëm për shkak të përjashtimit të pashembullt prej Kampionatit Kombëtar të 17 Nëntorit e Partizanit disa javë para mbarimit të tij! Askush nuk e ka shpjeguar përse-në e kësaj tërheqjeje, por nën zë u tha se qarqe të caktuara “keqdashëse” për Shqipërinë Socialiste në Europë, po studionin mundësinë e mospranimit të mëpastajmë të Dinamos, sepse ajo ishte një kampione e papranueshme për kancelaritë europiane të futbollit, përderisa ishte paracaktuar si e tillë me një vendim të paprecedent tryeze në historinë e futbollit botëror: përjashtim nga kampionati i kampiones së siguruar 17 Nëntori, për gjoja një rrahje të futbollistëve të saj me ata të rivales Partizani pak javë para mbarimit të kampionatit! Të gjitha këto argumente ende të pavërtetuara plotësisht sot e kësaj dite.

Kështu, klima e futbollit dukej disi e ndezur, ashtu si dhe ajo politike, teksa pasonte në vitin fatthënë 1968, kur Shqipëria komuniste nis e ndien një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik pas pushtimit të Çekosllovakisë dhe kur tash edhe zyrtarisht ajo bënte dhe tërheqjen e saj nga Traktati i Varshavës. Është e çuditshme se si pikërisht në këtë periudhë, gjeopolitika e futbollit shqiptar prodhon dy ngjarjet ndoshta më të mëdha të historisë së tij të klubeve në Kupat e Europës…

Ngjarja e parë i përket 18 shtatorit 1968 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Kupa e Kupave të Europës. Partizani – Torino e Italisë 1-0! Kjo është fitorja e parë e madhe e futbollit të Shqipërisë në një garë europiane. Kësisoji, edhe fitorja e parë e Shqipërisë kundër një skuadre perëndimore në ndeshjet e Kupave të Europës e për nderin e futbollit tonë, ajo është fitore ndaj një prej skuadrave më të lavdishme të vetë Evropës, siç ishte Torino – legjendar, në vitet ’40, i shuar prej katastrofës së Superga-s – deri asokohe 6 herë kampion i Italisë (1928, 1943, 1946, 1947, 1948, 1949) dhe 3 herë fitues i Kupës Kombëtare (1936, 1943, 1968).

Torino 1968 përbën, ndërkaq, ndeshjen parë të Shqipërisë në Kupën e Kupave të Europës. Torino ishte fituesja e Kupës së Italisë dhe lojtarët e kombëtares së Italisë, Vieri, Puia, Poletti, Agropi, sidomos kampioni i Europës, Ferrini, si dhe francezi i mirënjohur Nestor Combin i kombëtares së Francës – përbënin një gjashtëshe të një kalibri që sillte në Kupën e Kupave një Torino të fortë, për më tepër përfaqësuese e një vendi si Italia e cila vetëm 3-4 muaj më parë, saktësisht më 10 qershor 1968, pas dy finaleve dramatike 1-1 dhe 2-0 me Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit, ishte shpallë kampione e Europës.

“Kujtova se nisi lufta, por të nesërmen kam përjetuar një ndeshje të frikshme, kam shijuar një ‘libero’ të rangut europian (Spiro Gjika), një kapiten stoik (Lin Shllaku) dhe një organizim të përsosur në mesfushë (Sabah Bizi – Ramazan Ragami)”, siç do të shkruante një gazetar i vjetër italian pas ndeshjes, duke i dhënë edhe ai jo pak ngjyra “lufte” mjedisit të rënduar shqiptar. Në orën 15:30 të 18 shtatorit 1968, rreth 30.000 shikues, siç u njoftua se ishin, Partizani nis dhe interpreton mrekullinë e tij, atë që gjithnjë e kam pasë përcaktuar si “perla e futbollit shqiptar”. Ngjyrat e kuqe të fanellave të Torinos e detyrojnë skuadrën me emrin luftarak “Partizani”, që të zbresë në fushë me kostumin e bardhë – në të vërtetë ai ishte kostumi rezervë i Kombëtares së Shqipërisë, çka vërtetohet edhe nga stema e Republikës e mbajtur jashtë çdo protokolli mbi fanellë!

Në 11-shin e trajnerit Refik Resmja – figurë unikale e futbollit shqiptar – gjejmë plot 8 futbollistë kombëtaras: M.Janku, M.Gjika, T.Vaso, R.Ragami, L.Shllaku, Bizi, Pano, Jashari. Ishte 11-shi i Resmes së madh, i cili pasi kishte lënë mbrapa karrierën e tij të bujshme si futbollist, regjistronte në historinë e tij këtë kujtim madhështor të futbollit si trajner me këtë fitore përtej historisë kundër mbajtëses së Kupës së Italisë – Kampione e freskët e Europës! Humbja 1-3 e Partizanit në ndeshjen e kthimit në Torino, tash me bashkëtrajner edhe Loro Boriçin, më 2 tetor 1968, ka padur dramaticitetin e saj dhe Partizani e ka lënë “Stadio Comunale” të Torinos me kryet lart. Ja ndërkaq dhe skeda jonë historike:

18 shtator 1968, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” 

PARTIZANI – TORINO 1-0 

PARTIZANI: M.Janku, M.Gjika, S.Gjika, T.Vaso, R.Ragami, Shllaku, Bajko, Shaqiri, Bizi, Pano, Jashari (Çiraku 46′). TRAJNER: Refik Resmja.

TORINO: Vieri, Poletti, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi, Carelli (Mondonico 30′), Ferrini, Baisi, Moschino, Facchin (Corni 56′). TRAJNER: Edmondo Fabbri.

GOLAT: Shaqiri 46′.

GJYQTARE: M.Gugulovic (Jugosllavi).

SHIKUES: 30.000.

Sot po shtoj këtu edhe skedën e ndeshjes së kthimit, qoftë për të bërë një “errata corrige” të librit tim të “Sabah Bizi … Dhe brezi i tij”, ku gabimisht është shënuar Torino – Partizani 1-3, në vend që të ishte 3-1:

Torino, 2 tetor 1968, “Stadio Comunale” 

TORINO – PARTIZANI 3-1 

PARTIZANI: M.Janku, M.Gjika, S.Gjika, T.Vaso, Shule, R.Ragami, Shllaku, Bajko, Bizi, Pano (Çiraku 76′), Shaqiri. TRAJNERË: Loro Boriçi & Refik Resmja.

TORINO: Vieri, Trebbi, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi (Carelli 10′), Mondonico (Corni 70′), Agroppi, Combin, Moschino, Facchin. TRAJNER: Edmondo Fabbri.

GOLAT: Carelli 22′, Facchin 28′, Mondonico 59′, Bajko 86′.

GJYQTAR: Krnavec (Çekosllovakia).

4.

Do të duheshin edhe dy vjet për të mbërritur te Atvidabergu: 2 shtator 1970. Do të ndodhë kualifikimi i parë i Shqipërisë në Kupat e Europës, çka nis në pamjen e ndeshjes së partë po aq të jashtëzakonshme, skedë e saktësuar mbas mundimeve jo të pakta.

23 gusht 1970, Atdidaberg, stadiumi “Kopparvallen” 

ATVIDABERGS FF – PARTIZANI 1-1 

GOLAT: Bizi 2′, Franzen 61′.

ATVIDABERGS FF: Blomberg, Olsson, Johansson, Gustafsson, Karlsson, Ljungberg, Augustsson, L-G.Andersson, Eklund, Franzen, Torstensson (Schenell 46′). TRAJNER: Bengt Gustavsson.

PARTIZANI: Muhedini, Seferiaj, Cani, S.Berisha, Ziu, Shllaku (Thaka 80′), R.Rragami, Bizi (T.Shehu 87′), Pano, Balluku, A.Janku. TRAJNER: Loro Boriçi.

GJYQTAR: R.Schaut (Belgjikë).

Ndeshja e dytë do të jetë, pra, ndër të rrallat në historinë tonë, jo thjesht sepse është kualifikimi i parë i një klubi shqiptar në Kupat e Europës, në këtë rast në Kupën e Kupave, por mbi të gjitha, për nivelin e lartë që paraqiti Partizani nën drejtimin e pashlyeshëm të trajnerit Loro Boriçi, i cili do të mbyllte pikërisht në këtë 1970, pjesën tjetër të karrierës së tij të rrallë për një trajner shqiptar, atë të klubeve në Kupat e Europës: Norköping i Suedisë, Köln i Gjermanisë, Torino i Italisë (së bashku me Resmen), Spartak i Bullgarisë dhe më së fundi vepra e parë e një suksesi europian: kualifikimin e parë të një klubi shqiptar në Europë. Dhe me fituesen e Kupës së një vendi që kishte mbërritur deri në nënkampion i botës: Suedia! Mos ia kemi harruar këto mrekulli shqiptare Loro Boriçit?…

Dhe vetëm pak ditë më mbas Boriçi e bën Partizanin kampion të Ballkanit, i vetmi rast sot e kësaj dite për ne. Kishte formuar një skuadër të mrekullueshme, një kombinim i shkëlqyer Shllaku-Bizi-Pano (R.Ragami huazohej nga Vllaznia), çka e bënte boshtin e skuadrës tejet të fuqishëm, në një kohë që shtatlartësia e treshes Berisha-Ziu-Cani nuk ishte parë kurrë në një mbrojtje shqiptare që gjente një përkryerje më tepër te shpërthimet e krahëve të sulmit Balluku e Janku. Ky ishte viti i madh 1970 i futbollit shqiptar të klubeve, ndonëse mbyllet me eliminimin e papritur të Partizanit me Vaker të Insbrukut në turin e parë, mbas humbjes shpresëdhënëse 2-3 në Insbruk që pasohet nga 1-2-shi i Tiranës, çka për pak sa nuk shkaktoi kryqëzimin e trajnerit Loro Boriçi!

Do të mbetej 1970-ta një vit i një vije demarkacioni, me guximin shqiptar për t’u përfshirë në Europë, me stepjen se përballë një çizolimi befasues (pjesëmarrje jo në një, por në dy kupa tashmâ, atë të Kampioneve dhe të Kupave) dhe në fund të fundit, me nëpërmendjen e parë për të mos vazhduar, për të ndërprerë pra. Dhe bash ndërprerja do të ishte “arma” gjeopolitike më e dashur e regjimit.

Në kancelaritë e Komitetit Qendror të Partisë, gradualisht po binte edhe hija e një izolimi sportiv të pritshëm. Merrej me mend se Federata Shqiptare e Futbollit së cilës edhe emri i përmendej rrallë, tejet rrallë (njihej më tepër si “sektori i futbollit”), assesi nuk mund të kishte iniciativën përmbi zyrat e ndërtesës së gurtë, të kuqërremtë “sovjetike” të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Më 2 shtator 1970, trajneri Boriçi ua del suedezëve po me atë 11-sh që i kishte të gjitha: mbrojtjen më shtatlartë, ndoshta në krejt historinë e futbollit shqiptar në ndeshje europiane për klubet, atë Muhedini, Berisha, Ziu, Cani, përjashto paksa Suvorov Seferin; mandej dy hijeshitë e mesit të fushës Shllaku – R.Rragami .

E prej këtu te Bizi elegant në fizik, elegant në lojë, elegant në pasim, elegant apo tejet fin në mendim, kësaj radhe ndoshta një mesfushor sulmues. “Shpirti i repartit sulmues ishte Pano i ndihmuar mjaft nga Bizi”. Këto radhë të shtypit të mbas asaj dite të Partizani – Atvidaberg 2-0, që po i përsëris edhe këtu, them kanë qenë emblema e kësaj ndeshjeje. Siç kam shkruar edhe një herë tjetër, në bllokun tim, tash të drobitur prej viteve, kam shënuar këtë fjali: “Asnjëherë nuk kam pa një lojë më kolektive prej një skuadre shqiptare në një ndeshje ndërkombëtare”. E, edhe nëse dua ta quaj si vendimtare lojën në mesfushë të Bizit, ndoshta nuk do të isha krejt i drejtë, sepse me të, aty janë pra edhe Shllaku e Rragami, e ashtu si dy vjet më parë, kjo treshe jo fort jetëgjatë në futbollin tonë, prapëseprapë është vendimtare.

Ndërkaq, Shllakut i duhej të kthehej shpesh mbrapa për te mbrojtja, çka me Seferin, Berishën, Ziun e Canin, thuajse u bë e pakalueshme, sidomos për djem të kalibrit europian siç ishin Eklund apo Sandberg. Rragamit i duhej të vështronte jo pak te sulmi, ndërsa Bizit të ishte një ndihmës dhe ndërlidhës i njëkohshëm në tri fronte: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Dhe më tej: ka shkëlqyer Panajot Pano 31- vjeçar përtej rinisë dhe pjekurisë së tij. “Shpirti i repartit sulmues ishte Pano i ndihmuar mjaft nga Bizi”, pra. E ndeshja sigurisht ka dramaticitetin e saj, çka do të përmblidhet në këto katër episode kulmore, të njohura tashmâ: E 12-ta minutë është e Bizit. Nga këndi godet Agim Janku dhe Bizi plot teknikë me krye, por topi “udhëton” vetëm ngjitur me shtyllën, kur goli dukej punë e kryer.

E 15-ta i përket Panos, ndonëse topi për të shkon po përmes këmbëve të Bizit. Dhe Panajoti, nga 20 metra larg, nxjerr nga arsenali i tij gjuajtjen që u bë historike. Është tronditje deri në “fortissimo”: 1-0! Minuta e 42-të është e “bombës” së Shllakut nja 25 metra larg dhe Blomberg, që grushton. E 44-ta është e Ramazan Rragamit, por edhe në këtë përpunimi vjen prej këmbëve të Sabah Bizit, i cili ia vë topin mbi “pjatancë”. Rragami shënon me krye, diçka e rrallë për mjeshtrin, pa praninë e të cilit Partizani nuk bën. Është 2-0 përtej historisë! Ndoshta më fort se asgjë flet vetë skeda e pamjes së kësaj ndeshjeje të jashtëzakonshme, e mirëplotësuar edhe kjo për herë të parë në këtë botim:

2 shtator 1970, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” 

PARTIZANI – ATVIDABERG I SUEDISË 2-0 

GOLAT: Pano 15′, R.Rragami 44′.

PARTIZANI: Muhedini, Seferi, Berisha, Ziu, Cani, Shllaku, Balluku (Thaka 66′), R.Ragami, Bizi, P.Pano, A.Janku. TRAJNER: L.Boriçi.

ATVIDABERG: Blomberg, Olsson, Karlsson, Andersson, Gustafsson, Augustsson (Franzen 55′), L-G.Andersson, Ljungberg, Vallinder, Eklund, Sandberg (Johanson 80′). TRAJNER: Bengt Gustavsson.

GJYQTAR: Babadzan (Turqi).

SHIKUES: 20.000.

Tash, edhe për ta mbyllur, në këtë kontekst të ri “kritik” të këtij shkrimi, po i kërkoj prapë ndihmë librit “Sabah Bizi… Dhe brezi i tij”, për të vënë si të thuash nja dy pika mbi “i”. Doemos atë ditë shtatori 1970, si gazetar i të përditshmes “Bashkimi”, që falë meritës dhe largpamësisë së një kulture mirëfilli qytetare të kryeredaktorit, të paharrueshmit Niko Nishku, ajo po merrte kryesimin në trajtimin e temës sportive, jam në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Në shkrimin tim të 3 shtatorit 1970 në këtë gazetë, shkruaja: “Të djersitur, të lodhur, por buzagaz dolën dje nga fusha e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” futbollistët e Partizanit. Ata përshëndetën me dorë publikun sportdashës të kryeqytetit, që i duartrokiti gjatë lojës, ndërsa aty, te hyrja në dhomat e zhveshjes, të parat duar drejt futbollistëve tanë u zgjatën ato të trajnerit të tyre, mjeshtrit të merituar të sportit Loro Boriçi. Ashtu është. Të parët për fitoren le të gëzojnë autorët e saj, futbollistë e trajnerë, pastaj ne spektatorët…”. Kjo ishte gazetaria patetike e gjysmë shekulli më parë… E rëndësishme ishte se Partizani bëhej skuadra e parë shqiptare që kalonte një tur në Kupat e Europës. E kalonte me fituesen e Kupës së atij shteti, i cili 8 vjet më parë, më 1962 me Nörköping-un kishte qenë vizitori i parë europian në Shqipëri për klubet e Europës. Është 1970.

Ai ishte një Partizan tjetër fitimtar. Natyrisht, që nuk harroj. Gushti dhe shtatori 1970 do të kishte jo vetëm kualifikimin e Partizanit, që ishte i pari në histori për futbollin “e vogël” të Shqipërisë. Vetëm Partizani kualifikohet, por 17 Nëntori apo sportklub Tirana “e sotme”, sot gjithnjë në “vuajtje’ edhe ajo, – se deri këtu mbërritëm – do të interpretonte edhe ajo sensacionin e saj: 17 Nëntori – Ajax i Amsterdamit 2-2 – perla e dytë e kësaj historie që daton më 16 shtator 1970, po në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të zhdukur. Dhe është për Kupën e Kampioneve. Histori po “kritike” edhe kjo, por që mbetet për më mbas…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com